DOSSIER/ Imazhet e rralla të plazheve, kampeve të pushimit e hoteleve në vitet ’60-’70, projekti i 1984: Ja sa shqiptarë kishin të drejtë të pushonin

15 Korrik 2019, 12:28Dossier TEMA

Nga Kreshnik Kuçaj 

Turizmi vlerësohet sot si një prej potencialeve kryesore që mund të udhëheqin rritjen ekonomike të vendit.

Por nuk ka qenë kështu gjithnjë. Pavarësisht potencialit të madh që vendi paraqet falë kushteve natyrore apo nismave më shumë se 1 shekullore për të ndërtuar një industri të tillë, sërish zhvillimi mbetet nën potencialin e mundshëm.

Videoja bashkëlidhur tregon se si ishin plazhet, kampet e pushimit dhe hotelet në vitet ’60 dhe ’70. Filmimet i përkasin arkivës britanike “British Pathe”

Turizmi gjatë komunizmit

Më ardhjen në pushtet të regjimit komunist në mesin e viteve ‘40, situata e turizmit ndryshon.

Iniciativat e para private për zonat turistike shtetëzohen. Zona rrethohet nga tela me gjemba dhe për të pushuar aty nevojitej autorizim.

Për udhëheqjen e lartë ndërtohen shtëpi pushimi të veçanta ndërsa për familjarët ndërtohen kampe pushimi. Jo të gjithë punëtorët apo familjarët arrinin të siguronin një fletë kampi.

Për familjet shqiptare, pushimet ishin sa argëtuese, aq edhe të mundimshme pasi për 15 ditë pushime, familja duhej të merrte gjithçka me vete.

Jo të gjithë e kishin mundësinë për të shkuar me pushime. Ministria e Ekonomisë Komunale dhe komitetet ekzekutive të këshillave popullore të rretheve që kishin plazhe nëpërmjet ndërmarrjeve komunale drejtonin dhe organizonin punën dhe administronin plazhet.

Kjo ministri bënte planifikimin dhe shpërndarjen e kabinave e të dhomave për plazhet kombëtare si dhe miratonte kriteret e shpërndarjes së kabinave e të dhomave për plazhet lokale.

Planifikimi dhe shpërndarja e kabinave dhe e dhomave për plazhet lokale bëhej nga seksionet komunale të komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve duke mbajtur parasysh edhe kërkesat e ushtrisë dhe të organeve të punëve të brendshme.

Çdo lloj ndërtimi në plazhe bëhej me lejen e ministrisë së Ekonomisë Komunale, në bazë të propozimit të komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit.

Ngritja e çadrave, kasolleve dhe e kabinave vetjake në  territorin e plazheve nga punonjës të ndryshëm nuk lejohej.

Gjatë periudhës së regjimit komunist, turizmi nuk u konsiderua thuajse asnjëherë si degë kryesore e ekonomisë.

Parimi i ndjekur ishte ai që “shërbimet kanë influencë në shpërndarjen e mirëqënies por nuk kanë ndikim në konfigurimin e prodhimit të brendshëm bruto”.

Gjatë periudhës së regjimit komunist nuk synohej zhvillimi i industrisë e as rritja e të ardhurave në valutë të huaj dhe qëllimet ishin të ndryshme, në varësi të marrëdhënieve ndërkombëtare që kishte vendi e në varësi të rrethanave të brendshme.

Një prej qëllimeve të turizmit ishte ai ideologjik e në funksion të këtij qëllimi u ngrit edhe infrastruktura e turizmit në vend.

Projekti i vitit 1984 dhe kategorizimi i plazheve të Shqipërisë

Përgjatë viteve, për zhvillimin e turizmit u miratuan një serë ligjesh e vendimesh me qëllim përmirësimin e cilësisë. Në vitin 1984, do të hartohej një projekt i posaçëm për zhvillimin e bregdetit shqiptar. Ky projekt në fakt behej në një kohë kur Shqipëria kishte nevojë të madhe për valutë të huaj e në kushtet ku po vuante pasojat e një krize të thellë ekonomike.

Vendimi i 31 gushtit të vitit 1984 parashikonte se kapaciteti i përgjithshëm vjetor i plazheve për 5 vjeçarin e 8-të 1986-1990 do të plotësonte nevojat për pushim 15 ditor (në 6 turne) në masën mbi 5 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit.

Me një përllogaritje të thjeshtë kapaciteti i plazheve shqiptare ishte për të plotësuar nevojat e pushimit për 150 mijë persona. I njëjti vendim parashikonte se në planet rregulluese deri në vitin 2000, plotësimi i nevojave për pushim do të rritej në masën 10 %, pra për rreth 300 mijë pushues.

Vendimi përcaktonte gjithashtu zhvillimin e 13 plazheve ekzistuese: Shirokë e Velipojë në rrethin e Shkodrës, Shëngjin në rrethin e Lezhës, Currila, Durrës dhe Golem në rrethin e Durrësit, Divjakë në rrethin e Lushnjes, Plazhi i Skelës, Uji i Ftohtë dhe Dhërmi në rrethin e Vlorës, Borsh dhe Sarandë në rrethin e Sarandës dhe Pogradeci.

Vendimi i vitit 1984 parashikonte se plazhi i Semanit në rrethin e Fierit nuk do të zhvillohej më tej pasi konsiderohej si i papërshtatshëm nga ana gjeomorfologjike pasi gërryhej nga deti. E për ta zëvëndësuar atë parashikohej të ndërtohej plazhi i ri i Hoxharës.

Plazhet e vendit në këtë periudhë klasifikoheshin në plazhe lokale, plazhe rajonale, plazhe kombëtare dhe plazhe ndërkombëtare.

Plazhe lokale konsideroheshin plazhi i Shirokës në Shkodër, i Currillave në Durrës dhe i Semanit në Fier.

Plazhe rajonale cilësoheshin plazhi i Hoxharës në Fier, plazhi i Borshit në Sarandë dhe plazhi i Patokut në rrethin e Krujës.

Plazhe kombëtare cilësoheshin plazhi i Velipojës në Shkodër, i Shëngjinit në Lezhë, i Durrësit, plazhi i Golemit, plazhi i Divjakës, i Skelës, Ujit të Ftohtë, Dhërmiut, Sarandës dhe Pogradecit.

Ndërsa plazhe ndërkombëtare, pra destinuar për të huajt, ishin plazhi i Durrësit ku ishin ndërtuar edhe resortet përkatëse, plazhi i Golemit ku kishte një zonë  të veçantë nga plazhi ekzistues, plazhi i Sarandës, plazhi i Pogradecit.

Vendimi për zhvillimin perspektiv të plazheve parashikonte gjithashtu edhe kritere për ndërtimet që duheshin bërë në bregdet.

Ndërtimet e pushimit familjar në plazhe duke përfshirë dhe ato ekzistueset, sipas vendimit, duhej të ishin banesa të tipit hotel dhe banesa të tipit apartament.

Për të kursyer tokën, plani zhvillimor parashikonte se ndërtimet duhet të jenë 5-6 katëshe kurse hotelet më të larta se kaq.

Ky plan duket se nuk gjeti zbatim, edhe për vetë faktin se në Shqipëri ndryshoi sistemi politik dhe ekonomik.

Rënia e komunizmit u shoqërua me ndryshime të forta politike, ekonomike dhe sociale. Në këtë mënyrë, në listën e projekteve të skicuara në letër, edhe ai për zhvillimin perspektiv të plazheve nuk do të gjente zbatim.

Pas viteve ‘90 zhvillimi i plazheve u bë në mënyrë të pakontrolluar, duke sjellë edhe dëmtime të pariparueshme të zonave të ndryshme të vendit.

Ndërtimet pa leje e pa kritere si dhe problematikat e pronësisë kanë bërë që bregdeti i Shqipërisë të mos ketë një zhvillim të integruar e të operojë nën potencialin e tij.(scan)

1 komente në “DOSSIER/ Imazhet e rralla të plazheve, kampeve të pushimit e hoteleve në vitet ’60-’70, projekti i 1984: Ja sa shqiptarë kishin të drejtë të pushonin”

  1. MH says:

    Nuk tregoheni korrekt me rrealitetin.
    Po ceku vetem nji rren te madhe demokratike qe e keni shkrue ma siper.Qe rregjimit komunist nuk i interresohej zhvillimi i industrise.O ka zhvillue industrin ai rregjim o nuk ka as ka per ta pasur ndonjihere rritje aq te pershpejtume te industrise si ne ate periudhe.
    Mbreti Zog kurvet kishte dallape e mullinje kafe dhe vargoj lidhur siper oxhakut per te vendos vorben per te zier grosh vicidolit.Kishte industrin e tranzitit te saracpunuesve prodhime per shpinden kurrizin e gomrve dhe gjithe njithundrakve. Dhe te opingarve.
    Ky rregjimi sot po merre oksigjen nga hidrocentralet e ati rregjimit.Njikohesisht po ky i sotmi ka shkallmue gjithe industrin e rende dhe te lehte e ushqimore te rregjimit monist.Ku teknologjie organike e perpunimit ushqimore as nuk ka te krahasueme me te gjithe teknologjin e botes si per ate kohe dhe ma shume me kohen sot.Si nga cilesia shija dhe vlerat ushqyese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje