Ish-zyrtarët e Kavajës shpallen fajtorë për falsifikimin e pronave në bregdet

Ish-kryeregjistruesi i Kavajës, Seid Cikalleshi dhe tetë zyrtarë të tjerë u dënuan me 18 vite burg gjithsej për skemën e falsifikimit të pronave shtetërore në zonën e Spillesë, të cilat i përfituan familjarët e Elvis Roshit dhe drejtuesve të tjerë lokalë.

Nga Elton Qyno

Gjykata e Kavajës shpalli fajtorë nëntë zyrtarë lokalë dhe i dënoi ata me 18 vite burg për tjetërsimin e pronave në plazhin e Spillesë. Sipas vendimit të shpallur në prill nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, ish-zyrtarët e Hipotekës dhe njësive administrative në Kavajë kanë përfituar uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata e Kavajës urdhëron gjithashtu që 5 parcelat e tokës objekt shqyrtimi të kalojnë në pronësinë e shtetit. Sipas hetimeve 2-vjeçare të Prokurorisë, ish-zyrtarët janë përgjegjës për falsifikimin e dokumenteve që mundësuan tjetërsimin e pronave publike në bregdet; fillimisht në emër të banorëve të zonës dhe më pas tek të afërmit e drejtuesve të pushtetit lokal, përfshirë ish-kryetarin e Bashkisë, Elvis Roshi.

Hetimi për tjetërsimin e 36 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës u finalizua në nëntor 2017 me arrestimin e 11 personave. Urdhër-arrest u lëshua edhe ndaj shefit lokal të Hipotekës, Seid Cikalleshi. Hetimet zbuluan skemën e tjetërsimit, e cila kishte transferuar 36 ha prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta.

Çështja u dërgua fillimisht për gjykim nga Prokuroria e Kavajës në shkurt të vitit 2018, por në një seancë paraprake të zhvilluar në korrik 2018, Gjykata e Kavajës e ktheu atë pas për hetime të mëtejshme.

Dosja e falsifikimeve u dërgua për herë të dytë në gjykatë në fillim të vitit 2019; ku u vendos nisja e shqyrtimit gjyqësor. Me vendimin e shpallur në prill, Gjykata e Kavajës i ka gjetur fajtorë nëntë zyrtarët lokalë për skemën e tjetërsimit të pronave në plazhin e Spillesë.

Ish-kryeregjistruesi i Kavajës është dënuar me 2.8 vjet burg për falsifikim dokumentesh si dhe me ndalim 2-vjeçar për ushtrimin e funksioneve publike.  Dënime të ngjashme në aplikim të gjykimit të shkurtuar morën edhe 7 të pandehurit e tjerë, ndërkohë që dënimi për Aida Gjocin është konvertuar në punë të detyruar pranë ndërmarrjes komunale të Kavajës.

Falsifikimet e pronave në Kavajë janë vetëm një prej rasteve të hetuara vitet e fundit nga Prokuroria për abuzime masive me tokat publike. Prokuroria ka çuar në Gjykatë ose po heton çështje të ngjashme në Shkodër, Vlorë dhe Lezhë.

Një çështje e ngjashme po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ka të akuzuar ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, vëllain e tij dhe një sërë zyrtarësh lokalë, që akuzohen edhe tjetërsimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës në bregdetin e Lezhës.

Dënimet e të pandehurve

Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë dënohet me 2.8 vjet burg

Andi Gjeçi, jurist në  ZVRPP Kavajë dënohet me 2.4 vite burgim

Asim Arkaxhiu dënohet me 2 vjet burgim

Aldo Kila dënohet me 1.8 vite burgim

Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh dënohet me 3 vjet burgim

Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave dënohet me 2 vjet burgim

Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP dënohet me 2 vjet burgim

Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës dënohet me 2 vjet burgim

Aida Gjoci, 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar

 

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Ish-zyrtarët e Kavajës shpallen fajtorë për falsifikimin e pronave në bregdet”

  1. kujtesa says:

    Kjo eshte per tu tallur. Keta duhej te denoheshin me nga 18 vjet sejcili dhe jo 18 vjet ne total.
    Ata dhe kushdo qe grabit 36 hektare toke ne bregdet,duhet te jene te lumtur. Nese 18 vjet per 9 persona jane dy vjet per person,i bie qe 36 ha per 9 persona jan 4 ha per person ose 40.000 m katror per person.
    Llogarine se sa para bejne 40 ha,bejini vete.
    A nuk ja vlen te besh 2 vjet burg? Patjeter qe po!
    Kush nuk ben kaq vjet per 4 miljon euro?????
    Kjo eshte drejtesia qe duam👍👍👍👍👍👍

  2. Cudia says:

    Po Roshi si perfitues pse nuk u denua?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *