Pse i hidhërove sazet e Përmetit, o Jarek Muco?!

Nga Kristo Mërtiri

Përfytyroni fillimin e viteve ’70 të shekullit që shkoi. Përfytyroni skenën madhore e ndoshta të papërsëritshme të kalasë së Gjirokastrës. Kala ku shpalosej furishëm shpirti krijues e interpretues i popullit. Kala, kalldrëme, sokakë, porta, sofate e mëhalla që prisnin e përcillnin plot gëzim një Shqipëri në miniaturë. Nga gjithë trojet ku bukës i thonë bukë e ujit ujë ! Si në një dasëm të rrallë kombëtare.

Me kostume të lashta e të reja, me taban vezullues, me perla këngësh e valle popullore që derdhnin dritë mbi cdo pëllëmbë të qytetit të gurtë. Dritë që vërshonte natyrshëm nga bedenat shekullore edhe mbi supet e malit të Gjerë, mbi Kurvelesh, Dropull, Lunxhëri e gjer mbi dëborën e hënosur të majës së Cajupit.

Gërnetat gazavaj të Jugut, sharkitë e ciftelitë dhe sidomos curlet e daullet tronditëse të Kukësit e Rrajcës, nuk mund të harrohen kollaj. Se Festivalet Folklorike Kombëtare, rrezatuan e do të rrezatojnë gjatë në breza…Përfytyroni një vogëlush 5 a 6 vjec nga Përmeti në atë skenë jo dosido, me jelek, fustanellë e opinga të bukura me xhufka që shëmbëllenin më tepër me ato të frashërllinjve të pavdekshëm. Ndërsa me të dyja duart e njoma e të parritura mirë, mbante e shtrëngonte fort dicka të cmuar e të dhembshur : Violinën e dashur ! Instrument që më vonë, bashkë me hedhjen shtat, do ia linte vendin llahutës së babait…

Ishte Jarek Muco nga qytetit i shenjtë i trëndafilave buzë Vjosës, artisti kërthi, i qeshur e simpatik që shoqëronte sazet e famshme të Laver Bariut me shokë. Pjesmarrësi më i vogël i Festivalit ! Askush nuk ia dinte emrin e mbiemrin në Gjirokastër. Dikush e quante “mbarësi” e dikush “krushk” të parë. Megjithse e shikonin apo e përkëdhelnin si fëmijën a nipin e tyre të adhuruar. Anetë e ulura nëpër sofatet e portave, kur kalonte Jareku ngriheshin fytyrëqeshura, futnin duart në xhepat e fustaneve të pleqërisë dhe i dilnin me hapa të lehtë përpara.

E gostisnin me zariko(karamele) dhe e uronin me zemër. Madje, si për të prishur “syrin e keq”, ndonjëra i vendoste nëpër të carat e jelekut edhe degë borziloku a manxurane. Ku ta dinin se një ditë prej ditësh, ai djalë i talentuar do ishte i pranishëm e dinjitoz në të gjitha grupet e sazeve bukurishumë të Përmetit. Në skena, mikrofona, sebepe publike e private dhe në ekrane televizive. Me dekada kështu. Por ah…deri në fillim të qershorit pikëllues, 2019 !

Zëri i Agronit në celular, mikut tim të vjetër, nuk ishte si herët e tjera. Një zë i mbytur nga hidhërimi. Sapo qe kthyer nga varrezat afër Bolëngës :

“-Na iku papritur Jareku, miku ynë i përbashkët, o Kristo ! Na iku…”.

Kaq mundi të më thoshte. Ndeza cigaret një pas një te Brryli dhe rashë jo pak caste në krahët e dëshpërimit. Nuk doja ta besoja atë lajm të kobshëm. Edhe tani që po hedh zemërdridhur këto radhë. Jo larg, por në 24 majin tim të shënuar, u takuam e u përqfuam plot mall pas shumë kohësh. Atje, në katin e dytë të Qendrës Kulturore të qytetit, në sallën e mbushur me shokë, miq e kolegë të ardhur edhe nga rrethet e tjera. Ceremonia e organizuar bukur nga Bashkia dhe regjisori e aktori veteran Pandi Duka, mënjanoi me sukses zyrtarizmat artificiale e lodhëse në të tilla veprimtari. Emocione jo të vogla e domethënëse, sidomos për mua ku mbi 40 vite më parë pata fat që nisa udhën e vërtetë të gazetarit profesionist në këtë trevë të rrallë ! Por sazet sikur na cliruan të gjithëve. Shtruar e pa qibër, si në një festë a kuvendim të thjeshtë me miq të vjetër a të rinj.

5 mjeshtrat popullorë e të shumënjohur, Josif Shukallari; vëllezërit Ylli e Jarek Muco; Sadik e Alban Zeqiri, uruan mirëseardhjen me këngën e mocme kurdoherë të ngrohtë: “Dola një ditë në bahce/ Trëndafil, manushaqe…”. Unë i njihja të gjithë. Një për një. Po kështu prindërit e tyre të nderuar. Fjala vjen, Ylli e Jareku janë djemtë e Mazarit, llahutierit të palodhur. Pa harruar nënën Ismete gojëmjaltë, të mencur, humane, të urtë e punëtore si ajo. Ose djemtë e Xhelalit, Sadikun e Albanin, që mbajnë ndezur traditën e mrekullueshme të sazeve. Pse ta fsheh, nuk më rrihej pa i shoqëruar me zë të ulët nga salla. (Në atë qytet të bekuar mësova për herë të parë t’i këndoj mjaft motive, sot e gjithë ditën).

Kur më pikasi Jareku, e nguli vështrimin mbi mua, shtoi buzëqeshjen ujvarë dhe derdhi pa kursim tinguj e fjalë nga llahuta e shpirti i tij, interpretimin virtuoz e tepër miqësor. Marrës e prerës i vecantë në detin e isopolifonisë. Vetëm me Jarin e dashur ndiehej i qetë e i sigurt Albani. Po kështu Evgjenia nga Kutali. Sepse këtë lloj garancie artistike e kish “firmosur e vulosur” dora vetë, usta Laveri i sertë e skrupuloz në punën e sazeve. Dhe jo kushdo e kish fituar atë provim të vështirë…

-Fotoja e fundit, besoj është me ty, miku ynë !,-më tha përmes një gulci trishtimi e ngashërimi, vëllai Ylli.-Të priti e të përcolli me kaba e këngë. Tamam sikur të ishte gjallë nëna jonë, që ty të donte shumë…

Unë i kam miq të shumfishtë. Janë nipat e Ylkiut punëmadh e tepër modest, që përgatiti e seliti dhjetra talente të reja përmetare në vite, atje, në Shtëpinë e vërtetë të Pionierëve që gumëzhinte gati cdo ditë. Si zogjtë në atë fole të madhe e të ngrohtë kolektive, ku hynin e dilnin cicërima të gëzuara nga qyteti e fshati. Talente që sot janë akademikë, punëtorë duarflori e njerëz të dashuruar me kulturën popullore. Brenda e jashtë Shqipërisë. Përfytyroj lotët e mjeshtër Arturit mbi violinë. Larg, shumë male kaptuar, nëpër udhët e mërgimit në Francë. Apo hidhërimin e pamatë të Gencit me klarinetë nëpër qytetet e ishujt grekë. Qytete e ishuj ku ka lënë gjurmë të pashlyera edhe Jareku ynë me shokë. Përfytyroni lotët helm të motërzezës së vetme përtej deteve e oqeaneve, në Amerikë. Ndërsa mjaft emigrantë shqiptarë pikuan hidhërim e ngushëllime të pastra si burimet në Dhëmbel e Nemërckë, nëpër telefona e internet…

-Ku nuk kemi shkuar me Jarin në grupet e sazeve, në Kosovë, Bruksel, Itali, Francë, Greqi,-më thotë Pandi, regjisori më jetëgjatë në Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”, me kontribute jo të zakonshme.-Ai nuk mungoi në asnjë veprimtari folklorike. Talent i lindur e fjalëpakë. Kujtoj Spanjën, kur brenda saj udhëtuam 13 orë me autobus, bashkë me Haxhi Dalipin nga Vlora. Dhe sikur mërmërija me veten : Ah, sikur të ishte gjallë Musa Fratari, heroi përmetar që mbylli sytë përgjithmonë dhe kuqoi me gjakun e vet brigjet e lumit Ebro !…

Ndërsa këngët e Jarekut nuk shteronin, me shkumë lirike e dallgë patriotike.

Se përmetarët historikisht, “besë e fe” kanë patur e kanë mirësinë,njerëzillëkun,atdhetarinë, punën, këngën e urtësinë. Qytet që nuk gjen dot asnjë bisht cigare a letra ambalazhi nëpër rrugë, trotuare e sheshe ! Qytet pa lypsarë e pa të dehur në lokale e jashtë tyre. Pa ulërima makinash e pa zëra bërtitës. Mbrëmjet e vona i përcjell Vjosa me shushurimën e saj shekullore, me përkundjen e saj plot aromë karafilash e shpërthimet prush të “trëndafilit fletët-fletë”. Qytetërim i vecantë që të zgjeron natyrshëm mushkëritë, të fal gëzim, qetësi e përtëritje.

Kjo panoramë progresi ka hedhur rrënjë edhe tek meloditë e kabatë famoze popullore, që pëlqehen nëpër gjithë trojet shqiptare e më tej. Përshembull, Sadiku e Albani janë edhe nipat e mikut tim të vecantë Sulejman Lame, këngëtarit që me zërin e tij bënte të dridheshin edhe gurët e trëndelinat në shpatullat e Dhëmbelit. Kujtoni pakëz vetëm këngën lapidar “Që të tre burra të ndjerë/ Na nderuan mëmëdhenë” ! Një himn i rrallë për 3 Vëllezërit Frashëri. Një zë i paarritshëm e origjinal…

-Do piqemi patjetër në Tiranë, do vij për Festën e Bajramit e do llafosemi nga afër. Dua edhe mendimin tënd…Djali i madh po më mbaron Fakultetin e Mjekësisë. Tjetri është student te Shkencat e Natyrës. Hajde të bëjmë një foto, se sot është dita jote. E tundi nipcja yt 4 vjec me recitimin për Peshtanin ku të ka rënë koka !…Hallall e pac nderimin që të bëri qyteti që ti e do jo pak ! Mirëupjekshim së shpejti, miku ynë !…

Nuk rrodhën plotësisht as dy javë nga këto fjalë të Jarekut. Unë po dëgjoja edhe më shpesh këngët aq të ëmbla “A kanë ujë ato burime”, “Ka dalë Përmeti, po të bën sehir”, “Vitori t’u bëftë nëna”, “Në mes të oborrit mbiu një qershi” etj, motive freskuese përmes vapës së metropolit. Mirëpo, gjeta edhe dy këngë të reja lirike me tekst, muzikë e interpretim të Jarit : “Të erdha si era” dhe “Capkëni po kërkon nuse”. U kënaqa jo pak. Por…jeta nuk të hedh vetëm lule ! As vdekja nuk paska radhë ! Padrejtësi e përjetshme, sidomos mbi njerëzit e mirë. Jarek Mucon nuk e takova dot prapë. (Erdhi ca orë afër Dajtit dhe befas iku si era e bredhit të Hotovës !…).

Por buzëqeshja dhe zëri i tij do na flasin gjatë. Sepse atë nuk po e qajnë vetëm sazet e Përmetit, po edhe ato në vise të tjera e deri përtej kufijve shtetërorë. Është e vërtetë që jeta kurrë nuk tepron. Vecse, lum ai që e mbyll me faqe e zemër llagar ! Nuk thoshin kot të mocmit kokëplotë, se “kupa e jetës do të ishte e ëmbël sa të velte, po të mos binin në të disa lotë të hidhur”. Por majft përmetarë i drejtohen shpesh Samiut, rilindasit të madh e trurit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetarit dhe gazetarit penëndritur. Dhe e citojnë me kënaqësi e krenari :- Jeta përbëhet nga puna dhe fjala ; kush i ka në rregull këto dy anë të jetës, mund të thotë se ka jetuar !…

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Pse i hidhërove sazet e Përmetit, o Jarek Muco?!”

  1. malsori says:

    Shkrime plot ndjenjë e me shpirt. Respekte Zoti Mërtiri

  2. Ardi says:

    Nje shkrim prekes per mjestrin e madh Jarek Muco.

  3. Filipi says:

    Me dashuri e respekt te pakufishem per keta njeres te mire. E paske zemren det z.gazetar..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *