Hetimet e pushuara dhe problemet me figurën rrezikojnë prokuroren Alketa Nushi

25 Qershor 2019, 19:02Kronika TEMA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje mbi të tre kriteret e vetingut, ndërkohë që prokurorja Alketa Nushi tha se “ndjehej e turpëruar nga raporti i DSIK-së” dhe se dispononte pasuri modeste.

Nga Edmond Hoxhaj

Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi u paraqit të enjten në seancën dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Treshja gjykuese e KPK-së kryesohej nga Etleda Çiftja, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Firdes Shuli, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj u shpreh në fillim të seancës dëgjimore se komisioni kishte vendosur përfundimin e rivlerësimit të prokurores Nushi për të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin.

Raporti i ILDKPKI-së, i lexuar në seancë sugjeronte që prokurorja Nushi nuk kishte kryer deklarim të saktë, por kishte burime të ligjshme për pasurinë e saj. Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu një hetim të pavarur mbi kriterin e pasurisë.

Relatori Lulzim Hamitaj tha se subjekti zotëronte pjesë takuese në 3 sipërfaqe toke në Mifol të Vlorës si dhe një apartament 70 m2 të blerë në vitin 2008 në Kashar të Tiranës në vlerën e 32 800 eurove. Lidhur me pronësinë mbi tokën, relatori Hamitaj tha se ka mospërputhje mes deklarimit të vitit 2008 dhe deklaratës “veting” me një diferencë prej 177 metrash më shumë në deklarimin e fundit. Ai shtoi gjithashtu se në vitin 2017, Nushi kishte deklaruar pjesë takuese edhe mbi një sipërfaqe prej 250 m2 truall, e cila nuk rezultonte në deklaratat e mëparshme.

Lidhur me apartamentin, subjekti ka deklaruar si burim një kredi bankare në vlerën e 25 mijë eurove, 4 mijë euro dhuratë nga familjarët si dhe kursimet. Hamitaj theksoi se në vitin 2008 nuk është deklaruar burimi i krijimit të apartamentit në Kashar dhe as dhuratat në vlerën 4000 euro.

Të ardhurat nga biznesi i bashkëshortit, të deklaruara në vitin 2008 janë bërë gjithashtu objekt i hetimit të KPK-së. Relatori Hamitaj theksoi se ndryshe nga sa është gjetur në çështjet e tjera, në këtë rast të rrallë sipas tij, është konstatuar se vlera e të ardhurave ka qenë më e madhe nga ato të deklaruara, konkretisht në shumën 1.8 milionë lekë.  Lidhur me një makinë të dhuruar ngë vëllai i sbujektit, ka rezultuar se nuk është pasqyruar asnjë deklarim i shtimit apo pakësimit të pasurisë. Sipas relatorit Hamitaj, konstatohet mangësi në deklarimet e pasurisë të kryera prej prokurores Alketa Nushi.

Pavarësisht pasaktësive dhe mospërputhjeve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se Nushi kishte burime të ligjshme për shpenzimet e kryera.

Prokurorja Alketa Nushi deklaroi para Komisionit se mospërputhjet lidhur me sipërfaqet e tokës nuk kanë ardhur për shkak të saj.

“Kam qenë e mitur kur janë fituar këto prona dhe nuk kam pasur tagër pronësie mbi to. Ndryshimet nuk kanë ardhur si pasojë e veprimeve të mia po për shkak të azhornimit. Ndërsa trualli nuk ekzistonte dhe figuron që prej regjistrimit të banesave të fshatit,” shpjegoi ajo, duke shtuar se kishte dhënë shpjegime të hollësishme për çdo pronë.

Prokurorja Nushi e quajti të drejtë konstatimin e komisionit për mospasqyrimin e burimeve të apartamentit në Kashar në deklaratën e vitit 2008, duke e konsideruar atë “një lapsus të sajin”. Por ajo pretendoi se në raportin e KPK-së nuk ishin pasyqruar të ardhurat e bashkëshortit jashtë sistemit bankar dhe se për këtë arsye, kishte sjellë gjithë faturat dhe se kërkonte riçeljen e hetimit për t’u pëfshirë edhe këto akte në analizën financiare.

Relatori Hamitaj tha se gjithë provat dhe dokumentet e servirura së fundmi nga prokurorja Alketa Nushi do të vlerësoheshin nga Komisioni.

Raport negativ nga DSIK

Paralelisht me pasaktësitë në deklarimin e pasurisë, Komisioni evidentoi probleme edhe në pastërtinë e figurës. Relatori Hamitaj u shpreh se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte dorëzuar dy raporte për prokuroren Nushi.

Ndërsa raporti i parë ishte pozitiv për të, DSIK kishte ndryshuar konstatimin pas një informacioni të ri të marrë në korrik 2018, duke e konsideruar atë të papërshtatshme.

Në fjalën e saj, prokurorja Alketa Nushi tha se raporti i DSIK nuk kishte të bënte me të dhe se ndihej e turpëruar.

“Jam shumë e turpëruar nga ky raport para jush dhe familjarëve të mi. Është cilësuar kontakt i papërshtatshëm personi nën hetim. Nuk ka bazë morale dhe gjithçka duket nga pasuria që disponoj,” pohoi Nushi. Ajo shtoi se pastërtia e figurës së saj ishte kryer edhe më parë dhe se kishte rezultuar pa probleme, pasi disponon leje të përhershme qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky raport nuk ka të bëjë me mua. Ndihem shumë e turpëruar!”, përfundoi drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit.

Dyshime për hetime të paplota

Prokurorja Alketa Nushi ka marrë raport pozitiv nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si dhe vlerësime “shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme. Por denoncimet e kryera nga publike kanë sjellë telashe të reja për të.

Relatori Hamitaj vuri në dukje standardin e dyfishtë të ndjekur në një çështje të vitit 2017, kur prokurorja Nushi kishte kërkuar “detyrim paraqitje” për një prej të proceduarve për vepra të rënda penale dhe arrest me burg për të akuzuarin për moskallëzim krimi.

“Personi që ka dalë nga burgu ka ikur më pas pa lënë gjurmë,” tha relatori i çështjes. Më pas, akuza e ngritur para gjykatës kishte ndryshuar nga “plagosje e rëndë me dashje” në veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Hamitaj e cilësoi këtë vlerësim të prokurores Nushi si “anomali në cilësimin e veprës penale”.

“Nga rrethanat e ngjarjes rezuton se ishte konsumuar edhe vepra penale e prishjes së qetësisë publike, por se kjo akuzë nuk ishte ngritur prej prokurores. Nuk është ngritur edhe akuza për plagosje me dashje edhe pse ka pasur të plagosur,” tha Hamitaj në seancë, duke shtuar se nuk ishin këqyrur as pamjet e kamerave të sigurisë së lokaleve pranë vendit të ngjarjes.

Problematika janë konstatuar edhe në disa dosje të tjera. Kështu, në një rast të hetimit të kryer për mbajtje të lëndëve narkotike në vitin 2017, gjykata ka vendosur kthimin e dy akteve duke i konsideruar të pavlefshëm, ku rezultonte se në një rast ishte mbajtur procesverbali vetëm në praninë e prokurores Alketa Nushi dhe në mungesë të oficerit të Policisë Gjyqësore.

Një tjetër problematikë që evidentoi relatori Hamitaj ishte edhe pushimi i akuzës së “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë” ndaj dy personave në vitin 2012 . Sipas tij, prokurorja Nushi shprehet në dosjen hetimore se i proceduari është autor i plagosjes, por sipas saj kjo ka ndodhur nga pakujdesia dhe se çështja duhet të pushohet. Ky vendim ishte prishur nga drejtuesi i Prokurorisë si dhe nga Prokurori i Përgjithshëm.

Hamitaj pohoi se nuk ka qenë korrekt kualifikimi i veprës penale dhe se kishte konstatime të mungesës së hetimit nga ana e prokurores Nushi. Komisioni vlerëson se faktet, veprimet dhe mosveprimet e subjektit nuk janë konform procedurës penale.

Prokurorja Alketa Nushi i mbrojti hetimet e saj para KPK-së, ndërsa shtoi se gjykatat e të gjitha shkallëve kishin lënë në fuqi vendimin e pushimit të hetimit në vitin 2017.  “Mendoj se kam kryer gjithë veprimet e mundshme hetimore,” tha ajo, duke pranuar se mund të ishte shtuar edhe akuza e prishjes së qetësisë publike.

Lidhur me dy procedime të verifikuara prej Komisonit, prokurorja Alketa Nushi u shpreh se ato janë jashtë periudhës së verifikimit. Për caktimin e masave të ndryshme të sigurisë, pavarësisht veprave penale që kishin kryer, ajo tha se është marrë parasysh mosha, rrezikshmëria dhe rrethanat e çështjes.

Ajo shtoi se vendimi i gjykatës për kryerjen e veprimeve të reja hetimore nuk është gjetur i drejtë, pasi një gjykatë tjetër e ka rrëzuar duke pushuar hetimin për dy të pandehurit, ashtu si edhe kishte kërkuar prokurorja Nushi. Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit shtoi se që në momentet e para i kishte kërkuar oficerit të Policisë Gjyqësore të sekuestronte pamjet filmike, por nuk kishte pasur kamera sigurie në asnjë prej godinave pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Ajo vlerësoi se për gjithë rastet e verifikuara nga KPK kishte vepruar sipas ligjit. “Pavarësisht vendimeve të gjykatës, veprimet e mia hetimore kanë qenë të plota,” u shpreh Nushi. Ajo shtoi se vendimi i gjyqtarit për kthimin e akteve kishte qenë i njëanshëm, pasi më pas ishte pranuar nga gjykata kërkesa e prokurorit që e kishte zëvendësuar, për përjashtimin e atij gjyqtari.

“Nuk pretendoj të jem e pagabueshme, por jam përpjekur të jem korrekte,” përfundoi ajo.

Lidhur me problematikat e evidentuara për profesionalizimin, reagoi edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs.

“Këto ishin çështje bazike për një prokuor dhe nuk mund të thuhet se mund të bëj gabime,” tha ai. Jacobs shtoi se në tre çështje, performanca e saj profesionale vihej në diskutim nga vendimet e gjykatës, pasi hetimet ishin konsideruar të paplota, ndërsa sipas tij konstatoheshin gjithmonë të njëjtat pasaktësi dhe qëndrime të prokurores.

Prokurorja Nushi kërkoi që të vlerësoheshin të gjitha provat dhe aktet e reja që ajo kishte depozituar pranë Komisionit për gjetjet e hetimit administrativ për të tri kriteret.

“Kam punuar në mënyrë rigoroze dhe në përputhje me ligjin, edhe pse nuk mund të jemi të pagabueshëm,” përfundoi prokurorja Nushi, e cila kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 27 qershor, ora 09:15.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje