Kosova e varfër paguan shtrenjtë për autostradën e re

Autostrada e re Prishtinë-Shkup është prezantuar si një nxitje e madhe e tregtisë me fqinjët e Kosovës – por ekspertët thonë se përfitimet ekonomike janë të paqarta dhe projektit i mungon gjithashtu transparenca.

Nga Blerta Begisholli

Një autostradë e re 60 kilometra që lidh kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën me kufirin e Maqedonisë së Veriut pritet të inaugurohet në fund të këtij muaji.

Rruga do të ketë urën më të madhe në rajon, që shtrihet për 5733 metra dhe pjesë të saj kalojnë nëpër malet e Sharrit, duke u dhënë shoferëve një pamje piktoreske të rrethinave të qytetit të Kaçanikut.

Por kritikët e akuzojnë qeverinë e Kosovës për disa dredhi me projektin, pasi media dhe grupe të shoqërisë civile patën vështirësi të fitojnë akses në kontratat dhe dokumentet shtesë të tij.

“Një kërkesë u miratua pas disa telefonatave dhe takimeve dhe pasi media raportoi publikisht [për këtë çështje],” kujton Diana Metushi-Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, që është pjesë e Transparency International në Kosovë.

Por KDI dhe publiku ende nuk kanë akses në pjesë të kontratës ku qeveria e Kosovës pranoi të paguajë një gjobë prej 53 milionë eurosh për mospërmbushje të kërkesave të pagesave nga kompanitë e ndërtimit në 2014, ose pjesë që zgjasin datën e mbarimit, kërkuar nga qeveria nga 18 janari 2018 në 31 dhjetor 2018.

“Është një kontratë e negociuar dobët dhe mbase më e keqja e menaxhuar nga qeveria, duke krijuar penallti të mundshme,” tha për BIRN Metushi-Krasniqi.

Ndërtimi i autostradës filloi në vitin 2014. Duhej të përfundonte në fillim të vitit 2018. Por në shtator 2017, qeveria arriti një marrëveshje me Bechtel Enkan për të hapur autostradën në fund të vitit 2018.

“KDI gjithashtu konstatoi se Ministria [e Infrastrukturës] kishte zgjatur kohën e përfundimit përsëri, nga 31 dhjetori 2018 deri më 1 qershor 2019, duke eliminuar mundësinë e ndëshkimeve nga kontraktuesi”, tha Metushi Krasniqi.

Kjo shtrirje u bë për të adresuar problemet buxhetore të qeverisë së Kosovës, vuri në dukje ajo.

BIRN i kërkoi Ministrisë së Infrastrukturës të shpjegojë pse zgjati afatin kohor në kontratë, por nuk mori përgjigjje.

“Problemi me kërkesat e pagesave”, shtoi Metushi-Krasniqi, “është se sipas kontratës këto janë vlerësime jo detyruese që duhej të dorëzoheshin çdo tre muaj, jo si grumbullime vjetore. Në këtë mënyrë, ne kemi humbur 53 milionë euro për një vlerësim jo-detyrues “.

Qeveritë e mëparshme e dinin për penalitetet për shkak të vonesave në punë dhe vonesave në pagesë, por nuk reaguan aq shpejt sa t’i minimizonin ose t’i parandalonin ato. Nëse kanë reaguar, gjithsesi nuk kanë arritur të nënshkruan një aneks të ri për këtë punë në marrëveshje, tha KDI.

Është interesante që në qershor të vitit 2018, kur qeveria deklaroi se nuk kishte para për të paguar firmat e ndërtimit Bechtel & Enka, rreth 300 milionë euro ishin në dispozicion për zbatimin e projekteve, por nuk u përdorën.

Këto para u morën si kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare, sipas një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

Investim i lartë për përfitime të paqarta:

Dy kompanitë që ndërtuan autostradën, kompania amerikane Bechtel dhe partneri i saj turk Enka, nënshkruan kontratën në korrik 2014 për 600 milionë euro.

Ata mundën ofertuesin tjetër, Cooperativa Muratori & Cementisti, C.M.C. e Ravenna dhe Dogus, të cilat kërkonin një çmim më të lartë. Ministri i infrastrukturës në largim, Fehmi Mujota, nënshkroi kontratën më 1 korrik 2014.

Qeveria ka paguar për autostradën nga buxheti i saj për investime kapitale. Një e treta e buxhetit të përgjithshëm të 2019 është gjithashtu e rezervuar për projektet e infrastrukturës.

“Pas përfundimit të ndërtimit, do të bëhet një raport përfundimtar mbi koston përfundimtare nga Hill International [konsulenti i ndërtimit],” tha Rexhep Kadriu, Zëvendës Ministri i Infrastrukturës në janar.

Hill International në vitin 2015 paralajmëroi se qeveria kishte hyrë në detyrime pa pasur një plan të kërkesave dhe pagesave dhe rekomandoi zgjatjen e afatit të kontratës për shkak të kufizimeve buxhetore.

Autostrada u prezantua si një portë për investime dhe tregti, pasi do të përshpejtojë lidhjet midis tregjeve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Selaniku do të arrihet në më pak se 4 orë. Kjo mund të rrisë tregtinë greke dhe të Maqedonisë Veruire me Kosovën.

Gjithashtu do të lehtësojë aksesin për kosovarët në aeroportin e Shkupit, i cili ofron çmime më konkurruese sesa aeroporti i Prishtinës.

Fluturimi nga Prishtina është zakonisht më i shtrenjtë për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur të Kosovës me Serbinë mbi pavarësinë e saj. Si rezultat, fluturimet nga Kosova nuk mund të kalojnë hapësirën ajrore serbe dhe duhet të kalojnë përmes Maqedonisë Veriore apo Malit të Zi, që kërkon më shumë kohë.

Por Metushi-Krasniqi vë në dyshim përfitimet e mundshme tregtare për Kosovën nga autostrada, meqenëse Maqedonia Veriore shet shumë më tepër në Kosovë se sa blen.

“Duke marrë parasysh hendekun e madh midis importeve dhe eksporteve me Maqedoninë e Veriut, për momentin kjo autostradë do të jetë më e dobishme për Maqedoninë sesa Kosovën,” sugjeroi ajo.

Kosova gjashtë muaj më parë vendosi një tarifë 100 për qind për mallrat nga Serbia, e cila ka krijuar boshllëqe në treg. Siç ka raportuar dhe media, Maqedonia e Veriut ka rritur eksportet e saj në Kosovë që nga viti i kaluar.

Edhe pse Kosova tani ka shpenzuar miliarda për infrastrukturën rrugore PBB-ja e fituar nga transporti në 2018 ka rënë në krahasim me vitin 2017.

Në anën veriore, afër Prishtinës, autostrada e re lidhet me autostradën Ibrahim Rugova, e cili shkon nga Kosova në Shqipëri.

Për t’i dhënë peshë patriotike projekteve të kushtueshme, Hashim Thaçi, tani president por atëherë kryeministër, i dha autostradës së re emrin e Arbër Xhaferit, maqedonasit etnik shqiptar i cili nënshkroi marrëveshjen e paqes në Maqedoni midis qeverisë në Shkup dhe pakicës etnike shqiptare në vend, duke i dhënë fund një konflikt të armatosur atje në vitin 2001.

Por autostradat me emra patriotikë duket se i kushtojnë shumë Kosovës. Autostrada që e lidh me Shqipërinë ishte një nga rrugët më të shtrenjta të ndërtuara në Europë – dhe u karakterizua nga mungesa e transparencës dhe nga akuzat për korrupsion.

Maqedonia e Veriut planifikon të përfundojë zgjatimin e vet

Ndërsa Kosova përfundon pjesën e saj të autostradës deri në kufi, Maqedonia fqinje në fillim të këtij viti njoftoi se do të fillojë të ndërtojë pjesën e saj shumë më të shkurtër, duke filluar nga pika kufitare e Bllacës deri në Shkup.

Në shkurt nisi nga mbledhja e ofertave për një kompani ndërtimi për të ndërtuar dy kilometrat e para të shtrirjes prej 12.5 km.

Kostoja e vlerësuar e të gjithë shtrirjes do të jetë rreth 110 milionë euro. Do të ndërtohet në faza dhe qëllimi është të përfundojë deri në vitin 2023.

Autoritetet kanë justifikuar koston e lartë nga natyra e komplikuar e terrenit. Pothuajse gjysma e rrugës do të ketë ura dhe tunele. Kostoja e shpronësimit të tokës është gjithashtu e lartë.

“Kemi hasur probleme përgjatë gjithë shtrirjes me shpronësimin e tokës dhe me projektin bazë të ndërtimit [që duhej të ripërpunohej]”, shpjegoi në janar Ministri i Transportit i Maqedonisë Veriore Goran Sugarevski.

Planet për ndërtimin e kësaj rruge datojnë rreth dhjetë vjet më parë. Projekti fillestar, tha Sugarevski, duhej të ndryshohej rrënjësisht, pasi shumë pjesë të tokës ishin ndërkohë zënë nga komplekset industriale pranë Shkupit.

 

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Kosova e varfër paguan shtrenjtë për autostradën e re”

  1. Sokol says:

    Te na rruaje ramush patrioti qe ben show koqevaret e duan si krishtin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *