Pse e lanë ndërkombëtarët krizën shqiptare në fatin e vet?!

11 Qershor 2019, 18:16Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Në një dalje publike të rakorduar, OSBE dhe Bashkimi Evropian kanë deklaruar nga Tirana dhe Brukseli se në kushtet e reja të krijuara pas dekretit të anullimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga presidenti Meta, klasa drejtuese e Shqipërisë duhej të vihej në lëvizje për ta zgjidhur vetë krizën. Thirrja për një “zgjidhje shqiptare” duket gjithçka, përveçse spontane. Mbi të gjitha, duket si një refuzim i drejtpërdrejtë për të negociuar termat e rinj që ka vendosur kreu i shtetit shqiptar, për shtyrjen e 30 qershorit. Morali i fabulës: për ne s’ka ndodhur asgjë, vazhdojmë përpara!

Kur të huajt refuzojnë ndërmjetësimin edhe në një krizë si kjo, do të thotë se vetë kriza ka një problem. Dhe ata e kanë identifikuar problemin tek trysnia në rritje e opozitës, për të provokuar një rotacion pushteti jo përmes zgjedhjeve, por përmes rrugës. Prej katër muajsh Shqipëria endet në batakun e djegies së mandateve dhe protestave të dhunshme, të cilat si fillim kanë dëmtuar sezonin tursitik dhe bashkë me të edhe ekonominë e dobët shqiptare, por më në thellësi, kanë vënë pikëpyetje serioze mbi aftësinë e këtij vendi për të gjetur një kurs stabiliteti dhe paqeje politike e sociale.

Kjo krizë cfilitëse dhe plot vapë, siç dinë të jenë krizat verore të Shqipërisë, do të duhet të kalojë nëpër grykën e shishes më 30 qershor, kur do të votohen organët e qeverisjes vendore. Rreshtimi i hapur Presidentit të Republikës në krahun e opozitës, duke anulluar datën e mësipërme të votimit, ka dëmtuar edhe më tej ekuilibrat e brishtë që lidheshin me zgjedhjet. Kurrë më parë, përveç mandateve presidenciale të Berishës, institucioni i kryetarit të shtetit nuk ishte pozicionuar në mënyrë kaq të hapur dhe banale në favor të njërës palë, duke shpërfillur Kushtetutën, ligjet, normat dhe etiketën që duhet të ketë Presidenca e Republikës.

Ilir Meta zbriti në fushë me impulsin e arbitrit që nuk duron dot pa e treguar se për cilën skuadër bën tifo. Dhe hapi që hodhi duket se po prodhon këto orë një reaksion zinxhir, që mund ta fusë krizën politike në dimensione edhe më të paparashikueshme.

Në këtë ambjent toksik, ku nuk ka më asnjë grimë mundesie që të gjendet hapësirë dhe vullnet për dialog, sytë janë kthyer tek të huajt. Dhe çfarë bëjnë ata? Na thonë ta gjejmë vetë zgjidhjen! E konsiderojnë një “çeshtje të brendshme” këtë që po ndodh dhe na ftojnë të merremi vesh në momentin më të pamundur për t’u marrë vesh!

Pse ky kthim krahësh në këtë moment, kur ambasadat në Tiranë janë vënë në lëvizje edhe nga kapsollat e protestës së rradhës?! Pse kjo tërheqje en bloc pas një lëvizjeje kaq të bujshme të kreut të shtetit shqiptar?

E gjitha kjo indiferencë “e shtirur” duket e mirëmenduar dhe kalkuluar deri në detaj. Dhe  është e fokusuar tek një element i vetëm: shpërfillja e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit! Mbyllje e vullnetshme sysh, përballë diçkaje të cilën nuk e përkrahin, nuk e pëlqejnë dhe nuk duan ta nxisin që të ndodhë! Ky është mesazhi që qëndron pas vendimit të ndërkombëtarëve që dekreti numër dy i presidentit Meta të “dekantojë” në procedura burokratike dhe të ndjekë rrugën e vet të natyrshme. Një rrugë e cila edhe kjo duket se është shqyrtuar me shumë kujdes nga të huajt dhe që duket se të çon vetëm në një destinacion: në pamundësinë reale të shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit!

Precedenti i vitit 2017, kur Bujar Nishani shtynte zgjedhjet dhe Gjykata Kushtetuese e dërgonte dekretin e tij për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor, duke se është çelësi sekret i interpretimit të dekretit të Ilir metës, sipas ndërkombëtarëve. Që do të thotë se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të vijojë i pashqetësuar, siç edhe ndodhi, përgatitjet për 30 qershorin dhe se paditë eventuale kundër kësaj sjelljeje, do të shqyrtohen vetëm nga Kolegji Zgjedhor. S’ka nevojë pra, për Gjykatë Kushtetuese.

Kësisoj dekreti i anullimit i emetuar nga Meta nuk e prek statu quo-në dhe nuk e lëviz de facto nga horizonti datën 30 qershor, si moment i mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Kështu interpretohet sjellja e djeshme e ftohtë dhe pasive e ambasadorëve, e më pas edhe e BE dhe OSBE në Bruksel e Vjenë, ndaj zbritjes së zhurmshme të Ilir Metës në meidanin e zgjedhjeve shqiptare.

10 komente në “Pse e lanë ndërkombëtarët krizën shqiptare në fatin e vet?!”

  1. ?? says:

    Po kjo është qeshtja , bre burrë !

  2. Lala says:

    Na lane ne ”fatin e vet ,, si bisha prene qe pret te ngordhe se eshte e ngopur deri ne gryke.
    Persa i perket PSE-se o Skendo!
    ”Nuk ka me ENVER o Skender,,!!!???

  3. american16al says:

    Nderkombetaret i bene parate bileta avioni, shqipetaret cdo 6muaj do te nxerrin ndonje konflikt dhe bertasin duam nderkombetaret te jene ne mes!!!!!!!
    Sic duket pasi e pane se cfare rrangullash jane keta “politikane “ dhe kane vendosur ti lene e te hane koken e njeri-tjetrit dhe te shijojne veren e nxehte ne vendet e tyre.
    Po te shikosh teatrin politik shqipetare nuk besoj se do te gjesh fjalen e pershtateshme ne fjalor qe ta pershkruar realisht realitetin sepse mbiemrat dhe sinonimet me te peshtira ne fjalor ndoshta jane lluster per ta!!!!!???

  4. Koba says:

    Like bajga luajti Letren e Fundit .Tashti nuk kane nga tia mbajne.E gjithe Opozita Jashte-Parlamentare bashke me Presidencen jane ne sheshin e Mejdanit drejt per drejt me Popullin dhe Nderkombetaret.Nuk kane cfare bejne.Kane nisur nje Lufte tashma te Humbur.Perfundimi i tyre eshte Fatal .Do te rrasen MRENA nga SPAK dhe BHK. Vafshin ne Esfel dhe Rrofte Shqiperia qe do te shpetoje nga DELENXHIA

  5. Pirro says:

    Nderkombetaret mund te negocionin nese Luli dhe Mona do ishin ende deputete.
    Luli mendoi se me shkaterrime si ne
    98-en Rama do i lutej Berishes per ti permbledhur destabilizuesit.
    Keto i dine nderkombetaret. Pastaj reforma ne drejtesi qendron per nderkombetaret mbi te gjitha. Me ardhjen e supozuar te PD ne pushtet
    do te shkaterrohej çdo gje qe eshte arritur deri tani me filtrimet e gjygjsorit. Ehu ku konceptoheshin keto ne kohen e shtetit rrumpall.

  6. Jimmy Trendelina says:

    Po cfare flet or skender bixhozi, e para nderkombetaret nuk mund te behen arbitra ne nje vend sovran, dhe kjo eshte arsyeja e pare dhe jo ato qe prallis zotrote me kolegj zgjedhor e te tjera. Dekretet e Presidentit mund te shpallen te pazbatueshem dhe jashtekonstitucionale vetem nga Gjykata Kushtetuese. Nëse ka ndodhur qe ne nje rast te meparshem gjykata Kushtetuese ka vendosur te pyetet Kolegji zgjedhor, kjo nuk do te thote qe kur nuk egziston gj.k. dekretet iu kaluakan automatikisht Kolegjit Zgjedhor, edhe pse mund te kete ngjashmeri ne situatat. Shqiperia nuk qeveriset me precedente, Shqiperia qeveriset me vendime konkrete qe merren ne perputhje me situatat konkrete. Jo per gjo po arsyetimi juaj po te shtyhet ne ekstrem mund te na coje ne paradokse te tipit, Shqiperia ka qene dikur monarki, perse te mos jete perseri monarki.

  7. Shvejk says:

    Kush do bast qe Likja vret veten brenda 10 ditesh?

    1. Toger Lukashi says:

      Me sa? Ta mba bitha me 10,000 Euro?

  8. Like bolja says:

    E degjova sot Liken mu duk si Saliu ne 97 qe shabte amerikanet dhe europianet i thoshte se te shkojne ne korene e veriut se ketu eshte demokraci. Turp i madh per bese demokracia e likes, mones, lulit dhe salilit perball asaj amerikane aahahaha. O ilir truthari mos u merr me ameriken o kar se e ke te humbur atw muhabet../

  9. Shefqet Cela says:

    Zoti Minxhozi, si gjiithmonë, ka bërë analizë perfekte.
    Çuditërisht, ai dhe jo juristët, ka dhënë ÇELËSIN E ZGJIDHJES SË VOTIMEVE.
    Preçedenti i ish presidentit me mustaqe të rruara, kur kërkesën për Gjykatën Kushtetuese, AJO JA ADRESOI KQZ.,
    Vërtetë s’kemi Gjykatë Kushtetuese,por KQZ-ja funksionon për mrekulli; megjithse kryetari saj, filloi zbatimin e porosive të monstrave SALI – META.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje