“Pazari” që nuk bëhet pa opozitën parlamentare

Nga Mero Baze

Të gjitha palët, përveç shumicës, po përgjojnë se kush do jetë pazari me shumicën dhe kujt do t’i jepet ky pazar. Partia Demokratike po përpiqet t’i mbajë gjallë ende mbështetësit e vet me gënjeshtrën e radhës, që do ketë zgjedhje shumë shpejt, dhe do të jenë edhe parlamentare, edhe lokale. Tani jo se ata të dëshpëruarit e besojnë atë që u thotë Basha, por janë gati t’ia thonë dhe vetes që duan një pazar që të mos shkrihen fare.

LSI dhe aleatët e PD, duken edhe më të tërbuar. Ilir Meta pasi shpëtoi një mace që në pikë të mëngjesit, në drekë u kujtua të shpëtonte demokracinë dhe botoi një fjalim të tij të vitit 2008, kur ishte kundër pazarit Rama- Berisha për ndryshimet kushtetuese. Në fakt, është e vetmja periudhë kur LSI ishte me të drejtën, por që më pas, kur bëri koalicion me Berishën, e deri më sot, është mbrojtësja më e madhe e sistemit elektoral që prodhoi marrëveshja Rama- Berisha.

Por në gjithë këtë histori ku flitet për marrëveshje të mundshme për ndryshime në Kodin Elektoral për ndryshime kushtetuese etj, të gjithë harrojnë që faktori i vetëm politik që i bën të mundshme ato, është opozita parlamentare.

Gjuha e baltës që Lulzim Basha vazhdon të përdorë ndaj tyre dhe nënvleftësimi që Rama shpesh bën sikur i ka të sigurtë, mund të zhbëjnë çdo pëprjekje për reforma, nëse i anashkalon ata.

Fakti që SHBA dhe Bashkimi Europian i respekton ata dhe mban të hapur komunikimin me ta, ka të bëjë mes të tjerash me faktin se në këtë vend nuk bëhet dot asgjë, nëse nuk duan ata.

Lulzim Basha mund të ulet në tryezë me Edi Ramën, mund të marrë çfarë do ai, apo çfarë do Edi Rama, por ndryshimet do bëhen në Parlament, dhe ato janë në dorë të Rudina Hajdarit dhe grupit të opozitës parlamentare.

LSI dhe aleatet e tjerë të vegjël të PD, mund të kenë kërkesa për ndryshim sistemi, por para se të ulen e t’i bëjnë qejfin njëri- tjetrit, është mirë të ulen e të pinë kafe me depuetët që kanë në Parlament. Biles po ta kishin bërë më parë, mund të shpëtonin dhe shkarkimin e presidentit.

Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese e mbi të gjitha, dhe afrimin apo jo të zgjedhjeve parlamentare, se ato lokale janë më 2023, kjo është opozita parlamentare.

Opozita parlamentare është e vetmja që mund të ndalë një marrëveshje “Rama-Basha 2” dhe jo postimet e Ilir Metës me qen, mace, Çim Pekën dhe me brekë nëpër male.

Opozita parlamentare është e vetmja që mund të diktojë shumicën për një reformë elektorale më të ndershme, për t’i hapur rrugë vetes të hyjë në politikë.

Opozita parlamentare është e vetmja forcë reale që mund të kthehet në urë komunikimi mes opozitës së rrugës dhe qeverisë.

Përpjekja për ta injoruar atë dhe për të bërë lidhje të shkurtër mes dy palëve, mund të rezultojë një dështim.

Para se Lulzim Basha t’i çojë emisarë Edi Ramës, është mirë të thërrasë për kafe deputetët e listës së tij, që i kanë hyrë në Kuvend, e të pajtohet me ta. I duhen më shumë se Fatmir Mediu, Dash Shehi e Nard Ndoka, se pa ata nuk bën dot realitet asnjë ëndërr për ndryshime dhe për zgjedhje.

Para se të gënjejë të vetët, që zgjedhjet do bien nga qielli, apo nga ndonjë i dërguar, është mirë të ulë kokën e t’u kërkojë ndjesë për fyerjet atyre që kanë në dorë sot fatin real të opozitës, për ta rikthyer në sistem.

Ata nuk janë të shantazhueshëm si qeveria. Nuk janë të kapur. Nuk janë të detyruar të dëgjojnë dhe fyerjet e PD, dhe t’i shërbejnë asaj. Ata në fakt janë pjesa më e lirë e politikës shqiptare.

Llogaritë e bëra për pazare me Edi Ramën, janë “pazare pa hanxhinë”.

E vetmja parti opozitare që ka një deputet në Parlament është “Bindja Demokratike”. Të tjerët janë ose duke bërë një parti të tyre, ose disa prej tyre, duke mbështetur “Bindjen”. Por asnjë nuk po shoh ta ketë kokën nga PD, përveç Lefter Maliqit.

Ndaj është mirë që para se të ëndërroni për pazare apo marrëveshje, të bëheni të urtë, të pranoni opozitën që keni çuar vet në Parlament, dhe kur të pajtoheni me ta, të keni fuqinë e duhur për negociata.

Tani keni vetëm çelsat e kashtës.

REMOTE_ADDR:[]

14 komente në ““Pazari” që nuk bëhet pa opozitën parlamentare”

  1. NjeQytetarOptimist says:

    Lulka eshte I papjekur sepse e vetmja rruge te negociosh me qeverrine, eshte Parlamenti per ndryshime kushtetuese.. E the mire Mero.. Ketyre u duhen me shume se cfare kane brenda ne Parlament, se sa aleatet e vegjel.. Vetem drejt ktyre do kete ndryshime.. Para se te ulet me qeverrine imagjinare teknike, ulu me ata qe kane fuqi te ndryshojn ligje.. Celsat e kashtes kane asgje tjeter.. Ska ultimatume dhe urdhra..

  2. gjeramadhi says:

    me falni nje korigjim te vogel ,celsat e mutit jo te kashtes

  3. Iliri nga Gjermania says:

    😅😅😅 E bukur kjo z. Baze, kan vetem çelsat e kashtes😂😂😂😂

  4. Go west says:

    Je shume i serte, Mero, por i vertete. Duam apo nuk duam sot dhe neser ata jane opozita qe do votojne Kodin, zgjedhjet e ardheshme, kalendarin e jetes politike te Kuvendit…

  5. Komewntuesi says:

    Vertete,opozita jashteparlamentare ka çelsat e kashtes.Basha po i bje tamburas me shkop,por ai shkopi ka mundesi ti thyhet ne koke.

  6. ABC KORCA says:

    Jo mooo
    Po te beje edi marrveshje me lulushin dhe kerkon edushi zgjedhje te parakoshme( rrezon qeverrine) dhe basha merr pjese ne zgjedhje…ku futen deputetet opozitar te tanishem?
    E vetmja shprese eshte qe deputetet opozitar te tanishmit…te krijojne nje parti te re pas pazarit.Qe do te thote edhe 4 vjet te pakten ne qeverrisje edi+lulushi…dhe keto n.q.s deputetet opozitar te tanishmit nuk jane te disponushem per ndonje bashkepunim.
    Ti shqiperi me jep nder….etj
    Shqiperi o shqiperi…te dhjevsha mu ne shqiperi
    ( te gjitha keto bashkunime do serviren ne emer te hapjes se negociatave dhe domosdoshmerise qe do caktoje europa…se po te ishte per ramen,ehuuuu,do ishte ne burg berisha e pd-ja nuk do egzistonte,por atdhedashuria dhe europa e keqe do e detyroje ramen ne bashkepunim)

  7. pipi says:

    Lale zgjedhjet do behen me kodin ekzistues, mos shif enderra ne diell.

  8. ideali says:

    Censure e plote.Frike nga fjala e lire.Burrec edhe ti si ata qe anatemon.Nip i Ali Pashait, sherbetor i Portes.Ju s mund te jetoni pa nje Pasha, here njerin e here tjetrikn.Shpirt skllavi. Kjo eshte e verteta dhe ti je frikacak para saj.Pse?Je rritur me genjeshtren.

  9. Hm bomba says:

    Me breke neper male….hahahahahahah

  10. nord.al says:

    Pazari nuk eshte njeri, Mero prandaj thuhet : cili eshte pazari. Mos u bej pjese e zhgaterruesve te gjuhes shqipe.

  11. pato says:

    keni probleme me komentet , nuk duken

  12. dhembeli says:

    Ti mero ke shume te drejte ,si gjithsahere .
    Basha duhet t’ju bjere ne gjunje opozites parlamentare, te lepije ato qe ka vjellur ndaj tyre dhe pas kesaj te unifikohet me ta, per te shpetuar c’ka mundet te shpetohet nga zjarri qe u ka rene si parti (lidership).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *