ANALIZA: Diplomacia kineze e borxheve

19 Maj 2019, 09:54Bota TEMA

Nga Mark Green

Këtë javë, udhëheqësit nga e gjithë bota po zbarkojnë në Pekin për forumin e dytë të projektit të Rrugës dhe Brezit, që ka në fokus prezantimin e nismës së madhe diplomatike të Kinës. Por këta liderë duhet të jenë të qartë, se përpjekjet e Kinës për ta përdorur Nismën e Brezit dhe Rrugës (BRI), për zgjerimin e ndikimin e saj gjeopolitik dhe ekonomik, po shtojnë borxhet e paqëndrueshme të vendeve në zhvillim, duke rritur varësinë e tyre ndaj Kinës.

Fakti që vendet e varfra po përballen me borxhet, nuk është i ri. Por pas viteve të përpjekjeve të suksesshme për të reduktuar barrën e tyre të borxhit, duke përfshirë programin më të madh të faljes së borxheve në histori, e nisur nën presidentin amerikan Bill Klinton, dhe e avancuar nga administrata e Xhorxh Ë.Bush dhe bashkësia ndërkombëtare, ata po mbingarkohen sërish me borxhe.

Ndryshe nga më parë, zhvillimi i aseteve strategjike të vendeve në zhvillim, siç janë burimet e tyre, depozitat minerare, të drejtat e hyrjes së porteve dhe të tjera si këto, tani synohen nga kreditorët si kolateral në shumë prej këtyre marrëveshjeve grabitqare.

Në shumë vende të ndjeshme, shumica e borxhit të madh i detyrohet një burimi të vetëm:Kinës. Sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), gjatë viteve 2013-2016, kontributi i Kinës në borxhin publik të vendeve të varfëra, gati u dyfishua, nga 6.2 për qind në 11.6 për qind.

Kreditimi i Kinës, po zgjerohet edhe më shumë përmes BRI. Duke vënë në dukje mungesën e realizueshmërisë ekonomike të disa projekteve të BRI, shumë vëzhgues dyshojnë se nisma është pjesërisht e motivuar nga dëshira e Kinës për të stimuluar ekonominë e vet, për të fituar pasuri strategjike, dhe për ta shndërruar mundësinë e saj ekonomike, në një ndikim politik dhe strategjik në vendet pritëse.

Në një skenar të tillë, përfitimet ekonomike të projekteve të nxitura nga borxhet e Kinës për popullatat e vendeve pritëse, janë një pasojë. Dhe mungesa e transparencës në huadhënien e Kinës, lë në hije rreziqet e saj ndaj vendeve pritëse, shumë prej të cilave janë tashmë të prekshme, ose vuajnë nga problemet financiare ose fiskale.

Por, fshehja e rreziqeve nuk eliminon pasojat e tyre, dhe kur vendet e mbytura në borxhe, nuk arrijnë t’i paguajnë dot kreditë për projektet shumë miliarda dollarëshe, kjo mund të sjellë humbje të aseteve strategjike, pengesa të mëdha në zhvillimin ekonomik, dhe në humbje të sovranitetit.

Për shembull, në pamundësi për të shlyer huanë e marrë nga Kina për të ndërtuar një port të ri në qytetin e Hambantotas, Sri Lanka nënshkroi në vitin 2017 dhënien e atij porti me qira tek Kina për 99 vite, potencialisht si një bazë strategjike për marinën e Kinës.

Në Xhibuti, borxhi publik është rritur në afërsisht 80 për qind të PBB-së së vendit (dhe Kina zotëron pjesën më të madhe të tij), duke e vendosur vendin në një rrezik të madh të krizës së borxheve. Fakti që baza e parë dhe e vetme ushtarake e Kinës jashtë shtetit, është e vendosur në Xhibuti, është një pasojë, dhe jo një rastësi.

Diku tjetër në Afrikë, Burundi, Çad, Mozambik dhe Zambia, janë të gjitha ose në vështirësi nga borxhet e mëdha ose në rrezik të lartë prej tyre, një situatë që praktikat grabitqare të kreditimit nga Kinës po e përkeqësojnë. Në të kundërt, vendet donatore tradicionale që i përkasin Klubit të Parisit, një grup kreditorësh sovranë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 21 të tjerë, janë zotuar të mbështesin një marrëdhënie të ndryshme me kombet më të varfra.

Anëtarët e Klubit të Parisit, janë zotuar për një zgjidhje të qëndrueshme të ripagimit të borxheve për vendet debitore, dhe për të siguruar lehtësimin e duhur nga borxhet, nëse debitori ndërmerr reforma për të stabilizuar dhe rivendosur gjendjen e vet makroekonomike dhe financiare.

Kina nuk i mbështet këto praktika globale dhe transparente të kreditimit. Aty ku Klubi i Parisit, do të ofronte transparencë dhe qëndrueshmëri financiare, Kina do të tregtonte borxhin e saj në këmbim të aseteve strategjike të një vendi. Ajo qëndron jashtë përpjekjeve ndërkombëtare – kryesisht të nxitura nga FMN dhe Banka Botërore – për të nxitur transparencën, e cila përmirëson hartimin e politikave, parandalon krizat e borxhit dhe dekurajon korrupsionin.

Nën administratën Trump, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilën e drejtoj unë, i përqendron nismat për zhvillimin e ndihmës për vendet, tek ajo që e quan “udhëtim drejt vetëbesimit”. Siç pasqyrohet në Strategjinë e administratës për Afrikën, USAID dëshiron t’i ndihmojë vendet partnere, miratojnë reforma dhe adresojnë sfidat e nevojshme, për të arritur vetëbesimin dhe pastaj me shpresë edhe prosperitetin e tyre.

Strategjia Kombëtare e Sigurisë e presidentit Donald Trump, thekson se zhvillimi i sektorit privat në ekonomitë në zhvillim, është alternativa më e mirë ndaj qasjeve të orientuara nga shteti.

Për pasojë, Kongresi e ka miratuar propozimin e presidentit, për të rritur aftësinë e Shteteve të Bashkuara në ofrimin e financimeve transparente dhe të qëndrueshme, nëpërmjet një korporate të re ndërkombëtare për zhvillim ndërkombëtar të SHBA-së.

Dhe USAID-i ka ndërmarrë një transformim të madh kulturor dhe operacional, për të zgjeruar angazhimin tonë me kompanitë private, për arritjen e rezultateve afatgjata dhe të qëndrueshme. Duke pasur parasysh faktin, se kreditimi i Kinës u imponon ngarkesa të paqëndrueshme borxhesh vendeve të cenueshme, ka ardhur koha që udhëheqësit botërorë të këmbëngulin që të gjitha projektet t’i përmbahen praktikave më të mira të pranuara ndërkombëtarisht mbi transparencën dhe qëndrueshmërinë financiare, dhe që huadhënësit të miratojnë standardet moderne të punës, qeverisjes dhe mjedisit, si dhe projekteve të zhvillimit.

Këtë javë, Kina prezanton nismën e saj globale. Por kushdo që dëshiron një të ardhme më të ndritshme dhe më vetë-mbështetëse për vendet në zhvillim, duhet të bashkohet me ne, duke kërkuar që Kina të ndihmojë në thyerjen e zinxhirëve të borxhit, që e kanë mbështjellë botën në zhvillim.

“Foreign Policy” – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje