FOTOT/ E gdhendur në gur: “Rruga Kombëtare SH 33”, një spektakël i këndshëm

14 Maj 2019, 19:40Turizëm TEMA
FOTOT/ E gdhendur në gur: “Rruga Kombëtare SH 33”,

E shënuar në hartë si “rrugë kombëtare” një segment prej 50 kilometrash lidh qytetin e Burrelit me atë të Krujës duke kapërcyer male të larta të mbuluara nga pyje dhe përplot burime ujore që ofrojnë një spektakël të këndshëm.

Ka një rrugë për të vajtur nga Tirana në Burrel dhe një aventurë. Rruga është ajo që kalon pëgjatë luginës së lumit Mat, zgjat 90 kilometra dhe ka që mendojnë se është rruga më piktoreske në Shqipëri. Rruga gjarpëron përmbi kodra duke ndryshuar nivel disa herë e duke ofruar njëherësh panorama malesh të larta e disi të largëta ashtu edhe pllaja që në pranverë qëllon të jenë të mbushura me lule dhe që kulloten nga lopët.

Rruga e Matit dhe e Dibrës është gjithashtu një nga segmentet e fundit të rëndësishme në vend që ka mbetur me standardet e Luftës së Dytë Botërore, me kthesa të ngushta që nuk lejojnë shpejtësi mesatare më të madhe se sa 40 kilometra në orë. Megjithatë, në total kjo rrugë 90 kilometra e gjatë han dy orë.

Aventura është krahasimisht më e shkurtër në kilometra por shumë më e gjatë në kohë. Kjo ishte rruga e zgjedhur për kthimin nga qyteti i Burrelit për në Tiranë dhe kërkoi rreth 4 orë me makinë, duke përfshirë edhe ndalesat e shumta për fotografi apo për të shijuar panoramën.

Ajo është etiketuar me emrin jo shumë të përshtatshëm “rruga kombëtare SH33”. Për pjesën më të madhe është e asfaltuar. Për një segment prej rreth 15 kilometra ajo është lënë në kalldrëmin e vet historik.

E gdhendur në një mal të fortë, ajo kryen një ngjitje të jashtëzakonshme nga 300 metra mbi nivelin e detit në 1250 metra, duke çarë përmes një lugine të mbushur me pyje ahu e pishe si dhe të çarë nga një numër i madh rrëkesh, përrenjsh e ujëvarash. Në pjesën më të madhe, rruga është tashmë e troshitur dhe kalldrëmi antik është zhdukur. Por për disa kilometra pranë Qafështamës kalldrëmi ka mbijetuar relativisht mirë duke krijuar pamje të kthimit në një kohë të shkuar.

Moti këtë të martë (14 maj 2019) ishte me re dhe shi, por uji i bollshëm i zonës përgjatë rrugës, pyjet e dendura dhe lartësia e madhe e maleve përreth të krijonin përshtypjen se zona përjeton vetëm mot me shi dhe mjegull.

E gjithë lugina nga ana e Matit është pothuajse tërësisht e pabanuar. Unë rastisa vetëm një makinë në rrugë gjithsej. Pjesa më problematike e rrugës është aty ku kalldrëmi historik është rrëzuar, por në tërësi, një makinë gjysmë e lartë mjafton për një aventurë të tillë.

Pasi kalon Qafështamën, rruga deri në Krujë është asfaltuar një dekadë më parë dhe ofron një surprizë tjetër të këndshme për këdo që nuk e ka parë ende “Malësinë e Krujës”. Një rrugë gjarpëron në mënyrë të vazhdueshme përmes luginave dhe në faqe të maleve të njëpasnjëshme deri sa del në Krujë, në një zonë që në përgjithësi është depopulluar shumë gjatë dekadave të fundit ndërsa natyra duket se është kthyer me forcë në hapësirën e lënë pas nga njerëzit.(BIRN)

2 komente në “FOTOT/ E gdhendur në gur: “Rruga Kombëtare SH 33”, një spektakël i këndshëm”

  1. Mati says:

    Foto 1 fshati im me I bukur ne bote. Fshati Midhe 3 km ne perendim te Burrelit

  2. Malok says:

    Natura e veriut eshte e mrrekullueshme, jane kafshet qe jetojne ne ate zone qe jane te rrezikshme…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje