Votë apo bojkot, kush fiton e kush humb

Nga Altin Ketro

Gjithnjë më kanë habitur thirrjet e liderëve politikë kur bëhet fjalë për të bojkotuar zgjedhjet. Më është dukur një budallallëk me okë që t’i bindem një thirrjeje të tillë. Pavarësisht rrethanave që një lider në opozitë mendon se ndodhet formacioni i tij përballë kundërshtarit në qeveri, nuk mendoj kurrsesi ta pranoj logjikën e bojkotit dhe mos ushtrimit të së drejtës sime kushtetuese për të votuar.

Bojkotin, pra refuzimin për të votuar, do ta pranoja vetëm nëse Shqipëria do të ishte nën pushtimin e një shteti të huaj pasi vota ime, pavarësisht se kundër tij, do të konsiderohej si legjitimim i pushtetit të pushtuesit. Por në rrethanat kur vendi është në liri dhe demokraci, s’ka asnjë kuptim që unë t’ia mohoj vetes këtë të drejtë kushtetuese.        

Një zgjedhës mund të ketë arsye objektive për të mos shkuar tek kutia e votimit, si për shembull: është i shtruar në spital ose ndodhet jashtë shtetit, por jo pse kështu i thotë partia. Vota është fuqi ndryshimi. Edhe një votë e vetme sjell ndryshimin. T’i kërkosh popullit që të bojkotojë zgjedhjet është vetëvrasje politike.

Çdo formacion politik e ka jetike votën e elektoratit. Sa më të interesuar ta bëjë atë për të votuar, aq më shumë sukses korr në zgjedhje. Ta kthesh elektoratin në indiferent ndaj votës, do të thotë që ta çmësosh atë me rregullat bazë të demokracisë, pasojat e të cilës çdo forcë politikë që e bën,  e vuan për vite me radhë.

Për të kuptuar ndryshimin midis votimit dhe bojkotit, po sjell në vëmendje atë që ndodhi në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 në duelin e fortë Rama- Basha për bashkinë e Tiranës. Pasi u numërua kutia e parafundit në Njësinë e famshme nr. 5, sfidanti Basha ishte ende në avantazh ndaj kryebashkiakut Rama. Të gjitha palët ranë dakord me një marrëveshje të pashkruar që kutia e fundit do vuloste gjitha, pra rezultatin.

Në atë kohë Tirana ishte e ndarë në vetëm 11 njësi bashkiake. Pasi u numërua edhe kutia e fundit, rezultoi se Edi Rama doli para me 10 vota. Për një çast të mendojmë sikur nga gjithë elektorati i PS-së që votoi atë ditë, një qytetar, për çdo nga 11 njësitë bashkiake të Tiranës, të neglizhonte për të shkuar tek qendra e votimit për të votuar Edi Ramën. Nëse do të ndodhte bojkoti i atyre të njëmbëdhjetë, Rama do të kishte minus 11 vota në kuti dhe fitues (ligjor) do dilte Lulzim Basha me vetëm një votë më tepër.

Po t’i referohem zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, Partia Demokratike pati rreth 200 mijë vota më pak se sa në vitin 2013. Ky bojkot i elektoratit demokrat u përkthye automatikisht në rritje përqindjeje për palën tjetër, PS-së, e cila kapërceu numrin 70 të mandateve, aq sa për të formuar e vetme qeverinë.

Si të bojkotosh votimin, si ta nxjerrësh me vullnet votën të pavlefshme, praktikisht është e njëjta gjë. Disa thonë se të bojkotosh është qëndrim kundër klasës politike. Po, çfarë fitove ti si qytetar me këtë qëndrim që mbajte? Asgjë. Duke mos votuar apo duke e nxjerrë votën të pavlefshme ti, ose nuk do që të qeverisesh duke menduar se anarkia është më frytdhënëse; ose me mos ushtrimin e të drejtës tënde për të votuar, ti ia ke deleguar të drejtën për të zgjedhur qeverisësin tënd, atij që voton.

Për rastin e parë, do të preferoja më mirë diktaturën sesa anarkinë. Për rastin e dytë, nuk ma lejon ndërgjegjja dhe formimi që unë me mos votimin tim t’i lejoj dikujt tjetër që të zgjedhë dikë që për mua do të jetë qeverisësi i shtetit apo i qytetit.

Më 30 qershor Lulzim Basha zgjodhi rrugën më të gabuar duke mos hyrë në zgjedhje. Duke mos pasur stof lideri për të udhëhequr në beteja politike një parti të madhe si PD-ja, ai gjykoi keq duke zgjedhur rrugën e bojkotit përpara asaj të ballafaqimit me kundërshtarin tek kutia e votimit.

Duke mos marrë pjesë në zgjedhje, ai i detyroi përdhunshëm demokratët e Shkodrës që me bojkotin e tyre t’ua delegojnë socialistëve të drejtën për të zgjedhur të parin e qytetit. Praktikisht, logjikisht dhe ligjërisht, ata me këtë veprim ishin dakord që atë që do të zgjidhte pala tjetër, do të ishte edhe i zgjedhuri i tyre. Po kështu vepruan demokratët lezhjanë, kuksianë, tropojanë, kamzali, etj., etj., ku demokratët qeverisnin me vite dhe i kishin bastione të sigurta.

Lulzim Basha u tregua i kompleksuar nga zgjedhjet e vitit 2017. Ai e mori personale duke kujtuar se më 30 qershor nuk do votohej për zgjedhje vendore, por për konfirmimit e njërit apo tjetrit lider të mazhorancës a opozitës. Ai i paragjykoi të zgjedhurit e deritanishëm dhe ata që do të ishin sfidantë në bashkitë e tjera, duke paragjykuar njëkohësisht edhe elektoratin e vetë sikur ai do sillej ndaj kandidatëve të PD-së për kryetar bashkie, njësoj sikur të kishte përballë kandidatin dështak Lulzim Basha.

Tani e kanë kuptuar gafën politike dhe gabimin historik që kanë bërë. Ia kuptoj dëshpërimin dhe ankthin që përjetojnë duke ëndërruar që koha të rikthehet pas. Prandaj tashmë janë të dëshiruar për 13 tetorin, sepse 30 qershori u dha leksionin e madh: Vota e mund gjithherë bojkotin.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Votë apo bojkot, kush fiton e kush humb”

  1. Amy says:

    te lumte Ketro, Analize me se e sakte.

  2. ari says:

    Sipas KQZ
    Ne votimet e 30 qershorit 6% e votave ne Tirane ishin te pavlefshme.
    Per 1 idiot ose per ndonje legen kjo nuk ka ndonje domethnie.
    Ndersa po te shohesh zgjedhjet e meparshme kjo % nuk I kalon kurre 0.2- 0.3 %.
    E kupton se ketu ka nje makineri banditesh qe deformojne voten e shqiptareve vetem ne Tirane nepermjet presionit shantazhit dhe blerjes se votes vetem ne Tirane te pakten 5.5%. Po ne Durres, po ne Elbasan po ne zonat rurale te shqiperise sa shkon kjo %????????
    Po ti shtosh ketij fakti matematik edhe pergjimet zyrtare te prokurorise se shqiperise te miratuara me vendim gjykate ku del se gjithe kupola e rilindjes sillet si nje bande e mirfillte me zgjedhjet, te pakten ne 2 qarqe te shqiperise e kupton se shqiperia eshte 1 shtet I pushtuar nga bandat.
    Te pranosh te besh zgjedhje me bandat qe jane 1 me policine e shtetit ose duhet te jesh idiot ose duhet te jesh legen qe paguhesh nga bandat.
    Dhe te tille ne shqiperi gjen plot.
    PS: me ka bere pershtypje ndryshimi I bute I Eni Vasilit ne raport me rilindjen, por kur u mor vesh nga Lefter Maliqi qe edhe ajo ishte punesuar nga rilindja qe te merte 1 cope nga torta e pushtetit I ve kapak cdo hamendesimi se ata qe marin guximin te mbrojne rilindjen ose jane idiote dhe nuk kane faj, ose jane legene dhe te paguar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *