“Pse po i bëjmë ne punët e pista të presidentit Donald Trump?”

Ajit Pai

Nga Luiza Ch.Savage dhe Nancy Scola*

Pavarësisht gjuhës së re të butë nga presidenti Donald Trump në luftën e tij me gjigantin e teknologjisë Huawei, zyrtarët që udhëzojnë strategjinë 5G të Amerikës paraqesin një arsye të thjeshtë pse konflikti nuk po shuhet: SHBA po përpiqet të mbrojë botën nga spiunët kinezë.

Zyrtarët e shohin dominimin e firmës në 5G dhe marrëdhëniet e saj të ngushta me qeverinë kineze, si një kërcënim të tmerrshëm ndaj Amerikës dhe aleatëve të saj.

Dhe rreziku i spiunimit të Pekinit përmes infrastrukturës kritike të internetit të ndërtuar nga Huawei, është tepër i lartë për t’u toleruar, tha kreu i Komisionit Federal të Komunikimeve, Ajit Pai.

Paralajmërimi i Pai vjen pasi aleatët dhe industria e Amerikës po përpiqen të kuptojnë sinjalet më të fundit të administratës së Trump për Huawei – dhe po analizojnë se sa seriozisht t’i marrin kërkesat e Uashingtonit që të bllokohen përpjekjet e kompanisë për të marrë pjesë në infrastrukturën e internetit të demokracive perëndimore.

“Nëse doni të besoni që kompanitë që i nënshtrohen juridiksionit kinez nuk do të pajtohen me një kërkesë nga shërbimet kineze të inteligjencës, kjo është zgjedhja juaj,” tha Pai.

“Por nuk është zgjedhja që do të bënte një njeri i mençur kur bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare këtu në Shtetet e Bashkuara”.

Kompanitë në të dy vendet konkurrojnë për të ndërtuar rrjetet e gjeneratës së ardhshme 5G për të mundësuar lidhjen më të shpejtë dhe më të fuqishme me valë, që pritet të shkaktojë valën e ardhshme të inovacionit teknologjik fitimprurës.

“Imagjinoni një situatë në të cilën infrastruktura 5G mund të monitorohet, të menaxhohet, ose mbikëqyret në një mënyrë që mund të jetë në kundërshtim me sigurinë tonë kombëtare”, tha Pai.

“Dhe ky nuk është një rrezik që unë jam i gatshëm ta marr – mendoj se jo shumë njerëz në këtë vend do të jenë të gatshëm”.

Në fillim të këtij viti, Uashingtoni i ndaloi kompanitë e telekomunikacionit të SHBA-së të përdornin pajisjet Huawei – dhe i ka kërkuar aleatëve të ndjekin të njejtin shembull – nga frika se kompania do t’i nënshtrohet kërkesave të mbikëqyrjes nga shërbimet inteligjente kineze.

Huawei i ka mohuar akuzat.

Pai, i cili u emërua në FCC nga presidenti Barak Obama dhe u ngrit në detyrë si kryetar nga Trump, tha se favorizon shqyrtimin e implikimeve të sigurisë së firmave të internetit, duke përdorur pajisje të veçanta.

“Unë kam thënë vazhdimisht se nuk duam të veçojmë asnjë kompani apo vend të caktuar.

Ne thjesht duam të kemi një mundësi për vlerësimin e rrezikut, “tha ai.

Ndërsa SHBA ia ka lënë zhvillimin e 5G sektorit privat, Pai kritikoi gjithashtu strategjinë industriale të Kinës, që mbështeste ngritjen e kompanive si Huawei.

“Kina në veçanti është përpjekur të krijojë ekonominë e saj të internetit, duke ndaluar kompanitë – veçanërisht kompanitë nga Shtetet e Bashkuara – që të hyjnë në treg.

Shumë firma amerikane që hyjnë në këtë treg duhet të licencojnë teknologjitë e tyre, dhe gjithashtu duhet të kenë një pronar që është kinez, dhe si përfundim kjo teknologji në thelb keqpërdoret, vidhet, ose përdoret ndryshe për të përfituar një kompani vendase “, tha ai.

Përdorimi i transferimeve të detyruara teknologjike dhe subvencioneve të Pekinit për të arritur SHBA-të në teknologjinë e lartë, ka qenë në qendër të betejës tregtare të administratës Trump me Kinën, sipas dëshmisë së Kongresit, nga përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA, Robert Lighthizer.

Në maj, Trump nxori një urdhër ekzekutiv që ua ndalonte kompanive amerikane të përdorin pajisje telekomunikuese nga kompanitë që paraqesin rrezik të sigurisë kombëtare.

Por Trump i hutoi aleatët dhe industrinë duke e zbutur qëndrimin e tij rreth vërejtjeve në takimet e G-20 muajin e kaluar.

Si pjesë e bisedimeve të tij të vazhdueshme me presidentin kinez Xi Jinping, Trump tha se kompanitë amerikane mund të shesin disa pajisje për Huawei.

“Unë jam duke folur për pajisjet ku nuk ka problem të madh të emergjencës kombëtare,” tha Trump.

Ai gjithashtu sugjeroi se fati i Huawei do të ishte i lidhur me bisedimet tregtare.

“Huawei është një situatë e komplikuar.

Ne jemi duke e lënë Huawein për në fund. Do të shohim.

Do të shohim se si do të ecim me marrëveshjen tregtare”, tha ai.

Të martën, sekretari i tregtisë, Wilbur Ross, sqaroi se Huawei do të mbetej në të ashtuquajturën listë të entiteteve – por departamenti do të lëshonte licenca në rastet kur nuk kishte kërcënim për sigurinë kombëtare.

Shtëpia e Bardhë do të votojë këtë javë për të parandaluar administratën nga heqja e listës së zezë pa prova se kompania po vepron në mënyrë të ligjshme.

Ndërkohë, disa qeveri aleate kanë reaguar për atë që ata e perceptojnë si diktat të rëndë nga Uashingtoni dhe duan të marrin kohën e tyre për t’i vlerësuar vetë konsideratat e sigurisë.

Peter Beyer, një anëtar i Parlamentit gjerman dhe koordinator trans-atlantik për qeverinë e kancelares Angela Merkel, tha se Gjermania po ndjek procesin e vet për të marrë një vendim mbi Huawei, pavarësisht kërkesave nga Uashingtoni.

“Ne nuk mendojmë se është shumë e zgjuar të ndalojmë vetëm kompanitë kineze apo edhe kompanitë kineze me emër,” tha Beyer.

“Ne krijojmë kritere në bazë të të cilave të gjithë do të duhet të veprojnë.”

Ai parashikoi megjithatë se pas një procesi të brendshëm, Gjermania do të përfundonte afër pozicionit amerikan.

Nga të gjithë aleatët e SHBA, Kanadaja gjendet ndoshta në vendin më delikat midis dy fuqive të teknologjisë rivale.

Me kërkesë të qeverisë së SHBA, Kanadaja në dhjetor arrestoi një ekzekutive të lartë të Huawei, Meng Wanzhou, i cili është gjithashtu bija e themeluesit të kompanisë.

Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar ta ekstradonin atë bazuar në akuzat lidhur me shkeljen e sanksioneve ndaj Iranit.

Hakmarrja e Pekinit ishte e shpejtë.

Dy qytetarë kanadezë në Kinë u arrestuan me akuza të paqarta dhe një tjetër dënim kanadez për trafikimin e drogës u rishikua nga një dënim 15-vjeçar, deri në dënimin me vdekje – lëvizjet u interpretuan në Kanadaja si dënim për arrestimin e Meng.

Përveç kësaj, Pekini ka bllokuar disa importime të produkteve bujqësore të rëndësishme nga Kanadaja, duke përfshirë mishin e viçit dhe të derrit.

Kanadezët janë zënë ngushtë midis dy fuqive rivale, tha Laura Dawson, një ekonomiste e tregtisë kanadeze dhe drejtore e Institutit të Kanadasë në Qendrën Wilson në Uashington.

“Nëse flisni me një qytetar mesatar kanadez në rrugë, do të thoshte: ‘Pse po e bëjmë këtë? Pse po i bëjmë në punët e pista të presidentit Trump? “.

Komentet e Trump rreth Huaweit në G-20 ishin “shumë konfuzuese për aleatët”, tha ajo.

“Kemi të bëjmë me mesazhe të shumëfishta nga Shtetet e Bashkuara.”

Kryeministri Justin Trudeau i kishte kërkuar Trumpit që të ngrinte çështjen e kanadezëve të ndaluar në G-20, por nuk pati asnjë shenjë përparimi.

“Ata janë duke kërkuar tek SHBA për një formë të udhëheqjes”, tha Dawson.

“Dhe gjithçka që po marrin janë mesazhet e paqarta. Pra, është një kohë e vështirë “.

*Politico.com-Përshtati në shqip për TemA: Diona Çeço

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *