Opozita ka nevojë për një ligjërim të ri

10 Korrik 2019, 11:36Blog TEMA

Nga Namir Lapardhaja

Sociologu kanadez, Marshall McLuhan, thotë se “gjuha bën për zgjuarsinë atë që bën rrota për këmbët apo trupin: iu lejon njerëzve të spostohen nga një vend te tjetri më lehtë, më shpejt e me më pak përfshirje”. Në këtë kuptim, ligjërimi politik merr një vlerë të rëndësishme për ndryshimin e realitetit jetësor të përditshëm. Ai mund të kthehet në vendimtar për ecjen përpara të një axhende që synon transformim rrënjësor të kontekstit socio-politik.

Veç të tjerash, pas votimeve të 30 qershorit, Partia Demokratike, e identifikuar me narrativën e kryetarit të saj, Lulzim Basha, ka nevojë për një trajtë të re ligjërimore. Kjo narrativë bëhet e domosdoshme nga realiteti i ri pas kësaj date, gjë që e detyron PD-në të heqë dorë nga abstraktja e të bëhet më konkrete, ku gjuha e drunjtë të zëvendësohet nga fjala e veshur me ide, emocion dhe shpirt, duke hequr dorë nga togfjalësha që nuk kanë kurrfarë peshe stilistike dhe emocionale, të tejkaluar dhe të vjetëruar, si “Rama Ik” apo “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, duke u bërë me popullor, më i këndshëm, më spontan dhe më miqësor.

“Rama Ik” të zëvendësohet me arsyet se pse duhet të vijë Basha, dhe dëshira për një Shqipëri europiane më rrugën se si do të europianizohet ky vend në të gjitha kuptimet. Shqiptarët, edhe këtë 8 korrik, iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së opozitës për të protestuar, mirëpo ata shpresojnë dhe kërkojnë diçka të re në artikulimin e liderit Basha, i cili duket se ka ngelur “peng” i një ligjërimi politik të mbyllur në vetvete, dhe nuk po arrin të depërtojë në ligjërimin e së folurës së përditshme, atë të njerëzve, të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë të folurën “politike”.

Kjo narrativë e re pas 30 qershorit, duhet të jetë narrativa e një lideri që, pavarësisht se kishte sakrifikuar gjithçka, mori një “PO” të madhe për atë çfarë kishte bërë, ndaj pas kësaj date gjuha e tij duhet të jetë gjuha e njeriut që jep zgjidhje dhe evidenton probleme. Ligjërimi duhet të shkëputet nga e folura artificiale, së cilës i mungon spontaniteti dhe lehtësia në perceptim, duke u bërë i kuptueshëm për masën e gjerë, e cila është shumë më shumë se sheshi i mbushur i protestuesve dhe po më shumë se sa demokratët dhe mbështetësit tradicionalë të PD-së.

Duhet tejkaluar “leksiku i kufizuar” vetëm në disa tema “të mëdha” dhe “sintaksa e ngurtësuar” në disa struktura të ngrira dhe klishe e duhet folur për probleme konkrete, të prekshme dhe shqetësuese për njerëzit e zakonshëm, që kanë të bëjnë me rrogat dhe pensionet, pagesën e energjisë dhe të ujit të pijshëm, uljen e çmimit të karburanteve dhe të akcizës, uljen e taksave dhe lehtësirat e tjera fiskale për biznesin e vogël dhe të mesëm etj., etj.

Shqiptarët e lexojnë realitetin më mirë se politikanët e tyre. Ata, më së pari, e jetojnë këtë realitet me intesitet të jashtëzakonshëm, duke e prekur atë nga afër me të gjithë të këqijat. Ndaj t’u lexosh atyre këtë realitet sikur po lexon filxhanin e kafesë, në fakt, nuk je duke u thënë asgjë të re. Opozita dhe veçmas Basha ka ka nevojë për një kod politik “të freskët” që të ngjisë te qytetari i lodhur nga ligjërimet e mëparshme, që flasin e s’thonë asgjë. Basha duhet të shkëputet nga njëtrajtshmëria në ligjërim, duke e shoqëruar narrativën e tij me mimikë dhe plasticitet e duke u shkëputur nga ftohtësia mekanike.

Vetëm kështu mund të përçohet besim te dëgjuesi dhe te votuesi, duke depërtuar thellë në zemrat e tyre dhe duke iu ofruar besueshmëri. Narrativa e re duhet të marrë në konsideratë inteligjencën e shqiptarëve, duke qenë, mbi të gjitha e drejtë dhe e vërtetë në mesazhet që mundohet të përcjellë. Është më e ndershme t’i shohësh shqiptarët si aleatë se sa të vësh në dyshim aftësinë e tyre intuitive apo perceptuese.

Duke iu kthyer McLuhanit, narrativa e re, aq shumë e domosdoshme, ose do ta bëjë opozitën të ecë përpara, duke u shndërruar në një alternativë dhe forcë e besueshme për shqiptarët, ose do të vijojë me të njëjtën trajtë dhe formë, duke mos kuptuar asgjë nga realiteti i ri i krijuar pas 30 qershorit e duke jetuar një kufijtë e imagjinares dhe të ireales.

4 komente në “Opozita ka nevojë për një ligjërim të ri”

  1. Jimi says:

    Nuk eshte me te thene, por eshte me te dhene! Ti do te besh cobanin mbret? Jo me kot thone, se mbreterit kane gjak blu. Lider lind, nuk behesh.

  2. A.F. says:

    Mënyra e të shprehurit të mesazhit është produkt në radhë të parë i edukatës dhe kulturës që njeriu mbart. Ajo gjithashtu kondicionohet në një masë të konsiderueshme edhe nga gjëndja shpirtërore e momentit. Por të kërkosh nga ujku që të blegërijë si një qëngj pirës, kjo duket shumë e ekzagjeruar, për të mos thënë një kërkesë absurde.

  3. SHQIPETARI-BERLIN says:

    BASHIBOZUKU BASHA IKKKKKKIIIIIKKKKK..lol

  4. astrit says:

    Ka ardhur koha qe PD te merret me vetveten, se Shqiperine e ka braktisur prej kohesh! Eshte telendisur dhe kthyer ne nje kufome politike.
    1. Zgjedhje te reja ne PD dhe strukturim i plote i strukturave te saj. Basha te largohet.
    2. Te mbeshtese pa kushte reformat ne gjyqesor, ate zgjedhore dhe integrimin europian.
    3. Te pergatitet per zgjedhjet parlamentare te vitit 2021.
    4. Ti lere protestat se boll na merziti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje