Mozarti tjetër, historia e panjohur e motrës së "sakrifikuar" të kompozitorit të njohur

21 Korrik 2019, 22:00Kulturë TEMA

Maria Anna Mozart, motra e madhe e Volfgang Amadeus Mozartit, do të kishte qenë një emër tjetër i madh i muzikës, nëse nuk do të ishte për pengesat që koha i vinte një gruaje në karrierë.

Edhe pse e talentuar, Maria u detyrua ta linte muzikën, që të mësonte të gatuante dhe të martohej.

Në rininë e hershme, vëlla e motër luanin së bashku nëpër Europë dhe shpesh ishte “Nannerl” (pseudonimi i Maria Annas) ajo që merrte vëmendjen më të madhe të kritikëve.

Por më pas, familja vendosi ta sakrifikojë talentin e saj për të përqëndruar gjithçka te djali, Volfgang.

Paratë nuk ishin të mjaftueshme për të financuar turnetetë evropiane të të dyve, dhe për këtë aryse, në moshën 18-vjeçare karriera e Maria Anna-s u ndërpre.

Fati i saj ishte një tjetër: të martohej me një baron të pasur, të bëhej një grua e mirë dhe një nënë e mirë.

Historinë e motrës së harruar të Volfgang Amadeus Mozartit, gati dy shekuj pas kohës kur jetoi, e risjell vepra teatrale e shkruar nga Sylvia Milo “Mozarti tjetër”.

Duke përdorur dokumente dhe letra që i përkisnin familjes Mozart, Milo ka vendosur t’i japë zë Nannerlit, gruas dhe artistes, muzikantes që ishte dhe asaj që mund të bëhej.

Letrat e cituara nga Milo flasin për vetë. Kështu shkruante babai i saj, Leopold: “Në moshën 12-vjeçare, vajza ime e vogël është ndër pianistët më të mirë në Evropë”.

Volfgang vetë ishte i qartë në lidhje me talentin e motrës së tij: “Unë jam i habitur, unë nuk e dija se ishe në gjendje të kompozoje kaq bukur. Të lutem, bëj më shpesh gjëra si këto”.

Për fat të keq, gjërat shkuan ndryshe – dhe fundi ishte i parashikueshëm. Në atë kohë, në të vërtetë, vetëm familjet shumë të pasura mund të kishin mundësi të investonin te një pianist.

Megjithatë – shpjegon Milo, në një intervistë me “Huffington Post” – përgjigja e kritikëve të kohës është e qartë: “Nannerl madje dukej më mirë se Volfgang.

Shpesh, duke e parë historinë nga pikëpamja e grave, kuptojmë që nuk kemi një fotografi të plotë të saj”.(TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje