Kur Nënë Tereza u takua dhe i jepte autograf poetit të sapo dalë nga burgjet e regjimit komunist…(foto e rrallë)

5 Shtator 2019, 21:50Kulturë TEMA

Sot më 3 shtator 2019 në të gjithë botën dhe gjithashtu edhe në Shqipëri u përkujtua me aktivitete të ndryshme tre vjetori i Lumturimit të Nënë Terezës, e cila më 17 qershor të vitit 1979 u laurua me çmimin Nobel dhe në tetorin e vitit 2003 u shenjtërua nga Papa Gjon Pali i Dytë.

Nënë Tereza, apo Anjeza Gonxhe Bojaxhi e cila u lind në vitin 1910 në Shkup, e ka pranuar botërisht origjinën e saj shqiptare dhe që në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ajo tentoi të vinte në Shqipëri, ku jetonte e jëma Drane dhe motra Age.

Por edhe pse bëri të gjitha demarshet pranë autoriteteve zyrtare shqiptare në përfaqësitë tona jashtë vëndit dhe për atë gjë ndërhynë edhe disa personalitete të larta, krerë shtetesh të huaja, udhëheqja e lartë komuniste e asaj kohe, nuk ia dha të drejtën që ajo të vizitonte motrën dhe nënën e saj, Drane, e cila ndërroi jetë në Tiranë pa e pasur pranë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën e njihte dhe e nderonte e gjithë bota! Ndërsa atdheu i saj i origjinës jo vetëm që nuk e nderonte, por përkundrazi e e luftonte dhe e konsideronte si “agjente të Vatikanit”.

Me mallin për atdheun e saj dhe për të ardhur e për të vënë një tufë me lule të varri i së jëmës, Gonxhe Bojaxhi nuk rreshti së kërkuari dhe ajo gjë asaj iu mundësua nga regjimi komunist vetëm në gushtin e vitit 1989, ku ajo bëri një xhest që do mbahet mënd gjatë si simbol i tolerancës dhe zëmërgjerësisë së saj. Ajo pasi takoi Nexhmije Hoxhen, shkoi dhe vuri një tufë me lule te varri i Enver Hoxhës, diktatorit komunist shqiptar që nuk e kishte lejuar pikërisht që atë gjë, ajo ta bënte dhe për nënën e saj.

Nënë Tereza erdhi dhe dy herë të tjerë na Shqipëri në vitin 1992 dhe 1993 për të asistuar në vizitën që bëri në Shqipëri vetë kreu i Vatikanit, Papa Gjon Pali i Dytë më 25 prill të vitit 1993. Gjatë këtyre vizitave të saj në Shqipëri ajo bëri shumë takime zyrtare që stafi i motrave të saj që e shoqëronin i kishin parapërgatitur më parë stafin e protokollit të shtetit.

Por gjithashtu gjatë atyre vizitave ajo pati dhe ndonjë takim jashtë protokollit, siç ishte ai me poetin e njohur Visar Zhiti, i cili kishte dy tre vjet që kishte dalë nga burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ky takim prej disa minutash u zhvillua në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve dhe Shenjtorja e madhe pranoi ta takonte menjeherë pa asnjë hezitim Zhitin, pasi stafi i motrave që e shoqëronte ia bëri të ditur me pak fjalë historinë e tij tragjike, që kishte vuajtur vite të gjata burgu për disa poezi…?!

Kjo gjë e trishtoi pa masë Nënë Terezën dhe pasi shkëmbeu disa fjalë me Zhitin, ajo nxorri një nga librat e lutjeve të saj dhe ia dha me autograf atij, gjë të cilën Visari e ruan edhe sot si një nga gjërat më të shtrenjta e të çmuara që mund të ketë marrë në jetën e tij. Ky takim është fiksuar nga një aparat fotografik që dikush e kishte rastësisht në ato momente dhe teksa Shënjtorja e madhe është duke shkruar autografin, Visari i vuri një çantë që mbante me vete të këmbët e saj, duke ia mbuluar ato…?!

“U trishtova kur e pashë ashtu të zbathur me sandalet që mbajnë fretërit françeskanë dhe nuk e di në mënyrë isntiktive në ato çaste m’u dha ta lija atë çantë aty…”, kujton Visari mes të tjerash për atë takim të paharruar me Nënën e të varfërve të gjithë botës, me të cilën mburret dhe krenohet sot çdo shqiptar…!

(Përgatiti, D. Kaloçi)

3 komente në “Kur Nënë Tereza u takua dhe i jepte autograf poetit të sapo dalë nga burgjet e regjimit komunist…(foto e rrallë)”

  1. Baliu says:

    Pse nuk po shkruhet nje artikull per te bemat e vellaut te Gonxhes gjat L2B ne Shqiperi, edhe pse shumica i dijne ato.

  2. h says:

    Madre Teresa Di Calcuta,nuk fliste shqip dhe nuk kishte asgjë shqiptare.
    Shqiptarët janë hajdutë ,korruptuar dhe pa moral,kurse ajo ishte
    Altruiste,përulur deri në vetmohim,mëshiruese shenjtërore,e pakorruptuar absolute,
    Rrezatonte manjetizëm hujnor( e kam takuar në Romë)
    Ku e gjeni aftërsinë gjenetike ne një popull të zvetnuar ?

  3. Zenun Topalli says:

    Shkruaj me qarte o Dasho, o kokër gomari!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje