Lotito bën skandal në Itali, ndryshohet rregullorja për të shpëtuar ekipin e tij

Seria B italiane është në kaos total, sepse ashtu nisi verën e shkuar dhe ashtu po mbyllet, nëse do të mbyllet ndonjëherë. Nëse vjet gjyqet u zvarritën deri në tetor dhe disa skuadra zbritën në Serinë C, duke kaluar nga 22 në 19 ekipe në B dhe duke e lënë Virtus Entellan në dyert e gjykatave, këtë radhë çorba ka ardhur për shkak të përjashtimit të Palermos.

Klubi jugor është zbritur në vendin e fundit në renditje për shkak të parregullsive administrative dhe manipulimit të bilanceve, të paktën në shkallën e parë të Gjykatës Federale.

Këtu nis cirku: fillimisht Liga e Serisë B publikoi renditjen e re, që spostonte një vend më lart gjithë ekipet, duke bërë që Venezia të shpëtonte pa play-out dhe Salernitana e Foggia të luanin ndeshjet shtesë për mbijetesë, ndërsa pak orë më vonë kthesa totale: Palermo, Foggia, Padova e Carpi në C, pa asnjë ndeshje play-out, duke bërë që të shpëtojë edhe Salernitana.

Natyrisht, një veprim skandaloz, që ka në prapaskenë Salernitanën, përfaqësuesi i së cilës, Marco Mezzaroma, është zëvendëspresident i Ligës së Serisë B, por nën akuzë është sidomos presidenti i plotfuqishëm i Lazios, Claudio Lotito, i cili është pronar i Salernitanës.

Veprimi i Ligës ka habitur të gjithë dhe Foggia, përveç Palermos, kanë paralajmëruar luftë ligjore, por ndërkohë faza play-off për ngjitje në Serinë A do të nisë sipas parashikimeve, më 17 maj, me Perugian që merr vendin e Palermos (Verona-Perugia e Spezia Cittadella në çerekfinale, fituesit do të ndeshen me Benevento e Pescara në gjysmëfinale).

Pikërisht më 17 maj Foggia do të marrë përgjigjen nga Komiteti Olimpik Italian në lidhje me apelin kundër penalizimit me 6 pikë në renditje, dhënë gjatë sezonit për parregullsi financiare. Nëse Foggias i kthehet qoftë edhe një pikë, ajo kalon Salernitanën në renditje dhe shpëton. Natyrisht, me Gjykatat krahinore dhe më pas CAS-in e Lozanës në sfond. Katrahurë!

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *