DOSSIER: “Po vdesin për bukë, duan të arratisen, na jepni autorizim t’i internojmë”

11 Korrik 2019, 11:21Dossier TEMA

Në fund të dhjetorit 1950 dhe në janar 1951, fshatarë nga një varg fshatrash kufitare në Juglindje të vendit, kishin nisur të arratiseshin të detyruar kryesisht nga uria dhe varfëria ekstreme. 

Syve vigjilentë të regjimit komunist nuk u kishte shpëtuar ky fakt dhe kishin nisur me urgjencë analizën e fenomenit dhe forcimin e masave, duke i internuar familjet e atyre që kishin një të arratisur jashtë.

Dokumenti i mëposhtëm bën fjalë për disa fshatra në lokalitetin e Leskovikut, ku dy të arratisur i kishin shtyrë për të hetuar gjithë shkallën e rriskut për arratisje në familjet e tjera të këtij lokaliteti. Në fund të dokumentit, shënohet një shtesë me shkrim dore nga autori i shkresës, sekretari I, Hilmi Selenica, ku kërkon nga Komiteti Qendror t’i jepet sa më shpejt autorizim prej Ministrisë së Brendshme që t’i internojë familjet e dy të arratisurve. Po me shkrim dore, në këtë shkresë, gjendet edhe përgjigjja, ku theksohet se “U dha urdhër për internimin e familjeve të Hasan Radatit e Mitat Estrefit”.

Edhe pse dokumenti zbërthen me imtësi gjendjen tmerrsisht të vështirë ekonomike në këto fshatra dhe pamundësinë e banorëve për të siguruar bukë për fëmijët, duke e theksuar se kjo ishte arsyeja kryesore që nxiste idenë e arratisjes, sërish krerët e regjimit e shohin zgjidhjen tek internimi i familjeve të atyre që guxonin të kalonin kufirin për në Greqi.

Kujto.al sjell të plotë tekstin e këtij dokumenti, me ngjarjet e fundvitit 1950, në zonat kufitare:

Informacion mbi punën e armikut në rrethin e Kolonjës

Në rrethin tonë puna e armikut gjatë muajit dhjetor ka qenë më e madhe se në muajt e tjerë.

Nga fundi i muajit nëndor dhe në ditët e para të dhjetorit në rrethin tonë kanë kaluar diversantë të ardhur nga kufiri grek dhe të cilët janë larguar përsëri. Ardhja e tyre në rrethin tonë ka influencuar në disa arratisje të elemntave armiq.

Në fillim të muajit u arratis nga rrethi jonë Mitat Estrefi nga katundi Selenicë së bashku me dy vëllezërit e tij. Vetë Mitati ka qenë anëtar partije dhe është përjashtuar nga partija më 1947 pse bënte punë armiqësore. I ati i tij është cilësuar kulak dhe ka qenë beu më me influencë në fshat, gjathashtu dy vëllezërit e Mitatit kanë qenë studenta në Korçë. Simbas informatave që kemi këta kanë shkuar në Jugosllavi. Ikja e tyre nuk ka bërë ndonji përshtypje në katundin (Selenicë), mbasi kjo familje urrehej, pse kishin shyfrytëzuar deri në palcë fshatarët e varfër.

Gjithashtu në ditët e fundit të muajit dhjetor janë arratisur për në Greqi dy familje nga katundi Radat. Radati, sikurse dihet është në kufi. Fshati përbëhet nga 20 shtëpi (në kufirin tonë) dhe nji pjesë kanë mbetur mbrenda kufirit grek dhe kanë shkuar edhe në Turqi; këto dy familje janë të parat që na kanë kaluar në Greqi nga rrethi i jonë dhe arratisjen e tyre e ka influencuar kulaku i arratisur Hasan Radati i cili ju ka shkruar edhe letra duke ju thënë: hajdeni në Greqi dhe grekërit na lejojnë të shkojmë në Turqi, ku atje jetohet mirë”. –

Këta dy familje që janë arratisur nga lokaliteti i Leskovikut (Radat) vuanin shumë edhe ekonomikisht dhe njëra familje kishte lënë dy letra, ku në njërën shkruante: “neve po shkojmë nga buka dhe jo nga gjë tjetër se neve nuk e marrim dot me 15 lekë se babanë e kam plak, punë krahu nuk ka”. (e shkruan një djalë 14 vjeç)

Letra e dytë:  “Jam një cop plak me 7 frymë, nuk u vinj dot ballë me një copë gomar, si mbeta unë, shita tërë plaçkat e shtëpisë kazanët e rakisë ngabuka, i shita dhe nuk i mbajta dot tokën e rezerva”.

Këto familje që u arratisën meqë nuk kishin krahë pune në gjendje për punë, ishin furnizuar nga lokaliteti me bereqet që ta blinin me 15 lekë kilogramin, por me sa konstatuam në vend këto nuk ishin në gjendje ta blinin me 15 lekë – pse kishin vajtur në lokalitet për të kërkuar punë dhe sekretari i lokalitetit  u kish thënë “nuk kemi punë se tani është dimër”. Kështu që edhe ana e tyre ka influencuar në arratisjen e tyre.

Lokaliteti i Leskovikut në përgjithësi ka vuajtur gjithnji nga ana ekonomike dhe veçanërisht këtë vit që ishte thatësirë.

Karshi kësaj gjendjeje shkoi në lokalitetin e Leskovikut sekretari i I-rë, ra në kontakt me organizatën bazë të Pebickë – Radat dhe dërguan edhe dy shokë të mirë për të skjaruar fshatarët e Radatit për punën armiqësore që kërkon të bëjë kulaku i arratisur Hasan Radati.

Gjithashtu u skjaruan sekretarët e organizatave bazë të Leskovikut për punën që po bëjnë armiqtë dhe për vigjilencën që duhet të tregojnë. Nga ana tjetër të shikohen fshatarët që i kanë larë detyrimet dhe që janë gati të shkojnë në punë ku i dërgojmë neve, të furnizohen.

Po ashtu për fshatrat Radat, Pebicke, Cereke dhe Radanj (të gjitha në kufi) të fillohet t’u kthehet bereqet nga zbritja që ka bërë për rrethin tonë qeverija, mbasi këto fshatra kishin pësuar më shumë nga thatësira.

Parrulla nuk ka pasur shumë gjatë muajit dhjetor, vetëm është komentuar elementa kundërshtarë “janë parë kaq të arratisur këtu, kaq të arratisur atje” dhe këta janë komentuar në rrethe shumë të ngushta. Vigjilenca e organizatave bazë të Partisë për këta që janë arratisur ka qenë shumë e dobët. Sekretarët e organizatave bazë të Selenicës dhe Pebickës kanë informuar me shumë vonesë dhe mbasi ishin arratisur. Prandaj në seminarin që kishim në datën 28 dhjetor shtruam me sekretarët punën që ka bërë armiku dhe masat që duhet të marrë çdo organizatë për një punë politike të shëndoshë dhe për një vigjilencë më të madhe, gjithashtu sekretarët të na informojnë edhe për gjënë më të vogël.

(Shënim shtesë me shkrim dore)

Gjithashtu opinioni jonë është që të na jepet sa më pare autorizimi nga Ministria e Brendshme për internimin sa më pare të familjes Hasan Radatit pse është rrezik të na arratiset po ashtu edhe familja e Mitat Estrefit.

Për Komitetin e Partisë P.Rrethit

Sekretari i I-rë  (Hilmi Selenica)

(Firma)

(Shënim përgjigje me shkrim dore)

U dha urdhër për internimin e familjeve të Hasan Radatit e Mitat Estrefit.

18.1.51

Lirisë në dorë.(kujto.al)

2 komente në “DOSSIER: “Po vdesin për bukë, duan të arratisen, na jepni autorizim t’i internojmë””

  1. Alban says:

    Sa te trashesie! Njeri nga te arratisur Hasan Radati thote ‘ hajdeni ne Greqi dhe grekerit na lejojne te ikim ne Turqi, ku atje jetohet mire’. Qe ketu kuptohet niveli i atdhetarizmi dhe idiotlliku kulaklve shqiptar. Pra greku po pastronte etnikisht nga territore shqiptaret, kurse komunistet donin ti mbanin qe mos te zhdukej kombi.

    Ne 1951 pas lufte normale qe gjendja do ishte mizerie, se na kishte lene Zogolli florinjte e mireqenie, s’ja kishin fajin komunistet.

    1. mik says:

      Alban – Sa vjec je, 12 ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje