“Pushtimi” francez i Bizës me 4×4

8 Shtator 2019, 20:00Turizëm TEMA
“Pushtimi” francez i Bizës me 4×4

Nga Edmond Prifti

Nëse për banorët e fshatrave Vërri, Urë, Shëngjergj apo deri tek ata Bizës, në malësinë e Tiranës, rruga është një ferr i vërtetë, për turistët francezë të udhëhequr nga François Decarpigny, nuk është aspak një e tillë. Madje, madje, Shqipëria për ta do ishte mjaft e bukur nëse do ishte ashtu siç e shohin ata, me rrugë të tilla për makina 4×4, plot gropa e gurë. 

Ai erdhi pikërisht nga Burreli përmes maleve nga Martaneshi, për të arritur deri në Bizë, i shoqëruar nga gjashtë makina të tjera me targa franceze. Do qëndronte aty një pasdite midis Shëngjergjit e Bizës, me makinat që kishin kamping me vete, e më tej drejt Elbasanit, – po përmes maleve, – për të vijuar më pas, drejt Voskopojës… 

Sipas Decarpigny: “Kam 17 vite që vij në Shqipëri, e është një vend mjaft i bukur, ndërsa shqiptarët përherë na kanë ndihmuar”. Teksa e pyes se, cili është vendi i tij i parapëlqyer në Shqipëri, François thotë se do të veçonte fshatin e Voskopojës.

“Pushtimi” 4×4

Rruga për në Shëngjergj e Bizë, kalon nga Qafa e Priskës, e më tej rruga zbret pas kësaj qafe (vit pas viti rruga rrëshqet akoma më shumë) duke lënë pas një gurore të braktisur (deri para pak kohësh e ngjyer me bojëra, që sot i ka shpëlarë shiu). Lë pas, Kafen e Shabës, e më tej gjatë zbritjes, plot kthesa vijon në një luginë mjaft të bukur të lumit Erzen, ndërsa hera-herës rruga kalon sa majtas e djathtas, lumit. Nga larg, pothuajse 2 kilometra më tej, Thierry, – miku im francez, që e ndërmorëm së bashku këtë aventurë – më tregon me gisht ujëvarën e Shëngjergjit, ndërsa makina uturin përgjatë lokaleve të mbushura përplot me njerëz, madje edhe me tavolina dhe karrige mes pellgjeve të ujit. Lëmë pas, Restorant Ujëvarën, Bar-Restorant Fred Bollikun, Peshkun, Arjanin e Shëngjergjit, e ndalojmë për një kafe në fshatin Vërri, një bar-restorant pa emër, pikërisht në qendër të këtij fshati kaq pranë me Shëngjergjin, ku edhe takojmë pronarin e saj, Kujtim Bitrin.

Këtë udhëtim e ndërmorëm së bashku me Thierry-n, mikun tonë francez, për të pritur “delegacionin, me makina 4×4” nga i njëjti shtet që vjen edhe Thierry, por ata të ardhur nga një aventurë e gjatë, e nga veriu i Shqipërisë. Përgjatë dhe pas kafes…(Thierry ishte gjithë kohës në tension), mundohej të shkëmbente koordinatat me mikun e tij francez, François, që udhëhiqte grupin francez si dhe lideri i “Balkan Impulse” (www.balkan-impulse.com). Aty në qendër të fshatit Vërri, shumë pak kilometra pa hyrë në Shëngjergj, na ulet në tavolinë vetë pronari, Kujtimi, – të cilin e kishim takuar muaj më parë në një udhëtim tonin dhe “e kishim kapur mat” duke ngrënë hudhra, domate e djathë, ngjitur me ne…

E mbante mend këtë gjë e na thotë që kështu duan edhe turistët kur i them se Thierry do presë disa miq të tij diku afër Bizës. Më pyet mua fillimisht ç’thotë miku im, duke ma shkelur pakëz syrin, ndërsa Tjeri (Thierry) ja kthen në shqip: “Mirë, shumë mirë…”, e vijon t’i shkruajë François, që nuk kishte hapur ende internetin. Më tej vijon duke shtuar, se a është Tjeri ende është i dashuruar me Malin me Gropa (fshati ndodhet jo shumë larg, në të djathtë të Malit me Gropa) ndërsa vijon duke thënë se, “vendi përreth (fshati Vërri e Shëngjergj) ashtu dhe Mali me Gropa, fshehin shumë mistere”, e duke shpjeguar se, “një burrë i vjetër i shoqëruar me tre-katër vetë, më thotë se ta dini se çfarë ka Mali me Gropa dhe kjo zonë, do fluturoni…”. “… Se është një rezervuar i madh me ujë e dimë, por se çfarë ka gjë tjetër nuk e dimë”, – shton Kujtim Bitri, ndërsa ngre supet dhe shikon nga ne, teksa unë po gjerbja edhe llumin e fundmë të ngelur poshtë filxhanit.

Dielli kishte filluar të binte për poshtë maleve, ndërsa Thierry e unë, shohim orën nga celularët… François ishte vonuar më shumë se dy orë, ndërkohë që ngrihemi me të shpejtë, e sikur veçse një çast ishim duke kaluar me të shpejtë rrugën e Grykës së Valit (Rruga për Bizë), duke shpresuar se koordinatat e para të dhëna nga François, ishin pikërisht aty. Biza, e fusha përreth, dallohet për relievin “e stisur” që fsheh tunele të shumta, fortifikata ushtarake, por edhe bunkerë, të kohës së komunizmit. Teksa sodisja këto, e tek-tuk bëja ndonjë foto dhe video, Thierry del nga makina kur pa se një 4×4 po vinte drejt nesh…por jo; ishte me targa shqiptare. U rikthyem sërish aty ku kapte interneti, së paku dy linja prej tyre dhe e vetmja prej tyre ishte diku në Qafën e Shëngjergjit (prej andej nga ku shihet Mali i Dajtit, e lidhur në kryqëzimin e rrugës së Grykës së Valit).

Aty takojmë edhe rastësisht një banor nga fshati i Shëngjergjit, i cili na kthehet teksa na shikon që po fotografonim e filmonim çdo gjë. “Këtu është Thethi. Këtu është Valbona. 50 kilometra larg Tiranës dhe gjynah të mos kesh rrugë…”, – na drejtohet ai, teksa nuk dallon fare makinën tonë me targa franceze dhe e pyet Tjerin si ja kalon, e shumë të tjera, të cilat Tjeri mundohet t’ia kthejë në shqip (ngaherë i them pse nuk mësove pakëz shqip në katër vite, e më kthehet të lini ju… që më flisni veçse anglisht dhe frëngjisht). Pas bisedës së shkurtër, por të këndshme me banorin që s’ia mësuam as emrin (por që u hutuam pakëz pasi kishte marrë trarë duke ia ngarkuar në samar, kalit të tij), pak kohë më vonë do të mësonim se motoja e jetës dhe vetë udhëtimeve të aventurës së François Decarpigny-it, është pikërisht e kundërta e fshatarit që takuam pak më parë… një rrugë veçse për makina 4×4.

Më në fund Thierry “zgjohet”, e thotë i sigurt, do jenë në pjesën e sipërme duke ardhur, e marrim drejtimin e kundërt të Bizës, drejt Limosit, duke lënë pas Shkëmbin e Drinit të Diellit. E pikërisht diku aty afër… përballemi me François. Pas një takimi të shpejtë, François i thotë Thierry-t e mua, se nga pas po vijnë edhe 6 makina të tjera ‘offroad’ me targa franceze, të ardhur që nga Mali me Gropa e rruga e Bizë-Martanesh.

Pasion prej 17 vitesh

Për François Decarpigny, Shqipëria është një vend mjaft i bukur, ndërsa na përmend se ka udhëtuar në gjithë vendin dhe e njeh mirë, që nga veriu në jug, që nga lindja në perëndim, – e shqiptarët e kanë ndihmuar mjaft. Ai përmend se, Voskopoja ka ngelur në memorien e tij si një fshat i bukur. Prej 17 vitesh ai organizon një tur që nga Kroacia-Serbia-Mali i Zi-Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Megjithatë, kur e pyet për këtë stil jetese, të makinave 4×4 me kamping me vete, François thotë se, motoja është “Jeto për t’u arratisur”, ndërsa vijon se, “Shqipëria është një vend i bukur me diell, pasi atëherë është më i bukur”. Teksa më pas, e pyet Tjeri-në se si shkohet përmes “rrugës normale” në Tiranë, ndërsa Tjeri i shpjegon se zbret më parë në Shëngjergj dhe rruga të drejton vetë drejt Qafës së Priskës, pjesë e Malit të Dajtit, e më tej zbret poshtë nga e majta për t’u drejtuar për në Tiranë nga Linza apo, sipas dëshirës, nga Shkoza. Mes salsiçeve e perimeve të ziera mbi prush, por edhe djathit që shkrihej mbi zgarë, pothuajse 23 vetë, u ulën më pas së bashku, në disa tavolina portative, jo shumë larg asaj zone që dikur ishte një vend i ndaluar, e sot “i pushtuar” nga francezët.

E lëmë pas grupin e francezëve duke iu uruar pushime të mbara në Shqipëri, e marrim rrugën sërish për poshtë fshatit Shëngjergj, ku tashmë nata sapo kishte rënë, e rruga e shkatërruar dukej vërtet e frikshme, njëherazi e bukur, me atë hënë të plotë, – por me Tjeri-në në timon, gjithçka është e sigurt (përderisa drejton helikopterë në ajër). Nën dritën e plotë të hënës teksa zbresim, shohim një banor të zonës teksa me elektrik dore, përpiqet të shohë anësoren e rrugës së shkatërruar, për të shkuar diku në terrin mes pemëve…

Vërri dhe Shëngjergj

Zona e përshtatshme për një turizëm alpin, e fsheh shumë mistere dhe vende të mahnitshme. Të dyja janë të arritshme për të gjithë, me autobusë të linjës në fund të stacionit të Kinostudios, ku brenda një dite mund të shohësh ujëvarën e Shëngjergjit, por edhe fshatin Vërri, apo vetë Shëngjergjin, fshat i cili madje ka edhe rrënojat e një kalaje, e shumë rrënoja të xhamive të prishura në vitin e mbrapshtë të revolucionit kulturor përgjatë 1967-ës. Qendra e fshatit Shëngjergj ndodhet veçse 35 kilometra nga Tirana. E gjithë krahina, në shekujt e XII-XIV-të quhej Tomadhe (sot ekziston edhe një Bujtinë shumë pranë fshatit Vërri dhe Shëngjergj).

Sipas Shuteriqit, toponimi në fjalë ka pasur kuptimin “Dheu i Tomës”, ndërsa rreth vitit 1600, duket se ka dalë në dritë edhe toponimi i sotëm, Shëngjergj, (Shën Gjergji) – ashtu si shumë fshatra të tjera të krishtera Shën Mëria, Shën Gjini, por të islamizuara pas vitit 1500. Fusha e Bizës, e cila ndodhet në malësinë e Tiranës, gjatë Luftës së Dytë shërbente si zonë për hedhjen e ndihmave për LANÇ-in nga forcat aleate, si armatime, veshmbathje dhe ushqime, – e madje një zonë e njohur për spitalet partizane (katër të tilla)… Gjatë kohës së komunizmit u kthye në një zonë ushtarake, ndërsa në vitin 2007, zona, së bashku me territorin e Malit me Gropa – Bizës dhe Martaneshit, u përfshi si Zonë Natyrore e Mbrojtur.

Shëngjergji bën pjesë në projektin turistik të 100 fshatrave shqiptarë; i njohur kryesisht për turizmin malor, por edhe agro-turizmin. Ndër atraksionet e kësaj zone janë Burimi i Kuq, Shpella e Kacerrit që ndodhet afër lëndinës së Kacerrit, ujëvara e Kecit në Façesh, liqeni i Kallogjeshit në kufi me Vakumonën, rrapi dhe pylli i Isuf Plloçit në Shën Mëri, mulliri i vjetër dhe rrënojat e xhamisë në Urë (ndërtuar rreth viteve 1772-1776), pylli i Kolgjergjit, lëndina e Shpellzës, rrënojat e kështjellës së Shën Gjinit. Kështjella ngrihej në majën e një kodre të lartë prej 800 metrash në kufirin midis fshatrave Shën Gjin dhe Fag. Sipas ekspeditave të organizuara aty, kështjella i përket shekullit të pestë. Muri rrethues ka perimetër 290 metra dhe një sipërfaqe prej 4.200 metra katrorë.

Mendohet se është përdorur edhe gjatë periudhës së Skënderbeut. Vizitorët kanë paraqitur interes edhe për vende të tjera mjaft tërheqëse: Ujëvara e Shën Gjinit, që ndodhet pranë këtij fshati në një distancë prej 30 minutash me ecje. Vendi i “varrit të vjetër” në fshatin e Vërrisë, fshati i Fagut, i cili gjendet në shpatin e malit me të njëjtin emër me një lartësi prej 650-700 metra mbi nivelin e detit. Liqeni i Lepurit, i cili është në fakt një ujëmbledhës dhe gjendet 5 kilometra larg nga qendra e fshatit Shëngjergj. Shpella e Valit, e cila gjendet pranë fshatit me të njëjtin emër, në një lartësi prej rreth 1.000 metrash mbi nivelin e detit. Ajo ka filluar të shndërrohet në një vendndodhje të lakmuar. Ujëvara gjendet pranë fshatit dhe ka një lartësi prej 30 metrash.

 

4 komente në ““Pushtimi” francez i Bizës me 4×4”

  1. am says:

    Ndotin si kafshe kudo ku shkojne. Pse duhet te levizin ne mes te kesaj bukurie me tanke? !

  2. Doda says:

    Pasioni shikoni se mos kerkojn per flori me aparatura ky esht pasioni ktyre zhulcave.

  3. Doda says:

    Pasioni , shikoni se mos kerkojn per flori me aparatura ,se vendi jon esht si han si ne mesjet pa piken e kontrollit , ky duhet te jet pasioni ktyre zhulcave.

  4. Dn says:

    Shko guxon me shku me 4×4 neper parqet kombtare franceze! Po ketu s’ju thot gje njeri edhe pse demtojne ekosistemin e zones me atovetura!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje