Marrëdhënia e komplikuar e Salvinit me Papën, një betejë për shpirtin e Italisë

24 Qershor 2019, 17:24Blog TEMA

Nga Anna Momigliano

Pak ditë më parë, ndërsa fliste në një takim elektoral në Foligno, një qytet i vogël në Italinë qendrore, zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, tha se ndihej si babai i “60 milionë italianëve”. Kryebashkiaku liberal i Milanit, Giuseppe Sala, u përgjigj se ai nuk do ta donte atë si xhaxha. Por Salvini nuk po fliste si politikan: Ai po fliste si një udhëheqës fetar.

Gjatë muajve të fundit, Salvini – i cili është gjithashtu ministër i Brendshëm dhe kreu i partisë së së djathtës ekstreme, Lega – ka ardhur duke i forcuar pozitat e udhëheqësit de facto të koalicionit qeverisës italian. Ndërsa ylli i tij është në ngjitje, ai e ka zhvendosur retorikën drejt simboleve fetare katolike, duke plotësuar fjalimet e tij me referenca ndaj Shën Mërisë dhe duke u përpjekur ta portretizojë veten si figurë atërore, pothuajse papale.

Për ironi, në zbrazëtinë e kobshme të politikës italiane, i vetmi rival i vërtetë që ai ka hasur është vetë Papa. Jo vetëm me qëndrimet pro-imigrante, që i ka theksuar shpesh, por edhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ksenofobinë eksplicite të Legës, Ati i Shenjtë ka dërguar mesazhe që duken qartë të destinuara për lidershipin e Salvinit dhe përvetësimin e simboleve fetare nga ana e tij.

Por Papa Françesku dhe Salvini nuk janë thjesht dy liderë që nuk bien dakord – dhe me gjasë edhe të mos e pëlqejnë – me njëri-tjetrin. Në një vend ku polarizimi sa vjen e rritet, ata mishërojnë dy qëndrime të kundërta mbi qytetërimin perëndimor dhe vlerat e tij; praktikisht ata po luftojnë për shpirtin e Italisë.

Konflikti ndonjëherë është delikat – dhe ndonjëherë jo. Kur Françesku thirri 500 përfaqësues të komuniteteve rome dhe sinti (të dyja pakica që shpesh u referohen si “ciganë”) në fillim të majit, ai mbajti një fjalim me të cilin padyshim e sulmoi retorikën anti-cigane të Salvinit: “Ka qytetarë të klasit të dytë, është e vërtetë”, tha Ati i Shenjtë.

“Por qytetarët e vërtetë të dorës së dytë janë në fakt ata që hedhin poshtë njerëzit: këta njerëz janë të dorës të dytë, sepse nuk dinë të pranojnë të tjerët”. Qëkur nisi ngritja e tij politike, Salvini gjithmonë ka shprehur qëndrime kundër ciganëve, një nga elementët kryesorë të propagandës së tij, duke u zotuar të dëbojë sa më shumë romë dhe duke pranuar se “për fat të keq disa kanë shtetësi italiane”.

Pak ditë më vonë, kardinali Konrad Krajewski, një ndihmës i ngushtë i Papës dhe drejtues i Departamentit të Bamirësisë në Vatikan, shkeli hapur ligjin kur prishi një kufizim të vendosur nga policia në një ndërtesë të bllokuar në Romë, ku familjet kishin mbetur prapa në pagimin e faturave të energjisë elektrike.

“Krajewski nuk mund të ketë vepruar pa të paktën miratimin e heshtur të Papës dhe mesazhi nuk mund të kishte qenë më i qartë: po mbrojmë të varfrit dhe ti nuk je i tillë, prandaj mos guxoni të citoni Ungjillin”, thotë Cristina Giudici, një analiste politike, në gazetën “Il Foglio” (Giudici ka shkruar dy libra për Legën e Salvinit).

Salvini – të cilit policia i raporton drejtpërdrejt për shkak të postit si ministër i Brendshëm – ishte i shpejtë në kapjen e provokimit: “Unë dua të besoj se, pas rikthimit të ndërtesës, ai t’ua paguajë edhe faturat e prapambetura me vlerë 300 000 euro”, tha ai duke folur në një takim në Bra, një qytet afër kufirit francez.

Lideri i Legës shkoi aq larg sa të sulmonte Papën në fjalimin e tij të famshëm të 18 majit në Milano, ku ai priti liderët francezë dhe holandezë të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen dhe Geert Wilders, në një fushatë të përbashkët përpara zgjedhjeve të BE-së.

“Ia them këtë Papa Françeskut, i cili tha se ne duhet të zvogëlojmë numrin e vdekjeve në Mesdhe. Qeveria jonë është duke i çuar në zero vdekjet në Detin Mesdhe, me krenari dhe frymë të krishterë”, tha ai. Në momentin që Salvini përmendi emrin e papës, turma, e përbërë kryesisht nga militantët më të zjarrtë të Legës, bërtiti.

Papa e ka kritikuar shpesh qëndrimin e ashpër të Legës ndaj azilkërkuesve dhe në mënyrë të veçantë atë kundër anijeve të shpëtimit, i cili i ka detyruar OJQ-të të largohen nga deti Mesdhe dhe ka çuar në reagimin e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

Ai gjithashtu ka kritikuar politikën e Salvinit, për parandalimin e zbarkimit të anijeve me emigrantë – madje edhe kur ato i përkasin marinës italiane – në portet italiane. Duhet të theksohet, megjithatë, se Francis kurrë nuk e ka përmendur as Salvinin apo koalicionin e tij në pushtet, duke preferuar deklarata jo aq të drejtpërdrejta si: “Ne dëgjojmë lutjen e njerëzve në anijet e shpresës, duke mos ditur se cilat porte do t’i mirëpresin, në një Evropë që hap portet e saj për anijet që do të ngarkojnë armë të sofistikuara dhe të kushtueshme që prodhojnë forma të tilla shkatërrimi që nuk i kursejnë as fëmijët”.

Nga ana e tij, Salvini ka sulmuar në mënyrë më të detajuar. Pak vite më parë, ai kishte veshur një T-shirt me mbishkrimin “Papa im është Benedikti”, duke iu referuar Papa Benediktit XVI, i cili hoqi dorë nga papati, një figurë që gëzon më shumë popullaritet te katolikët konservatorë. Në një rast tjetër, ai hodhi poshtë kritikat e Françeskut në një intervistë televizive: “Lereni atë të shqetësohet për shpirtrat, unë shqetësohem për italianët e varfër”.

Në të njëjtën kohë, ministri i Brendshëm ka pasur kohët e fundit disa shfaqje publike të besimit katolik sipas stilit të vet. Në një tubim, ai e puthi rruzaren. Në një tjetër, ai tregoi Ungjillin. Kur partia e tij arriti sukses në votime, me 34 për qind, në zgjedhjet e fundit evropiane, Salvini ia dedikoi rezultatin Virgjëreshës Mari, ose më tepër «Zemrës së Papërlyer të Marisë», duke përdorur një terminologji prej besimtari të devotshëm.

Në raftin e librave pas tavolinës së tij, ai shfaq me krenari një ikonë ortodokse lindore të Jezu Krishtit, por edhe një shishe me ujë nga lumi Po, në homazh të së kaluarës së supozuar neopagane të partisë së tij: Në fillimet e saj, Lega ishte një seksion partiak në veri, që pretendonte se përfaqësonte rrënjët “kelte” të Veriut, në antitezë me Italinë “latine”, dhe disa prej anëtarëve të së cilës  me gjysmë shaka, e adhuronin Po si një zot lumenjsh.

Fillimisht, ata donin shkëputjen dhe synonin të krijonin një komb të ri të quajtur Padania; pastaj e zbutën qëndrimin, duke kërkuar thjesht autonomi tatimore për veriun e pasur. Ishte Salvini ai që e ngriti partinë në nivel kombëtar, duke e kthyer në një forcë nacionaliste të krahut të djathtë që kur ai u bë lider në fund të vitit 2013.

Kjo shfaqje e besimit është e pazakontë në Itali: “Politikat italiane janë të veçanta kur bëhet fjalë për fenë. Nga njëra anë, nuk ka shumë ndarje midis kishës dhe shtetit; nga ana tjetër, vetë besimi është mbajtur jashtë diskutimit publik, veçanërisht në krahasim me SHBA-të”, thotë Lorenzo Pregliasco, një analist i cili kohët e fundit shkroi me bashkautorësi librin “Fenomeno Salvini” (Fenomeni Salvini), duke u fokusuar në komunikimin zyrtar të Salvinit.

Në Itali, feja shihet më shumë si një institucion sesa një sistem besimi. Italianët janë kryesisht laikë, por kryesisht identifikohen si katolikë. Kisha ka prani të fortë, por perceptohet më shumë si një burim stabiliteti sesa një simbol i besimit. Gazetat italiane, për shembull, shpesh botojnë artikuj mbi betejat e pushtetit të Vatikanit, por vetë doktrina fetare rrallë diskutohet.

Nganjëherë, Salvini të jep përshtypjen se dëshiron t’i bindë italianët se është më katolik se papa. Siç kanë konstatuar disa analistë, pas dëshirës së tij për të shfaqur hapur besimin qëndrojnë 3 arsye.

Së pari, është reagimi ndaj sulmeve të Papa Françeskut, thotë Dario Tuorto, sociolog në Universitetin e Bolonjës dhe një bashkëautor i librit “Lega e Salvinit”. “Ai nuk mund ta luftojë drejtpërdrejt Papën, kur ai e sulmon atë në aspektin social të katolicizmit, kështu që ai e tërheq vëmendjen drejt aspektit tradicional”.

Së dyti, argumenton Tuorto, ai po përpiqet të “zbutë imazhin e tij” për t’u apeluar votuesve të moderuar, më të moshuar konservatorë të qendrës, të cilët dikur votonin për ish-kryeministrin Silvio Berluskoni, por ende nuk kanë “emigruar” te Salvini: “Imazhi i “djalit të keq” i frikëson ata, kështu që për ta kompensuar këtë, ai po mbështetet në diçka familjare për ta, si feja”.

Së treti, Salvini po ashtu po synon edhe reaksionarët dhe identitarët, të cilët janë “jo aq të shumtë, por jo edhe statistikisht të parëndësishëm”, thotë Tuorto.

Votuesve më të vjetër, ai kërkon t’u tregojë se mund të duket i frikshëm, por thellë-thellë është një adhurues i Padre Pios, kryepriftit dhe shenjtorit më të dashur në Itali. Reaksionarëve, ai kërkon t’u përcjellë mesazhin se ai, dhe jo Papa zemërthyer, është mbrojtësi i vërtetë i identitetit katolik të Italisë.

Sondazhi “Pregliasco” ka vënë në dukje se Lega nuk është shumë e mbështetur nga ata që shkojnë shpesh në kishë, por gjen më shumë mbështetje te ata që e frekuentojnë shtëpinë e Zotit me raste – njerëz që nuk janë me të vërtetë praktikues të fesë, por gjithsesi identifikohen si katolikë.

Mes atyre që shkojnë në kishë rregullisht, rezultati i Legës rri nën mesataren kombëtare prej 34 përqind dhe e njëjta gjë vlen edhe për ata që nuk shkojnë fare në kishë. Por 38.5 për qind e atyre që shkojnë në kishë në mënyrë sporadike votojnë me entuziazëm për Salvinin, sipas të dhënave të mbledhura nga agjencia e Pregliaskos, Quorum.

Salvini është popullor te ata që ndihen katolikë, por nuk e praktikojnë fenë, sepse qëndrimet e tij rezonojnë me lidhjen e tyre me fenë si identitet kombëtar dhe një forcë kundërbalancuese përballë fluksit të emigrantëve myslimanë.

Ai nuk gëzon ndonjë popullaritet të madh te votuesit laikë, të cilët tentojnë të shkojnë majtas; as te katolikët e devotshëm, të cilët e respektojnë thellësisht Papën. Fatmirësisht për të, 71 për qind e italianëve identifikohen si “katolikë jo-praktikantë”, sipas një studimi të vitit 2016 të Eurispes.

Ka dy mënyra për ta parë rritjen e partive të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. Disa e shohin këtë rritje si një betejë midis forcave pro iluminizmit dhe atyre kundër iluminizmit. Të tjerë e shohin atë si një betejë mes krishtërimit dhe barbarisë: Nga njëra anë, kisha promovon vlerat e respektit për të tjerët dhe për qytetërimin; në anën tjetër qëndron refuzimi i të huajve dhe të drejtave themelore të njeriut.

Në Itali, shpjegimi i fundit është më i përshtatshëm. Ndërsa opozita progresive lufton për të gjetur një zë të bashkuar për të kundërshtuar ksenofobinë e Legës, Vatikani deri tani ka mbetur e vetmja forcë e aftë për të mbajtur brenda kufijve ngjitjen e Salvinit.

Foreign Policy-Përgatiti: Gazmira Sokoli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje