Eurostat: Popullsia e Europës është në rënie dhe po plaket. Në fund të shekullit, mosha mesatare 48.7 vjeç

Sipas një skenari të bazuar në projeksionet për popullsinë, i publikuar së fundmi nga Eurostat, popullsia e Bashkimit Evropian do të pësojë një rënie prej gati 4% (rreth 20 milionë njerëz), ndërmjet 1 janarit 2018 dhe 1 janarit 2100.

Pas vitesh rritjeje të qëndrueshme, popullsia e BE-së parashikohet të arrijë në 525 milionë persona në vitin 2044 dhe pastaj të fillojë të bjerë në mënyrë progresive.

Një shoqëri në plakje

Sipas këtij skenari, popullsia e BE-së do të vazhdojë të plaket në përgjithësi. Proporcioni i fëmijëve në raport me pjesën tjetër të popullsisë parashikohet të bjerë fillimisht 16% gjatë vitit 2018 e gjer në 14% në vitin 2100. Në mënyrë të ngjashme, mesatarja e njerëzve në moshë pune për popullsinë e BE-së parashikohet të bjerë nga 65% në 2018 në 55% në vitin 2100.

Në të kundërt, mesatarja e atyre në moshë 65 vjeç e lart për popullsinë e BE-së parashikohet të rritet me 11%, nga 20% në vitin 2018 deri në 31% në vitin 2100. Në të njëjtën periudhë, mesatarja e atyre në moshë 80 vjeç e lart pritet të trefishohet nga 6% në 15%.

Si rezultat, mosha mesatare parashikohet të rritet nga 43.1 vjeç në 48.7 në vitin 2100.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve të popullsisë, raporti i varësisë me popullsinë e moshuar në BE parashikohet të dyfishohet nga 31% në 2018 në 57% në 2100. Kjo korrespondon me më pak se dy persona në moshe punë për çdo person të moshuar mbi 65 vjeç deri në vitin 2100.

Deri në vitin 2100, raporti i varësisë me popullsinë e moshuar parashikohet të shkojë nga 53% në Belgjikë, Luksemburg dhe Suedi deri në 70% në Portugali dhe 72% në Kroaci.

Shënim metodologjik: Parashikimet e Eurostat-it për popullsinë janë rezultat i një sërë hamendësimesh mbi zhvillimet e ardhshme për lindshmërinë, vdekshmërinë dhe migrimin. Rezultate të tilla duhet të interpretohen vetëm si një sërë zhvillimesh demografike të mundshme. Ato nuk duhet të merren si të dhëna përfundimtare.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *