E Diela e shqiptareve dhe 7 Korriku i shqiptareve te Greqise

25 Qershor 2019, 19:04Blog TEMA
E Diela e shqiptareve dhe 7 Korriku i shqiptareve te Greqise

Ilir Mborja

Dy të dielat e njëpasnjëshme që po vijnë, ajo e 30 qershorit si edhe e 7 korrikut, mund të cilësohen si dy të dielat e shqiptarëve në këtë cep të Ballkanit. Mund të cilësohen të tilla se, siç dihet, më 30 qershor shqiptarët e Shqipërisë janë ftuar nga Partia Socialiste me aleatët e saj, apo Bindja Demokratike dhe ndonjë i pavarur, të votojnë për kandidatët e qeverisjes së pushtetit vendor. Është hera e parë që opozita më e madhe e dalë jasht parlamentit, bashkë me Presidentit, bën thirrje për mos zhvillim të tyre… Pra, për herë të parë pas 30 vjetësh, në shumicën e zonave elektorale të Shqipërisë, më 30 qershor, do të mungojë gara… Ndërsa në Greqi, një javë më pas, më 7 korrik, bëhen zgjedhjet politike. Gjithashtu, për herë të parë, në këto zgjedhje është në garë edhe një emigrant shqiptar: Fatos Malaj quhet… Prandaj, për arsye të garës së vërtetë, emigrantët shqiptarë ndjekin me interes edhe zhvillimet e të dielës së 7 korrikut në Greqi. Këtu në Greqi dihet e nuk harrohet asnjëherë se, në demokraci, vetëm nëpërmjet votimit qytetarët influencojnë drejtëpërsëdrejti në përmirësimin ose jo të qeverisjes së tyre. Vetëm në Shqipëri kjo gjë u harrua këtë herë?! Është e sigurtë se, nëse bëjmë zgjedhje të gabuara ose abstenojmë, ekziston mundësia të humbasim edhe atë të drejtë e mundësi që kemi pasur. Kështu është gjithandej ku ka demokraci, kështu është edhe në Greqi. Në Greqinë e mbushur me emigrantë shqiptarë si askund në botë, ku siç thamë, më 7 korrik do të bëhen votimet për 300 vendet në Parlamentin e saj. Këtë herë, njërën prej këtyre karrigeve, e synon edhe shtetasi grek me kombësi shqiptare, djali i lindur në Delvinë, Fatos Malaj. Pikërisht për këtë, çdo emigranti shqiptar që e ka fituar këtë të drejtë, i duhet kujtuar të mos harrojë se, kur voton Fatos Malajn, jo vetëm ka mundësinë për të zgjedhur e për të influencuar në përmirësimin e jetës së tij, por mbron shenjtërinë e së drejtës për të votuar. Një e drejtë që nuk e kanë fituar ende të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë këtu në Greqi… Asgjë tjetër, përveç të drejtës së votës, nuk e simbolizon më mirë forcën e demokracisë dhe ndikimin e saj në vendimarrjet e përditshme që kanë të bëjnë edhe me të drejtat e emigrantëve… Pra, ju bashkatdhetarë që keni të drejtën të votoni në zonën A’Athinë, duke votuar vetë e duke i kërkuar votën edhe miqve tuaj grekë që banojnë në atë zonë për Fatos Malajn, të dielën, më 7 korrik 2019, votoni për çdo emigrant shqiptar në Greqi që nuk e ka këtë mundësi. Duke votuar për Fatos Malajn, ju bëni që ai, përgjegjësi për imigracionin në partinë e majtë “KINAL” (“Lëvizja për Ndryshim” – ish “PASOK”) të jetë deputeti i parë shqiptar që ulet në parlamentin grek. Pra, ju zgjedhës të zonës A’Athinë, me të drejtën e votës suaj, si një akt i shenjtë qytetarie, duke e shfrytëzuar atë për Fatos Malajn, shprehni mirënjohjen (ndonjëherë të munguar) të të gjithë emigrantëve shqiptarë ndaj grekëve.

Duke i hapur dyert e Parlamentit kandidatit tonë me origjinë shqiptare, Greqia, djepi i demokracisë, i përgjigjet me vepra të gjithë elementëve racistë dhe ksenofobë. Këtë leksion demokracie, progresi e barazie që na japin mikpritësit grekë, ju, zgjedhës në zonën A’Athinë nuk duhet ta shpërfillni! Pikërisht për këtë dhe, mbase vetëm për këtë, duke u bërë thirrje të gjithë emigrantëve që jetojnë në Greqi (me të drejtë vote ose jo) që të influencojnë tek miqtë e tyre shqiptarë e grekë që votojnë në atë zonë (A’Athinë), të dielën, më 7 korrik, të venë një plus pranë emrit Fatos Malaj. Mundësia e votimit në Greqi nuk pengon askënd që, plusin për partinë, ta vendosë sipas dëshirës, pavarësisht kanditatit tonë Fatos Malaj. Askush nuk e pengon (se e tillë, me disa mundësira zgjedhjeje është fleta e votimit) që pasi t’i vendosë plusin kandidatit tonë Fatos Malaj, plusin tjetër, t’ia vendosë partisë që dëshiron. Fjala vjen, SYRIZA-s së preferuar nga emigrantët, apo, dikujt tjetër… Pra, duke ju kujtuar edhe një herë, që më 7 korrik votat duhen përqendruar për kandidatin Fatos Malaj, ju theksoj se nuk bëhet fjalë fare për ndonjë dëshirë personale apo influencë elektorale partiake. Në votimet e 7 korrikut 2019 në Greqi, çështja për emigrantët shqiptarë nuk shtrohet vetëm për t`u bindur se Fatos Malaj është më i miri. Kontributet e tij në shërbim të komunitetit shqiptar që jeton në Athinë janë si të pak kujt. Ato janë aq të shumta dhe, për të mos u zgjatur se edhe emigrantët ia njohin, unë nuk u ndala t’i përmendja në këto radhë. Të dashur bashkatdhetarë që jetoni në Greqi! Siç e dimë, një javë para 7 korrikut të Greqisë, më 30 qershor, zgjedhje do të ketë edhe në Shqipëri. Zgjedhje u thënçin! Jam vetë emigrant në Athinë dhe ju kuptoj shumë mirë se sa keq ndjeheni kur televizionet greke pasqyrojnë molotovët dhe antimitingjet në Shqipërinë tonë… Në siklet vihemi edhe kur ironizojnë e përqeshin karagjozllëqet e politikanëve e pushtetarëve tanë. Askush nga ne nuk ndjehet mirë. As unë, që jo rrallë herë i kam stigmatizuar ekstremisht vetë me pamflete e fejtone në shtypin tonë… Por, të gjithëve ne që jetojmë këtej, na vjen turp për çka po ndodh në Shqipëri në lidhje me 30 qershorin kur i shohim nga televizionet greke. E vetmja gjë që mund të bëjmë në këto caste është që, këtë leksion demokracie e barazie që na dhanë këtë herë grekët (duke i çelur derën e garës së 7 korrikut një kandidati shqiptar), jo vetëm të mos e shpërdorojmë, por t’ua përcjellim sa më parë bashkatdhetarëve tanë. Duke premtuar për të votuar masivisht Fatos Malajn, ne u përcjellim edhe leksionin më të mirë bashkëatdhetarëve tanë për të dielën e 30 qershorit…

1 komente në “E Diela e shqiptareve dhe 7 Korriku i shqiptareve te Greqise”

  1. Llaman says:

    Me gjithe pasionin e artikullit, nuk besoj se shqiptaret kane arsye te votojne mbeturinat e Pasokut dhe Fofin qe di te recitoje por jo te argumentoje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje