Komisionet zgjedhore duhen depolitizuar!

20 Maj 2019, 10:20Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Sherri i fundit në KQZ mbi pretendimin e opozitës për të patur komisionerë zgjedhorë, edhe pse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ilustron për të N-tën herë nevojën e depolitizimit të komisioneve zgjedhore. Dhe më tej, për nevojën e pavarsisë politike të shumë institucioneve të shtetit.

KQZ-ja, KZAZ-të dhe KQV-të kanë qenë për tre dekada organe tejet të politizuara – të mbushura me njerëz të besuar të partive kundërshtare, të gatshëm për t’u kacafytur me njëri-tjetrin edhe për gjënë më të vogël në dëm/favor të partive respektive. Në situatën aktuale, opozita synon të ketë komisionerët e vet në ditën e zgjedhjeve, për të mos lejuar, sipas saj, manipulimin e zgjedhjeve (pavarsisht se s’do të marrë pjesë në to), ndërkohë që mazhoranca i konsideron komisionerët opozitarë si militantë që duan të minojnë procesin e votimit.

Edhe pse ligji parashikon sanksione të forta penale (vite burgu), edhe pse SHBA-ja dhe BE-ja mund të ndalojnë përjetësisht futjen e të dënuarve për shkelje të ligjit elektoral shqiptar, komisionerët opozitarë në KZAZ-të dhe KQV-të mund të bllokojnë procesin në ditën e zgjedhjeve. Komisionerët e të dyja palëve, ndër vite, e kanë demonstruar gadishmërinë për t’u bërë kamikazë të partive respektive.

Nuk i dihet se si do të zgjidhet e kush do ta zgjidhë krizën aktuale politike në Shqipëri, por gjasat janë që një ditë – para apo pas 30 qershorit – do të ketë marrëveshje politike mes palëve. Dhe kur të vijë ajo ditë, një nga çështjet e para që duhet të zgjidhet është ajo e komisioneve zgjedhore.

Ndër rekomandimet më të rëndësishme të OSBE/ODHIR-it pas zgjedhjeve të shkuara ishte ai për depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Edhe pse në ato zgjedhje nuk pati ndonjë problem në to, vëzhguesit ndërkombëtarë panë tek struktura e balancuar politike e tyre potencialin për ngërçe të dhunshme, që do të bllokonin procesin në të ardhmen. Dhe ajo që ia kishin frikën vëzhguesit ndërkombëtarë po materializohet sot.

OSBE/ODHIR-i nuk ka dhënë sugjerime konkrete se si duhet bërë depolitizimi i komisioneve zgjedhore, por shembuj të ndryshëm nga bota egzistojnë – nga përfshirja në to e punonjësve me status civil, deri tek përfshirja e trupës gjyqësore dhe punonjësve të sistemit të drejtësisë.

Ideja është që të krijohen komisione zgjedhore pa militantë të besuar të partive kundërshtare, të cilët janë të gatshëm të shkelin kodin zgjedhor për hir të partisë së tyre, madje edhe të kacafyten fizikisht me njëri-tjetrin.

Po ku do të gjenden komisinerë të tillë që nuk janë të varur nga partitë, lind pyetja. Dhe këtu vijmë tek pika e dytë e e rëndësishme e marrëveshjes eventuale politike. Stabiliteti dhe garancia e statusit të nëpunësit civil, e statusit të juristëve, të mësuesve, të pedagogëve etj, mund të garantojnë pavarsinë e një mase të madhe punonjësish. Ata varësisnë duhet ta kenë nga shteti i së drejtës, dhe jo nga partitë që vijnë e shkojnë nga pushteti.

1 komente në “Komisionet zgjedhore duhen depolitizuar!”

  1. Taraboshi says:

    Z.Eduard ju keni shume te drejte qe komisjonet e ndryeshme zgjellore te jenete depolitizuara.Por per mendimin tim eshte dicka e parealizueshme.Kjo vjen nga qe ato i zgjellin Partite politike.Ne fund dalim tek shprehja popullore qe qeni leh aty ku han buke.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje