VIDEO/ “Nëna ime, fytyra e armikut të popullit”: Një rrëfim tronditës, nga Shqipëria komuniste

20 Maj 2019, 18:04Dossier TEMA

Nga Luljeta Progni

M’u shfaq sapo çela sytë në këtë botë. Ishte imazhi i parë që m’u përvijua. Më puthi e para, më ledhatoi, më mësoi të flas shqip, më ndihmoi të hedh hapat e parë, më përkundi me butësi nën aromën e saj, më rriti me këshilla e rite të lashta, më tregoi të mirën e të keqen që do gjeja udhëve, më kritikoi e përgëzoi për ç’ka bëja e nuk bëja, më dha shpresë e forcë kur fillin e arsyes humba, dhimbje e gëzim kur fati zgjidhte në vendin tim…

Ajo ishte aty gjithmonë… që nga momenti i parë që m’u shfaq. Ishte fytyra e parë që i’u shfaq në këtë botë edhe vëllait, Nikës, që për shumë vite do t’i duhej ta harronte. Fytyra e parë që iu shfaq motrës që lindi fill pas tij, Dukates, për të cilën ishte gjithashtu edhe fytyra e vetme që pa ato pak ditë që erdhi në këtë botë. Ishte e njëjta fytyrë që iu shfaq e para motrave të tjera.

Ishte fytyra e Zojës, nënës sime.

Na rriti nën kurorën e saj me shumë vuajtje e sakrifica, na mbajti pranë vetes e larg të keqes.

Për ne ajo ishte fytyra më e dashur.

Nuk e dinim që ajo ishte fytyra e armikut të popullit.

Pse kishte fytyrën e armikut të popullit nëna ime?

Zojën e fali Zoti grua, por fati e solli të bëhej edhe burrë i familjes për 14 vjet(?). Ishte një nënë e re 21 vjeçare bashkëshorte e  një të burgosuri politik. Nuk kishte kohë për ëndrra. Duhej të mendonte natë e ditë se si t’u mbante shpirtin gjallë anëtarëve të familjes, Nikës së vogël, nënës dhe të shoqit syrgjynosur në kampet e punës së detyruar dhe burgjet e diktaturës komuniste.

Kulla e gurtë ku jetonin në Nikaj-Mërtur kishte mbetur në dorën e saj. Mbi të kishte rënë heshtja e ftohtë. Vetëm ndonjëherë, të qarat e Nikës nga uria tregonin se aty jetohej ende, ndërsa fëmija i dytë, Dukatja, pushoi përgjithmonë së qari prej urisë. Gjyshja e Nikës, Sofia, përpiqej të mbante ndezur zjarrin në oxhakun e vjetër, e përpiqej që lotët të mos shuanin thëngjijtë e mpakur. Kishte humbur shpresat se kulla do t’i mbushej përsëri me burra e fëmijë: një djalë ia kishin pushkatuar, e tjetri ishte rob i komunistëve.

Dhe zjarri u fik një ditë. Tymi nuk po dilte më prej oxhakut të kullës. Sofia e Zoja u degdisën në internim drejt kampit të Tepelenës, ndërsa Nika ishte e thënë të rritej jetim. Në kullë nuk pipëtinte asgjë. Kulla duhej të duronte përsëri bastisjet e dhunshme. I kishte bërë ballë shkjaut e turkut, kur burrat trima nxirrnin zjarr prej frëngjive të saj prej qindra vjetësh, por tani e heshtur duronte përdhosjen.

Pas dy vitesh Zoja u kthye përsëri në kullë. Pas internimit ajo ishte zyrtarisht fytyra e Armikut të Popullit. I duhej të përballonte edhe këtë damkosje, përveçse të vazhdonte sakrificat për mbijetesë dhe për të mbajtur familjen në këmbë.

Mori djalin, që e kishte lënë tek të afërmit e burrit dhe ndezi zjarrin, e nga oxhaku i kullës tymi filloi të ngrihej lart.

Një lajm i vjen më në fund prej të shoqit. Kishte përfunduar hetimi dhe ishte dënuar me 25 vjet burg, e tashmë mund të shkojë ta takojë.

Pas 7 ditëve udhëtim, Zoja pret të takojë Gjeloshin para hekurave të burgut.

I rraskapitur, i tjetërsuar nga torturat në hetuersi, i shoqi dukej ndryshe. Zoja qëndron para tij e fortë, pa lot në sy, për t’i dhënë zemër. “Më shih si jam ba… ndoshta nuk dal kurrë prej ktij burgu. Djalin ma ço te nana jote e ti shko e martou…. nuk ke pse me vujt ma prej meje”.

Ajo që dëgjoi prej tij nuk e tuti aspak. E pa ngultas në sy e iu përgjigj: “Se çfarë do të bëj unë me jetën time do ta shoh. Në se vendos të të pres, do të më shohësh pas tre muajsh në takimin e rradhës, në se vendos të shkoj e të martohem, unë nuk do të jem këtu pas tre muajsh”. (duhet me dialekt)

Gjeloshi, priste mes dhimbjes e dëshpërimit, vendimin e Zojës… Ditët e fundit të atij tremujori të gjatë. Dita kur duhej të vinte Zoja. Dimër i acartë ndoshta kishte zënë rrugët. Ndoshta s’kishte ku ta linte djalin…

Dëgjoi t’i thërrisnin emrin dhe brofi në këmbë. Zoja ishte aty. Me trastën ngarkuar në shpinë me rroba e ushqime për të. Ajo erdhi çdo tre muaj, për 16 vite rresht, deri sa Gjeloshi u kthye pranë Kullës së gurtë, prej oxhakut të së cilës vazhdonte të dilte tym.

Nika ishte bërë 20 vjeç. Nëna, Sofia e mbajti shpirtin gjallë për ta parë përsëri kullën me burra e fëmijë, e tre muaj më pas dha shpirt. Gjeloshi, Zoja e Nika nisën sërish jetën. Me të tjera vuajtje e mundime, por ishin bashkë. E familja do të shtohej me të tjerë fëmijë, edhe me mua.

Dhe të gjithë ne, rrjedhimisht ishin fytyra të armiqve të popullit.

Që në barkun e nënës isha e damkosur si Armik i Popullit. Nuk kisha mundësi të zgjidhja. Orakujt e së keqes m’a kishin lënë vendin bosh në listën e armiqve të popullit. Sapo belbëzoja fjalët e para, orakujt mundoheshin t’i deshifronin se çfarë po flisja kundër pushtetit.

Fillimisht nuk e kuptoja se kisha lindur brenda një qelie të këtij burgu të madh, por me kalimin e viteve gjithçka qartësohej. Për mua kishte më pak ushqim, më pak veshmbathje, më pak arsim. Të afërmit e mi survejoheshin gjithmonë nga disa fytyra, që me gjasë duhej të ishin fytyrat e armiqve të armiqve të popullit.

Dhe armiqtë e armiqve të popullit vendosnin për ty atë ç’ka parashikonte orakulli i së keqes me një të rënë të lapsit. Mbushnin një dosje me fletë të përhimta, plot me gjithfarë sajesash e shpifjesh, plotësonin numrin serial dhe kategorinë dhe fërkonin duart sa herë që armiqtë e popullit iu hapnin punë. Fletët e dosjes shtoheshin, deri sa dosja arrinte një vëllim që ia u mbushte syrin për të nxjerrë prej aty disa akuza që Armiku i popullit të dënohej ose ridënohej me internim ose burg.

Armiku i Popullit, ky titull i trashëgueshëm, i ngjante pak a shumë titujve honorifikë të shoqërive perëndimore. Dhe në të vërtetë për shumë prej nesh ishte nder ta kishe këtë titull.

Edhe pse jetonim nën kërcënimin e diktaturës çdo ditë të jetës, edhe pse persekutoheshim në çfarëdo lloj mënyre, ne ishim më të lidhur me njëri tjetrin në familje, e donim më shumë njëri tjetrin, respektonim më shumë natyrën dhe falenderonim Zotin, lexonim e mësonim më shumë, e dinim më mirë se ç’kuptim kishte liria dhe mbi të gjitha mund të ëndërronim për të.

Për armiqtë e armiqve të popullit ne ishim një mjet me të cilin ata të gjorë mund të fitonin bukën e gojës, mund të realizonin normën që kishin vendosur orakujt e së keqes. Në dosjen që pata mundësi të shoh pranë AIDSSH për të afërmit e mi, arrij të dalloj ngazëllimin e tyre kur fillonin të shkruanin procesverbalet mbi veprimtarinë armiqësore të prindërve të mi.

Nëpërmjet atyre procesverbaleve, ata menduan se siguruan të ardhmen e fëmijëve të tyre, që për çudi, ndoshta nga natyra kurreshtare e fëmijës çfarë nuk do jepnin të rrinin me ne, armiqtë e popullit. Po fëmijët e tyre s’duhet të shoqëroheshin kurrë me fëmijët e armiqve të popullit.

Nuk e di sa shpërblim merrnin që merreshin me përpilimin e raportimeve ndaj nesh, nuk e di a e bënin me dëshirë a me pahir, por ishin për të ardhur keq. Ishin kaq të mjerë në shpirt. Si mund të ngazëllehet një njeri kur fëmija i dikujt e ka të ndaluar të shkojë në shkollë?

Sa herë që një prej fëmijëve mbaronte shkollën 8-vjeçare, Zoja merrte dëftesën në dorë e trokiste derë më derë, me shpresën se dikush nuk do ta njihte fytyrën e armikut të popullit. Por e kishte gabim. Fytyrën e armikut të popullit nuk e harronte asnjë.

Kthehej në shtëpi e raskapitur, e dërmuar.

Ndoshta mendonte se ne nuk do të shkonim kurrë në universitet, ndoshta do të ishim brez pas brezi armiq të popullit. Fytyra e saj shprehte një ndjenjë faji…

Por ne nuk e fajësuam kurrë.

Për ne ishte nëna më e mirë në botë, fytyra më e dashur për të gjithë, fytyra e Armikut të popullit.

1 komente në “VIDEO/ “Nëna ime, fytyra e armikut të popullit”: Një rrëfim tronditës, nga Shqipëria komuniste”

  1. kashi says:

    renqethese

Comments are closed.

Lini një Përgjigje