A mundet vonesa e zgjerimit drejt Ballkanit të dëmtojë BE-në?

Ëndrra për anëtarësimin në BE mund të venitet për Shqipërinë pasi vende si Franca dhe Holanda janë indiferente për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, pavarësisht thirrjes së Komisionit Europian për fillimin e procesit të pranimit, shkruan Cristina Abellan Matamoros e rrjetit të njohur informativ paneuropian, Euronews.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh i zhgënjyer për situatën duke i thënë Euronews javën e kaluar se “duhet të marrim parasysh faktin që gjithmonë e më shpesh procesi vendimtar i Këshillit nuk bazohet mbi ato që bëjmë, për ato që bëjnë vende si tonat, por mbi situatën e brendshme ose dinamikën e brendshme politike të shteteve të ndryshme anëtare”.

Si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur problem çështjen e  sundimit të ligjit që ka ngadalësuar rrugën e tyre drejt anëtarësimit.

Në korrik, komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se Maqedonia e Veriut duhej të reformonte gjyqësorin e saj për të siguruar që të mund të trajtonte çështjet e nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit, përpara se BE të mund të caktonte një datë për të filluar bisedimet e pranimit.

Bisedimet e pranimit për të dy vendet pritet të mbahen në tetor

Pse Franca dhe Holanda bllokojnë bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Politologu luksemburgas, Florian Bieber thotë se në rastin e Francës, ekziston një skepticizëm i përgjithshëm midis elitave për zgjerimin.

“Unë mendoj se ka një ndjenjë midis elitave që zgjerimi i mëparshëm ishte një gabim dhe se ai minon levën franceze në BE”, thotë ai.

“Në këtë kuptim, ekziston një skepticizëm i përgjithshëm drejt zgjerimit”, shton Bieber.

Sa për Holandën, ai beson se ka më shumë shqetësim për të lejuar vende me probleme të sundimit të ligjit, pas faktit që disa shtete anëtare si Hungaria dhe Polonia nuk rezultuan me arritje për çështje të tilla.

Bieber shton se stereotipet që i lidhin shqiptarët me krimin e organizuar nuk e ndihmojnë kauzën e tyre.

Në fund të fundit, “shumë prej tyre kanë të bëjnë me politikën e brendshme [të këtyre vendeve] dhe jo aq shumë me situatën në terren,” tha Bieber.

A e bën ky ngurrim një tallje politikën e zgjerimit të BE-së?

Bieber thotë se refuzimi ndaj lejimit të anëtarëve të rinj mund të “minojnë besueshmërinë e BE-së”.

“Vëzhguesit në rajon e shohin politikën e Francës dhe Holandës si jo të drejtë dhe të motivuar nga politika e brendshme dhe stereotipet”, thotë Bieber.

“Kjo minon BE-në si një lojtar të besueshëm… veçanërisht pasi komisioni ka dhënë dritën e gjelbër për negociatat”, shton ai.

Bieber theksoi se ky lloj qëndrimi ka të ngjarë të dërgojë një sinjal negativ për qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që mund të mendojnë se nuk ia vlen të bëhen kompromise të vështira nëse nuk pranohen në bllok.

“Sidomos për Maqedoninë e Veriut që ka punuar kaq shumë për të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin”, thotë politologu.

Ky qëndrim po dërgon gjithashtu një mesazh për Serbinë dhe Kosovën që kanë çështjen më të madhe të hapur në rajon, thekson Bieber duke shtuar se “pse secili vend duhet të bëjë një marrëveshje të vështirë kur BE nuk është në gjendje të japë asgjë në këmbim?”

A mund të ndryshojnë këto mendime?

‘’Franca është çështja më e madhe’’, vuri në dukje Bieber.

“Ajo mund të jetë e gatshme të pranojë Maqedoninë e Veriut, por unë mendoj se kjo gjë do të thotë që Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara, të paktën për momentin”, thotë ai.

“Mosmarrëveshjet dhe konfrontimet e brendshme të Shqipërisë midis partisë në pushtet dhe opozitës minojnë aftësinë e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit”, thotë Bieber.

Për Bieber, mënyra më e mirë që këto vende ta bindin Francën se kanë ndryshuar është të përpiqen shumë për çështjen e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit me shpresën për të bindur qeverinë franceze për ndryshimet ose për të krijuar një levë në BE, në mënyrë që vendet e tjera anëtare t’i bëjnë presion Francës”.

Sa kohë mund të zgjasë kjo?

“Shqiptarët janë ndoshta më proeuropianët në Ballkanin Perëndimor,” tha Bieber.

“Nuk ka asnjë parti politike që ka refuzuar zgjerimin e BE-së, kështu që në atë kuptim nuk ka një plan B në Shqipëri. Por, sigurisht, sa më shumë që duhet të presësh dhe aq më gjatë ekziston një ndjenjë që kjo është e padrejtë dhe kjo do të minojë BE-në në Ballkanin Perëndimor, në Serbi dhe në vendet që janë më pak të përkushtuara në procesin e pranimit në BE”.

Bieber shtoi se kjo mungesë angazhimi mund të shtronte pikëpyetje lidhur me aftësinë e BE-së për të bërë diçka.

“Kjo ka të bëjë me besueshmërisë së BE-së”, thotë ai.

Politologu është i shqetësuar edhe për faktin se kush do të jetë komisioneri i ardhshëm për zgjerimin.

“Që BE të jetë efektive, kërkohet një komisioner zgjerimi që ka aftësinë të vërë politikën në rendin e ditës dhe të jetë një aktor i besueshëm’’, thotë ai.

Pasiguria për komisionerin e ardhshëm të zgjerimit ka ngritur frikën se politika e zgjerimit do të minimizohet më tej në axhendën e BE-së.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *