Jari bën axhendën e Lulit për muajt e verës

15 Korrik 2019, 21:05Antena TEMA

Pas hezitimeve që ka ngjallur pas 30 qershorit dhe vendimit të Lulit për të bërë sikur vazhdon betejën, Jari vendosi t’i dalë në krah, për t’i dhënë shpresë popullit opozitar.

I sigurtë që kontributi i tij do të vlerësohet në një kohë tjetër, Jari vendosi t’u bëj thirrje demokratëve:

“Të nderuar demokratë,

Jari ju sqaron!

Edhe pse janë ditë pushimesh, ne duhet të mbështesim fort kalendarin e protestave të Lulit në këtë verë.

Bëhet fjalë për protestat tona që do përqëndrohen në 27 Bashkitë e opozitës.

Këtë javë do të përfundojë takimi i parë i Lulit me gjithë këto bashki.

Në takime do t’u jepet siguri drejtuesve të Bashkive se ata nuk do të largohen nga zyrat, se nuk i njohim zgjedhjet dhe se do vijë një gjerman me një amerikan që ta zgjidhin këtë punë.

Pasi të përfundojnë këto 27 Bashki, që besoj duhen dy javë, do fillojmë raundin e dytë të takimeve.

Në këto takime do bëhet thirrje për armatosje me molotov dhe kapsolla, për të mos lëshuar bashkitë.

Do bëhen betime që ne nuk do dorëzohemi kurrë, se zgjedhjet do bëhen më 13 tetor dhe se askush nuk mund t’i nxjerrë ata nga zyra.

Pastaj para 15 gushtit, kur bashkiakët e rinj do shkojnë në zyra, do bëjmë një tur tjetër.

Aty Luli do rekomandojë që burrat që janë në punë, të largohen brenda javës dhe të zëvendësohen me grate, ose vajzat e tyre.

Kështu, dhe nëse dështon rezistenca për të mbrojtur Bashkitë, të paktën gratë nuk i heq Edi Rama nga puna.

Pas 15 gushtit, nëse Edi Rama guxon dhe i merr dhe ato 27 Bashki, atëhere ne nuk do t’i njohim dhe do fillojmë fushatën elektorale për 13 tetorin.

Aty ka për ta parë Edi Rama.

Ju bëj thirrje të mos demoralizohemi, por të vazhdojmë përpara.

Mos u dekurajoni nga tradhtarët.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje