Jari, vërejtje shefit të NATO-s: Ai duhet të më takonte mua si koleg!

Pas vizitës blic të Shefit të NATO-s në Tiranë, shumë demokratë u pezmatuan, pasi e panë atë si shenjë për të fikur flakën e revolucionit që do të ndizej në mbrëmje. Jari vendosi të ndërhyjë, pasi si ushtarak ishte i besueshëm të shpjegonte këtë problem të krijuar papritur.

Të dashur demokratë!

Jari ju sqaron!

Vizita e Shefit të NATO-s në Tiranë, nuk ka lidhje me protestën tonë. Ai ka ardhur në Tiranë, pasi Edi Rama i ka ngritur kurth dhe i ka thënë se duhet të vij më 2 Qershor, për të respektuar dy dëshmorët e vrarë në Letoni gjatë stërvitjes me mina.

Këtu qëndron gjithë manipulimi.

Ndaj unë i drejtova këtë letër shefit të NATO-s.

“I nderuar zoti Stoltenberg.

I dëshpëruar mora vesh që ju erdhët dhe ikët duke takuar vetëm Edi Ramën në Tiranë.

Kjo është një ngjarje e rëndë për popullin shqiptar.

Së pari ju duhet të më takonit mua si ish ushtarak, që jam shkolluar të përballoj brenda ditës, sulmin nga NATO dhe Traktati i Varshavës. Meqë Traktati i Varshavës ka vdekur, mua nuk më bën përshtypje të përballem me problemin që i krijon NATO opozitës shqiptare.

Së dyti ju duhet të takonit Xhelal Mziun, pasi ai i ka vënë emrin një rruge, duke ringjallur dëshmoren e vrarë në Letoni.

Së treti, shumë zëra flasin sikur ju erdhët të shuani flakën e revolucionit që ka nisur në Shqipëri dhe nuk ka fuqi ta ndalë. Sonte në mbrëmje, ne do të bëjmë një përballje të vërtetë me qeverinë “Rama” dhe ju do ta shikoni me sytë tuaj kush është NATO dhe kush është Traktati i Varshavës. Ideja që ne jemi me rusët ngaqë po ngatërrojmë punët në Ballkan, do të shikohet sonte në darkë. Është mirë të bëheni me ne, se po fituam ne, nuk ka lezet të thuhet që fituan rusët.

Së katërti dua të theksoj se ju po ndërhyni në fushatë elektorale, pasi keni ardhur një ditë pasi Edi Rama ka hapur fushatën elektorale dhe ne e kemi të ndaluar me Kushtetutë që personalitete të huaja të ndërhyjnë në fushatën elektorale. Biles ju keni shkuar në ekstrem, pasi keni kritikuar atë opozitë e cila nuk është fare në zgjedhje.

Së pesti dua t’ju kujtoj, se Doktorit i ka ngelur shumë qejfi. Ai ka qenë kryeministër kur kemi hyrë në NATO dhe ju nuk mund ta fyeni kështu duke ardhur këtu dhe duke lënë të kuptohet se ai është me rusët, vetëm se di rusisht. Ai ka bërë Koncertin më të madh që është bërë ndonjëherë në Tiranë, kur hymë në NATO, ku ka kënduar dhe Çiljet dhe ku Sandri ka marrë 2 milionë euro, vetëm për reklamën. Ju nuk mund t’i injoroni këto përpjekje duke mos e takuar atë fare, kur vini në Tiranë dhe akoma më keq, duke takuar kundërshtarët e tij.

Sonte në mbrëmje ne do të tregojmë fuqinë tonë reale dhe ju do ta kuptoni shumë shpejt, se me kë duhet të bëheni..

Me respekt Jari,

ish ushtarak i Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”, liruar kur bëmë kërkesën për të hyrë në NATO”!

 

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *