Jari merr një letër revolte nga Hakiu i picave për medaljen e Skënderbeut

21 Gusht 2019, 21:12Antena TEMA

Siç dihet, Jari ka pas thyer rekordin për dhënien e medaljeve të nivelit të lartë në Shqipëri.

Kulmi arriti kur Hakiu i picave mori medaljen “Urdhëri i Skënderbeut” të Klasit të Parë.

Përkundër zhurmës, Jari e justifikoi medaljen se Hakiu, përveç picave, bën dhe punë patriotike.

Sot Jari mori një letër shumë të revoltuar nga Hakiu:

“I nderuar Jari!

Unë vazhdoj të të mbetem mirënjohës ty, që më dhe “Urdhërin e Skënderbeut” jo si prodhues picash, por si patriot shqiptar në emigracion.

Por sot shikoj që të njëjtën medalje me mua, ka marrë dhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë.

Unë nuk e njoh zonjën dhe mbase ajo është patriote e madhe shqiptare sa unë, dhe mund të ketë bërë ndonjë vepër të madhe për atdheun tonë, por kjo gjë duhet të faktohet.

Detyra e saj është të bindë qeverinë greke që të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, dhe unë sot lexova se qeveria greke do na bllokojë integrimin.

Tani ky Ilir Meta përse e dekoron këtë, që na bllokon integrimin, apo dhe ai mendon se Skënderbeu meqë quhej dhe princ i Epirit, i takon që dekoratën e tij ta marrë dhe ambasadorja greke?

I nderuar Jari,

Dua të ulesh seriozisht me presidentin aktual dhe ta sqarosh këtë punë.

Unë dhe ambasadorja greke është e sigurtë që nuk kemi të njëjtin kontribut patriotik për Shqipërinë.

Ndryshe do ta kthej medaljen.”

Jari i shqetësuar nga revoltimi i Hakiut, i ktheu përgjigje:

“I dashur Haki! Mos u shqetëso.

Presidenti Meta po synon të forcojë aleancën opozitare dhe dekorimi i çdokujt që është kundër integrimit të Shqipërisë, është një sfidë e vërtetë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Medalje ka plot, nuk mbarohen.

Kjo medalje mund t’i prishë ambasadores më shumë punë në Greqi se në Shqipëri, se atje mund ta akuzojnë si bashkëpunëtore të Shqipërisë.

Ndaj nuk ka vend për shqetësim.

I yti, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje