INTERVISTA/ Duka: Rejan e kam kërkuar më parë, VIP-at s’po na vijnë më

24 Qershor 2019, 19:27Sport TEMA

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë të gjatë me gazetarin e SuperSport, Ylli Aga, i bëri një skaner të imtësishëm sezonit, ku pa dyshim u diskutua për zhvillimet në kombëtarë. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se Shqipëria mund të bëjë shumë mirë eliminatoret e Europianit, duke fituar me skuadrat më të forta të grupit.

– Sa e ka zgjeruar rrethin miqësor pozicioni i presidentit?

– Patjetër që e ka zgjeruar shumë, sepse komuniteti i futbollit është i madh. Pozicioni i Presidentit është i tillë që ka marrëdhënie me të gjithë.

– Dasma e Hysajt?

– Jam i gëzuar kur kemi festa, dasma. Martojmë çunat. Dasmë shumë simpatike, të gjithë pjesëmarrësit u gëzuan. Edhe vetë kapiteni u gëzua.

– Ftesa e radhës, sërish për një dasmë? 

– Kemi një dasmë tjetër, me Lenjanin, në korrik.

– Përshtypjet tuaja të para të Kombëtares me Edy Rejan?

– Ekipi ai është, por në këndvështrimin tim duket një dëshirë më e madhe, më shumë besim më shumë atmosferë pozitive.

– U zhgënjyet nga humbja me Islandën, me vetëm një gjuajtje në portë?

– Ka shumë raste në futboll kur thuhet se meritonim më shumë, por ky ishte nga ato rastet ku vërtet meritonim më shumë. Duke parë dhe karakteristikat e ndeshjes, mbajtjen e topit 53% me 47% për ne, kornet 7 me 1, rastet, mendoj se meritonim më shumë se zero pikë. Këto që përmenda unë pak mbahen mend në futboll. Mbahet mend rezultati. Me pak më shumë përqendrim, mund ta kishim evituar humbjen.

– Çfarë të pëlqeu më shumë, përveç fitores, me Moldavinë?

– Mendohet se ishte një ndeshje më pozitive se ajo me Islandën, por mbase në Islandë u luajt më mirë, u prodhua më shumë futboll, kishte më shumë kualitet për ne. Nuk janë ndeshje të ngjashme. Moldavia ishte e vështirë, të gjithë ishim nën presion, sepse goli erdhi me shumë vonesë. Madje në shënimin e golit të parë patëm edhe pak fat, me një karambol të Roshit që u kthye në asist për Cikalleshin. Një fakt tjetër që na gëzoi, sepse Cikalleshi ishte në krizë goli në ekipin kombëtare. Urojmë që ai gol t’u ketë hapur udhë golave të tjerë.

– E shihni diçka pozitive faktin që skuadra u tregua e duruar, pasi nuk po gjente hapësira në mbrojtjen e Moldavisë?

– Moldavia ishte një ekip që luante futboll, e kisha menduar se do mbronte dhe largonte topin. Psikologjikisht, skuadra jonë ishte përgatitur për ta fituar ndeshjen, lojtarët nuk shkuan në panik, por edhe forcat e reja që u hodhën në fushë, sidomos Roshi, i dhanë një impuls dhe entuziazëm lojës. Profesionalisht, ekipi ishte i përqendruar, besonte te fitorja dhe ia arriti.

– Çfarë ndryshimi patë te trajneri Reja nga periudha që zhvilluat bisedimet, firmosët kontratën, e deri te ditët e stërvitjes dhe te ndeshjet? – Nuk kam parë ndonjë ndryshim. Kam parë të njëjtin njeri që kam parë në fillim dhe në ditët e ndeshjes. Mendoj se, përveçse është një ekspert futbolli, dhe këtë e thotë karriera e tij e gjatë, është një njeri që komunikon shumë, e motivon ekipin dhe besoj se merr afër 100%-shit të asaj që ka skuadra. Taktikisht i instrukton shumë mirë dhe i motivon shumë mirë.

– Do të donit ta kishit përzgjedhur më parë?

– Nuk është se nuk e kam menduar më parë Edy Rejan, madje e kam tentuar disa vite më parë, por ai nuk ka dashur të vijë në Shqipëri në atë kohë.

– 6 pikë në 4 ndeshje, ndërkohë që tri skuadrat kryesore, Franca, Turqia dhe Islanda janë në kuotën e 9 pikëve. Matematikisht, mund të luajmë për gjithçka…

– Ky grup ka qenë i vështirë që në fillim. Asnjëherë nuk kemi menduar që jemi skuadra më e mirë. Jemi skuadra që duhet të luftojmë deri në fund dhe nëse bëjmë maksimumin tonë mund të arrijmë gjithçka. Maksimumi ynë nuk janë vetëm rezultatet me Andorrën dhe Moldavinë, por edhe ndaj ekipeve që janë në renditje më lart si Shqipëria. Turqia e fitoi ndeshjen me Francën në të gjitha parametrat, por pas 3 ditësh humbi me Islandën. Edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë kundër tre kundërshtarëve më të fortë në grup. Në çdo ndeshje duhet të hyjmë si të barabarta, pastaj se çfarë prodhon fusha e lojës… E përsëris, nuk është se gjërat janë vështirësuar, kaq të vështira kanë qenë që në fillim.

– Për ne gjërat duken të komplikuara, por për kombëtaren tjetër shqiptare, Kosovën, gjërat duken me entuziaste…

– Kam parë ndeshjen me Bullgarinë dhe atë me Malin e Zi, i kam ndjekur në SuperSport. Kanë qenë ndeshje të interpretuara shumë mirë, me mobilizim dhe atmosferë pozitive. Rezultatet nuk janë të rastësishme. Është një ekip i përgatitur mirë, ka një trajner shumë të mirë dhe është shumë e rëndësishme që ka një atmosferë shumë pozitive rreth ekipit dhe gjithkund në Kosovë. Atmosfera rreth ekipit kombëtar te ne nuk ka qenë shumë e mirë kohët e fundit, jo vetëm në shkallët e stadiumit, por në përgjithësi. Kur shkuan në Europian nuk kishim ku t’i akomodonim VIP-at dhe politikanët, kurse sot asnjë nuk na vjen në stadium. Një ekip modest ka nevojë për mbështetje maksimale dhe atmosferë pozitive nga të gjithë.

– Mos po vuajmë faktin që jemi të ndarë?

– Patjetër, sepse nëse do të ishim më shumë, do të kishim më shumë alternativa. Disa nga kualitetet e Kosovës mbase do të ishin pjesë e Shqipërisë, por ky është një fakt dhe nuk mund të merremi më të analizojmë apo ta çbëjmë. Ne duhet të mësohemi dhe të jetojmë me këtë realitet dhe të ndërtojmë dy skuadra kompetitive.

– Edhe Katalunja po të ndahej nga Spanja, ndoshta do ta vuante “La Roja”… 

– Patjetër, Pique do të luante me Katalunjën.

– Le të flasim për kampionatin vendas. Pas 26 vitesh Partizani u shpall kampion. A i ishin të drejta verdiktet?

– Nuk ka dyshim që Partizani zhvilloi një kampionat të mirë, udhëhoqi thuajse gjatë gjithë sezonit. Konkurrentët nuk arritën të ishin në nivelin e Partizanit, qoftë Teuta, Kukësi, Flamurtari apo Skënderbeu. Partizani i optimizoi më mirë gjërat, ishte pragmatist. Nuk është se dhuroi ndonjë futboll spektakolar, por arriti rezultatet dhe patjetër që e meritonte. E gjithë pjesa tjetër e skuadrave, me pak subjektivizma, ku futen gabimet apo fati, kanë marrë atë që kanë dhënë në bazë të organizimit dhe buxhetit që kanë patur.

– Cila ishte surpriza më e bukur për ju në këtë kampionat, një skuadër një lojtar…?

– Të veçoj futbollistë të veçantë, është e vështirë, por po dalloj një skuadër që jo vetëm në këtë kampionat, por edhe në 2-3 të fundit, ka luajtur një futboll të mirë dhe, pavarësisht se ka larguar shumë futbollistëve, ka ruajtur të njëjtin nivel. Ky është Luftëtari. Nuk ka rrezikuar rënien nga kategoria, vjet ka luajtur në Europa League dhe, megjithëse në mes të sezonit hoqi dy nga futbollistët më të mirë, vijoi të kishte performancë pozitive.

– Prisnit diçka më shumë nga Kukësi, për faktin që vjet luajti në Champions dhe kishte një buxhet më të mirë?

– Kukësit nuk i ka munguar buxheti, as përbërja, sepse, po ta shohim në letër, ka patur elementë shumë cilësorë, por i ka munguar skuadra. Kishte një disavantazh që nuk luante në shtëpi, por i pari që ka përgjegjësi është vetë presidenti Gjici, që duhet ta organizonte në atë mënyrë që të kishte një skuadër më të mirë dhe jo shumë individë.

– Trajektorja e Skënderbeut, deri diku e pritshme?

– Nuk mendoj se ka ndikuar te Skënderbeu lufta juridike që ka për të luajtur në Europë. Skuadra mori rezultate pozitive deri në janar, madje opinionistët mendonin se, pavarësisht largimit të disa lojtarëve, po performonte mirë, por, më vonë, nuk e di, nuk ishte i përgatitur për të përballuar 36 javët e kampionatit sportivisht, sepse psikologjikisht lojtarët nuk kishin asnjë përgjegjësi për t’u marrë me problemet juridike. Ndoshta nuk kishte futbollistët e duhur apo alternativat e nevojshme për të përballuar kampionatin.

– Lajm i mirë është rikthimi i Teutës, pas disa sezonesh… Ndoshta pritshmëritë kanë qenë më të mëdha?

– Teuta u pa si një ekip konkurrent për kampion, madje diku 10 javë para përfundimit të kampionatit u afrua shumë, por m’u duk si një skuadër pa grintën e duhur. Vendi i tretë është i merituar, por me aq sa është investuar duhet të merrte më shumë.

– Ky sezon ka patur shumë më pak polemika sa u përket gjyqtarëve. Janë ndërgjegjësuar ndoshta vetë protagonistët e garës?

– Me zhvillimin e Shoqërisë zhvillohen të gjithë aktorët, përfshi dhe arbitrat. Ne bëjmë gjithmonë maksimumin në selektimin dhe përgatitjen e tyre si dhe në kërkesën e llogarisë për të qenë sa më korrektë. Është e vërtetë që kontestime ka patur më pak dhe, fatmirësisht, vendimet, edhe kur kanë qenë të gabuara, nuk kanë ndikuar në garë apo në renditje. Do ta vlerësonim me nota pozitive, krahasimisht me të shkuarën.

– Ka një perspektivë që edhe gjyqtarët të zhvillohen dhe të ecin më shumë në arenën ndërkombëtare. Do ta shohim Enea Jorgjin në një finale të madhe?

– Nuk i penalizon niveli i kampionatit për të shkuar më lart. Qoftë Enea dhe arbitrat e tjerë të FIFA-s mund të bëjnë shumë më mirë. I kanë të gjitha kushtet, pra e kanë vetë në dorë. Unë mendoj që për kushtet e krijuara arbitrat nuk kanë asnjë disavantazh krahasuar me federatat e tjera. Po të bëjmë një krahasim, shohim Skominën, që nuk është nga një kampionat shumë cilësor (Slloveni), por gjykon në nivelet më të larta. Po ashtu edhe një arbitër serb dhe një tjetër hungarez. Niveli i kampionatit nuk i penalizon, është i kënaqshëm për të prodhuar arbitra të niveleve të larta. Kushtet i kanë, duhet vetëm impenjimi i vetë arbitrave.

Nuk kanë munguar edhe shfaqjet e dhunës. Vendimi drastik për Kamzën ishte mesazh për ekipet e tjera?

Ai ka qenë rasti më i rëndë, më i keqi, dhe që është penalizuar më shumë një skuadër. Mendoj se ka ndikuar në eliminimin e rasteve të përafërta, jo vetëm në Superiore, sepse ka patur rate të tjera, ndoshta jo kaq shqetësuese apo ekstreme. I ka parandaluar ky rast dhe vendime të tjera që ka marrë Komisioni i Disiplinës.

Kam dëgjuar shefin e garave, Lysien Nurishmi, që ka propozuar një strukturë të re për garat…

Po diskutohet shumë në sektorin e garave dhe më të gjithë aktorët, me qëllim që të kemi skema të tilla, ku ekipet të jenë të impenjuara deri në fund të kampionatit. Kemi disa probleme me kampionatin e Kategorisë së Parë, të Kategorisë së Dytë, me të rinjtë e Superiores dhe Kategorisë së Parë. Numri i skuadrave në lojë me numrin e trofeve apo numrit të skuadrave që zbresin nga kategoria lë shumë hapësira për impenjimin e tyre. Në të gjitha kategoritë është thuajse i njëjti fenomen, dalin nga gara shpejt dhe nuk shfaqen me performancën më të mirë, për të mos thënë që tolerojnë. Në këtë këndvështrim, po i rishohim të gjitha garat dhe të gjejmë skemat e duhura që t’i minimizojmë tolerimet apo performancat jo me ekipin më të mirë. Kemi disa propozime apo variante, do të mundohemi të zgjedhim më të mirën, pra që të jenë 5-6 ekipe që të kenë një lloj stimuli, ndoshta duke kopjuar në njëfarë mënyrë Serinë B në Itali. Besoj se do të dalim me një produkt, që do t’i bëjë më shumë të interesuara skuadrat në garë. Është krim që te një skuadër U-17 apo U-19 thuhet nga drejtuesit e transmetohet te fëmijët “hë mo se juve s’ju duhet, pse luani”. Në këtë mënyrë ne po i edukojmë keq fëmijët. Do të mundohemi që të eliminojmë apo minimizojmë problemet nëpërmjet skemave.

A është alternativë kufizimi i skuadrave në Kategorinë e Parë?

Për këtë kampionat jo, por në perspektivë mund të shkojmë në reduktimin e ekipeve që të eliminojmë mundësinë e tolerimeve apo lënies së ndeshjeve në gjuhën sportive.

Në Asamblenë e fundit u ngrit çështje e licencimit të klubeve, vetëm 5 prej tyre u licencuan për ndeshjet e Europës…

Federata licencon për aktivitetet kombëtare dhe është e autorizuar nga UEFA për licencimin e skuadrave tona për në kupat e Europës. Licencimi për në Europë mbikëqyret në mënyrë shumë strikte nga UEFA. Komisioni i Licencimit është shumë më strikt për ndeshjet e Europës, sepse ka një tutor, që, nëse gabon, dhe ne e kemi bërë një gabim të tillë dy vite më parë me Tiranën, të penalizon. Dhe ne jemi penalizuar, po ashtu edhe Tirana. Komisioni duhet të jetë shumë strikt dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë për të gjitha kampionatet. Është e vetmja armë që ka Federata për të realizuar strategjitë e veta dhe për të implementuar politikat e veta. Duke qenë strikt me licencimet, ti mund të realizosh mënyrën se si do të trajnohen fëmijët, se si do të edukohen. Që nga ky sezon, do të ngrihet steka e kërkesave. Ne e dimë shumë mirë se çfarë kriteresh duhen për të gjitha kategoritë, por kemi vënë ato kritere që janë të realizueshme në Shqipëri. Politika e komisionit të Licencimit është t’i kontrollojë klubet, t’u japë edhe mundësinë e mbështetjes financiare, që në bashkëpunim me pushtetin vendor të realizohen dhe ai klub që nuk i realizon të mos jetë pjesë e garës.

A është e mundur që një licencë që jepet për Kategorinë Superiore të jetë e vlefshme edhe për kupat e Europës?

Patjetër që është e mundur por sot nuk jemi në vitin që mund të arrijmë të njëjtat kritere. Në një afat 5-vjeçar patjetër që duhet ta arrijmë.

1 komente në “INTERVISTA/ Duka: Rejan e kam kërkuar më parë, VIP-at s’po na vijnë më”

  1. rrema says:

    Sa te jete Duka i droges ne krye te FSHF keq e me keq do te shkoje kjo kombetare. Shikoni vellezerit tane Kosovare si po shkelqejne.
    Lojtaret e kombetares duhet ta bojkutoj e kete ekip deri sa te hiqet ky plere.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje