Buxheti i frikshëm i Realit, 400 milionë euro për t’u bërë “galaktik”

26 Maj 2019, 15:43Sport TEMA

Per Realin e Madridit është thuajse i paimagjinueshëm një tjetër sezon katastrofik si ai që sapo u mbyll. I nisur keq me Lopeteguin, e madje që u bë më keq me Solarin dhe i përmbyllur pastaj duke çaluar edhe me rikthimin e të shumëdekoruarit Zidane. Tifozët kërkojnë përforcime dhe vetë trajneri Zidane ishte i qartë kur u shpreh: “Nëse nuk mund të ndikoj mbi merkaton, atëherë është më mirë që të iki”.

Tani, presidentit Florentino Perez, i duhet të vërë njërën dorë në portofol dhe tjetrën ne makinën llogaritëse, për të kuptuar se çfarë mund t’i lejojë vetes në këtë merkato. Rekordi i tij u vendos në verën e vitit 2009 me mbërritjen e Cristiano Ronaldos, Benzemasë sdhe Kakasë, për një total prej 254 milionësh, përfshirë dhe pagat. Një shifër që këtë verë nuk do të mjaftojë për të arritur te një pjesë e mirë e objektivave të fiksuar.

Përllogaritet që investimi i nevojshëm që tani e deri në mbyllje të merkatos vërtitet mes 300 dhe 400 milionë eurove. Duket një shifër e jashtëzakonshme, por, në të vërtetë, Zidane e konsideron minimumin e nevojshëm dhe nuk duket se ka ndërmend të lëshojë pe në këtë pikë. Shpenzimet zyrtare deri tani shkojnë 95 milionë. 45 milionë për sulmuesin brazilian Rodrigo të marrë nga Santosi dhe 50 milionë për qendërmbrojtësin Eder Militao, edhe ai brazilian, i marrë nga Porto.

Nuk është zyrtare, por mediet e konsiderojnë thuajse të përfunduar edhe transferimin e sulmuesit tjetër, Jovic, nga Eintracht Franfurt, me kosto 60 milionë euro. Kështu, shuma shkon në 155 milionë dhe është momenti për t’u përqendruar tek Hazard, blerja tjetër e radhës. Chelsea kërkon 140 milionë euro, por te Reali janë të sigurt se mund ta ulin shifrën në 100 milionë, duke e çuar totalin e shpenzimeve në 255 milionë, një më shumë se rekordi i 2009-ës, por lista nuk mbaron këtu, përkundrazi.

Zidane kërkon edhe një mbrojtës të majtë, Ferland Mendy të Lyonit, që vlerësohet 60 milionë euro nga klubi francez dhe 40 milionë nga Perez. Nëse arrihet edhe ky objektiv shuma shkon në 295 milionë euro.

Një mesfushor pastaj është thelbësor për të ndërtuar Realin e ri. Zgjedhja e parë është Pogba, që vlen të paktën 120 milionë euro, zgjedhja e dytë, Eriksen, që do të kushtonte 100 milionë. Që këtu kalohet kufiri i 400 milionë eurove, pa çuar nëpër mend edhe mbërritjen e një sulmuesi super të kushtueshëm, një mes Neymar e Mbappe, duke kujtuar se që të dy vlerësohen lehtësisht me një çmim mbi 200 milionë euro.

Shifra të frikshme, me Realin që për të lehtësuar operacionet dhe shpenzimet, i duhet të shesë Gareth Bale e po ashtu James Rodriguezin, që kthehet nga huazimi te Bayerni i Mynihut, dhe Kovacicin që rikthehet pas një tjetër huazimi te Chelsea.

1 komente në “Buxheti i frikshëm i Realit, 400 milionë euro për t’u bërë “galaktik””

  1. Real says:

    Titulli gabuar. “Buxhet i frikshem per te blere nje ekip”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje