BILANCI: Gjashtë muaj nga taksa, mbi 230 raste të kontrabandës me mallra nga Serbia dhe Bosnja

Kanë kaluar 6 muaj që kur qeveria e Kosovës kishte vendosur taksën prej 10 për qind ndaj mallrave serbe, taksë kjo e cila dy javë më pas, përkatësisht më 21 nëntor, u ngrit në 100 për qind.  Nga vendosja e kësaj takse, në Kosova kanë vazhduar të hyn mallra të kontarbanduara. Në Doganën e Kosovës kanë treguar se janë mbi 230 raste të zbulimit të kontrabandës me mallra. Ditë më parë edhe vet presidenti Thaçi ka pranuar se këto produkte po hyjnë në Kosovë edhe përmes rrugëve tjera.

Kosova ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës më 21 nëntor të vitit të kaluar. Nga atëherë e deri më tash është thënë se Serbia ka humbur miliona euro për shkak të takës.

Por, duket se edhe futja e mallrave në mënyra të ndryshme nuk ka munguar.  Që nga nëntori i vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, mbi 200 raste janë kapur me mallra të kontrabanduara nga Serbia dhe Bosnja.

Krejt këto ndodhën në pjesë të ndryshme të kufirit ndërsa brenda vendit u kryen mbi 150 aksione kontrolli, me qëllim për t’u gjetur mallrat e kontrabanduara.

“Për 6 muaj në Kosovë, që nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës nga Qeveria e Kosovës, janë ndërmarrë mbi 1000 aktivitete të patrullimit në zonat e dyshuara. Në krejt këto aktivitete, Dogana e Kosovës ka arritur të kapë në 230 raste të kontrabandimit të mallrave serbe dhe boshnjake”, kanë treguar në Doganën e Kosovës.

Megjithatë, kontroll më i veçantë u është bërë të gjitha dërgesave nga Serbia dhe Bosnja.

“Janë kontrolluar 100% e të gjitha dërgesat nga Serbia dhe Bosnja, pa dallim të vendit të origjinës”.

Me vendosjen e taksës ndaj këtyre dy shteteve, është rritur edhe numri i ekipeve antikontrabandë, me operim 24 orë në zonat ku dyshohet se ka tentim të kontrabandës me mallra, e veçanërisht në rajonin e Mitrovicës.

Nga Dogana e Kosovës thonë se pavarësisht kontrollimeve në zonat kufitare, kontrabandë ka edhe brenda shtetit.

Rreth 166 aktivitete kontrolli janë ndërmarrë në dyqane nga Dogana e Kosovës, ku në fokus ishin pikërisht mallrat e kontrabanduara.

“Sektorët relevantë të Doganës kanë rritur kontrollin tek subjektet ekonomike edhe në brendi të vendit, ku janë ndërmarrë rreth 166 aktivitete kontrolli në lokacionet e subjekteve tregtare. Kontrollet janë kryer me fokus në mallra të kontrabanduara”.

Prej kur është vendosur taksa në nëntor të vitit të kaluar, në dyqanet në Kosovë ka ende produkte të Serbisë e Bosnjës.

Thaçi e Gjuriq përplasen për taksen

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se vendosja e taksës nga Qeveria e Kosovës, i ka kushtuar ekonomisë së Serbisë dëme prej më shumë se 500 milionë euro në vit.

Gjuriq gjatë një konference për shtyp ka thënë se deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se një dëm i tillë arrin në vetëm disa miliona është e pavërtetë.

“Përpjekjet për të zvogëluar dëmin për të pakësuar presionin që Prishtina vuan nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nuk janë asgjë më shumë se një shtrembërim i realitetit”.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe është vendim i drejt dhe legjitim nga institucionet e Kosovës.

Gjithsesi, ai kishte pranuar se këto produkte po hyjnë në Kosovë edhe përmes rrugëve tjera.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk është shumë i shqetësuar për vendosjen e taksës sepse mallrat serbe po futen në Kosovë dhe nga Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia por edhe në formë të kontrabandës në për fat të keq”, ka thënë ai për mediat në Kosovë, pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Ai humb disa miliona euro, por ka fituar një reputacion në kuptimin e imazhit se si Serbisë gjoja po i ndodh një padrejtësi – sillen si viktima. Taksa vendim i drejt dhe duhet të mbetet në fuqi. Unë e kam përkrahur këtë ide nga fillimi. As s’kam bërë thirrje për pezullim, as për heqje – është gënjeshtër e kulluar”, kishte thënë Thaçi.

Taksa 100 për qind e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës ‘paralizoi’ procesin e dialogut, sepse qeveria e Serbisë e vendosi kusht largimin e taksës për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe Qeveria e Republikës së  Kosovës më 9 nëntor të vitit të kaluar pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë, dhe pikërisht një ditë pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën INTERPOL më 21 nëntor të vitit të kaluar, kjo taksë u rrit në 100 për qind.

Përveç kësaj ky vendim parashihte edhe largimin  dhe mos të lejimin hyrjes në treg të produkteve me  etiketën ‘Kosova dhe Metohija’, gjë e cila është duke vazhduar edhe tani. Mirëpo më vonë taksë 100% u vendos edhe për bendet ndërkombëtare.(monitor)

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “BILANCI: Gjashtë muaj nga taksa, mbi 230 raste të kontrabandës me mallra nga Serbia dhe Bosnja”

  1. ¬ says:

    Kontraband dhe falsifikime. Pa ne, do vazhdonte gjithmon eliminimi Kosovarve nga Sërbia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *