FOTOT/ Sa para e pasuri iu morën tregtarëve dhe industrialistëve shqiptarë nga ‘Tatimi i Jashtëzakonshëm’ dhe si funksionoi ai në vitet 1945-1948!

26 Prill 2019, 09:35Dossier TEMA
FOTOT/ Sa para e pasuri iu morën tregtarëve dhe industrialistëve

Nga Kreshnik Kuçaj*

Në janar të vitit 1945 u miratua “Ligji i tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”. Përveç qëllimit politik që kishte për uljen e fuqisë financiare të klasës së pasur të asaj kohe, ligji i ri do të siguronte edhe të ardhura të rëndësishme për arkën e shtetit, në një kohë kur financat ishin të zbrazura e kur mungonin mjetet financiare.

Tatimit iu nënshtruan të gjithë tregtarët dhe industrialistët të cilët kishin realizuar fitime mbi 500 mijë franga shqiptare. Tatimi ishte progresiv prej 15 për qind deri në 80 për qind të shumës së fituar.

Nga taksa 80 për qind prekeshin ata që kishin fituar më shumë se 4 milionë franga shqiptare. Sasia e tatimit caktohej nga një komision i posaçëm dhe vendimet e tij ishin të formës së prerë.

Si funksionoi Tatimi i Jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës

Me 13 janar të vitit 1945, pushteti i ri i sapodalë nga lufta ndërmori një serë lëvizjesh të forta financiare, të përqendruara në aplikimin e një modelit të ri ekonomik, sigurimin e të ardhurave të shpejta të nevojshme për ekonominë e prekur nga lufta e njëkohësisht në planin për të goditur tregtarët dhe industrialistët e vendit që konsideroheshin edhe si kategori që kundërshtare të klasës së re politike.

Ligji i janarit përcaktonte objektivat dhe masën e tatimit, përbërjen e komisioneve të tatimit të jashtëzakonshëm, mënyrën e vërtetimit të fitimeve të tatimit, mënyrën e nxjerrjes së tij dhe masat shtrënguese kundër atyre që do të shkelnin ligjin.

Dy studiuesit e njohur të ekonomisë së Shqipërisë, Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi kanë studiuar më imtësi atë që ka ndodhur në vitet 1945-1949 me skemën e tatimeve.

Studimi evidenton se në bazë të ligjit, tatimit të jashtëzakonshëm iu nënshtruan fitimet e mëdha të luftës të realizuara nga ushtrimi i veprimtarive tregtare, industriale dhe ndërmjetëse, prej datës 7 prill 1939 deri me 31 dhjetor 1944. Shuma e tatimit të jashtëzakonshëm përcaktohej duke mbledhur të gjitha fitimet e realizuara gjatë viteve të luftës e duke zbritur nga kjo shumë 10 % që konsiderohej fitim normal.

Tatimi i jashtëzakonshëm llogaritej për fitimet mbi 500 mijë franga shqiptare, sipas një tarife që niste progresivisht nga 15 % për fitimet deri në 100 mijë franga dhe arrinte me shkallë deri në 80 % për fitimet që kalonin shumën 400 mijë franga shqiptare.

Ministria e Financave dha udhëzime të veçanta për kuptimin dhe mënyrën e zbatimit të tarifës progresive të përshkallëzuar të tatimit të jashtëzakonshëm. Progresiviteti i përqindjes së tatimit kishte në fokus goditjen e të gjithë atyre që ishin pasuruar gjatë luftës, element që evidentohet hapur në studim si synim i kësaj nisme.

Komisionet e Tatimit të Jashtëzakonshëm

Për vërtetimin e fitimeve të luftës dhe caktimin e masës së tatimit, pranë komiteteve ekzekutive të Këshillave Nacional-çlirimtare të prefekturave e të nënprefekturave krijoheshin komisone të posaçme me këtë përbërje:

3 anëtarë të këshillit nacional-çlirimtar,

1 përfaqësues i ushtrisë,

1 përfaqësues i Sindikatave Punëtore,

1 përfaqësues i Bashkimit të Rinisë,

3 tregtarë të kategorive të ndryshme që caktoheshin nga komiteti ekzekutiv,

1 teknik ndërtimesh si dhe 1-2 njohës të tregut, të emëruar po nga komiteti ekzekutiv.

Në punën për vërtetimin e fitimeve e të tatimit, komisionet mbështeteshin mbi këto dokumente:

deklarata e çdo detyruesi mbi fitimet e realizuara,

bilanci i të ardhurave dhe i shpenzimeve,

inventari i pasurisë,

kapitali dhe investimet e bëra për çdo vit,

xhiroja e veprimtarisë në para ose mallra,

vlera e mallrave të importuara ose të eksportuara,

depozitat pranë bankave,

kreditë e përdorura,

vlera e pasurive të luajtshme e të paluajtshme e krijuar nga fitimet e periudhës së luftës etj.

Administratat shtetërore e parashtetërore, entet publike e private detyroheshin me ligj që të vinin në dispozicion të komisioneve të tatimit të jashtëzakonshëm, dokumentet e nevojshme dhe të jepnin çdo informatë ose sqarim që do t’u kërkohej për vërtetimin e tatimit. Komisionet kishin të drejtë që të thërrisnin në mbledhjet e tyre ekspertë të ndryshëm e persona të tjerë dhe të dëgjoni mendimin e tyre por këta nuk kishin të drejtë vote.

Tatimi nxirrej me tre këste mujore duke filluar nga data e njoftimit. Kur kësti nuk paguhej në kohën e caktuar organet e pushtetit popullor kishin të drejtë që të vepronin për të nxjerrë njëherësh edhe këstet e tjera për të cilat nuk kishte ardhur afati i shlyerjes.

Në qoftë se tatimi nuk shlyhej në kohën e caktuar, organet e pushtetit kishin të drejtë që të vinin dorë mbi pasuritë e luajtshme e të paluajtshme të detyruesit deri në shumën e tatimit që duhej nxjerrë.

Kur fitimet e realizuara nuk deklaroheshin saktësisht komisionet kishin të drejtë që të vinin një mbitaksë baraz me 1/3 e tatimit të vërtetuar.

Akuzat për fshehje fitimesh dhe “korruptimi” i komisioneve

Për t’i shpëtuar tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, tregtarët dhe industrialistët por edhe ata që konsideroheshin si të pasurit e asaj kohe bënë rezistencë në këtë process që praktikisht u merrte fitimet dhe i dobësonte ekonomikisht.

Në studimin e tyre, Fishta dhe Toçi evidentojnë se ka pasur deklarime për fitimin më pak sesa ishin realisht e për këtë u dorëzuan edhe deklarata dhe dokumente të rreme. Po ashtu, shumë shkruanin se u mungonin librat e shitjes e llogarive, se u ishin djegur dokumentet etj.

Në këto kushte, strukturat shtetërore ndryshojnë strategji duke ashpërsuar procesin e nisur.  Ashpërsimi arriti deri në atë pika sa shumë anëtarë të Komisioneve për Tatimin e Jashtëzakonshëm u akuzuan si bashkëpunëtorë të tregtarëve për fshehjen e deklarimeve e me këtë motiv u hoqën nga komisionet. 

Shpallja e listave të tatimit dhe lufta për nxjerrjen e tij

Pas procesit të hetimit dhe studimit të fitimit të tregtarëve dhe industrialistëve të vendit, u bë shpallja publike e vendimeve të komisioneve të tatimit mbi bazën e listave përkatëse që përmbanin emrin e kompanisë, tregtarit apo industrialistit, fitimin e realizuar prej tij dhe tatimin që do të paguhej.

Këto vendime u shpallen jo njëherësh por radhë pas radhe, sipas listave të fitimeve që ishin shqyrtuar. Përparësi në marrjen e vendimeve nga ana e komisioneve iu dha qyteteve kryesore të vendit, Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe Korçës ndërsa në çdo qytet, përparësia iu dha tatimit të elementeve më të pasur të borgjezisë që tatoheshin më shumë më të mëdha. Shpallja e vendimeve me lista të veçanta ka përfshirë periudhën nga marsi i vitit 1945 deri në tremujorin e parë të vitit 1946. Këto vendime përgjithësisht janë botuar edhe në gazetën ‘Bashkimi’” shkruajnë studiuesit e njohur Fishta dhe Toçi.

Me 15 mars 1945 u shpall lista e parë e tatimit të jashtëzakonshëm në qytetin e Tiranës që përfshinte 46 kompani me një shumë të përgjithshme tatimi prej 112 milion e 469 mijë franga shqiptare ndërsa me 6 prill 1945 u shpall lista e dytë, ku përfshiheshin 37 tregtarë me një shumë të përgjithshme tatimi prej 42 milion e 240 mijë franga shqiptare.

Pas këtyre u shpallën edhe lista të tjera ku u përfshiheshin pronarët kapitalistë që i nënshtroheshin tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës.

Në qytetin e Korçës, lista e parë u shpall me 25 prill 1945 me emrat e 17 tregtarëve më të mëdhenj dhe me një shumë të përgjithshme prej 58 milion e 401 mijë franga shqiptare. Në Durrës lista e parë përfshinte 13 biznesmenët më të mëdhenj të qytetit, me një shumë të përgjithshme tatimi 84 milion e 765 mijë franga shqiptare.

Kjo listë u shpall me 23 maj të 1945. Në Shkodër lista e parë e shpallur me 7 qershor 1945 përfshinte 47 bzinesmenë me një shumë të përgjithshme tatimi prej 137 milionë franga shqiptare.

Kështu u veprua edhe në qytetet e tjera të vendit ku listat e tatimit u shpallën herë pas here.

Protestat

Publikimi i listave solli në fakt jo pak reagime, jo vetëm nga radhët e mbështetësve të pushtetit që i shikonin negativisht tregtarët dhe industrialistët e asaj periudhe, por edhe nga radhët e këtyre të fundit.

Fishta dhe Toçi evidentojnë se ka pasur reagime të shumta si kundërshtime të hapur, protesta kolektive dhe individuale, ankesa e deri lutje për padrejtësinë e tatimit dhe pamundësinë e shlyerjes së tij.

Vetëm pak ditë pas shpalljes së listës së parë të tatimit të jashtëzakonshëm për Tiranën, 33 tregtarë të këtij qyteti i dërguan ankesë kolektive Ministrisë së Financave në të cilën protestonin kundër vendimit të komisionit të tatimit dhe orvateshin që ta hidhnin vendimin poshtë.  Ata pretendonin se ishin ngarkuar me shuma kolosale dhe se vendimi i komisionit nuk synonte vjeljen e e tatimit por shkatërrimin komplet të kapitalit e të pasurisë së tyre, se tatimi ishte një grusht vdekjeprurës që rrënonte të kaluarën dhe të ardhmen e tyre.

Një ankesë e tillë kolektive drejtuar Ministrisë së Financave paraqitën edhe 23 kapitalistët e mëdhenj të qytetit të Shkodrës. Edhe ata argumentonin se vendimi i komisionit ishte i padrejtë dhe ai kishte caktuar shuma të mëdha tatimi. Sipas tyre, kjo kishte ardhur për shkak se në komision nuk kishte pasur njerëz të aftë, njerëz teknikë që të njihnin mirë gjendjen e tregut dhe veprimtarinë tregtare.

Ata kërkuan që në komision të kishte 3-4 tregtarë që duhej të mbronin interesat e borgjezisë. Në të njëjtën kohë, kërkuan që të ndalohej marrja e masave shtrënguese për nxjerrjen e tatimit derisa të përfundonte shqyrtimi i çështjes” shkruajnë studiuesit e njohur.

Për të nxjerrë me çdo kusht tatimin e jashtëzakonshme mbi fitimet e luftës në afatet e parashikuara, organet e pushtetit morën masa të forta për të siguruar arkëtimin e tyre duke i detyruar tregtarët e industrialistët që të paguajnë në ar, kartëmonedha, mallra e deri edhe më pasuri të paluajtshme.

Shitja nën kosto e pasurive të sekuestruara

Fishta dhe Toçi evidentojnë në studimin e tyre për ekonominë e Shqipërisë në vitet 1944-1948 se mënyra e nxjerrjes së tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës kaloi në dy faza. Në fazën e parë, tatimi u nxor përgjithësisht me para, në një pjesë të madhe në ar dhe në fazën e dytë ai u nxor kryesisht me mallra e pasuri të paluajtshme dhe pjesërisht me para e ar. për të realizuar objektivin e mbledhjes së të ardhurave, u nxorrën dispozita ligjore të posaçme që i shtrëngonin edhe më tej tregtarët dhe industrialistët që të mos mund të kryenin “evazion”. Me 18 maj të vitit 1945 u miratua ligji i ri që “mbi likuidimin e pasurisë së bashkëdhënësve debitorë kundrejt arkës së shtetit për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”.

Sipas këtij ligji, pasuria për të cilën me parë ishte marrë masa e sekuestrimit, likuidohej me anë të një komisioni ku merrte pjesë edhe pronari.

Likuidimi bëhej në bazë të çmimit që caktohej prej ekspertëve të ngarkuar nga seksionet e financës. Seksionet e financës kishin të drejtë që të ulnin çmimet e mallrave të sekuestruara deri në masën 30 përqind. Shitja bëhej me shumicë ose pakicë.

Me zbatimin e këtij ligji u arritën 3 qëllime kryesore: u shpejtua nxjerrja e tatimit dhe buxhetit iu siguruan të ardhura, u godit ekonomikisht më tej e financiarisht borgjezia sepse u vu dorë mbi stoqet e mallrave dhe ato u nxorën në treg dhe u siguruan burime për furnizimin e ekonomisë e të popullit me mallra të ndryshme dhe me çmime të ulëta” evidentojnë studiuesit.

Paralelisht me shitjen e pasurive, një masë tjetër që u caktua ishte edhe ajo e 18 prillit të vitit 1946 ku u caktua me ligj të posaçëm se veç konfiskimit të pasurisë do të merreshin edhe masa të tilla si burgosje për ata që nuk shlyenin detyrimet, me akuzën e sabotimit.

Komisionet e Apelimit

Në korrik të vitit 1945, ligjit mbi tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës iu bë një shtojcë që vendoste të drejtën e kriteret e ankimit dhe krijimin e komisioneve të apelimit. Sipas kësaj shtojce vendimet e komisioneve të tatimit të jashtëzakonshëm ishin të apelueshme.

E drejta e apelimit të vendimeve ishte e dyanshme. Ajo u njihej si të tatuarve me tatim të jashtëzakonshëm, ashtu edhe seksioneve të financës pranë komiteteve ekzekutive të këshillave nacionalçlirimtarë të prefekturave.  Komisioni i Apelimit drejtohej nga i deleguari i Ministrisë së Financave.

Për të apeluar vendimin, kushti kryesor ishte pagesa e këstit të parë të detyrimit që i ishte vendosur tregtarit apo industrialistit nga komisioni. Mosplotësimi i këtij kushti hiqte të drejtën e apelimit. Apelimi mund të bëhej brenda 20 ditësh nga data e komunikimit të tatimit të jashtëzakonshëm me shpallje publike.  Vendimet e komisionit të Apelit ishin të formës së prerë.

Sa para u mblodhën nga Tatimi i Jashtëzakonshëm

Tregtarët dhe industrialistët u detyruan që të paguajnë tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës me pasuri të luajtshme e të paluajtshme.

Rezultatet e tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës qenë të mëdha. Gjatë dy viteve financiare 1945-1946 dhe 1946-1947 sipas buxheteve konsuntive, tatimi i jashtëzakonshëm i arkëtuar ka qenë si vijon:

Gjatë dy viteve financiare shuma e përgjithshme e tatimit të jashtëzakonshëm ka përbërë 467 milion e 219 mijë franga shqiptare duke përbërë një zë të konsiderueshëm për arkën e shtetit. Për vitin financiar 1945-‘46 tatimi i jashtëzakonshëm ka përfaqësuar rreth 53 % të të gjitha të ardhurave të buxhetit të shtetit të atij viti. Ndërsa në vitin financiar 1946-‘47 ai ka përfaqësuar mbi 16 % të të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Tatimi i ‘pazakontë’ që pasoi Tatimin e Jashtëzakonshëm

Por tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës nuk ishte ligji i vetëm që u mori pasurinë tregtarëve dhe industrialistëve të vendit. Ndërsa procesit të tatimit të jashtëzakonshëm po I vinet fundi, në korrik të vitit 1948 u vu në zbatim një tatim i ri i emërtuar “Tatimi i Menjëhershëm”. Zbatimi i këtij tatimi u mbështet në dy ligje bashkë, në ligjin mbi tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës dhe në lgjin mbi tatimin e të ardhurave.

Qëllimi i kësaj mase të re ishte që të goditeshin më tej pozitat ekonomike të borgjezisë, tregtarëve industrialistëve e fajdexhinjve që kishin zhvilluar veprimtari spekulative gjatë viteve të luftës dhe nuk ishin tatuar sa duhej me tatim të jashtëzakonshëm. Me tatim të menjëhershëm u tatuan edhe ata kapitalistë që kishin zhvilluar veprimtari tregtare ose industriale pas çlirimit por që nuk ishin tatuar në bazë të të ardhurave që kishin realizuar në fakt” evidentohet në studimin e Iljaz Fishtës dhe Veniamin Toçit.

Edhe ky tatim, ashtu si tatimi i jashtëzakonshëm është bërë me shpallje publike në çdo rreth të vendit dhe është ndjekur sistematikisht me periudha 10 ditore.

Ky tatim u parashikua të realizohej me dy këste, i pari do të shlyhej deri me 20 gusht ndërsa i dyti me 20 shtator 1948.

Mbështetur në të dhënat e dërguara nga rrethet, Ministria e Financave kishte përfshirë në buxhetin e shtetit një shumë prej 100 milion lekësh ndërsa komiteteve ekzekutive të këshillave popullore u kishte vënë detyrë të nxirrnin 233 milion e 200 mijë lekë.

Nga ky tatim, buxheti i shtetit pati një të ardhur prej 180 milion e 923 mijë lekë duke e tejkaluar parashikimin buxhetor. Kjo masë e re, në fakt synonte edhe të korrigjonte problematikën që vendi kishte hasur në politikën unifikuese ekonomike që kishte ndjekur me Jugosllavinë që solli edhe humbje të mëdha financiare për vendin, sidomos në fushën monetare. Në këtë mënyrë, ky tatim kompensoi gabimin ekonomik të kryer me unifikimin e frangut shqiptar me dinarin jugosllav.

Deri në fund të vitit 1949 nga tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, nga tatimi i menjëhershëm dhe nga gjobat e ndryshme të arkëtuara nga kapitalistët janë nxjerrë shumat që vijojnë:

9 komente në “FOTOT/ Sa para e pasuri iu morën tregtarëve dhe industrialistëve shqiptarë nga ‘Tatimi i Jashtëzakonshëm’ dhe si funksionoi ai në vitet 1945-1948!”

  1. Grigor says:

    Mesazhi i ketij shkrimi eshte qe PKSH dhe Enver Hoxha, brenda 6 muajve te pare qe moren pushtetin, vendosen dhe forcuan shtetin.
    Pra pushteti ne funksion te shtetit. Ky ligj, thote shkrimi, do te mbushte arken e shtetit qe ishte bosh.
    Nga ana politike ishte diktature, dhe shtypi ate shtrese te popullsise qe ishte kunder komunizmit.
    Nga ana ekonomike, ishte shtet me kuptimin e plote te fjales, dhe forcoi ekonomine shqipetare.
    Pavaresisht idiotesirave qe flasin ballistet pa kulture lart e poshte, ai shtet akumuloi pasuri kombetare, te cilat PS, PD, dhe LSI kane 30 vjet qe i vjedhin dhe nuk po i mbarojne dot.
    Por ky shkrim me kujton diçka tjeter.
    Ne vitin 1066, pra afersisht 10 shekuj para Enver Hoxhes, William Pushtuesi i Normandise, pasi normanet pushtuan Angline (ndaj u quajt dhe Pushtuesi), e para gje qe beri mbasi u shpall mbret i Anglise, nxorri dekretin per regjistrimin e tere pasurive ne Angli, mbi te cilat vendosi taksa sipas asaj kohe.
    Kur e pyeten kaloresit e tij se ç’kuptim kishte ky ligj, ai u pergjigj: “Tani Anglia eshte e jona, dhe ne do ta qeverisim, por duhet ta qeverisim siç duhet. nuk pushtuam Angline per ta shkaterruar, por per ta mbajtur dhe forcuar si mbreterine tone”.
    Gati 1000 vjet me mbas, Enver Hoxha ndoqi te njejten politike.
    Ndersa Sali Berisha me PD-ne, ju e dini vete se ç’politike ndoqen – ate te shkaterrimit, vjedhjes, dhe plaçkitjes se pasurise kombetare, derisa e çuan ekonomine, Jo ne zero, por kush e di se sa minus, pra me borxhe.
    Keta shkruesit si Agron Tufa dhe shoket e tij, duke dashur te shajne Enver Hoxhen, pa dashje ja ngrejne vlerat, sepse as te shajne nuk dine.
    Por keta shkruesit, le te bejne nje here nje analize se si u vodh pasuria kombetare mbas vitit 1991.
    Apo nuk jua mban bytha nga Saliu? Enver Hoxha ja 30 vjet qe ka vdekur dhe nuk ka ç’u ben më, ndersa Saliu i tredh akoma.
    Eshte per t’u theksuar fakti qe diktatura komuniste i ruajti tere arkivat dhe e beri çdo gje me ligj.
    Ndersa Saliu dhe horrat e PD-se vodhen gjithshka pa ligj, duke shkaterruar çdo dokumentacion.
    Prandaj vazhdoj te theksoj, qe pushtetin ne 1991, duhet ta kishin marre ata qe shpronesoi Enver Hoxha – familjet Toptani, Ypi, Blloshmi, Topi, dhe shume familje te tjera qe nuk jua di mbiemrat.
    Ne kete menyre, do ishte tjetersuar prona, me ligj por asgje nuk do ishte vjedhur, sepse ata do ta kishin ruajtur si syte e ballit – natyrisht, se e kishin te tyren.
    Prandaj edhe figura si Tomorr Dosti e te tjere, u larguan nga PD, se nuk mund te pajtoheshin me njerez pa skrupuj si Berisha me shoke. Familjet qe denoi Enver Hoxha ishin me taban, familje intelektualësh, ndersa komunisti Sali kishte qene çoban me dhi deri ne moshen 18 vjeç.
    Enver Hoxha do vleresohet si figure, me te keqijat dhe te mirat e tij – ato qe kishte. Njesoj si Zogu
    Ndersa Sali Berishes nuk ke çfare t’i vleresosh. Historia e tij, prej lindjes, nxin nga çobaneria, komunizmi fanatik, dhe anarkizmi fshataresk, ose rrumpalleria, ne gjuhen e rruges.

  2. Rita says:

    Sa “bukur ” e komenton taksen e viteve 45-48 komentuesi Grigor madje na con dhe shume shekuj prapa per te thene se veprimi i pushtuesve te rinj komuniste ishte i drejte .Nga ana politike diktature e nga ana ekonomike e drejte se duhej te mbahej shteti thote ky komentues ..Dakort dhe me masa shtrenguara kur duhet te krijojme nje shtet e nje ekonomii . Por a din ti komentues se ne c”menyre u mblodh kjo takse ????? A e din se sa tregtare ,fshatare te mesem nga gjendja ekonomike ,u torturuan e u vrane neper burgje se nuk pranonin te vidheshin ne mes te dtes nga hajdute te pacipte ????? Ne vendet e tjera te europes lindore nuk ndodhi kjo kasaphane vetem ne Shqiperine e gjirokastriti kriminel . Lufta kishte mbaruer e lufta (civile ) vazhdonte ne vendin tone per te mbledhur florinjte e ekonomite e mbledhur me djerse familjet shqiptare .Helbete keto pasuri i duhej tja dergonte Titos qe tja garantonte kufijte e qendrimin ne pushtet .Ligjet qe nxori ajo qeveri hajdute nuk justifikon asnje qellim te saj / per shtetin e forcimin e ekonomise etj. etj. ) sepse u zbatua me dhune ,vrasje ,burgosje .me gjygj e üa gjygj .!! Une personalisht jam mbese e njerit prej viktima qe u torturoa e u vra ne menyre makabre brenda dhomave te torturave .pa gjygj e vendim .,Dhe sa u vrane ne te gjithe vendin vetem per kete ligj tatimi ??????? C”mallkim na ra e na ndoqi per dekada ?????

    1. cane says:

      Mire moj zonja Rita,po cfare kusuri kemi ne qe juve ju bashkuat Saluit me kompani dhe po paguajme demshperblime per ju dhe shperblime per klasen e banditeve te Vicidolit?

  3. rexha 10 says:

    ATO PASURI QE JA SEKUESTROI SHTETI NE VITIN 1945 NJERZEVE TE PASUR ,JA SEKUSTROI PER HERE TE DYTE SALIU ME LIGJIN 7501.ZAPTUAN CFARE DESHEN ,NJE RRUMPALLE ME TE GJITHA QEVERITE E TRANZICIONIT ,KU KUSHE E KUSHE MUNDOHEJ QE TI JEPTE DOKUMENTE TE LEGALIZIMEVE TE TROJEVE TE ZAPTUAR ,APO TOKAVE. U BE NJE BATERDI ,APO NJE LUFTE AGRARE E DYFISHTE,KU PASURIA E PALUAJTSHME NUKE SHKOI TEKE I ZOTI ,PORE TE HAJDUTI E KRIMINELI DHE DUKE PERDORUR NJE POLITIKE PERCA E SUNDO.

  4. Roberto says:

    Enver Hoxha meriton nje monument 100 metra te larte prej bronxi ne mes te sheshit Skenderbej dhe te hiqet ai i satrapit Zogolli!

  5. tori says:

    Gjysma e sasis se pasurive totale te sekuestruara ne Shqiperi I perkasin vetem Shkodres

  6. j says:

    Populli shqiptar është hajdut dhe per pasojë admiron kush vjedh grabit dhe konfiskon padrejtesisht.
    Ky shpirt i keq ne tipare i ka lene ne kete gjendje mizerje dhe do behen akoma me keq.
    Ne mëmëdheun e së keqes do të triumfojë i keqi më ekstrem siç ka triumfuar.

  7. Drakula says:

    Bolsheviket e filluan me triska dhe e mbyllen me tollona, kurse tani bijte e bushtrave Bolshevike jane bere kapitalista te pa meshirshem duke vertetuar anti-Shqiptarine, babezine, dhe qelbesirllekun e shpirtit te tyre prej cobene dhish dhe samarxhij.

  8. Ok says:

    Edhe tani po te behej kjo gje qe beri Enveri do mblidheshin shuma te konsiderueshme per arkwn e shetit Tj u mernin te gjithe pplitikaneve qe kane drejtur vendin keto 30 vjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje