Antifashistët e "Urës së Bënçës" nuk i bëjnë duman e duvak asnjë partie e qeverie

18 Maj 2019, 20:06Blog TEMA

Nga Kristo Mërtiri

Na mbyti Polit(h)ika ! Vërshimet e saj tashmë janë bërë një përmbytje sociale tragjikomike. Mbllacitemi e nanuritemi me dëngla e pallavra rrogtarësh me e pa honorare, qysh në pikë të mëngjezit. Nga mikrofona, ekrane e faqe gazetash. E, sidomos mbrëmave zhurmuese në metropol ! Gati pëlcasin studiot televizive nga gjithologët me maska e pa maska partiake, nga cirakë të regjur që cirren e nduken për t’ua bërë sa më mirë hyzmetin iksit e ypsilonit në Qeveri e Opozitë. Le të irritohet opinioni publik i shëndoshë. Mjafton që karvani i favoreve e përfitimeve krejt të pamerituara, të sigurohen në kohë e sipas orekseve cipëplasura. Mirëpo, “ciraku nuk i sheh këmbët e veta”! Dhe as shushatet e tulatet nën krismat e kapsollave dhe nën flakën e bombave molotov nëpër dyer e dritare shtetërore. Jo rastësisht një gazetë gjermane jo dosido, pardje na pagëzoi hapur si “vend kaotik në duar gangsterësh”?! Bota e qytetëruar ka sy e veshë.

Ajo nuk e bën dot as memecllëkun e qorrin, dhe as shurdhin, larg shërbëtorëve të verbër e cinikë gjer në neveri. Aq më tepër Bota Antifashiste me vlera të patjetërsueshme njerëzore e progresiste, që mbron dhe ngre në piedestale nderimi cdo ngjarje të shënuar në histori. Ndërsa ne ua hedhim shpesh qyrkun e fajit vetëm Kryeministrave që vijnë e shkojnë kaluar, sa herë duam të largojmë cdo prapësi, cingërimë e djallëzi nga vetja. Sepse fjala vjen, jo për cdo ngjarje të mirënjohur nga Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare e popullit shqiptar, duhet të marrësh medoemos dorën e kryetarit të Qeverisë së radhës. Qoftë në qytete të mëdhenj e të vegjël, qoftë në fshatrat më të thellë malorë!

Historia e asaj Lufte të shenjtë liridashëse nuk u bë e as u shkrua vetëm në bulevardet e metropolit dhe as thjesht nga disa kokrra drejtuese që lakohen e stërlakohen pa hesap e pa kandar në media e tubime të ndryshme monotone, kokrra që përfituan tërë jetën sa e si deshën në kurriz të njerëzve të thjeshtë, trima e modestë deri sa mbyllën sytë e ikën përgjithmonë nga kjo botë e trazuar. Këta të fundit nuk kërkuan kurrë lëvdata e dekorata, shpërblime e privilegje, spaleta e poste. Shërbimet e shquara dhe sakrificat me okë përballë Atdheut të pushtuar nga të huajt e sahanlëpirësit e brendshëm, ata i quanin detyra patriotike për cdo shqiptar të mirë. Dhe kaq ! Brenda e jashtë kufijve.

Përshembull, dy ditë pas pushtimit të zi në 7 Prill 1939, në Buenos Aires të Argjentinës, u demonstrua hapur me Flamurin Kuq e Zi në duar. Në krye të protestuesve mërgimtarë shqiptarë ishte Koco Koci nga Lekëli i Tepelenës, vëllai i madh i dëshmorit të paharruar Mihal. Historia mban shënim e nuk i fshin nga faqet e saj dritëpashuara. Ose le të afrohemi në trevat tona këtu : Në ballë të qëndresës Antifashiste e kundër regjimit të pushtimit u hodhën të parët punëtorët e sfilitur që nuk duronin nëpërkëmbjen, shtypjen, shfrytëzimin, vetë robërinë vrastare eshtër më eshtër, zemër më zemër.

Nuk pritën të krijoheshin partira e qeverira. Ishin orët e para të zemërimit, dëshpërimit e shpërthimit Antifashist nëpër kantiere e rrugë ndërtimi. Besoj e ke lexuar Fjalorin Enciklopedik Shqiptar :”…Ndër grevat e protestat më të rëndësishme gjatë pushtimit italian ka qenë ajo e punëtorëve që ndërtonin Urën e Bëncës në Tepelenë”. Ishte e para. Të tjerat janë më prapa, si në rrugën Peshkopi-Burrel; Pukë-Kukës; në Milot e Përmet, në Selenicë, Kucovë etj.

-Më dëgjo pak, miku im ! Të premten e javës që shkoi, ngjarja e Urës së Bëncës mbushi plot 80 vjetë. Asnjë institucion lokal e qëndror nuk e theu dot heshtjen e pamerituar! As media elektronike dhe ajo e shkruar nuk u kujtuan hic gjatë vrapimit të pandalshëm 24 orë non stop e si rrodhe pas Polit(h)ikës rrumpallë djathtas e majtas. Polit(h)ikë pa moral që po i merr shpirtin mëmëdheut! 

Po ikën gjysma e vitit jubilar të Clirimit dhe akoma nuk po bëzan ndonja program i posacëm shtetëror e qeveritar (?!). Asnjë Institut, Drejtori a Zyrë me rroga të majme parlamentare e qeveritare (për Luftën kundër Nazifashizmit) nuk është ngritur ende me ndonjë VKM e Projektligj gjer më sot !…Ore babam, nga kush trëmben sot këta “elitarë” politikë majtas e djathtas, që duan t’i bëjnë si corbë derri mjaft të vërteta historike ? Gjatë 3 dekadave të fundit në Tranzicion, shumë prej tyre mund të kenë rrëmbyer trasta e thasë me lekë, dollarë e euro, por…kanë mbetur pa asnjë gram dinjitet e personalitet ! Dhe kujtojnë se populli i shkretë mbyll sytë e ha bar përballë kësaj shëmtire morale e hipokrizie të pashoqe. Sa për përcaktimin “majtas e djathtas”, mos u sëkëlldis hic : Gati të gjithë janë pasardhës të luftëtarëve e dëshmorëve të Lirisë, por interesat e fëlliqura i tjetërsuan tmerrësisht në pluralizëm. Ama, kjo thagmë ndodhi pasi molën me të dyja duart lopën e bekuar të monizmit! 

Brënda natës ndërrojnë kostume e llogore, bindje e parzmore dhe befas gdhihen “evropianë” e pasunarë të devotshëm nëpër grazhde të pista politike e financiare. Njerëzia shtyn si me shpirt në dhëmbë muajin, të tjerë marrin arratinë !…Nuk rri dot pa të pyetur, miku im : Mos je mekur e tërhequr edhe ti pasi botove shkrime për famëziun “Aushvic” matanë Urës së Bëncës ?! Apo të ka tronditur vetmia e shtetarëve sipërorë nga metropoli, vetmi që zbuloi fort e qartë mendimin dhe qëndrimin e prerë të tepelenasve të mencur e me karakter stërralli…Apo mos ke rënë nxitimthi nën hijen e etiketës dalëboje “konflikt interesi”? Se vërtet babai juaj ishte protagonisti kryesor i asaj Proteste Antifashiste të paharruar, që u arrestua, u burgos në kalanë e Gjirokastrës e u internua në Shëngjin të Lezhës, por dy fjalë për atë qëndresë atdhetare(qoftë edhe pa emra e mbiemra) mendoj se duhet t’i thoshje edhe ti në media. E, aspak për të mbyllur gojët e pambyllura të disa pehlivanëve kallpazanë që kanë shirë e shijnë nëpër lëmenjtë e të tjerëve me plot merita lufte e pune dhe që nuk i ranë kurrë gjoksit apo të rrëfenin pendëfryrë plagët e veta. Ikën faqendritur e të kulluar si ata…

Për të qenë i sinqertë deri në fund, i dëgjova jo pa trishtim e vëmendje mendimet e sugjerimet e miqve të mi Pasardhës Veterani, sot me banim në Tiranë. I njoh e më njohin herët dhe i kuptoj mirë, në cdo kohë. Jemi rritur bashkë, me halle e pa halle. I thonë gjërat troc, pa lëpirje e lajka, pa kumbulla e bajame nëpër dhëmbë. Madje, në fund mu lutën të citoj këtë paragraf nga Historia zyrtare e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare : “ Karakter të hapët antifashist mori greva e punëtorëve të Urës së Bëncës më 10 maj 1939. Punëtorët kundërshtuan kategorikisht të merrnin pjesë në pritjen e ministrit Italian të Punëve Botore dhe të brohoritnin për fashizmin, edhe pse u premtuan nga 5 lekë (!) si shpërblim.

Punëtorët e revoltuar kërcyen nga makinat duke protestuar dhe duke bërtitur :”Nuk blihemi për 5 lekë !”. Ata u vërsulën kundër zyrave të kantierit kur një shok i tyre (babai im i ndjerë (K.M.), u arrestua si nxitës i këtyre veprimeve”. Ky informacion i shkurtër por korrekt, nuk mund të shkulet e as të manipulohet nga ndonjë kalemxhi sharlatan e zemërkatran. Rrallë ka mbetur gjallë ndonjë dëshmitar e pjesmarrës në atë grevë e protestë Antifashiste. Por nuk zhduken tregimet e tyre me shkrim e me gojë, bijat dhe bijtë e tyre, nipat e mbesat e dhjetra punëtorëve qëndrestarë e atdhetarë. Këta të fundit, jo më kot kanë vlerësuar e nderuar pas vdekjes mjaft nga ata veteranë luftëtarë të orëve të para ! Qoftë edhe ky fakt flet shumë…

Por heshtja institucionale e shtetërore rreth atij 80 vjetori jubilar, nuk mund të mos lëjë një shije të hidhur. Nuk pipëtin asnjë historian rrogtar publik a pasionant privat, që gdhihet e ngryset pranë erës së partive që fryn e cfryn nëpër tubime e media (Pak ditë më parë, më në fund gjeta mjaft fletë origjinale fiks 80 vjecare në Dosjen me mbishkrimin drithërues : Gjyqet Speciale Politike ! Informacione; Komunikata; Dëshmi të panjohura e “tepër secrete”; Ballafaqime tronditëse nëpër zyrat e Kuesturës e të Prokurorisë fashiste; Vendime dënimi e internimi me firmën e Maliq Bushatit dhe të disa ministrave kuislingë etj. E gjithë kjo mbetet një temë tjetër e hapur, me dokumente e fakte të pakundërshtueshme, që meriton trajtim të vecantë nesër…).

Sa për objektin e këtij shkrimi, unë kam bindjen se Ura e Bëncës në Tepelenë, në fund të fundit, nuk u merr namusin partive e qeverive “namusqare” në monizëm e në pluralizëm ! Përkundrazi. Së pari, ajo protestë punëtore Antifashiste nuk i bën duman(re e dendur tymi e pluhuri) dhe as mjegull ndokujt në pushtet a opozitë. E theksoj kështu, sepse tani për tani në Shqipëri, po nuk u deshi qejfi liderëve lokalë e qendrorë, rrallë e për mall mund të nderohen e përkujtohen ngjarje të rëndësishme(?!). Disa prej tyre i kanë “sytë duman” nëpër mendertendera e pisllëqe të tjera financiare, për të mbajtur kolltuqe e ulluqe me intriga e ligësira hajdutllëku. Së dyti, Ura e Bëncës ka 80 vjetë që nuk i bën duvak ndonjë partie e qeverie.

Dhe as ndonjë historiani matrapaz, punonjësi kulture mediokër a nga ata të muzeut që rrinë e presin duvakë të bardhë, jeshilë, blu a të kuq nusërie përballë pushteteve që vijnë e shkojnë. Përballë polit(h)ikës që i përdor si shërbëtorë ethebutë e përtej realitetit. Mjafton të marrin rroga e spaleta “shkencore” kallpe ! Mizëria me “namusqarë” e hyzmeqarë të rëndomtë borderoje dhe pa shtyllë kurrizore, mjerisht nuk po pakësohet. Dhe as që u afrohen gjëkundi punëtorëve Antifashistë shqiptarë që s’menduan dhe as kërkuan kurrë spaleta e kuleta, luks e trumpeta, favore të ligjshme e të paligjshme. Sepse para këtyre, ata deshën me shpirt më shumë Shqipërinë !…

5 komente në “Antifashistët e “Urës së Bënçës” nuk i bëjnë duman e duvak asnjë partie e qeverie”

  1. Erioni says:

    Te vertetat historike nuk fshihen lehte dhe pse sherbetoret e fashizmit, balliste, zogiste, cfardo qofshin bejne dhe do te bejne te pamunduren t’i sfumojne edhe ngjarje te tilla qe jep me vertetsi e krenari gazetari i ketij shkrimi, Njerzit perkulen me respekt para antifashistve qe nuk kursyen asgje per Shqiperine. Ata do te mbeten shembelltyra e brezave qe jane e do te vine.

  2. Rifati says:

    Heshtja institucionale ndaj ngjarjeve te Luftes sone Antifashiste flet per jo mire. Keta jane minjte qe paraqiten ndryshe dhe veprojne ndryshe, te inkurajuar nga qeveritare qe mendojne si te vjedhin e te pasurohen. Mire e thua Kristo, jane ethebutet e kesaj kohe.

  3. Identiku says:

    Nuk e keq. por nje gje skuptoj. Kujt i je drejtuar ? Apo neofashisteve qe na qeverisin apo na kullandrisin sot?

  4. Bejtua says:

    Ne kete kohe rrokopuje,
    “patriotet” si mulliri pa uje.
    qe shiten e blihen ne pazar
    si me te dhemshurit e trollit shqiptar.
    Ne nje sahan hane e pine me ballistet
    Dhe sduan tia dine per antifashistet,
    per trimat qe gjithcka e dhane per lirine,
    mjafton te vjedhin, te hane. te pine.
    Keta te pafe, qe bejn pune tinezisht
    abandonojini, mos i merrni seriozisht.
    Mirenjohje per antifashistet shqiptar,
    qe jeten e tyre s’e vune ne kandar.

  5. Andri says:

    Kuptimplote. Te hapin veshet e te degjojne idiotet ne pushtet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje