Çfarë do bëhet me Gentjan Osmanin?

KPA vendosi të verifikoj të dhënat e një denoncimi ndaj prokurorit Gentjan Osmani, ndërsa pranoi provat që ky i fundit paraqiti në lidhje me pasurinë. Gjatë seancës Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e prokurorit, ndërsa ky i fundit lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Nga Vladimir Karaj, BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të enjten të hapte shqyrtimin gjyqësor mbi ankimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit për konfirmimin në detyrë të prokurororit Gentjan Osmani dhe po ashtu verifikimin e pretendimeve të ngritura në një denoncim ndaj tij.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, vendosi po ashtu të pranoj provat e reja mbi pasurinë të sjella nga Osmani.

KPA dëgjoi fillimisht Komisionerin Dariel Sina që kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili kishte vendosur konfirmin në detyrë të prokurorit, duke pretenduar se Osmani kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Nga ana tjetër avokati Julian Mërtiri, kundërshtoi qëndrimet e Sinës, duke thënë se Osmani kishte burime të ligjshme për pasurinë dhe se vendimi i KPK për konfirmimin e tij në detyrë ishte i drejtë dhe duhej lënë në fuqi.

Tre çështjet e përmendura në një denoncim anonim për të cilat Komisioneri kërkoi të hetoheshin, Osmani i cilësoi “shpifje të ulëta”, ndërsa dha shpjegime për të tre situatat.

Osmani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 9 gusht prej trupës gjykuese të kryesuar nga Firdes Shuli, Roland Ilia relator dhe Pamela Qirko anëtare. KPK e gjeti atë të përshtatshëm në të tre kriteret. Megjithatë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit të ankimonte vendimin duke ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi pasuritë e prokurorit dhe justifikimin e tyre.

Denoncimi i ri

Ankimi i Komisionerit Publik kundër konfirmimit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentjan Osmani u bazua kryesisht në kriterin e pasurisë, por Sina në parashtrimin e tij vuri në dukje se ndaj prokurorit kishte një denoncim që i ishte vënë në dispozicion prej ONM.

Megjithëse Sina nuk foli për përmbajtjen e denoncimit ai kërkoi nga KPA të shqyrtonte mundësinë për të hapur hetimin edhe në dy kriteret e tjera, profesionalizmin dhe figurën, që prekeshin në denoncim.

I pyetur prej relatores Ina Rama dhe pas këmbënguljes së saj për të mësuar se çfarë konkretisht kërkonte Komisioneri sa i përket denoncimit, Sina kërkoi kohë për të dalë me një përgjigje. Pas rikthimit në sallë, Sina lexoi tre pika të denoncimit.

Ai tha se denoncuesi pretendonte që prokurori kishte përdorur makinën e një zyrtari të administratës, ndaj të cilit kishte hetuar një çështje. Ai tha se denoncuesi kishte hedhur dyshime për një udhëtim jashtë vendit të prokurorit Osmani sëbashku me një avokat dhe se pas kësaj ndaj klientit të avokatit ishin pushuar hetimet.

Si dyshim për të cilin u kërkua verifikim nga Komisioneri ishte dhe firmosja prej Osmanit e shpalljes së moskopetencës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në çështjen me të pandehur Suel Çelën dhe të tjerë. Kopetenca e kësaj çështje është debatuar deri së fundmi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda.

Osmani, i cili ia la mbrojtjen e pasurisë avokatit, u përgjigj vetë për të tre akuzat. Ai kërkoi nga Komisioneri të dinte nëse denoncimi ishte anonim dhe pasi kjo u konfirmua, e cilësoi denoncimin “shpifje e ulët dhe të pavërtetë”.

Osmani tha se nuk kishte pasur asnjëherë në hetim personin të cilin pretendohej se i kishte huazuar makinën. Ai konfirmoi se kishte udhëtuar me avokatin e një shtetasi turk me inicialet N.S, por tha se udhëtimi ishte bërë për të marrë në pyetje dhe njohur me akuzën personin në fjalë. Osmani tha se bëhej fjalë për një vendim procedurial në dijeni të të cilit ishte Prokuroria e Përgjithshme.

Ai po ashtu vuri në dukje se në udhëtim ka qenë i shoqëruar me oficerin e policisë gjyqësore dhe se marrja në pyetje dhe njoftimi i akuzës ishte bërë në Ambasadën e Shqipërisë në Turqi. Osmani përgënjeshtroi pretendimin se çështja ishte pushuar, ai tha se e kishet dërguar atë për gjykim dhe madje kishte apeluar vendimin e gjykatës për pafajësi.

Ndërsa në rastin e kopetencës Osmani tha se kishte vepruar si zëvendës drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por se nuk kishte kryer hetime dhe çështja nuk kishte qenë në sektorin që ai drejtonte. Ai shpjegoi se kishte firmosur me kërkesë të prokurorit të çështjes për moskopetencë dhe se vendimi ishte marrë edhe sepse çështja ishte në limitet e afateve. Osmani tha se vendmi për konflikt të kopetencës ishte marrë më pas nga Prokuroria e Përgjithshme.

KPA vendosi të kërkonte verifikim të këtyre tre denoncimeve duke kërkuar informacion nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dosjet e përmendura dhe nëse Osmani kishte hetuar apo jo personin me të cilin supozohej se kishte konflikt interesi.

Parashtrimet sa i përket pasurisë

Komisioneri Publik ashtu siç kishte bërë në ankimin e çështjes kërkoi edhe të enjten shkarkimin e Osmanit. Ai tha se prokurori nuk kishte justifikuar bindshëm ligjshmërine e pasurisë.

Sina përmendi si probleme kryesore të kësaj pasurie mosdokumentimin e një huaje në shumën 20 mijë euro të marrë në vitin 2009 për blerjen e një apartamenti 1+1 në Tiranë nga një i afërm dhe mungesën e dokumentacionit që provonte se huadhënësi i kishte mundësitë financiare. Komisioneri pretendoi se me të ardhurat e provuara huadhënësi nuk kishte mundësi të kursente shumën në fjalë dhe se mungonte dokumentacioni për mënyrën se si kjo shumë kishte ardhur në Shqipëri.

Mbrojtësi i Osmanit kundërshtoi pretendimet e Komisionerit. Mërtiri tha gjatë fjalës së tij se ashtu siç ishte pranuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit marrja e huasë ishte deklaruar që në vitin 2009. Ai po ashtu paraqiti si prova shkeresa të nënshkruara për këtë hua, ndërsa këmbënguli se formalisht dokumentet e paraqitura dhe vullneti i palëve ishin të mjaftueshme për të vërtetuar huamarrjen.

Avokati tha se kishte sjellë prova të reja për të ardhurat e personit tjëtër të lidhur. Ai tha se përndryshe nga sa ishin llogaritur nga KPK me provat e reja këto të ardhura rezultonin më të larta, pasi u shtohej një shumë prej 10 mijë eurosh. Ai shpjegoi procesin e trasferimit të tyre në Shqipëri cash ndër vite, ndërsa tha se kjo mund të dokumentohej edhe nga udhëtimet e personit përmes sistemit TIMS.

Komisioneri pretendoi se Osmani nuk kishte pasur të ardhura për të paguar sipas një fature të lëshuar nga kompania që i kishte shitur pallatin 32 mijë euro në pranverë të vitit 2009, pasi huaja ishte marrë më vonë. Komisioneri pretendoi se fatura kishte vlerë më të lartë provueshmërie se deklaratat dhe se rrëzonte versionin e prokurorit dhe firmës se pagesat ishin kryer për gjatë gjithë vitit 2009 deri në dhjetor.

Ndërkohë që mbrojtja arsyetoi se për të provuar pagesën e kësteve duhej marrë në konsideratë kontrata e nënshkruar mes palëve, e cila detajonte edhe mënyrën se si do të kryheshin pagesat. Mbrojtësi tha se fatura e njënashme e prerë prej kompanisë për të lehtësuar procedurat nuk mund të konsiderohej si provë, përderisa pagesat ishin detajuar në kontratë dhe mënyra e pagimit të tyre ishte deklaruar nga Osmani.

Sina po ashtu ngriti si pretendim pamundësinë e Osmanit dhe familjes për të kursyer shumat e deklaruar dhe mundësinë për të shlyer huanë dhe interesat në vitet 2011, 2012, 2013 që është deklaruar shlyerja e saj. Komisioneri pretendoi se shpjegimet e Osmanit që ishin pranuar nga KPK nuk ishin bindëse, ndërsa sipas tij ai rezultonte me balanc negativ në vlerën 2.4 milion lekë.

Avokati i prokurorit e kundërshtoi këtë pretendim, që sipas tij bazohej në keqkuptimin e deklarimeve periodike. Sipas tij shumat e deklaruara si shtim të ardhurash cash në fund të çdo viti përfshinin të gjitha likujditetet e Osmanit brenda dhe jashtë bankës dhe se nga këto duhej zbritur detyrimi bankar.

Të njëtin shpjegim Osmani dha para KPK-së ku vuri në dukje se në deklarime fjala ‘cash’, është përdorur duke “nënkuptuar fjala likuiditet/kursim në lek nga të ardhurat e vitit, qoftë brenda apo jashtë sistemit bankar. Për këtë arsye, shuma e deklaruar cash në deklarimet e çdo viti nënkupton likuiditetet brenda dhe jashtë sistemit bankar. Si rrjedhojë, likuiditetet në banka nuk duhet t’i shtohen shumës së deklaruar, por janë pjesë e saj”. Sipas avokatit mbledhja e dy shumave krijonte idenë e mungesës së burimeve të ligjshme.

Ndërkohë Komisioneri pretendoi se nuk ishte provuar kursimi i familjes së bashkëshortes në shumën 1.5 milion lekë të cilën ajo e kishte marrë si dhuratë dhe që ishte përdorur në blerjen e apartamentit. Sina vuri në dukje se bashkëshortja e subjektit nuk e kishte deklaruar këtë kursim në deklaratat e saj periodike.

Avokati kundërshtoi këtë pretendim, duke shpjeguar se familja e bashkëshortes së Osmanit kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të kursyer shumën në fjalë, duke vënë në dukje kontratat e punës së babait të saj dhe të ardhurat e saj.

Duke iu referuar pretendimeve të Komisionerit mbi mosdeklarimin e një makine dhe pasaktësive apo paqartësisë në deklarimet vjetore, avokati i cili dha shjegime të detajuara mbi pasurinë dhe analizën finaciare, pranoi se mund të kishte deklarime të paplota, por këmbënguli se “nuk mund të dilej në përfundimin se kishte pamjaftueshmëri”.

 

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Çfarë do bëhet me Gentjan Osmanin?”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *