ANALIZA: Precedenti në shkarkimin e Artan Lazajt dhe shpenzimet e pajustifikuara “dogjën” Ferdinand Elezin

11 Qershor 2019, 13:11Kronika TEMA

Tre milion lekë shpenzime të pajustifikuara me të ardhura të ligjshme dhe mosdeklarimi i pjesës takuese të bashkëshortes nga shitja e apartamentit të prindërve, janë sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit arsyet për shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrës, Ferdinand Elezi.

Nga Besar Likmeta

Mosdeklarimi për vite me radhë i pjesës që i takonte bashkëshortes në një apartament të përfituar nga prindërit e saj në vitin 1993 dhe më pas mosdeklarimi i përfitimit të ¼ të shitjes së këtij apartamenti, është cilësuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si argument shkarkues.

Vendimi i zbardhur i KPK për Drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Durrës Ferdinand Elezi, tregon se ai kishte justifikuar dhe bindur Komisionin për shumicën e rasteve për të cilat i ishte kaluar barra e provës sa i përket pasurisë.

Madje KPK pranoi si të ligjshëm përfitimin e shumës prej 1 milion lekësh nga shitja e apartamentit në analizën financiare, por duke iu referuar vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi rastin e ish-gjykatësit të Tiranës Artan Lazaj e cilësoi mosdeklarimin e kësaj pasurie në deklaratat periodike si shkarkues.

“Por nga ana tjetër, trupi gjykues – duke pasur parasysh edhe qëndrimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në lidhje me një rrethanë të ngjashme, të shprehur në vendimin nr. 1/2019 (f. 24, pika 67) – çmon se mosdeklarimi i kësaj pasurie në vitin 2004, ashtu si edhe mosdeklarimi i shitjes (pakësimit) të pjesës takuese dhe i përftimit të të ardhurave prej këtij veprimi juridik, në vitin 2012, i bën këto dy deklarime periodike vjetore të pamjaftueshme, dhe për rrjedhojë në këtë rast gjen aplikim pika 3, e nenit 61, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Shkarkuese po ashtu u gjet diferenca sa i përket shpenzimeve për disa vite. KPK arriti në përfundimin se Elezit i mungonin (ishte me bilanc negativ) rreth 3 milion lekë të ardhur të ligjshme për të justifikuar shpenzimet prej vitit 2005 deri në vitin 2016.

Pjesa tjetër e vendimit ndaj Elezit është pozitive për këtë të fundit, megjithëse KPK në dy raste përfshirje të tij në akte shit-blerje, ka mbajtur në konsideratë se ato mund të ishin cënime të etikës.

Elezi që u gjet në rregull në kriterin e pastërtisë së figurës dhe atë profesional, këmbënguli se mosdeklarimi ishte një harresë, ndërsa pretendoi në llogaritje të pasaktë të të ardhurave nga KPK që e nxirrnin atë me diferencë negative.

Ferdinand Elezi e ka filluar karrierën në Prokurorinë e Kavajës në vitin 1999, ndërsa gjatë viteve 2003-2005 ka drejtuar Prokurorinë e Rrethit Durrës dhe më pas atë të prokurorit në Apelin e Tiranës, deri në vitin 2006.

Përgjatë viteve 2006-2013, Elezi ka kryer detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Prej vitit 2013 ai mban postin e Drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrës. Ferdinand Elezi ishte një ndër kandidaturat e garës për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm në vitin 2017.

Elezi u gjykua nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Firdes Shuli, Lulzim Hamitaj relator dhe Olsi Komici anëtar.

Analiza financiare dhe mosdeklarimet

KPK ka marrë nën hetim katër pasuri të prokurorit Elezi. Një apartament 124 metra të blerë në vitin 2000, një zyrë 45 metra të blerë në vitin 2005 për 60 mijë euro, një apartament 185 metra katrorë të blerë për 30 mijë euro po në vitin 2005 dhe një apartament 185 metra blerë në vitin 2007 për 4 milion lekë.

Nga hetimi KPK i ka kaluar Elezit barrën e provës për disa elementë të kontratave me të cilat ishin blerë këto pasuri, por ka arritur në përfundimin se ato nuk kishin probleme. Vetëm sa i përket dy apartamenteve 185 metra, të blera sipas Elezit me çmim më të lirë pasi ishin marrë në karabina dhe për të cilat ai kishte shpenzuar më pas për ndërtimin e tyre, KPK ka ngritur në përfundim dyshime mbi etikën e kontratave.

Duke theksuar faktin se kontrata të ngjashme me çmime të ulëta kishin përfituar edhe persona të tjerë KPK arsyeton se “kjo rrethanë – edhe pse mund të hedhë hije mbi etikën, në mungesë të provave mbi ndonjë konflikt interesi apo përfitimi të paligjshëm ose trajtimi preferencial – në vetvete nuk mund të përbëjë shkak për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra”.

Por edhe pse rezulton se ka blerë lirë apartamentet, shpenzimet shtesë për bërjen e tyre funksionale ishin penalizuese për Elezin. KPK thotë fillimisht se ai kishte shkelur ligjin për vetëdeklarimin, duke mos i deklaruar shpenzimet në këto apartamente në deklarata periodike.

“Subjekti nuk ka deklaruar në deklaratat periodike për vitet 2015 – 2017, shpenzime me vlerë mbi 300.000 lekë, detyrim ky i parashikuar nga ligji nr. 9049, datë 10.04.2003, i ndryshuar”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Sipas KPK në rastin konkret, të gjitha shpenzimet “e kryera për punimet e brendshme të apartamenteve në fjalë, duhej që të ishin deklaruar nga momenti që ato, në tërësinë e shpenzimeve të kryera për këtë qëllim në vitin respektiv, tejkalonin pragun e parashikuar nga legjislacioni në fuqi”.

Komisioni cilësoi si deklarim të pamjaftueshëm edhe mosdeklarimin në deklaratat vjetore të një pjese të një apartamenti të trashëguar nga bashkëshortja prej prindërve. Apartamenti ishte përfituar në vitin 1993 dhe bashkëshortja e subjektit kishte pasur pjesë në të.

Megjithatë kjo pasuri nuk ishte deklaruar në asnjë rast nga Elezi, madje sipas KPK pasuria nuk ishte deklaruar edhe kur pronarët kishin vendosur ta shisnin duke pjesëtuar përfitimin. Elezi e deklaroi mosdeklarimin një harresë.

“Subjekti argumenton se mosdeklarimi ka qenë një harresë dhe nuk ka pasur për qëllim fshehjen e pjesës takuese të pasurisë, edhe për faktin se ajo ishte privatizuar prej vitit 1993, dhe nuk kishte asnjë lidhje të burimit të krijimit me subjektin, madje as me bashkëshorten e tij, pasi ishte paguar nga prindërit e saj”, citohet Elezi në vendim.

KPK shprehet se binte dakord që në këtë rast nuk kishte fshehje pasurie dhe se ajo ishte deklaruar në veting, por bazuar në vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në rastin ndaj Artan Lazaj mosdeklarimi i saj në kohë ishte shkarkues. “[Kolegji] çmon se mosdeklarimi i kësaj pasurie në vitin 2004, ashtu si edhe mosdeklarimi i shitjes (pakësimit) të pjesës takuese dhe i përftimit të të ardhurave prej këtij veprimi juridik, në vitin 2012, i bën këto dy deklarime periodike vjetore të pamjaftueshme, dhe për rrjedhojë në këtë rast gjen aplikim pika 3, e nenit 61, të ligjit nr. 84/2016”.

Ndërkohë duket se vendimi për shkarkimin e Elezit erdhi edhe pas analizës financiare nga e cila ai rezultoi me bilanc negativ për një sërë vitesh.

“Përkatësisht, në vitet 2005, 2007, 2008, 2010, 2013, 2014 dhe 2016, subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme në shumën totale prej 3.044.938 lekësh për të përballuar shpenzimet e kryera dhe njëkohësisht për të mundësuar kursimet e realizuara, sipas deklaratave periodike, por edhe sipas shpjegimeve që subjekti ka dhënë në përgjigje të pyetësorëve, si dhe në bazë të të dhënave bankare”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Elezi ka kundërshtuar analizën e bërë nga KPK. Ai ka paraqitur një audit të kërkuar prej tij dhe po ashtu ka bërë një sërë kërkesash KPK, përfshi korrigjime të pasaktësive, ndryshim të llogaritjes për disa shpenzime udhëtimi, njohje të disa të ardhurave e të ngjashme.

Në një argumentim të gjatë KPK thotë se ka pranuar pjesërisht kërkesat e Elezit, duke i njohur atij të ardhura apo duke korrigjuar gabime në analizën financiare. Po ashtu një pjesë e kërkesave përfshi ato për të ulur shpenzimet jetike u refuzuan nga treshja gjykuese.

“Në lidhje me përllogaritjen e kostos së jetesës, Komisioni e vlerëson të pabazuar kundërshtimin dhe pretendimin e paraqitur nga subjekti i rivlerësimit, pasi rezulton të jetë aplikuar një kosto jetese minimale dhe standarde, për sa kohë ajo pasqyron minimumin e nevojshëm për një jetë të thjeshtë afër limiteve të mbijetesës”, thuhet në vendimin e KPK.

Komisioni thotë se megjithë marrjen parasysh të një pjese të pretendimeve të Elezit rezultatet e analizës nuk u përmirësuan dhe ai vijoi të ishte me një bilanc negative rreth 3 milion lekë.

Elezit nga sa del prej vendimit të zbardhur nuk iu gjetën probleme as në kriterin profesional as në atë të pastërtisë së figurës. Megjithatë KPK arsyeton se ai shkarkohej për shkak të problemeve në kriterin e pasurisë.

“Lidhur me kriterin e pasurisë, subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarime të pamjaftueshme dhe nuk ka justifikuar në mënyrë bindëse, burimin e ligjshëm të disa të ardhurave, lidhur me shumat e specifikuara më sipër, sipas parashikimeve të nenit D, të Aneksit të Kushtetutës dhe pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016, për rrjedhojë nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”, thuhet në vendim.(reporter)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje