Jari shpërthen ndaj Mediut: Lista e qeverisë së tij nuk ka miratimin tim

Pas këmbënguljes së Fate Mediut për të bërë doemos qeverinë e ëndrrave të tij, Jari u nervozua dhe mendoi ta ndante shqetësimin e tij me demokratët për këtë veprimtari të paligjshme të Mediut:

“Të nderuar demokratë,

Jari ju sqaron!

U bënë disa ditë që Fate Mediu këmbëngul në shtyp për një listë qeverie, e cila nuk e ka miratimin tim.

Ai bën sikur ka gjetur ca emra nga e majta dhe e djathta, por në fakt ajo nuk është qeveri e ëndrrave të demokratëve, por qeveria e ëndrrave të Fates, pasi ata i ka të gjithë shokë.

Një qeveri e pranuar nga unë, nuk mund të jetë kurrë një qeveri me njerëz të tillë.

Defekti i pare i kësaj qeverie, është se ai ka zgjedhur të fusë në qeveri, socialistët e mërzitur me Ramën  dhe demokratët e mërzitur me Lulin.

Por po u bë kjo, ça kuptimi ka lufta e Lulit dhe rezistenca e Ramës?

Ne të bëjmë luftë me njëri- tjetrin dhe këta t’i bien qylit?

Kurrën e kurrës.

Një qeveri tranzitore, është një qeveri që duhet të shpërblejë njerëzit që do të detyrojnë Ramën të dorëhiqet, jo ata që rrinë në hije.

Nuk është se jam kundër gjithë personave në listë, por nuk jam dakord që këtë listë ta bëjë Fatmiri, i cili mezi pret të futet në qeveri.

Fjala vjen, nëse ne lëmë jashtë qeverisë Faron dhe fusim Besnik Msutafajn, atëhere del që ne kemi fyer një baba heroi.

Po futëm në qeveri Anila Godon, mjeke, dhe lëmë jashtë Mulin, po mjek, atëhere dekurajojmë demokratët.

Muli ka shpikur bombën “Mulitov” duke qenë mjek, ajo thjesht ka qenë ministre e Mediut.

Si mund ta bëjmë ne këtë!

Kam rezerva dhe për emrat që propozon nga e majta.

Ai thotë që Ben Malaj është Ciprasi i ri i Shqipërisë.

Kjo më shqetëson, pasi ne nuk duhet të kemi idhuj ekstremistë të majtë.

Pastaj unë si demokrat i vjetër kam hyrë në politikë duke rrëzuar Ben Malajn nga pushteti, pasi i thoshim i korruptuar, i lidhur me Gjallicën me firmat piramidale, ministër i Fatos Nanos e çfarë si kemi thënë!

Me sa di unë Ciprasi nuk ka qenë një herë 20 vjet politikan dhe pastaj është ribërë i majtë.

Kjo i bie sikur grekët t’i thonë Papandreut hajde bëhu Cipras.

Ndaj nuk jam dakord që të quhet Cipras.

Po të jetë për të kthyer Ben Malajn, duhet të kthejmë dhe Doktorin dhe Fatos Nanon.

Personalisht e kam mik, kemi pas biznes familjar bashkë, dhe nuk na ka ecur, se na u vra për gjah burri i një prej aksionerëve, Kosta Trebicka, dhe hoqëm dorë.

Por miqësia, miqësi, e vërteta, e vërtetë.

Nuk dua të vazhdoj më tej me këtë analizë, pasi nuk kam gjë personale me ta, por nuk jam për lista klienteliste, aq më tepër të diktuara nga Mediu, vetëm se i ka shok.

Opozita duhet të jetë serioze.

Ajo tashmë ka dy ish- presidentë në krye të protestave, dhe ka me kë konsultohet për gjëra të tilla me rëndësi.

I juaji, Jari!”

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Jari shpërthen ndaj Mediut: Lista e qeverisë së tij nuk ka miratimin tim”

  1. Basri Shkurtaj says:

    Tani o Jari, si miku im i vjeter hip ketu e shiko Stambollin nese u poqen fiqte?!

  2. Doktori says:

    Per here te pare Jari eshte realist…! Bravo Jari dhe kush ta ka bere tekstin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *