DITARI i Kosoves/Ringjallja e Prishtinës

Mero Baze

Qershor 1999

Një bori e fortë makine në rrugicën që zbriste nga tregu i lirë në rrugën kryesore Ulpianë, hotel “Grand”, tërhoqi vëmendjen e qytetarëve në mëngjesin e së premtes në Prishtinë. Një shofer shqiptar nuk i hapte rrugë një shoferi serb, i cili kishte tentuar të merrte pak nga hapësira e tij e kalimit. Dueli i borive zgjati për disa minuta, derisa serbi u tërhoq. Në rrugët pa policë të Prishtinës kjo ishte ndoshta ngjarja më pak e rrezikshme në lirinë e të dy palëve për t’u sjellë me njëra-tjetrën.

Në hotel “Grand”, “ishullin e ndaluar” për shqiptarët në mes të Prishtinës, atë ditë hynë për herë të parë me shumicë shqiptarët. Në hollin e hotelit, ku kafja kushtonte më shumë se një markë, ishte një shërbim skandaloz. Kamarierët serbë mbanin distancë nga shqiptarët klientë, por nuk guxonin të vononin porosinë. Një shqiptar i Shqipërisë, i cili shoqëronte si shofer gazetarët e “Sky Neës”, dukej i acaruar me ta dhe thoshte: “Duhet me i ndërru krejt”. Të tjerë që ishin në tavolinë përpiqeshin të ishin më të matur. Ndihej gjithandej një përpjekje për të kuptuar se çfarë ishte më e rëndësishme të bëhej në ato momente. Më shumë akoma ishte frika, nëse dikush do të bënte diçka që të prishte shansin e shqiptarëve si njerëz që mund të ngrinin shoqërinë e tyre përmes së njëjtës ndihmë ndërkombëtare që u gjet në krah të tyre për nxjerrjen e Serbisë jashtë Kosovës.

Faslli Balaj, avokati i njohur i Prishtinës, më ftoi të vizitoja zyrën e tij të djegur, te vendi i quajtur “Qafa”, në një kompleks kafenesh dhe dyqanesh shqiptare. Ai e kishte vizituar një ditë më parë dhe kishte parë se atë e kishin shkatërruar, por nuk kishte hyrë ende brenda. Së bashku me Bajram Kelmendin, avokatin martir të Kosovës, Faslliu kishte përgatitur një dosje të gjerë për Gjyqin e Hagës. Tashmë kompjuteri ishte zhdukur bashkë me dokumentet. Bajramin e vranë së bashku me djemtë e tij dhe mijëra të tjerë të vrarë po zbuloheshin përditë në varreza masive. Ato çfarë kishin grumbulluar dy avokatët para këtyre masakrave, në të vërtetë ishin vetëm efekte të strukturës represive serbe ndaj shqiptarëve, ndërsa masakra e vërtetë po ndodhte tani. Një grilë hekuri e shkatërruar dhe dera gjysmë e thyer ishin pamja e parë që të shfaqej para sysh. Hyra brenda me avokatin, ndërsa kolegët na porositën të ruheshim prej ndonjë mine surprizë. Thuajse nuk kishte mbetur asgjë. Rafti i sipërm kishte disa Kode Penale dhe dosje të lidhura të aktgjykimeve, që nuk vlenin aq shumë, ndërsa në shesh, disa rroba xhins, të cilat dëshmonin se paramilitarët e kishin përdorur zyrën e tij si vend fjetjeje.

Pasi porositëm një dyqan aty afër që ndreqte dyert të merrej me zyrën, kaluam përmes kompleksit të kafeneve shqiptare për të dalë sërish në qendër. Restorant “Rozafa”, një kat më lart zyrës së avokatit, ishte hapur dhe i zoti i restorantit bashkë me gruan po e pastronin atë. Ushtarakët kishin vjedhur gjithçka dhe aty kishte mbetur vetëm banaku dhe disa karrige. Kishin vjedhur ekspresin dhe gjithçka tjetër. Kështu dhe me kafenetë në krah. Gjithandej plaçkitje. Në një kafene në katin e dytë, dikush kishte marrë të gjitha orenditë, por kishte harruar aty tri piktura të Agim Saliut, piktorit të njohur të Kosovës.

– Nëse e njihni, e lajmëroni, – na tha i zoti i kafenesë.

Ndërsa dolëm për në qendër, pamë se para komandës së Sigurimit Shtetëror kishte trupa të NATO-s. Po ashtu, edhe para zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes. U njoftua se NATO kishte marrë zyrtarisht kontrollin mbi këto institucione. Para derës së Sigurimit Shtetëror, ngjitur me të cilin ishte burgu i Prishtinës, thuhej se të burgosurit shqiptarë mund të ishin zhdukur dhe dukeshin qytetarë të shqetësuar që pyesnin për të afërmit e tyre. Më tej, tek ish-ndërtesa e bankës sllovene, kohët e fundit seli e OSBE, një grup djemsh dhe vajzash të reja plotësonin formularë për punësim në OSBE si përkthyes ose shoqërues grupesh. Ky ishte dhe biznesi i vetëm i Prishtinës ato ditë. Ndërsa u kthyem sërish në hotel “Grand”, dikush u ul në tavolinë dhe na tregoi se mjekët shqiptarë kishin shkuar të merrnin në dorëzim spitalin e Prishtinës, i cili ishte vendosur nën vëzhgimin e NATO-s qysh të mërkurën. Sipas tij, “qeveria” kishte caktuar drejtorin dhe personelin, por nuk ishin marrë vesh. Si kompromis ishte arritur që serbët të mos hiqeshin nga puna, por vetëm nga postet drejtuese. Por fqinji ku unë banoja tha një version krejt tjetër nga ky. Dukej se ishte pak e vështirë të kuptoje se çfarë po ndodhte me shqiptarët në përpjekje për të vendosur pushtetin e tyre në Prishtinë. Në lagjen ku unë banoja, në Ulpianë, te ndërtesa ku ka qenë vendosur Akademia e Shkencave, ishte ngritur flamuri shqiptar. Banorët thoshin se UÇK kishte hapur aty zyrën e saj dhe duke filluar nga dita e nesërme do të legjitimonte njerëzit që kalonin në atë rrugicë. E zonja e shtëpisë thoshte se e kishin kontrolluar atë dhe djalin e saj, i cili po ashtu kishte qenë luftëtar i UÇK, ndërsa po udhëtonin në lagjen Velani, por, pasi ishin njohur, ishin përshëndetur dhe “ishin kënaqur”.

Qani Hoxha, një profesor i italishtes në Prishtinë, më tregoi ndërkohë se djemtë e UÇK i kishin marrë një serbi 5 mijë litra benzinë, ndërsa në qytet kishte filluar të ndihej kriza e karburantit. Sipas tij, dy pompat e benzinës që dilnin për Fushë-Kosovë, i kontrollonte UÇK. Por, përveç benzinës në qytet mungonin edhe furnizimet me perime, bukë dhe sidomos me mish.

Kosova ishte ato kohë vendi më i varfër në botë për prodhimin e mishit, pasi gjatë tre muajve ishte shkatërruar gjithë blegtoria e Kosovës. Lopët e mbetura pa zot ishin therur nga ushtria serbe apo ishin vjedhur nga fshatarë serbë, të cilët i kishin shitur në Serbi. Ndërkohë, Kosova ishte vendi pa të mbjella pranverore, pasi askush nuk i kishte punuar tokat dhe askush nuk guxonte t’i punonte më pa u çminuar. Buka po ashtu po bëhej gjithnjë e më e rrallë, pasi shumë furra ende nuk kishin filluar të punonin. Vakuumi ishte krijuar, pasi kishin pushuar aktivitetin serbët, por nuk e kishin filluar shqiptarët.

Një kamion i madh me targa të Tiranës i binte borisë përmes rrugës kryesore të Prishtinës, që të fuste nga lagjja Ulpianë drejt hotel “Grand”-it. Shoferi, një djalë i ri që kishte hapur xhamin e kabinës, ngjante i lumtur dhe përshëndeste njerëzit nga dritarja e makinës. Ndihej që ishte një djalë i lumtur, sepse kishte ardhur në Prishtinë me atë kamion të madh, me të cilin me siguri kishte sjellë pasagjerë ose diçka për të furnizuar tregun. Pas tij, një mikrobus me targa të Kavajës. Iu ngrita dorën dhe ata dolën menjëherë. Më njohën thuajse të gjithë dhe më kërkuan menjëherë se ku mund të gjenin ndonjë punë si përkthyes apo dikë që kishte nevojë të shëtiste nëpër Kosovë. Iu tregova hotel “Grand”-in, ku mund të takoheshim më vonë.

Ndërkohë, një veturë me targa të Kukësit kishte ndaluar para shkollës “Xhevdet Doda” dhe po përpiqeshin të pyesnin kalimtarët se çfarë ishte ajo ndërtesë. Ndalova dhe iu shpjegova se ishte një shkollë. Udhëtarët ishin punonjësit e Kryqit të Kuq në Tiranë, të cilët kishin ardhur deri në Prizren, por kureshtja i kishte shtyrë të udhëtonin deri në Prishtinë. Tani donin të siguroheshin, nëse mund të uleshin aty para shkollës për të ngrënë bukën që kishin marrë me vete. Te tregu i perimeve kishte më shumë gjallëri. Dikush kishte sjellë lakra nga një fshat goranësh të Prizrenit, dikush tjetër speca nga Shkupi dhe domate nga Shqipëria.

Myrvetja, një grua shqiptare që nuk kishte lëvizur nga Prishtina, thoshte se po e ndjente veten për herë të parë të çliruar. Ajo na tregoi me dorë një serb që shiste lakra, i cili, sipas saj, pesë ditë më parë i kishte folur vetëm serbisht dhe nuk i kishte dhënë lakra për të blerë. Tani ai po fliste shqip, duke i thënë dhe çmimet në shqip. “Një kilo domate, 2 dinarë”, – fliste serbi me zë të lartë, që ta kuptonin se nuk ishte serb. Më tutje tij, një rom shiste speca. Dy djem shtatlartë e urdhëruan të mblidhte specat dhe të ikte.

“Bën mirë mos me ardh më këtu, bilé mos me dalë as nga shtëpia”, – i thanë ata.

Romi filloi të dridhej dhe kërkonte të sqarohej. “Po unë jam nga Podujeva. Jam ai me kapuç të bardhë që dal në demonstrata me ju…” Por djemtë nuk ia vunë veshin.

– Ik! – i tha njëri prej tyre përsëri.

– Mos e zgjat, se mund të na kujtohet ndonjë gjë më e keqe nga ato që na keni bërë.

Për 5 minuta, ai nuk ishte më në treg.

– E pe ç’i bëri UÇK? – më tha me një gëzim të dyshimtë një qytetar shqiptar që po shiste.

– Ku e di ti që ishte UÇK? – i thashë. – Ata nuk kishin uniformë.

– Ata janë, – tha ai. – Ata dinë të vënë rregull.

– Mirë iua bëjnë maxhupëve, se na kanë rrjepur më keq se shkijet, – tha ai. – Të kenë t’iua bëjnë të gjithë serbëve kështu.

– Sa vjet ke që banon këtu? – e pyeta.

– Gjithë jetën, – tha shqiptari që shiste valutë dhe dinarë dhe që tha se ata që zbuan romin ishin të UÇK.

Por, pasi e kuptoi se për çfarë doja ta pyesja unë, ndërroi ton.

– Nuk them që nuk duhen bërë dallime, – tha, – po ja, ne na kanë rënë më qafë. Në Prizren, për shembull, e bënë mirë. E hoqën bustin e Car Dushanit. Edhe ne duhet ta heqim të Vuk Karaxhixhit. S’ka ç`na vyejnë më.

Dukej se në të gjitha ato biseda banale kishte një etje të disa shqiptarëve për të bërë diçka që kërciste, që bënte zhurmë, që krijonte ide pushteti dhe qeverie, por që realisht ishte kundër shqiptarëve.

E vetmja befasi atë ditë ishte deklarata e Thaçit nga Maqedonia, që iu bëri thirrje serbëve të mos iknin nga Kosova. Rigjallërimi i Prishtinës ishte një histori më vete. Përveç tregut, “Telekomi” kishte qenë një nga problemet e mëdha të këtij qyteti. Për tri muaj familjet shqiptare nuk kishin pasur mundësi të komunikonin me askënd. “Telekomi” i Serbisë kishte njoftuar se ishte i gatshëm t’i rilëshonte telefonat për shqiptarët dhe për ata që kishin zënë radhën të paguanin faturat e prapambetura. Gjatë tri muajve, asnjë telefon shqiptari nuk kishte punuar në Prishtinë, për të mundësuar humbjen e kontakteve dhe fshehjen e krimeve. Ndërkohë, në Prishtinë ishin shfaqur edhe politikanët e parë. Edita Tahiri u ul për disa minuta në tavolinën tonë në “Grand” dhe pastaj vrapoi, duke dhënë intervista. Rugova kishte mbërritur në Shkup, ndërsa qeveria e zotit Thaçi, në selitë e saj në një lagje të sipërme të Prishtinës. Në Prizren, UÇK dhe komanda gjermane ishin marrë vesh që deri të dielën të hiqeshin uniformat dhe të dorëzoheshin armët. Nuk ishte rënë dakord as për prefektin që kishin shpallur shqiptarët. Kishte shanse të ndërrohej procedura e zgjedhjes së tij. Agustini, një kolegu ynë, gazetar i “Kohës Ditore”, tha se Peja ishte djegur tërësisht, sidomos javën e fundit, gjatë tërheqjes dhe se UÇK kishte mundur të vendoste kontrollin në zona ku shqiptarët nuk guxonin të ktheheshin. Serbët, me gra dhe fëmijë, ndërkohë ishin grumbulluar në shesh të qytetit dhe nuk donin të shkonin në shtëpi për shkak të pasigurisë. Në Gjakovë, qindra gra kishin dalë në shesh për të kërkuar nga serbët e mbetur atje burrat e zhdukur. Bëhej fjalë për rreth 1 mijë vetë që ishin marrë prej aty dhe nuk dihej se ku ishin. Të gjitha këto lajme vinin deri në Prishtinë, së bashku me njerëzit që ktheheshin me dramat e tyre, duke rritur qytetin pak nga pak.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *