Ilir Meta, si Shefi i një Republike AntiSistem!

10 Qershor 2019, 21:18Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Ilir Meta është bërë sot, Presidenti që anullon për herë të parë, zgjedhjet në historinë e Shqipërisë.

Ilir Meta e ka shënuar sot emrin, si Presidenti që për herë të parë nuk cakton një datë zgjedhjesh brenda detyrimit kohor, ligjor e kushtetues, për qytetarët e Republikës së tij.

Ilir Meta nga sot, është Presidenti i parë për të cilin një mazhorancë qeverisëse, nis procedurat Parlamentare e Kushtetuese, për shkarkimin nga detyra.

Kushtetuta, në nenin 92/gj ka parashikuar kompetencën e Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale, por askund nuk parashikohet kompetenca e tij, për ta shfuqizuar atë. Presidenti i Republikës është garant i datës së zgjedhjeve, për tu caktuar në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, si një mjet i domosdoshëm për të garantuar zgjedhje periodike, në respekt të afatit 4-vjeçar të mandatit të organeve të qeverisjes vendore. Por në asnjë mënyrë, për krejt të kundërtën: Për të anulluar datën e zgjedhjeve, madje duke mos caktuar as edhe një datë të re, brenda afatit kushtetues.

Sipas konstitucionalistëve “mandati i organeve të qeverisjes vendore përfundon në datën 10 Korrik 2019. Ndërsa periudha zgjedhore e parashikuar në Kodin Elektoral, përfundon në datën 30 Qershor 2019. Në këto kushte, edhe caktimi i një date tjetër votimi, do të na shpinte në një situatë që nuk është parashikuar as nga Kushtetuta, as nga Kodi Zgjedhor. Që do të thotë, se e gjitha çfarë ndodhi është një situatë e pabazuar në ndonjë akt ligjor.”

Ndaj ky i Presidentit Ilir Meta, është një akt absolutisht i pavlefshëm, që nuk mund të respektohet nga institucionet e ngarkuara me ligj, për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. Këtë qëndrim mbajti edhe KQZ, sapo u njoh zyrtarisht më “çdekretin” e Metës. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese (150/2017), në këtë fazë të procesit elektoral, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor luajnë rolin e gjyakatave për të bërë interpretimin e aktit. Vendimet e KQZ mund të ankimohen në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa vendimet e këtij të fundit, marin formë të prerë dhe janë të paankimueshme.

Më 30 Qershor shqiptarët do të jenë të lirë që të votojnë, pavarësisht përpjekjeve dëshpëruese të Ilir Metës, Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për të mbjellë pasiguri, ngjallur frikë dhe krijuar destabilitet, me idenë e bllokimit të zgjedhjeve. I vetmi synim, qëllim dhe objektiv i tyre me anë të kësaj karte, është që të arrijnë një marrëveshje për ta rishkruar reformën në drejtësi. Me shpresën e pashpresë, së kështu do ia dalin ti shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë së re në të ardhmen, për të gjitha bëmat dhe gjëmat e tyre të së shkuarës.

Presidenti i Republikës nuk kishte një referencë eksplicite kushtetuese ose ligjore, për çdekretimin e datës së zgjedhjeve. Ilir Meta bëri vetëm një analizë politike të situatës, duke u bazuar mbi parime të përgjithshme. Nisur nga kjo ligjikë e nga ky precedent, Kreu i Shtetit mund të anullojë çdo dekret tjetër të mëparshëm ku ai ka hedhur firmën deri tani, përfshi edhe atë për Kryeministrin e Shqipërisë. Por a mund të ndodhi kjo në një Republikë Parlamentare? Jo. Sepse Parlamenti është organi më i lartë vendimarrës dhe përfaqësues i vullnetit të popullit. Nga aty burojnë të gjitha institucionet e tjera të një Republike si Shqipëria.

Shqipëria nuk është një Republikë Presidenciale, siç po tenton që të sillet Ilir Meta, ku Kreu i Shtetit ka fuqi ekzekutive të sanksionuara në Kushtetutë. Ndaj Ilir Meta po tenton që ta përdori në mënyrë antikushtetuese këtë sistem, duke dashur që të ushtrojë kopetenca që nuk i ka, për ti dhënë formë në këtë mënyrë një Republike të Re. Jo asaj të dikurshme që Lulzim Basha themeloi nga çadra e pranverës 2017. Por një Republike AntiSistem.

Kjo është Republika ku partitë politike djegin mandatet e dhëna nga populli me zgjedhje demokratike si ato të 25 Qershorit 2017.

Kjo është Republika ku partitë politike dalin nga Parlamenti dhe nga sistemi politik i vendit, për ta vijuar aktivitetin e tyre në rrugë.

Kjo është Republika ku partitë firmosin marrëveshje për të mos marë pjesë në zgjedhjet e dekretuara sipas përcaktimit Kushtetutes.

Kjo është Republika ku disa parti duke patur frikë nga reforma në drejtësi dhe duke mos fituar dot me votë, kërkojnë pushtet në tavolinë.

Kjo është Republika ku Ilir Meta pasi anullon datën e zgjedhjeve që kishte dekretuar vetë, nuk cakton një datë të re për zhvillimin e tyre.

Kjo është Republika ku Ilir Meta i anullon zgjedhjet sepse “opozita ka caktuar disa kushte” e pa u plotësuar ato, vendi mund të rrijë pa pushtet lokal dhe pa shërbime për qytetarët e saj në 61 bashkitë e vendit.

Kjo është Republika ku Ilir Meta i anullon zgjedhjet në mënyrë që “palët të gjejnë zgjidhje”. E nëse kjo zgjidhja “ose të iki Edi Rama, ose do shkrihet opozita” nuk gjendet asnjëherë, këtu nuk duhen zhvilluar më zgjedhje kurrë.

Kjo është Republika AntiSistem ku Ilir Meta e shpalli veten shefin e saj.

Por, kjo Republika e re e Ilir Metës, sot vdiq!

Homazhet zhvillohen ditën e enjte, në sallën e seancave plenare të Parlamentit.

3 komente në “Ilir Meta, si Shefi i një Republike AntiSistem!”

  1. arditi says:

    sa mire e ke thone

  2. Xyz says:

    Bravo. Z Peza Analize e shkelqyer me nje mbyllje madheshtore

  3. pena says:

    META ESHTE SI SHVEJKU QE THOSH SE NUK KA SE CFARE ME DUHET MUA SE CFARE DUA UNE…..RENDESI KA QE HYRI NE HISTORI-PA PER MIRE APO PER KEQ NUK DON TJA DIJ———-NDAJ I THONE LESH E LI…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje