SHBA, të shqetësuara për lëvizje trupash kineze pranë Hong Kongut

Shtetet e Bashkuara thonë se janë “thellësisht të shqetësuara” nga njoftimet për lëvizje trupash paraushtarake kineze përgjatë kufirit me Hong Kongun, territorin kinez që po përjeton 10 javë demonstrime pro-demokracisë.

“Ne inkurajojmë Kinën dhe të gjitha palët në Hong Kong që të kërkojnë një zgjidhje e cila respekton lirinë e hongkongasve dhe shkallën e lartë të autonomisë së Hong Kongut, siç përcaktohet në Deklaratën e Përbashkët Kino-Britanike,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. “Është e rëndësishme që Qeveria e Hong Kongut të respektojë liritë e fjalës dhe të tubimit paqësor, siç përcaktohet në Deklaratën e Përbashkët.”

Ndërsa protestat janë shkallëzuar ditët e fundit, mediat shtetërore të Kinës kanë treguar video të forcave të sigurisë që grumbullohen përtej kufirit, në Kinën kontinentale.

Policia kineze është akuzuar gjithashtu për depërtim në protesta në përpjekje për të krijuar probleme.

“Unë nuk shoh ndonjë arsye që autoritetet të dërgojnë policinë kineze ose policë të fshehtë të vijnë në aeroport për t’u përzier me demonstrimet,” i tha Zërit të Amerikës një protestues i cili ishte në një demonstratë të fundit në aeroportin e Hong Kongut.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën në Twitter, “Zbulimi ynë na ka informuar se Qeveria kineze po lëviz trupat në Kufi me Hong Kongun. Të gjithë duhet të jenë të qetë dhe të sigurt!”

Në komentet për gazetarët të martën, zoti Trump, i cili javën e kaluar mori një qëndrim distancues nga protestat, tha se situata e Hong Kongut “është shumë e vështirë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por jam i sigurt se do të zgjidhet.” Ai shprehu shpresën se askush nuk do të lëndohet si dhe shpresën “për liri”.

Në rrugët e Hong Kongut ka pasur përleshje të ashpra midis demonstruesve dhe policisë. Të martën vonë, në aeroportin ndërkombëtar shpërtheu dhuna, ndërsa policia u përlesh me demonstruesit pro-demokracisë që kishin marrë në kontroll aeroportin për dy ditë me radhë.

“Ne e dënojmë dhunën dhe i bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, por mbetemi të vendosur në mbështetjen tonë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit paqësor në Hong Kong”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Banorët e Hong Kongut kanë protestuar kundër gërryerjes që sipas tyre po pësojnë liritë e tyre nën kontrollin kinez të territorit si dhe kundër mungesës së autonomisë. Protestat përbëjnë sfidën më të madhe për sundimin kinez të territorit gjysmë-autonom që nga dorëzimi i tij Britanisë në vitin 1997.

KINA: LËVIZJA, NGJAN ME TERRORIZËM

Të mërkurën autoritetet në Kinë thanë se protesta e Hong Kongut është shndërruar në një lëvizje “që ngjan me terrorizmin”, pas një nate përleshjesh të dhunshme në aeroportin e qytetit. Zyra për çështjet e Hong Kongut dhe Makaos në Pekin tha se akte të tilla duhet të ndëshkohen rëndë.

Pas dy ditë trazirash fluturimet në aeroport rifilluan. Demonstratat përfunduan të martën vonë pasi policia përdori shkopinj dhe spërkati me piper protestuesit, të cilët përdorën karrocat e bagazheve si barrikada për të penguar udhëtarët të hynin në terminale. Disa udhëtarë të zemëruar u përfshinë në debate me protestuesit ndërsa demonstrata po përshkallëzohej.

Situata u rëndua kur një grup protestuesish rrahën dy burra për të cilët dyshohej se ishin agjentë sekretë kinezë. Një prej tyre u identifikua më vonë nga gazeta e kontrolluar nga shteti kinez “Global Times” si një gazetar që punonte për tabloidin.

Gjatë trazirave të së martës pesë vetë u arrestuan në aeroport.

Protestat e dy ditëve të fundit janë pjesë e 10 javëve demonstratash të banorëve të Hong Kongut kundër asaj që ata e cilësojnë si përkeqësim i lirisë dhe mungesë e autonomisë për shkak të kontrollit kinez të territorit.

Protestat filluan si një përpjekje për të penguar miratimin e një projektligji që do të mundësonte ekstradimet në Kinë për procese gjyqësore. Demonstruesit tashmë kërkojnë t’u garantohet e drejta për të votuar drejtpërdrejt për udhëheqësin e tyre të ardhshëm falë një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm si dhe një hetim të pavarur rreth dyshimeve për akteve brutale ushtruar nga policia ndaj protestuesve.

Dhjetë javë përleshje gjithnjë e më të dhunshme mes policisë dhe protestuesve e kanë zhytur qytetin në krizën e tij më të rëndë që nga koha kur Britania ua dorëzoi kinezëve territorin në vitin 1997.(VOA)

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *