Ngarendja pas arit

Nga Kujtim Dobruna

Varshmëria nga diaspora

Kjo varshmëri është evidente, relevante dhe e matshme. Kontributi i diasporës në Kosovë nuk kufizohet – siç perceptohet gjithandej – vetëm në dërgesat e rregullta të parave, që sillen në rreth 800 milionë euro në vit. Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora kosovare shpenzon edhe rreth 1.2 miliardë euro në vit për të kaluar pushimet në atdhe. Kjo shumë, që në statistikat makroekonomike figuron si vlerë e eksportit të shërbimeve, përmirëson ndjeshëm bilancin negativ të tregtisë së jashtme. Edhe në eksportin e shërbimeve tjera, siç janë shërbimet e kompanive të teknologjisë informative dhe në eksportin e mallrave (ky i fundit me vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit), ndërmarrjet e financuara me kapital të diasporës luajnë një rol kyç.

Pjesëmarrja e diasporës në Investimet e Huaja Direkte në Kosovë, që aktualisht sillen në një mesatare prej 300 milionë euro në vit, është po ashtu sinjifikative. Pjesa dërmuese e këtyre investimeve edhe më tutje mbetet e dedikuar për blerjen e patundshmërive. Edhe pse kjo formë e investimeve nuk është mjaft produktive dhe e qëndrueshme në aspektin zhvillimor, kontributi thelbësor këtu është se përmes tyre mbahet në jetë një industri e tërë e ndërtimit, në të cilën janë të punësuar me mijëra qytetarë të Kosovës e për të cilën me qindra kompani tjera të vogla, të mesme e të mëdha shesin produkte dhe kryejnë shërbime të ndryshme profesionale.

Gjithë ky kontribut financiar i diasporës, që përbën më shumë se një të tretën e Produktit të Brendshëm Bruto, është jetik për punësim, konsum, shkollim, rritjen e të ardhurave të disponueshme, të standardit jetësor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe atij të pagesave dhe rritjen ekonomike përmes investimeve dhe eksportit. Pra, ndryshimi fillestar i kërkesës së agreguar në treg, që në ekonomi njihet si efekti i multiplikatorit, e që në rastin në fjalë shkaktohet nga diaspora, ka një ndikim shumë më të madh përfundimtar në nivelin e të ardhurave kombëtare. Pa këtë kontribut financiar, Kosova vështirë se do të mund të përmbushte nevojat e saj elementare ekonomike.

Ndërrimi i gjeneratave

Diaspora dje ishte shtyllë e rezistencës paqësore dhe e asaj të armatosur si dhe e rindërtimit e rigjallërimit të burimeve të zhvillimit. Sot, ajo me shembujt e saj të suksesit në muzikë e sport dhe jo vetëm, i kontribuon një frymëzimi të ri zhvillimor dhe rivendosjes së një kompasi moral drejt vlerave e kulturës perëndimore. Gjenerata e sotme është ende e lidhur fort me atdheun. Për t’u shërbyer me fjalët e shkrimtarit të mirënjohur çek, Milan Kundera, ajo ende e ndien se po ecën «në një hapësirë boshe përmbi tokë pa atë rrjetë mbrojtëse që ia ndeh çdo qenieje njerëzore vendi i tij i vërtetë, ku ka familjen, kolegët, miqtë, ku e kuptojnë pa mund në gjuhën që e flet qysh fëmijë. »

Por, gjenerata e së nesërmes nuk do të lëvizë më nëpër këtë «hapësirë boshe». Ajo ka lëshuar rrënjë në vendet ku jeton, aty ka familjen, miqtë, kolegët dhe aty e kuptojnë në gjuhën që flet qysh fëmijë. Ajo nuk do ta ketë doemos lidhjen e fortë emocionale me vendlindjen e prindërve të vet. Ajo sot ka përballë në njërën anë sfidat e botës së zhvilluar, ku hyjnë edhe përzgjedhja e shkollimit dhe profesionit të duhur, lidhja me botën për të qenë pjesë e vlefshme e zinxhirëve të vlerës në rrafshin global dhe sigurimi i të ardhmes në një periudhë tejet volatile, ku revolucionit digjital ka bërë që konstantja e vetme të jetë ndryshimi.

Rreziku i shkombëtarizimit

Në anën tjetër, një pjesë e gjeneratës së re të diasporës edhe pse jo e madhe në numër, i është nënshtruar pa dashjen e saj një procesi dogmatik e shkombëtarizues të udhëhequr nga shoqata fetare me prapavijë mjaft të dyshimtë. Zbehja e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, që në kohën e rezistencës paqësore ishte shtyllë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe bazohej kryekëput në punë vullnetare të mësuesve në diasporë, i ka dhënë hapësirë elementeve destruktive për të keqpërdoruar me asetin kryesor të diasporës, pjesën më vitale të shoqërisë shqiptare.

Fakti që taksapaguesit shqiptarë në Ballkan dhe ata të diasporës paguajnë rrogat e tre ministrave të arsimit, dy ministrave të diasporës dhe dy të punëve të jashtme, që të gjithë shqiptarë, nuk i ka ndihmuar ndaljes së këtyre proceseve të dëmshme. Kur merret për bazë puna e institucioneve në vendet e origjinës, shpeshherë me të drejtë krijohet përshtypja se dashuria e diasporës për atdheun mbetet një rrugë njëkahëshe.

Rritje e hendekut apo përfshirje?

Efekti afatgjatë i kësaj papërgjegjësie institucionale do të jetë krijimi i një hendeku në rritje në mes të diasporës dhe vendeve të origjinës. Efektet ekonomike do të jenë të rënda për tu përballuar – në veçanti në Kosovë – sepse aty ende nuk janë krijuar mekanizma për ta bazuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik në burime të qëndrueshme, të ndryshme prej atyre të diasporës dhe të ndihmës zhvillimore nga jashtë.

Ende ekziston një hapësirë, megjithatë, që të mobilizohen potencialet e mirëfillta të diasporës. Por, për këtë duhen koncepte të reja. Shpeshherë, dëgjojmë aparatçikë të nomenklaturës politike të reduktojnë konceptet zhvillimore në «kanalizimin e dërgesave të diasporës». Një gjë e tillë, jo vetëm që është e pamundur të realizohet, por trumbetimi i saj shpërfaq edhe injorancën institucionale për konceptet e mirëfillta zhvillimore.

Dërgesat e diasporës janë diçka shumë personale. Ato kanë për qëllim mbajtjen në jetë të anëtarëve më të ngushtë të familjes dhe përmbushjen e nevojave bazike ekzistenciale të tyre. Shteti nuk mund t’i fusë duart edhe më thellë nëpër xhepat e diasporës për «kanalizime» të tilla. Investimet janë diçka krejt tjetër. Jo secili pjesëtar i diasporës është afarist e investitor. Por, nëse me të vërtetë ekziston dëshira për t‘i stimuluar afaristët e diasporës për të investuar, për këtë nevojitet krijim i mekanizmave të mirëfilltë mbështetës e transparent investues, zhbërje e asimetrisë së informatave, ofrim i shërbimeve këshillimore profesionale dhe trajtim i barabartë ligjor për secilin.

Diaspora nuk ka nevojë për diskriminim pozitiv, por për trajtim të barabartë ligjor. Ligjet, që në Kosovë janë bukur të favorshme për të bërë biznes, duhet të zbatohen njëjtë për të gjithë dhe nga të gjithë. Këtu në radhë të parë vjen lehtësimi i konkurrencës së lirë, krijimi dhe respektimi i kushteve të barabarta për veprim dhe zhbërja e karteleve dhe monopoleve. E gjithë kjo do të mundësojë rritje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse ekonomike, të mbështetur tek frytet e iniciativës së lirë, lirisë ekonomike, inovacionit, hulumtimit e zhvillimit, në të cilat diaspora mund të marrë pjesë dhe kontribuojë fuqishëm me kapitalin dhe përvojën e saj.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *