Italiani “misterioz” që do të udhëheqë “Demat e Kuq” në sfidën e Champions

16 Qershor 2019, 11:54Sport TEMA

Profili i 51 vjeçarit që ka marrë drejtimin e Partizanit pas largimit të papritur të Skënder Gegës

Nga Fatjon Baze

Pas shpalljes kampion pas 26 vitesh nën drejtimin e trajnerit dhe ish lojtarit të kësaj skuadre, Skënder Gega, Partizani do të nisë një cikël të ri. Të kuqtë mbyllën një sezon dinjitoz duke rikthyer titullin në shtëpi dhe të 16-in në historinë e tyre, por filozofia e ekipit për sezonin e ri do të jetë ndryshe.

Skënder Gega nuk është më në krye të skuadrës që prej datës 1 qershor, duke u larguar për “arsye personale”, edhe pse kjo fjali deri më tani ka ngjallur mjaft dyshime në opinionin sportiv, por sidomos tek tifozeria e kuqe. Kjo për faktin se tekniku tropojan Skënder Gega është duke mirëpritur oferta nga klube të tjera, ku një ndër to është skuadra e Prishtinës në Kosovë, gjë që hedh poshtë justifikimin e të dy palëve se largimi nga të kuqtë u bë për “arsye personale”.

Menjëherë pas largimit të Gegës, drejtuesit e klubit të kuq, veçanarisht drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, ka nisur punën për pasuesesin e tij, i cili këtë herë nuk do të jetë shqiptar por një trajner i huaj.

Pas emrave të bujshëm që dolën në skenë si teknikët e mundshëm që mund të merrnin drejtimin e 16 herë kampionëve të vendit, ku spikasnin Serze Kosmi, Zdenek Zeman, apo dhe Adolfo Soramni që ka qenë më parë në krye të stolit të kuq, si përfundim drejtuesit e skuadrës së kuqe përfunduan tek një tjetër Italian që është Franko Lerda.

Lerda ka arritur akordin me presidencën e Partizanit dhe ajo që ka mbetur për tu bërë fakt i kryer është veç prezantimi, i cili pritet të behët në fillimin e kësaj jave.

Por kush është Franko Lerda?

Lerda është një emër jo pak i njohur në ambientet e futbollit Italian, pasi ka pasur një karrierë të pasur si në periudhën kur ka qenë futbollist, por edhe në karrierën e tij si trajner, edhe pse nuk është se ka pasur ndonjë sukses të jashtëzakonshëm. Ai do të marrë një post të rëndësishëm tek Partizani, ku do të ketë një barrë mjaft të rëndë pasi do të ketë si synim mbrojtjen e titullit kampion, por përpara këtij objektivi, synimi i tij por sidomos edhe i drejtuesve të kuq janë ndeshjet në Kupat e Europës ku “demat e kuq” luajnë në para eleminatoret e “Champions League”.

Kalimi i tureve është një objektiv mjaft i rëndësishëm për Partizanin për të bërë një përfaqësim dinjitoz të cilët e kanë deklaruar dhe publikisht dëshirën për të qenë në fazë të grupeve, duke marrë si shembull ekipin e Skënderbeut. Më datë 18 qershor të kuqtë do të mësojnë dhe emrin e kundërshatrit, që do të jetë dhe që do të debutojë trajneri Franko Lerda.

Italiani 51 vjeçar që do të marrë përgjegjësinë për drejtimin e Partizanit ka qenë një sulmues i cili ka luajtur me ekipe të njohura në Itali, ku mund të përmendim skuadra si Breshia, Kievo, Cezena, Katania, Torino dhe Napoli. Gjithashtu ai ka drejtuar edhe ekipe me emër në Itali siç janë: Sasuolo, Krotone, Lece dhe Torinon. Ai e ka nisur karrierën si trajner në vitin 2005 kur mori drejtimin e skuadrës së Saluzzos në Serinë D duke e shpëtuar nga rënia. Kulmi i karrierës së tij është në vitin 2010 kur më datë 17 qershor 2010 ai u caktua në krye të skuadrës së Torinos. Por më 9 mars 2011 ai u shkarkua duke u zëvendësuar nga Giuseppe Papadopulo. Megjithatë, shkarkimi i tij do të zgjaste shumë pak ditë pasi ai do të rikthehej sërish tek torinezët vetëm pas 11 ditësh ku më 20 mars, zë vendin e atij që e zëvëndësoi Papadopulo, duke qëndruar deri në fund të sezonit ku më pas u zëvendësua nga Gian Piero Ventura.

Në vitet e fundit ai ka qenë pjesë e skuadrës së Vicenzës duke qëndruar në krye të kësaj skuadre me shkëputje dhe prej një viti ndodhej pa asnjë skuadër, derisa erdhi oferta nga klubi i Partizanit të cilin ka pranuar që ta drejtojë.

Tek të kuqtë eksperiencat me trajnerët e huaj nuk kanë qenë mjaft të sukseshme pasi pothuajse të gjithë kanë dështuar ku rasti më i fundit është ai i Mark Lulianos në sezonin 2018.

Tashmë, drejtuesit e kuq kanë vendosur që t’ia besojnë sërish skuadrën një trajneri të huaj, i cili sinjalet e para do t’i jap në ndeshjet e Kupave të Europës ku mund të përcaktohet nëse do të jetë një afrim i arrirë apo një tjetër gafë me teknikë nga jashtë vendit.

(TemA Javore)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje