Alesia nga Librazhdi, politika murrjelë dhe magjistricat në media!

15 Qershor 2019, 19:46Blog TEMA
Alesia nga Librazhdi, politika murrjelë dhe magjistricat në media!

Nga Kristo Mërtiri

…Polit(h)ika zhurmëmadhe në metropol, ka 3 dekada që i bie qemanes! Me një avaz tashmë të neveritshëm e gjithnjë e më tepër irritues dhe dëshpërues për njerëzit e thjeshtë nëpër Shqipërizën tonë. I ka kapërcyer “me kohë e me vakt” kufijtë e zhgënjimit vrasës.

Përshembull, nuk ka ilac e doktor që e shëron plotësisht plagën e madhe kombëtare të arratisë, ikjen e ajkës së rinisë nëpër udhët e paudha të botës. Arrati që i ndau njerëzit për së gjalli! Por pasqyra më drithëruese e tronditëse gjer në kockë, është vecanërisht fshati ynë fushor, kodrinor e malor.

Braktisja masive e biblike e tij, rrëzon menjëherë cdo lloj programi qeveritar e partiak (të djathtë e të majtë). Fjalime e programe lumë që mund të cajnë vetëm daullet “pluraliste” të fushatave elektorale. Madje, për mjaft portrete liderësh të vjetëruar e të “sprovuar” nëpër betejat politike hipokrite e plot gënjeshtra me okë, tani po zbrazen acik edhe përrenj me urrejtje, sharje e mallkime të pamata. Sidomos për shumicën e tyre që e molën Tranzicionin si u deshi kokrra e qejfit, mjelje e vjelje (kupto: vjedhje) që u shqyejnë sytë fukarenjve  pasuritë e tyre përrallore. Pasuri me rrogat e Shtetit të së Drejtës?!…

Dhe vazhdojnë të shesin moral nëpër mikrofona, ekrane e gazeta, sikur të kenë përballë një popull pa sy, pa veshë e pa tru ! Ditën lypsarë të përgjëruar të votës e të “betuar” për të vërtetën, natën hajdutë me maska e pa maska që puthen e nduken me mashtrimin e gënjeshtrat. As që u shkon mendja te humbja e cdo grami dinjitet e personalitet. Këta teveqelë të kamur e të dhjamur nëpër grazhdet e Polit(h)ikës, harrojnë se njeriun nuk e bën skllav vetëm varfëria. Por edhe pasuria me para të pista, që i ndjek si mallkim i përditshëm. Dhe nuk janë thjesht nga ai sua që jetojnë dhe vdesin vetëm për paranë. Sepse në fund të fundit, sic thotë i mencuri i mocëm: “Në një vend të qeverisur keq, është turp pasuria”.

Dhe anasjelltas : Në një vend të qeverisur mirë, është turp varfëria ! Mirëpo, këto të vërteta të hidhura as që ua lëvizin hic qerpikun poitikanëve makutë e të babëzitur në 30 vite  “demokraci” shqiptare. Mjafton t’u shkojë drejt tymi i oxhakut të tyre në familje, soj e sorollop. Dhe nuk pushojnë së foluri për moralin, antikorrupsionin e për fatet e mëmëdheut, pasi hyjnë e dalin nga vilat e makinat luksoze në kryeqytet, në kodrat klimëmbara e në bregdet!…

Kështu po ecja parmbrëmë vonë nëpër rrugën “Bardhyl”, duke medituar jo pa nervozizëm pas një debati shoqëror për shkëputjen e tmerrshme të Polit(h)ikës nga njerëzit e thjeshtë në provinca. Shkëputje nga jeta reale ku hallet e marazet rëndojnë sa një mal!

Sebep i fortë u bë edhe fati korb i një vajze nga Skroska e Librazhdit, me emrin Alesia. Ndjeshmëria për këtë invalide të paralizuar e të shkëlqyer në mësime, që shkon e vjen nga shkolla mbi shpinën e nënës së vet, befas i përmbysi raportet e rëndomta të një bisede në tavolinë kafeneje. Shteti “social” i paska larë duart prapa një KEMPI a ndihme me thërrime mbijetese!

Por shpirti i pastër i Alesias nuk mund të mbahet gjallë e të marrë frymë vetëm me kafshatën pikëlluese të mjerimit. As prindërit e saj fatgremisur, zemërvrarë e jetënxirosur, që nuk shohin dot asnjë rreze drite të bardhë përtej të sotmes gërmadhë. Bija etyre e shtrenjtë po mbaron klasën e pestë. Ikën 5 vite shkollorë mbi duart e shpinën e nënës. Në vjeshtë, në dimër e pranverë. Nëpër llohë, dëborë e ngrica: I falen vetëm Dritës së Diturisë dhe thirrjes mbishekullore të Naimit të pavdekshëm! E ulin me duart e tyre në bangën e shkollës dhe largohen për t’u kthyer prapë pas 4-5 orëve mësim.

Ardhjen e e Alesias në klasë, vërsniket e saj dhe mësuesja e presin me përqafime. Por pse jo, edhe me ca pika loti të kripur nëpër sytë e pafajshëm e të kthjellët si burimet në Skroskë. Nuk është asapk mëshirë fetare a bashkëfshatare. Është një dashuri e pamatë njerëzore, një dhimbje natyrale dhe shumë larg Polit(h)ikës djallëzore e karnavale në metropol.

Ndërsa unë përfytyroj zbritjen e saj të rrallë me kalë a ndonjë mjet transporti në Qukës e Përrenjas për kontroll mjekësor. Dhe pyes vetiu: Po të ishte gjallë Heroina e Popullit, 20 vjecarja partizane Qybra Sokoli dhe të shikonte në 2019-ën një skenë të tillë përtej migjeniane, c’farë do të bënte vallë ?! Po ajo mbylli sytë e bukur në agun e Lirisë! Ra në mestetorin e ’44-ës!

Gjaku i saj i kulluar mbeti atje, në Përrenjas, në betejën kundër nazistëve gjermanë. Iku mësuesja vullnetare e idealiste që midis pushimit të betejave niste një luftë tjetër pa bomba e maliher : Luftën kundër Analfabetizmit te cdo bashkëpartizan i Brigadës së Njëzetë Sulmuese! Iku motra e tyre luftëtare që fali jetën në lule të jetës për Shqipërinë, për një Botë të Re pa shtypës e të shtypur, pa demagogë e mashtrues të regjur…

Cila zemër nuk drithërohet kur shikon Alesian e mrekullueshme që ngrihet nga duart e mësueses së matematikës, merr shkumësin dhe zgjidh saktë ushtrime e problema të ndryshme mbi dërrasën e zezë ? “Është mga të vetmet nxënëse që bën fare pak mungesa në orët e mësimit gjatë një viti shkollor”. Prindërit e saj sakrifikojnë shumë , si për dritën e syrit. Ata as shajnë e as mallkojnë pushtetet që vijnë e shkojnë kaluar me këmbët në yzengji. Kërkojnë vec pak më tepër ndihmë profesionale shëndetësore. Kokrrat e lotëve të nënës dheato të vërsnikeve të Alesias, mund të thyejnë gurin e drurin.

Por asapk kraharorin pendëfryrë të politikanëve, në pushtet a opozitë. Fëmijët e tyre hardallosen në luks e pasuri të pamerituar, nëpër shkollat evropiane e perëndimore. Më thoni, cila ministri Shëndetësie a Arsimi ka marrë rrugën për në Skroskë të Librazhdit? Kujt iu prish sadopak gjumi nëpër zyra e poste ?…Në djall vafshin betejat politike për kolltuqe e ulluqe, për mburoja e këmisha “antiplumb” hajdutërie!

Bashkë me taboret që u mbajnë iso në partira, në media, nëpër istikamet rrëmbyese, të palyra e plot zgjyrë private a publike qofshin. Përderisa njerëzit e thjeshtë nxjerrin me thonj e mundime kafshatën e përditshme dhe ngrenë sytë nga qielli duke mërmëritur “Bukën e gojës, falna sot !”, kemi të drejtë të perifrazojmë atë vargun e njohur në pluralizëm : Kështu, mos ardhsh kurrë Demokraci !…

Jo rastësisht parmbrëmë, duke u kthyer vonë te Brryli në Tiranë, më rrihte si cekan në kokë edhe kjo thirrje therëse jo thjesht dëshirore. Klientët e fundit të një lokali te Ura, ecnin e ndalonin. Me ura zjarri ndezur për politikanët majtas e djathtas. Sundonin zërat e lartë e të sertë që po përcillnin mesnatën e vaposur buzë Lanës turbullirë. Sapo dikush fliste prerë “Le të japë dorëheqjen Kryeministri, që të qetohen ujërat !”, ia priste tjetri jo pa tërsëllëmë “I pari duhet të vetlargohet Presidenti që nuk flet dot në emër të popullit !”. Ndërsa i treti u ra druve më shkurt e pa asnjë ekuivok : “-Kjo klasë politike parazite, faqezezë e hipokrite, duhet shporrur sa më parë !”…. Mirëpo, pa u mbyllur debati me nota sipërore të ashpra e inatcore, nga trotuari përballë me 3 kazanë mbeturinash plot e përplot, një burrë me kasketën e njgeshur deri mbi vetulla, me një prozhektor të vogël dore dhe me dorezat plastike në kërkim të kanoceve bosh etj., lëshoi piskamën :

-Dëgjoni mua, kot korkolepseni e haheni si gjelat me njëri-jatrin ! Ua them unë kur duhet të largohet Edi Rama : Le të japin dorëheqjet gjithë liderët e ndryshkur politikë në opozitë e pushtet, sidomos ata që po shijnë 30 vite nëpër lëmenjtë e Pluralizmit dhe pastaj mos kini merak, ikën vetë Rama ! Me hir a me pahir. Po nuk u bë kështu, unë dhe ju do vazhdojmë t’i biem teneqesë. Ore, ajo darka sekrete me Metën, të jetë e vërtetë ?…Për mua, vetëm Amerika në e pastroftë kupolën politike të qelbur, kupolë që bie erë më keq se këta kazanët e mi ! Përndryshe, më shpofshin mua në hundë, avazin e Mukës do e dëgjojë gjatë kjo Shqipëri hallemadhe. Se Drejtësia do mbetet e drejtë si drapri…

Ajo biseda gati ulëritëse sikur u venit natyrshëm. Madje, më i moshuari lëshoi një psherëtimë rënkimi : “-Ta dini ju se kush është ai njeri që sot mbledh kanoce për të mbajtur frymën gjallë, do vini duart në kokë… Ka qenë një nga montatorët më të zotë gjatë ngritjes së hidrocentraleve mbi lumin Drin. Ja, ku e katandisi regjimi “demokratik” shqiptar, regjim që po mban në pëllëmbë të dorës militantët aguridhe e cingaridhe, të paaftë e kusarolëpirës dhe hodhi në mes të katër rrugëve profesionistët e ndershëm që nuk dinë t’i bëjnë tralalara e temenara asnjë lideri e partie politike”…

Njerëzit e thjeshtë hallexhinj në fshatra e qytete, e shtyjnë ditën edhe me një kapak sahani : Ohuu, të gjithë një surrat kanë, dallojnë vetëm nga kostumet, kollaret, këpucët, veturat e binatë e vilave, pallateve dhe orenditë e zyrave ! Shporrja e kësaj kupole politike në Shqipërizën tonë, është dhe mbetet emergjencë kombëtare. Bashkë me ca emisione televizive që tallandisin e helmojnë mbrëmjet nëpër vatrat familjare. Disa drejtues të tyre (pasi u majmën nga pronarët derbederë dhe nga pushtetarë e liderë) tani arrijnë të na kërcënojnë hapur me përsëritjen e ’97-ës së zezë.

Harrojnë se sulme të tilla donkishoteske nuk i shpëtojnë dot dhe nesër do u kthehen me siguri në boomerang të pandalshëm, në shpagim të pakthyeshëm përballë pasurive pa djersë. Kështu përfundon cdo shërbëtor i pacipë. E tha bukur një miku ynë i vjetër e kokëplotë : “…kur vjen darka emisionet talkshoë ngjajnë se lidhen dorëpërdore dhe, si magjistricat tek Makbethi, ia dredhin : Si kucedre, bisht bretkose/ Gjuhë qeni, qime dose/ Trubull, trubull avullo;/ Digj-u, zjarr; kazan, valo”…

6 komente në “Alesia nga Librazhdi, politika murrjelë dhe magjistricat në media!”

  1. ¬ says:

    Unë ministër i brendshem dhe i mbrojtjes nuk jam., por mendoj që janë marrë masat dhe ka garanci në mbarrëvajtjen e zgjedhjeve të 30 Qërshorit (në të gjithë vëndin).

  2. Fatosi says:

    Rasti i Alesias eshte dritherues. Po kush kujtohet per ta o Kristo. Vetem pena jote i kujton ata. Shteti ka vdekur, shoqeria nga ta ktheje fytyren me pare. Te varfer deri ne palce. Oligarket tallen me skamjen e ketij populli te munduar. Poshte oligarket.

  3. Luftetari says:

    Hani, pini dhe rrembeni, eshte koha e cakenjve
    hani, pini e rrembeni, eshte bot’ e maskarenjve.
    …Dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarre,
    eshte trikembshi qe perdita, varet kombi ne litar.
    Sidomos ju dredharake, ju me zemra aq te nxira,
    ju dinake, ju shushunja, ju gjahtar ne erresira.
    …Ja, ja grushti do te bjeri, permbi krye te zuzarve,
    koha eshte e maskarenjve, po Atdheu i shqipetarve.
    Ali Asllani (shkruar ne vitin 1942}
    A nuk duket sikur eshte shkruar sot per kete rrace hajdutesh?

  4. Faslliu says:

    Nje gazetar me zemer te madhe.

  5. Illyria-Shqiperia says:

    I mrekullueshem Kristo Mertiri!

  6. Roberti says:

    Zemermadhi dhe pene pa thyeri, z. Mertiri. Njerzit e ndershem te obligohen per problemet qe ngre ne emer te tyre, kunder padrejtesive ngado qe vine. Respekte dhe mirenjohje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje