Veliaj i dorëzon “Çelësin e Qytetit” familjes së arkitektit që hodhi themelet e Tiranës evropiane: Bosio i dha qytetit një mentalitet të ri të planifikimit urban

21 Maj 2019, 15:40Sociale TEMA
Veliaj i dorëzon “Çelësin e Qytetit” familjes

Familja e arkitektit dhe urbanistit të njohur italian, Gherardo Bosio, i cili hodhi themelet e godinave kryesore në Tiranë, u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në shenjë mirënjohje për veprat që la arkitekti i guximshëm italian në ndërtimin e qytetit modern, Veliaj i dorëzoi pasardhësve të tij “Çelësin e Qytetit”, simbolin e të pasurit gjithmonë një derë të hapur në kryeqytet.

“Në shenjë mirënjohje, dua t’ju jap “Çelësin e qytetit” të Tiranës. Duke qenë se gjyshi juaj ka themeluar qytetin tonë modern, besuam që ishte udhës, që në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, t’ju falenderonim e t’ju trajtonim si të shtëpisë, duke ju dhënë edhe çelësin e qytetit tonë”, tha Veliaj.

Gherardo Bosio nuk ka hedhur vetëm themelet e ndërtesave fizike, por ka themeluar edhe një mentalitet të ri të planifikimit urban. “Jam shumë i lumtur që mirëpresim në Tiranë anëtarë të familjes Bosio, mbesën me gjithë familjen e saj. Ndoshta, për ata që janë për herë të parë në Tiranë, nuk e dinë se sa i famshëm ka qenë gjyshi dhe stërgjyshi juaj, por gjithë ky qytet është projektuar prej tij. Ne jemi shumë krenarë sepse është pjesë e trashëgimisë sonë, sigurisht e ndërtuar në vitet e vështira të luftës, por që sot ka mbetur si toponimet kryesore të qytetit të Tiranës, duke filluar nga Korpusi Universitar, tek ndërtesa e Kryeministrisë, Pallati Mbretëror ose Pallati i Brigadave, që janë bërë pjesë e akupunturës së qytetit tonë, falë eksperiencës së gjyshit tuaj, i cili nuk themeloi vetëm ndërtesat fizike, por edhe një mentalitet të planifikimit urban”, theksoi ai.

Veliaj nënvizoi se edhe në këto ditë të vështira ku shpesh herë ndërtesat historike dhe ato të trashëgimisë vandalizohen, qyteti mundohet në kohë rekord t’i rikuperojë dhe t’i ruajë për t’ia lënë trashëgimi brezave.

“Edhe në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria, ku shpeshherë ndërtesat historike të trashëgimisë, vandalizohen, qyteti mundohet që t’i rikuperojë në kohë rekord, t’i ruajë, për t’ia lënë trashëgimi brezave. Kur shoh se si debatet mbi çfarë duhet të qëndrojë në qytet, pra ndërtesat e vjetra, të degraduara, apo ndërtesat e përkohshme, për të vetmen gjë që nuk ka debat janë ndërtesat e Bosios, që ka themeluar, le të themi, një arkitekturë të re në Shqipëri, që janë bazat e çfarë është estetike, e bukur dhe çfarë është me vlerë në qytetin tonë”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Marie Lou Busi, mbesa e arkitektit italian, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për nderimin ndaj familjes së saj dhe për kujdesin që tregohet në ruajtjen e veprave për të cilat Gherardo Bosio punoi me pasion për t’i dhënë Tiranës një fizionomi evropiane.

“Ju falenderoj shumë! Jam shumë e emocionuar, por edhe shumë krenare, e mezi pres që të mund t’u tregoj gjithçka të këtushme vajzave, që përmes punës sime, përmes jush, të përjetojnë figurën e babait me krenari dhe emocion. Faleminderit që çoni përpara emrin dhe figurën gjeniale dhe krijuese të këtij njeriu. Faleminderit të gjithëve për gjithë punën e bërë dhe për faktin që mbani gjithë këto vepra për të cilat ai ka punuar me shpirt”, u shpreh Marie Lou Busi.

Krahas planeve urbanistike, Bosio në Tiranë realizoi Universitetin, Akademinë e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin “Qemal Stafa”, kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj.

3 komente në “Veliaj i dorëzon “Çelësin e Qytetit” familjes së arkitektit që hodhi themelet e Tiranës evropiane: Bosio i dha qytetit një mentalitet të ri të planifikimit urban”

  1. Perendimoret “pushtues’i leftuam me gjysme opingat haxhiqamiliste,tani i lufojme me haxhiqamilistat berishiste.Albanistan hesap

  2. Gezim says:

    Bere mire qe e nderove familjen e kryarkitektit themelues te Tiranes moderne, G. Bosio, por ti, o kryetar dhe gjithe pararaardhesit e tu ne kohen e “demokracise” e shkaterruat urbanistiken e tij dhe bete nje kaos urbanistik dhe arkitektural, qe do te mbetet per jete per shkak te korrupsionit te pashembullt.

  3. blerta says:

    Mire bete qe ja dhate o lali Eri por arkitektura e Tiranes po te kish vazhduar me ate stil (te pakten ne qender) sot do te ish si shume qytete te Evropes. Jane te gjitha kullat qe u bene ne qender te turpshme e para tore drini dhe me radhe. Tirana eshte bere nje qytet pa tradite, te gjith turistet qe vine duan te shohin te vjetren se kullat i kane pare ne vendet e tyre para nesh, ky nuk eshte faji jot por i plerave te dy partive kryesore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje