A do ta shpëtojë Skënderbeun gjykata federale në Zvicër?!

12 Korrik 2019, 18:55Sport TEMA

Shpresa vdes e fundit, por nga vdekja e ndan vetëm një hap. Edhe kjo, për ata që e kanë shpresën në doza të forta, pasi Skënderbeu e humbi apelimin në KAS për dënimin e dhënë nga UEFA.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv la në fund ndëshkimin e “qeverisë europiane të futbollit”, dhënë në 29 mars e 26 prill 2018, pra 10 vjet përjashtim nga kupat e Europës, dhe 1 milionë euro gjobë.

Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, ishte shprehur optimist për KAS-in, por kishte theksuar gjithashtu se nëse nuk merrte pafajësinë, do të shkonte në gjykatën civile federale të Zvicrës.

Ligji njeh disa raste të veçanta, kur gjykatat zvicerane mund të shqyrtojnë vendimet e KAS-it, dhe shpresohet që çështja e Skënderbeut të jetë e tillë.

Gjithsesi, për momentin, klubi më i  mirë shqiptar i dekadës së fundit mbetet i dënuar, i përjashtuar nga Europa dhe me një gjobë prej 1 milionë eurosh.

Burime pranë Takajt kishin bërë me dije prej kohësh se presidenti dëshironte sidomos t’i hiqej gjoba, kuptohet dëshironte edhe faljen e dënimit, ose të paktën uljen e tij në 3-5 vjet.

Pritet të shihet se çfarë do të bëjë numri 1 i Skënderbeut, pra nëse do të ndërmarrë hapin e fundit gjyqësor, do të pranojë të mbetet në Korçë me emrin Skënderbeu, të ndryshojë emrin e klubit po në Korçë, duke e nisur nga kategoria e dytë, apo të largohet fare nga qyteti dhe të marrë një klub tjetër. Këtë do ta provojë e ardhmja. (Sfidanti)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje