Fituan titullin, Telushi dhe Trashi marrin ftesën kuqezi!

20 Maj 2019, 17:44Sport TEMA

Bruno Telushi dhe Lorenc Trashi marrin ftesë nga Kombëtarja për dy ndeshjet kualifikuese të Euro 2020 me Islandën dhe Moldavinë. Ky ka qenë vendim i trajneri Edy Reja, që e nisi me risi aventurën në krye të kuqezinjve.

Italiani ka vendosur t’u besojë dy lojtarëve të kuq, që marrin kështu vlerësimin e merituar pas një sezoni fantastik, që i përmbyll me titullin kampion për Partizanin, 26 vite pas ngjitjes së fundit në fronin e futbollit shqiptar.

Në fakt, për Trashin grumbullimi me kuqezinjtë nuk është risi, pasi ishte nën urdhrat e Panuccit për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën.

Të dy lojtarët e Partizanit janë akomoduar në Tropikal në Durrës, aty ku grumbullimi i kuqezinjve për ndeshjet e radhës nis plot 18 ditë para përballjes së parë në fushë me Islandën, shkruan Super Sport.

Reja ka vendosur që lojtarët që e kanë mbyllur sezonin me ekipet e tyre të nisin që tani grumbullimin që këtë të hënë. Do të jetë një grup i reduktuar, prej 9-10 futbollistësh, ndërsa pas fundjavës së ardhshme grupi do të jetë më i plotë.

Më 2 qershor skuadra do të udhëtojë drejt Frankfurtit të Gjermanisë, për t’u përgatitur në një klimë më të freskët, që përafrohet sadopak me klimën e Islandës, ku kuqezinjtë do të përballen me ekipin vendës më 8 qershor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje