Raporti: 55 lloje të reja drogash qarkullojnë në Europë

17 Qershor 2019, 09:22Kronika TEMA

Raporti më i fundit evropian për drogën, i publikuar pak ditë më parë nga Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA), për vitin 2018 evidenton 55 substanca të reja psikoaktive në treg.

Mes këtyre substancave të reja ka produkte të klasës së kanabinoidëve dhe opiateve, por që nga viti 2014 është vërejtur rritja e numrit të substancave të paligjshme me bazë benzodiazepinën.

Në vitin 2018, kjo kategori përfaqësonafërsisht një të tetën e substancave të reja.

Për ata që nuk e dinë, ato i përkasin grupit të barnave psikiatrike. Disa nga këto barna janë shitur si versione të falsifikuara të ilaçeve që përdoren për lehtësimin e ankthit, siç janë alprazolami (baza e Xanax-it) dhe diazepami.

Ato janë shitur duke përdorur rrjetet ekzistuese të shpërndarjes në tregun e paligjshëm të drogës; të tjera shiten online, nganjëherë me emrat e tyre dhe tregtohen si versione të ligjshme të ilaçeve të autorizuara.

Pasojat e tyre te shëndeti i njeriut mund të jenë të rrezikshme.

Nga 28 lloje drogash të reja që kanë në bazë benzodiazepinën, 23 janë identifikuar për herë të parë në Evropë në pesë vitet e fundit.

Në përgjithësi, nga viti 2005 deri në fund të vitit 2018, EMCDDA ka monitoruar më shumë se 730 substanca të reja psikoaktive, të cilat kosniderohen jashtëzakonisht të rrezikshme, pasi duke qenë të reja, nuk dihen efektet anësore dhe rreziqet që paraqet përdorimi i tyre.

Gjithashtu, rreziku shtohet nga përdorimi i shumë drogave, një praktikë e zakonshme në mesin e përdoruesve të rregullt.

Në shumicën e rasteve këto janë substanca të prodhuara në sasi të mëdha nga kompanitë kimike dhe farmaceutike në Kinë.

Prej atje, ato sillen në Evropë, ku shndërrohen në produkte, të paketuara dhe të shitura, ndonjëherë edhe në dyqane të mirëfillta.

Ato mund të shiten me emrin e tyre ose të përziera me barna të tjera të tilla si heroina, kokaina, MDMA ose droga psikotrope.

Tregu është kompleks dhe tepër fluid. Substancat narkotike shfaqen dhe pastaj zhduken menjëherë, por megjithatë numri i substancave në qarkullim mbetet i lartë.

Sidoqoftë, problemi më i madh në këtë aspekt mbetet tregu i kokainës, që vijon të rritet. Të dhënat aktuale tregojnë se sasia e sekuestruar në vitin 2017 ka arritur maksimumin historik.

Por edhe konsumimi i opiateve, ilaçe si tramadoli, metadoni dhe mbi të gjitha heroina, mbeten të larta.

Ka gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në gjeografinë e prodhimit të tyre: shumica e heroinës që gjendet në Evropë prodhohet në Afganistan, Iran ose Pakistan.

Zbulimi i laboratorëve që prodhojnë heroinë nga morfina duke përdorur anhidridin acetik në Bullgari, Republikën Çeke, Spanjë dhe Hollandë në vitet e fundit dhe rritja e sasisë së kapur të morfinës dhe opiumit, sugjeron se sot, një pjesë e heroinës  prodhohet më afër tregjeve të konsumit në Evropë.

Il sole 24 ore

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje