Sekretet e Bllokut

12 Korrik 2019, 09:53Politika TEMA
Sekretet e Bllokut

Për herë të parë kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës vijnë në një libër. Raportet personale dhe një histori tjetër e Bllokut ndryshe, parë përmes raporteve njerëzore të njerëzve që jetonin aty, por dhe një gjykim i kohës përmes penës së një njohësi të mirë të saj

Njeriu që ka njohur nga afër dhimbjet dhe pikat e dobëta e të forta të Enver Hoxhës dhe familjes së tij, ka promovuar mbrëmjen e djeshme librin “Blloku”. Një rrëfim dhe analizë se si e ka njohur ai Enver Hoxhën, Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë e shumë të tjerë që jetonin në këtë zonë të privilegjuar të kohës

Isuf Kalo ka qenë mjeku personal i Enver Hoxhës.

34 vite pas vdekjes së tij, Kalo sjell librin “Blloku” , i cili u promovua mbrëmjen e djeshme në ambientet e Hotel Rogner-it në kryeqytet, në prezencën e dhjetëra miqve dhe bashkëpunëtorëve të Doktorit.

Mjekë, gazetarë dhe… ish-bllokmenë, u paraqitën në këtë promovim duke uruar profesorin duke marrë nga një kopje të librit, i cili zgjon shumë kuriozitet.

Gjithmonë ka patur një interes mbi ato ç’ka kanë ndodhur përpara viteve ’90 në ish- Bllok.

Kalo ishte një prej mjekëve më të afërt të familjes së Enver Hoxhës dhe ai ka parë dhe dëgjuar shumëçka që ka ndodhur brenda atyre mureve.

Unë nuk kam pasur asnjë post qeveritar, as kam qenë “kuadër i nomenklaturës së lartë” partiake parlamentare e pushtetore, por kam qenë mjek dhe u kam shërbyer profesionalisht shumë prej tyre. Gjatë gati katër dekadave, falë veprimtarisë profesionale, i kam takuar dhe njohur nga afër ata. I njoha në jetën personale e familjare, ua preka trupin, ua dëgjova ankesat, dhimbjet, dëshirat, bisedat, shakatë, e natyrisht edhe rrahjet e zemrës, frymëmarrjen apo kollën.

Ato nuk ishin të ndryshme nga të tonat. Si udhëheqës kam ndjerë respekt, madje admirim, për disa vepra zhvillimore të vendit, që ata patën realizuar, ashtu siç jam zhgënjyer për disa akte të tjera të pajustifikueshme”- shkruan profesori në parathënien e tij.

“Nga ana fizike, biologjike, mendore e psikologjike ata, kishin, zotësi, ambicie, virtyte, dobësi lakmi, dhe vese si ne të tjerët. Në asnjë nga analizat e gjakut në radioskopi apo në elektrokardiogramet e zemrave të tyre ne mjekët nuk pamë tek ata imazhe apo gjene të djallit”.

Profesor Kalo thotë se nuk është ndalur shumë te figura e Enverit kur ai ishte gjallë, por më tepër tek ato çka kanë ndodhur, pas vdekjes se tij.

“Rrëfimi im në këtë libër është fokusuar më shumë te dy protagonistët kryesorë: Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Kjo e fund, sepse pati marrëdhënie të ngushta pune dhe miqësi të gjatë, të sinqertë me të. Përmbajtja është e bazuar në fakte dhe përjetime. Por edhe në analiza , ndjenja dhe mendime personale të miat, të çastit e retrospektive. Me to nuk kam kurrsesi qëllim të cenoj me keqdashje askënd që është përmendur në libër. Rrëfimi im është vetëm për çka pashë, ndjeva dhe kuptova unë si qytetar dhe si mjek, me vështrimin dhe përjetimet nga brenda Bllokut”.

Profesor Kalo shpreson që ky libër të ndihmojë brezat e sotëm dhe të së ardhmes që të njohin një epokë të çuditshme të së kaluarës, e cila ende pulson dhe përpëlitet pa u zhdukur tërësisht.

Më poshtë po sjellim një nga pjesët e librit:

Nexhmija, përtej pamjes së jashtme

Nuk ishte e lehtë ta njihje Nexhmijen në të gjitha dimensionet dhe veçoritë e saj origjinale, as së jashtmi dhe as së brendshmi, madje kjo e dyta njohja e mendimeve dhe ndjenjave të saj qe edhe më e vështirë. Edhe pse pata rastin të kisha kontakte si mjek me të, për më shumë se 15 vjet, nuk mund të pretendoj se e njoha dot atë në tërësi dhe hollësi. Aq më pak e patën njohur shqiptarët sa kohë ishte gjallë Enveri. Ata, me sytë të mbërthyera gjatë 40 viteve tek lideri i madh, pak vëmendje dhe interes treguan për të shoqen, si person. Për shumicën e tyre ajo ishte thjesht gruaja e Enverit. Dhe vetëm kaq.

Edhe ajo vetë rrinte disi e tërhequr, duke qëndruar kryesisht në zyrë e në shtëpi. Kishte zgjedhur vullnetarisht të rrinte në hije. Ajo as arriti, por as u përpoq që të fitonte zemrat e shqiptarëve. Ndoshta, sepse i mjaftonte simpatia dhe adhurimi që një numër i madh i njerëzve shprehnin për të shoqin. Por, kur së bashku me të vdiq edhe regjimi i tij, Nexhmijes iu desh që të dilte nga guaska, të bëhej e dukshme dhe aktive, duke u përpjekur t’i bënte njerëzit të besonin se gjithçka e Enverit ruhej e gjallë tek ajo. Mirëpo ishte e vonuar. Pa autoritetin, famën, zërin dhe karizmën e të shoqit ajo vetë nuk ishte as tërheqëse, as e besueshme dhe as bindëse për ta.

Përkundrazi, siç nuk e priste, ajo u bë për pjesën e pakënaqur të popullsisë “tabelë qitjeje”, pasi iu faturuan asaj gabimet dhe padrejtësitë e pushtetit që u përmbys. A e meritonte? A i takonte asaj të paguante, të gjithë ose pjesën kryesore të haraçit të të këqijave që bëri regjimi i kaluar? Në ç’masë, pa qenë personalisht anëtare e organeve të larta partiake e shtetërore, pati realisht gisht ajo në vendimet e marra prej tyre?

Askush tjetër përveç asaj vetë, nuk ka mundësi të dijë të vërtetën. Ajo mund të hamendësohet ose të vlerësohet bazuar në fakte, perceptime ose sipas intuitës së gjithsecilit.

Fajësitë e saj janë bazuar kryesisht mbi faktin e statusit si gruaja e Enverit dhe sidomos në vitet e fundit të jetës, kur ai ishte më i sëmurë.

Me hamendësimin se ajo, edhe pa qenë anëtare e forumeve e strukturave të larta vendimmarrëse, mund të ketë influencuar ose edhe drejtuar vetë në emër të tij.

Askush, as unë, nuk e vë dorën në zjarr se kjo absolutisht apo në një masë të caktuar nuk ka ndodhur.

Nexhmija vetë në deklaratat publike dhe në librat me kujtime që ka botuar, i ka mohuar të tilla akuza apo hamendësime, ndërsa fakte ose konfirmime të dokumentuara për to nuk di të jenë dhënë.

Ndërkohë, ish anëtarë të Byrosë Politike, Sekretarë të Parë të partisë në rrethe, ministrat të qeverisë, kryetarë dhe shefa të sigurimit, hetuesisë dhe prokurorisë, fajtorë të sigurtë dhe të njohur me emër dhe mbiemër, si iniciatorë dhe firmëtarë dokumentesh dhe aktesh mizore, çuditërisht përmenden nga media, madje dhe nga vetë viktimat, përciptazi ose shkarazi.

Ata, meqenëse i shoqi nuk është më gjallë, e derdhin thuajse të gjithë urrejtjen, mllefin dhe fajet për bëmat e mbrapshta të atij regjimi kryesisht e personalisht tek ajo.

Historia di me fakte, me emër dhe mbiemër, se cili person i udhëheqjes së lartë urdhëroi me kokën e tij pushkatimin mizor të 67 ballistëve që u zunë rob në Lushnjë.

Cili propozoi pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm në Tiranë për bombën në Ambasadën Ruse, cili propozoi dhe nguli këmbë për kolektivizimin e detyruar të bujqësisë dhe heqjen e tre dynymshit fshatarëve, cili propozoi tufëzimin e bagëtive, cili ndërmori hapin e parë për ndalimin e fesë dhe prishjen e kishave dhe xhamive, cili urdhëroi ndërtimin e 173 mijë bunkerëve, anembanë vendit, cili si kryetar i Komisionit të Internimeve sygjyrnosi me firmën e tij 12500 qytetarë shqiptarë dhe shumë akte të tjera si këto të dënueshme? Disa nga këta autorë thuajse janë ricikluar dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të emërohen në poste qeveritare. Ramizi, i cili pati firmosur ato vendime dhe që i indoktrinoi, me propagandën që drejtoi, mendjet dhe shpirtin e disa brezave radhazi me utopinë e “njeriut të ri”, ishte njëri prej tyre.

Ai, fillimisht, nuk u përmend si fajtor për ato, përkundrazi u promovua për disa kohë në postin më të lartë dhe mandej, u konsiderua si shpëtimtar dhe misionar i frymës së re. Ndërkohë, në sa apo në cilën nga ato keqbërje ka qenë personalisht Nexhmija iniciatore, propozuese ose autore e faktuar? Pa dyshim, ajo i ka pas ditur në mos të gjitha, shumë nga ato padrejtësi që ndodhnin, por nuk u kundërvu direkt, as indirekt për të ndikuar t’i parandalonte a zbuste ato tek i shoqi. Përkundrazi, i pat miratuar me zell prej militanteje, mjafton që ato i pat miratuar më parë Byroja Politike dhe Enveri. Ajo, pa dyshim, ka personalisht pjesën e saj të përgjegjësisë, por jo të gjithë përgjegjësinë, as pjesën më të madhe të saj. Ramizi e dinte mirë këtë, por nuk e tha. Përkundrazi, thuhej se fshehtas pati dhe ai vetë gisht në to, fajësime dhe demonizime që u gjeneruan dhe u përhapën për Nexhmijen.

Në periudhën e ndërrimit të sistemit, mbase atij iu desh që në opinionin e njerëzve të bëhej Nexhmija kurban në vend të tij, si kryefajtore, pavarësisht se ishte ai që pati pozitë më të lartë dhe përgjegjësi më të mëdha sesa ajo në hierarkinë vendimmarrëse të regjimit që u shemb.

U desh që fajet e regjimit dhe ish-titullarëve të tij të shkriheshin si skrap në zjarrin e urrejtjes popullore për të krijuar me to “kuçedrën Nexhmije”, si simboli i të gjitha të këqijave të diktaturës dhe fajtorja kryesore, në mos e vetme e saj.

Në mungesë të Enverit, përqendrimi dhe personalizimi i gabimeve dhe fajeve të regjimit komunist tek e veja e tij, sikur ajo qenkej njësoj përgjegjëse sa ai, apo dhe më shumë se sa ai, ndoshta u desh për t’i ruajtur dhe shpëtuar përkohësisht imazhin e Ramizit, si “e keqe e nevojshme dhe shpresuese”, në atë periudhë ndryshimesh vështira.

Në fakt, Enveri nuk e pat njësuar ndonjëherë të shoqen me veten. Ai ishte autoritar. Hijerëndë. Por nuk ishte “burrë grash” as “lolo” lehtësisht i influencueshëm. Ai imponohej me një shikim. Me një mbledhje të vetullave dhe rrudhave në ballë. Ndonjëherë me buzëqeshje, pa fjalë. Me heshtje. “Burrëria tradicionale” e meshkujve shqiptarë me nuanca mazohizmi ishin të shfaqura krenarisht dukshëm në mënyrën e tij të sjelljes.

Gjatë viteve në kontakt direkt, as unë, si mjek personal i tij, nuk u çlirova dot nga ndjenja e ndrojtjes dhe e përgjegjësisë që më pushtonte në çdo takim me të. Ai rrezatonte autoritet, prandaj as guxova të ndaja me iniciativën time me të ndonjë mendim, shqetësim apo ta ndikoja në ndonjë drejtim, jashtë kuadrit të detyrës sime profesionale.

Nexhmija dhe të gjithë vartësit e tjerë e kishin pranuar me përulje supremacinë e tij të plotfuqishme. Mendimet, sugjerimet, dëshirat dhe vendimet e Enverit ishin për të gjithë ata, përfshi edhe Nexhmijen ose, më saktë, në radhë të parë për Nexhmijen, tabu. Diferenca e moshës prej 13 vjetësh me Enverin, brishtësia fizike e karakteriale e saj pati vulosur që në ditën e parë të njohjes së tyre kompleksin e adhurimit dhe nënshtrimit të përhershëm të saj ndaj burrërisë, vendosmërisë dhe guximit të Enverit, si vendimmarrës i pakundërshtueshëm, që imponohej me bindjen se kishte gjithmonë të drejtë. Kjo nuk përjashton të ketë pasur sukses edhe ajo, si të gjitha gratë, në rolin e “zogut të natës”, për t’i vënë në vesh dhe marrë prej të shoqit miratime për nevoja, çështje apo plane të jetës familjare apo personale të saj. Por me shumë pak mundësi për çështje shtetërore.

Sipas Zhaklinë Kenedit, “gratë e pushtetshme” ndahen në dy kategori: ato “me pushtet në shtet” dhe ato “me pushtet në shtrat”.

Gjykuar nga aparenca e jashtme, nga gjestet, mënyra e shikimit, timbri i zërit apo “gjuha e trupit”, Nexhmija nuk ishte lozonjare apo tip gruaje shtrati. Përkundrazi, dukej e “akullt”, serioze si e superblinduar me parime. Në marrëdhëniet me të shoqin, jo nazet e feminiteti, por devotshmëria ishte pika e fortë e saj. Madje, në vitet pasi Enveri pati pësuar infarktin në zemër, ata flinin të ndarë. Nexhmija ia pat “dhuruar” Enverit edhe pjesën e saj të shtratit bashkëshortor. Ai flinte i vetëm në shtratin e gjerë dopio. Vendin e saj herë pas here mund ta zinte një “femër” tjetër. Ajo ishte Guxi. Kështu quhej macja më “mendjemadhe” që kam parë e njohur unë. Ajo ishte e bukur, i shkëlqenin qimet nga shëndeti dhe gjezdiste krenare nëpër dhomat e korridoret e brendshme, me hap të sigurt dhe shpërfillëse ndaj njerëzve të shtëpisë. Në takt, ishte macja e dashur e Pranverës, por Guxit, sa herë që i mbushej koka, shkonte pa pyetur askënd te dhoma e Enverit. Nëse e gjente të mbyllur portën e dhomës së gjumit të tij, Guxi ishte e zonja që ta hapte vetë atë. Ajo kërcente deri te doreza dhe e hapte pa problem. Pasi hynte, shtrihej në të njëjtin shtrat me Enverin dhe përgjumej plot kënaqësi pranë tij. Ai nuk bezdisej, e pranonte dhe e përkëdhelte. Dukej që mes tyre ishin miq. Ndërkohë Nexhmija “vigjilonte” gjatë natës gjysmë e zgjuar, përballë, mbi një divan të ngushtë brenda së njëjtës dhomë, për ta ndihmuar të shoqin në rast të ndonjë shqetësimi eventual.

Marrëdhëniet e shtratit, nëse patën të tilla në ato vite, ata i ruajtën rreptësishtë si intime dhe private. As njëri as tjetri nuk më pyetën, as morën këshilla mjekësore, në konfidencialitet, për rreziqet dhe implikimet e mundshme në marrëdhëniet seksuale në kuadrin e infarktit të zemrës dhe sëmundjes së diabetit, prej së cilës Enveri vuante prej vitesh. Por në literaturën mjekësore, si edhe nga përvoja jetësore njiheshin raste atakesh, aksidentesh, deri edhe vdekje të befta te meshkujt me sëmundje të tilla të zemrës, gjatë marrëdhënieve në shtrat.

Kështu i pat ndodhur në vitet e monarkisë një ish-ministri shqiptar, i cili vdiq papritur gjatë aktit në një prej hoteleve të Romës. E njëjta tragjedi ndodhi jashtë Tiranës në vitet kur kujdesesha për Enverin, me vëllain e njërit prej ish-udhëheqësve të shquar të Byrosë Politike. Edhe ai, fatkeqi, vuante njësoj nga zemra e diabeti dhe ishte më i ri se vëllai i tij dhe Enveri. Vdekja e tij e beftë, e njëjtë me atë të dikurshme të ish-ministrit monarkist, pat ndodhur jashtë shtëpisë, në rrethana që, për arsye të kuptueshme, nuk u bë publike.

Ngjarja e tronditi së tepërmi emocionalisht vëllain e tij byroist, por ndoshta dhe e vuri në vështirësi e para dilemës nëse duhet ta nderonte, duke marrë pjesë në ceremoninë e tij mortore, apo ta dënonte, duke mos shkuar në të. Besoj që për këtë ai e kish pyetur dhe kish marrë miratimin e Enverit, sepse ky më thirri dhe më dha porosi të shkoja të qëndroja edhe unë pranë kolegut dhe mikut të tij, ndonëse atë e shoqëronin edhe mjekë të Klinikës Speciale. Kjo mbase si qokë a shenjë solidariteti me të.

Kur shkova nuk e dija pse dhe si kishte ndodhur ngjarja. Enveri nuk më tha asgjë. Mbase priti që pasi të kthehesha kjo temë të hapej nga unë. Ndërkohë unë prisja ta hapte ai, por më kot. Sidoqoftë, atëherë, për herë të parë, u kujtova që këtë faktor rreziku eventual ne si ekip mjekësor e patëm harruar dhe neglizhuar.

Po sikur t’i ndodhte diçka e ngjashme edhe Enverit? Ne mjekët do të gjendeshim krejt të zbuluar dhe do të viheshim me siguri para përgjegjësisë. Asnjë këshillë, shqetësim, as diskutim, as shënim për një eventualitet të tillë nuk ishte përmendur në kontaktet tona me të, as shënuar si dokument në kartelën e tij klinike dhe as në protokollet e ekipit tonë mjekësor. E kishim quajtur thjesht çështje intime, private të tij. E keqja ishte se, për arsye që kuptohen, ky problem nuk mund të diskutohej me Nexhmijen. As me djemtë. Kush do të guxonte t’ia cenonte Enverit privatësinë pa kërkesën dhe lejen e atij vetë? Atëherë me droje dhe në konfidencialitet e diskutova  me mësuesin tim Fejzi Hoxha. Ai ishte gjirokastrite, kishte thuajse të njëjtën moshë të Enverit dhe kish qenë shokë shkolle dhe fëmijërie me të. “Mos e nga këtë temë, më tha ai. – Asnjë mashkull, as ai nuk do që të flasë e tregojë për këto gjëra. Dhe as nuk do i ndjekë këshillat që do japim ne. Përkundrazi, i zemëruar që futemi pa na ftuar në gjërat intime të tij, mund të na sikterisë. Lëre si të jetë shkruar, më këshilloi ai. Dhe kështu u bë. Nga droja, por edhe në respekt të privatësisë dhe intimitetit të tyre, nuk e zura asnjëherë në gojë këtë subjekt delikat, edhe pse me interes mjekësor. Iu luta qiellit dhe Zotit që e keqja të mos ndodhte dhe ndoshta ai më dëgjoi. Kështu, mbeti enigmë edhe masa e supozuar e “pushtetit” të Nexhmijes ndaj të shoqit me ndikimin e saj në shtrat. Sa për “pushtetin në shtet”, në rastin e Nexhmijes do të tingëllonte si teprim. Ajo, nën hijen e të shoqit, nuk krijoi dot “klorofilin”e një personaliteti individual. Nuk pati dhe as tentoi të krijonte ndonjë rrymë, “Nexhmijëzimi” me platformë origjinale ideore, pushtetare e politike si alternative e dizajnuar dhe e imponuar personalisht prej saj. Ajo ishte dhe mbeti deri në fund “krijesë” e Enverit, shtojcë e tij.

Mbeti zbatuese shembullore e përkushtuar ndaj tij si udhëheqës dhe bashkëshort.

Ndryshe nga Çhian Çhini, Elena e Çausheskut, Jovanka e Titos dhe Mira Markoviçi e Sllobodan Millosheviçit, ajo nuk tregoi ambicie për të bashkëqeverisur në poste të larta zyrtare përkrah të shoqit. Ishte e interesuar të informohej për gjithçka ndodhte politikisht, por jo me synim që të udhëhiqte ajo vetë. Ndoshta, sepse ishte e ndërgjegjshme që i mungonin vetitë e duhura për të udhëhequr, i mungonin pasioni, karizma, guximi dhe energjia për të krijuar pasardhës dhe dishepuj personalë të saj.

Nexhmija ndryshonte në qëndrim dhe karakter prej Nadjezhda Allilujevës, gruas së dytë të Stalinit, e cila ishte shprehur edhe kritike ndaj metodave dhe sjelljeve brutale të të shoqit. Kjo ishte 20 vite me e re se Stalini.

Bazhanov, njëri prej sekretarëve të Stalinit, njohës nga afër i marrëdhënieve të Nadjas me të shoqin, ka dëshmuar në kujtimet e tij një episod domethënës për ndjeshmërinë e saj ndaj vështirësive të jetesës së popullatës. “Ishte viti 1932, tregon ai, kur Stalini iu përvesh kolektivizimit me dhunë në bujqësi. Kuadrot e bazës e kishin parë me sytë e tyre rrënimin e fshatarësisë. Por kur dëgjonin që ajo ishte gruaja e Stalinit ata bëheshin memecë. Mirëpo dalëngadalë kuptuan dhe u bindën se ajo ishte e dhembshur, e mrekullueshme, që mund t’i besoje. Gjuhët u zgjidhën dhe nisën të rrëfenin çfarë po ndodhte. Nadja e rrëqethur u tmerrua. Ajo nuk mund të rrinte pa ia treguar të shoqit gjithçka kishte dëgjuar. Mirëpo Stalini iu hakërrye asaj duke i thënë se ‘informacioni që i dha nuk ishte gjë tjetër veçse pjesë e propagandës kundërrevolurionare’”.

Pak kohë më vonë, pas një debati dhe ofeze që i bëri asaj Stalini në publik, Nadjezhda u mbyll në dhomën e saj dhe u vetëvra me revolver. Ishte vajzë e re 18-vjeçare kur u martua me Stalinin dhe vetëm 30 vjeçe kur e zhgënjyer u nda prej tij dhe nga jeta. Shkaku i vdekjes së papritur të saj u mbajt aso kohe i fshehur nga publiku dhe u manipulua sikur kishte ndodhur pas një “apendiciti akut”. Stalini, në vend të keqardhjes dhe pendesës, përkundrazi, u ndie i tradhtuar prej saj dhe u zemërua me të. Ai e quajti aktin e së shoqes armiqësor dhe të qëllimshëm kundër tij. Trupi i saj nuk u dogj në kremator dhe hiri nuk u vendos siç e kërkonte protokolli në muret e Kremlinit. Me urdhër të Stalinit u çua në varrezën dikur aristokrate Novodevichi të Moskës.

Në njërën nga vizitat e mia të punës në Moskë në vitet që isha konsulent i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Diabetin, pata rastin ta shoh me emocion varrin e saj, pranë atij të Hrushovit, i shndërruar tashmë në objekt kurioziteti me interes turistik.

E vërteta është se debatet dhe “karshillëku” i ruses së re, emocionalisht delikate, me të shoqin e plotfuqishëm buronin edhe prej sjelljes së vrazhdë të Stalinit ndaj saj, si dhe ndaj prindërve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes Allilujeva, por edhe ndaj fëmijëve të tij. Kurse Enveri, përkundrazi, me aq sa e njoha unë, ishte i ngrohtë e korrekt në sjellje ndaj Nexhmijes, por edhe ndaj nënës, vëllait dhe mbesave të saj.

Ai njihet si Stalinisti i fundit në stilin e qeverisjes dhe ndoshta dhe në ideologji, por nuk ishte kurrsesi Stalin në marrëdhëniet në shtëpi brenda familjes dhe me fëmijët, nipat e mbesat e tij. Vjehrra e Enverit, Naxhija, ishte dibrane e moshuar, mjaft inteligjente. Ajo banonte dhe jetonte së fundmi në të njëjtën shtëpi me familjarët e tjerë të tij. Në orët e lira, në respekt të Nexhmijes, Enveri e vizitonte, bisedonte dhe pinte kafen herë pas here me nënën e saj.

Dhe kur i vëllai i Nexhmijes, Fehmiu, u shtrua për një problem shëndetësor serioz në Spitalin Ushtarak, Enveri, si asnjëherë tjetër, i vajti për ta takuar dhe vizituar. Natyrisht, bashkë me Nexhmijen.

I shoqërova edhe unë. Atje i priti drejtori i spitalit dhe disa nga mjekët që e kuronin të sëmurin. Fehmiu ishte shtruar në një dhomë më vete si më komode, posaçërisht të adaptuar për të. Me aq sa di në vitet që isha mjek i tij, kjo ishte vizita e parë dhe e vetmja që bëri në ato vite Enveri në një ambient spitalor të vendit. Kurioz pyeta Sulon në konfidencë nëse ishte parashikuar që ai, me këtë rast të mund të shihte edhe kushtet dhe ambientet e tjera të spitalit, ose të takonte të sëmurë të panjohur të shtruar atje! “Jo ore çne, — tha Sulua menjëherë, — apo të na marrë ndonjë infeksion?”

Që kur ishte gjallë Enveri, Nexhmija pat siguruar me përparësi libra biografikë për personalitete të famshme, të cilat, siç kuptohej, do i shërbenin më pas për të shkruar për Enverin. Në këtë aspekt ajo i ngjante Nadjezhda Krupskajës, gruas së Leninit, sepse edhe ajo ishte marrë kryesisht me dokumentimin e jetës dhe veprimtarisë së të shoqit. Në raftet e bibliotekës së Nexhmijes kishte një libër biografik të Krupskajës për Leninin.

Krupskaja, siç pati treguar ajo vetë, i lexonte Leninit të sëmurë teksa ai e dëgjonte, i shtrirë në shtrat, duke vështruar si romantik, lashtë dritares diellin që perëndonte”. Edhe Nexhmija, kur Enveri së fundmi pati probleme me shikimin, ndodhte që i lexonte pranë shtratit, ose kur ai ishte në studio, korrespondencën apo libra që asaj i pëlqenin. Në të tilla raste Nexhmija bëhej si mamaja apo “dadoja e një djali të vogël kurioz”, i cili dëgjonte me vëmendje deri në fund përrallën të lexuar me zërin e saj të hollë.(DITA)

20 komente në “Sekretet e Bllokut”

  1. shqiptar says:

    Z. Kalo Thoni qe Hoxha rrezatonte “Autoritet”,thoni qe edhe une isha i ndrojtur para tij. Mos me bej per te qeshur z.Kalo. Hoxha rrezatonte diktature dhe frike njerzore,Hoxha rrezatonte tmerin qe mund te shkoje se bashku me njerzite e tu te dashur ne nje kamp perqendrimi. Hoxha mundet te pretendohet se ka bere per Shqiperine, se ka qene “burre shteti” etj etj etj si keto perralla qe shume shqiptare i besojne dhe i hane. problemi eshte i tyre. Hoxha do te mbetet nje TIRAN ,nje PERDHUNUES,nje PERSEKUTOR i popullit shqiptar. Ai e perdori gjithe popullin shqiptar si nje vegel te tij, e shtrydhi,e persekutoi,e perdhunoi, e hodhe ne plehra,i hoqi dinjitetin dhe u perpoq ti transformonte shqiptaret ne majmune efektet e se ciles po i shohim dhe sot. Te gjithe kete e beri ne emer te pushteti absolut qe duhej te kishte. Ndoshta nje dite ne shqiptaret do te arrijme te prodhojme lidera te moderuar se me cfare shoh deri me sot prodhojme ose diktatore ose hajdute te korrptuar si keta qe shohim sot. Kjo eshte dhe tragjedia e ketij poppulli te mjere qe te them te drejten nuk e di se nga e ka origjinen nga turqit e azise apo nga iliret e vjeter. Historianet shqiptare po ti lexosh jane te gjithe gjysem genjeshtare nje pjese. Pjesa tjeter shkraunin sic ja u diktonte regjimi i Hoxhes. Kerkoni ta paraqisni ne librin tuaj dhe si “human been”. Vetem i tille nuk ishte, Nga trupi dhe anatomia njerzore po,nga semundjet qe ka cdo njeri po. Por ai nuk ishte njeri nga ato c’kishte ne mendjen e tij perverse. Nuk ndjeu as altruizmin me te vogel,as keqardhjen me te vogel per ata qe pushkatoi,vrau,persekutoi dhe burgosi. E dinte shume mire mendja e tij perverse se cfare po bente e megjithate vazhdoi deri ne fun te jetes se tij te bente te njejten gje.

    1. Ebi says:

      Enveri ka qene kokrra e borgjezit. I vinte anës Leninit, Stalinit apo Maos.

    2. Kapedani says:

      O ti me emer shqiptar, ne 1944 Shqiperia kishte 97 perqind analfabete, nuk kishte hekurudha ,nuk kishte akoma drita ,universiteti pare u hap ne 1957 ,etj etj .Ndersa fqinjet tane i kishin te gjitha keto .Psh vendet ballkanike i kane universitetet qe prej 100 vitesh.Te keqija kishte plot vetem nje gjë ske s’ ja mohon,kur dilnin shqiptaret jashte shtetit ( ata qe kishin mundesi) ishin te respektuar ,jo si tani qe Na shohin si kafshe. Arriti biles te ndaloje dhe gjake marrjen ,sa iku ai kafshet ju rikthyen gjaqeve qe ishin mbyllur qe prej 50 vjetesh.

      1. Driti says:

        Keto janë merita të sistemit. Kanë shume pak të bejne me personin e Enver Hoxhes (goxha patetik, delirant, etj). Sejfulla Maleshova ka qene shume here më teper i ditur, lexuar… etj etj (sa për të marrë nje shembull).

        1. Kapedani says:

          Jo more kur flitet per meritat i ka sistemi ndersa te keqijat i ka Enveri. Une po them thjesht si ishte Shqiperia mbas çlirimit (katastrofe,fshat) dhe çndryshime u bene.Po te flasim pastaj kush ishte me i ditur dhe kush e meritonte piston e tij ,diskutimi smbaron kurre.

  2. Meruni me bllokmenet e rinj milioner qe e vodhen dhe e shkatrruan kete vend e kete popull,se ata iken e vane.
    Ishin si ishin por nuk ben so keta te sotmit qe sa ishte buxheti shteteror ne ate kohe,harxhon familja hajdute berisha meta ne nje muak.
    Presim kujtimet e saliut qe ishte gati ti pinte edhe shurren enverit

  3. Ben says:

    Kuptohet qe nje vend kaq i vogel si Shqiperia do kish qene me bukur te ishte bere demokratike fill pas mbarimit te luftes.Ndoshta do ishte nje Belgjike,Luksemburg,.t
    Tek e fundit do ishin rreth 2mil.banore per tu sistemuar,me burime natyrore te mjaftueshme.
    Mjerisht e mori ky qe ndoqi standartin me te gabuar ne qarkullim,Stalinin.A beri gjera te mira?Edhe Hitleri mund te bere ndonje te gje te hajrit,por seshte ketu puna.Thjesht te kishte mberthyer perendimin ne gjithcka ky person,dhe sot do ishte krej ndryshe puna…..Ore gaboj une apo ky Enveri ngjan shume ne buzeqeshje me Lulzim Bashen?

    1. Besa says:

      Shqiperia nuk mund të behej si Belgjika apo Luksemburgu sepse nuk kish asgje të perbashket me to, por do behej kryesisht si Turqia apo Greqia e viteve 50, 60, 70 (me ushtarakë qe benin grushte shteti sa here politikanet nuk merreshin vesh mes tyre etj etj). Pra nje Turqi në miniature

  4. Pajdhany Me čibuk says:

    …i ngjan Lul Basha Enverit,then sakt.
    Kushedi se ne c sherbim t Bllokut ka pas punu nona Lules S Partis…
    Se Dull Komandanti s t falte.
    Kush i dul para u gjunjzu..

  5. Korabi says:

    O te dhjefsha bllokun Isuf Kalon dhe te gjith ato hale komuniste qe vetem nje te zeza ne prune

  6. Alidemsi vjeter says:

    Presim BLLOKU 2 nga “Doktori” Sali Berisha per kujtimet me familjen KAPO….e keshtu me radhe apo jo..

  7. Emigranti says:

    Isuf Kalo te vij turp per cfare shkruan.
    Ky shkrim verteton qe ti nuk ke qene doktori por sherbetori, i cili pranoi te sherbej kundrejt te mirave qe perfitonte nga ajo pune.
    I gjithe ky shkrim nuk sjell ndonje interes apo kuriozitet per publikun, e vetmja gje qe ke thene e vertetuar me kete shkrim eshte qe ke treguar karakterin tend.
    Nje njeri profesional kur nuk do shkruante keshtu sepse nqs ju flisni duhet te flisni si doktori profesional i Enver Hoxha duke thene gjera te cilat kane lidhje me ushtrimin e detyres tuaj si doktor e jo te futeni ne politike duke na treguar per mizorite e atij sistemi edhe kush i kishte fajet !!!!

    Turp per ty Isuf Kalo por ti je nga ata njerez qe nuk e nje Turpin.

  8. alma tirane says:

    ENVER HOXHA ishte, eshte dhe do te mbetet HERO I SHQIPERISE
    NJERIU QE NUK LIND ME NE KETE TOKE

    BERI SHTETIN, LIGJET, NDERTOI VENDIN, NGRITI ARSIMIN, SHENDETSINE, INDUSTRINE, USHTRINE, POLICINE,

    I MOHON DOT NJERI ??

    LUFTA E KLASAVE ?? POOO, E BERI, ASHTU SIC BEHET SOT EDHE ME E NDYRE.

    LAVDI VEPRES TIJ

    1. mik says:

      alma tirane – Ate duam dhe ne, qe njeri si ai mos te lind me ne kete toke.

  9. lisi says:

    Ky ISUF KALI apo ma mire GOMARI eshte nje JAGO i ndyre,nje lapangjoz e i pa afte si mjek por dhe i ndyre si njeri Ky ja ben si puna e kalit qe kur njerezit pershendesin kaloresin -kali budalla kujton se e pershendesin ate..Do te mbahet mend si skuth e intrigant klasik…………

    1. pap says:

      I ke thene te gjitha! Me mire se mesuesi kush mund ta vleresoje nxenesin? Referojuni profesorit te tij, te nderuarit prof fejzi hoxha, se cfare ka shkruar per kete dr-in.

  10. Arifi says:

    E kujt i hyjn ne pune kto ??? Ti i sherbeve Enverit ke ber jet qe te tjeret as ne ender nuk e shikonin . Tani rri e mos ha mut se tregon veten qe qe ke palaco burr

  11. Pokeristi was says:

    Isuf Krapi!
    Eshte turp i madh eshte pergjegjesi kombetare te mbash ti mor spurdhjak mantelin e justifikimit profesional per te mbuluar,zbutur a justifikuar krimet mizore te ciftit Hoxha.Nuk besoj se do te te lere ndonjehere ndergjegjija rehat.Ti e njeh mire te gjithe ate periudhe makabre dhe jami i sigurt qe pas ketij shkrimi kane filluar fantazmat e mijerave e mijerave viktimave,te te dalin naten zgjuar a po ne gjume
    Turp dhe te mbulofte turpi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje