15 vjet nga masterplani i autostradave dhe shmangiet nga ai

Nga Eduard Zaloshnja

Sot mbushen 15 vjet nga prezantimi prej bankës Botërore të masterplanit të autostradave të Shqipërisë, i hartuar nga një kompani amerikane, e pajtuar nga Banka Botërore.

Sipas atij plani, autostrada e parë që duhej të ndërtohej (qysh para 15 vjetëve) ishte ajo Thumanë-Rrogozhinë, e cila do të bënte lidhjen e veriut me jugun, si dhe me Tiranën e Durrësin (përmes një nyjeje mbikaluese-nënkaluese në Kashar). Dhe Banka Botërore financoi menjëherë për studimin e fisibilitetit për atë autostradë.

Me të njëjtën përparësi, në masterplan parashikoheshin superstradat Fier-Tepelenë, Thumanë-Milot-Kukës (pa tunel), Milot-Shkodër, si dhe ndërtimi i segmenteve Qafë Plloçë-Korçë, Lushnje-Fier e Fier-Vlorë. Dhe Banka Botërore e Banka Europiane siguruan brenda një viti paketa financimi me kredi të buta e grante për segmente të rëndësishme të këtyre akseve.

Në këtë fazë të parë të masterplanit (që parashikohej të zgjaste 10 vjet), do të realizohej lidhja me rrugë moderne e verilindjes, veri perëndimit, jugperëndimit dhe juglindjes me Tiranën e Durrësin, si dhe lidhja veri-jug dhe ajo me shtetet kufitare (Mal i Zi, Kosovë, Maqedoni e Greqi).

Në një fazë të dytë (nga viti 2015 deri në vitin 2030), në masterplan parashikohej autostrada Kashar-Baldushk-Peqin-Berat-Gjirokastër-Kakavijë (kështu, lidhja e Tiranës me Kakavijën do të bëhej në dy mënyra; përmes askit Rogozhinë-Fier-Tepelenë ose atij Peqin-Berat-Gjirokastër). Në këtë fazë të dytë, autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohej, akset Tiranë-Shkodër dhe Tiranë-Kukës do të ktheheshin nga superstrada në autostrada, ndërsa akset Elbasan-Strugë dhe Elbasan-Kapshticë (përmes segmentit Qukës-Qafë Plloçë) do të ktheheshin në superstrada. Gjithashtu do të ndërtohej superstrada Tiranë-Dibër (pa tunel fillimisht).

Në një fazë të tretë (nga viti 2030 deri në vitin 2040), në masterplan parashikoheshin tunele të rëndësishëm si ai i Kalimashit, i Qafë Krrabës, i Qafë Thanës, Qafës së Buallit dhe i Llogarasë. Gjithashtu parashikohej zgjerimi i autostradave ekzistuese dhe kthimi i superstradave në autostrada.

Ndërtimi i rrjetit kombëtar të autostradave në tre faza (jo menjëherë) argumentohej në masterplan me pafuqinë e buxhetit të shtetit shqiptar si dhe me barrën e borxheve publike që kishin dekada që akumuloheshin nga ai. Me rritjen graduale të ekonomisë dhe të ardhurave që do të vilte shteti prej saj, si dhe me ndihmën e donatorëve dhe bankave ndërkombëtare të zhvillimit, parashikohej që rrjeti i autostradave, që do të lidhte 12 kryeqendrat e qarqeve mes tyre dhe Shqipërinë me fqinjët, do të përfundonte brenda vitit 2040.

Por si është zbatuar ai masterplan deri më sot, 15 vjet pas prezantimit të tij?

Ndërtimi i segmentit Fier-Tepelenë u pezullua për 6 vjet nga qeveria shqiptare (edhe pse financimi ishte siguruar nga Banka Botërore dhe ajo europiane). Qeveria kërkoi që ky financim të kalonte në aksin Tiranë-Peqin-Berat-Gjirokastër. Por Banka-Botërore këmbënguli që qeveria shqiptare t’i përmbahej etapave të masterplanit, sepse burimet e financimit ishin ende të kufizuara. Vetëm pas 6 vjetësh, qeveria u dorëzua dhe filloi ndërtimin e aksit Fier-Tepelenë.

Në vend që qeveria shqiptare të punonte për gjetjen e financimit për segmentin tejet prioritar Thumanë-Rrogozhinë, filloi ndërtimin e autostradës Durrës-Rrogozhinë, në gjurmën e rrugës që ishte parashikuar në masterplan vetëm si superstradë servisi për plazhet e shumta të asaj vije bregdetare.

Superstradën e parashikuar për të lidhur Milotin me Kukësin (me financim të Bankës Botërore dhe asaj europiane) qeveria e ndërtoi deri në Rrëshen. Ndërsa më tej ndërtoi një autostradë me tunel gjigand, e cila në masterplan parashikohej të ndërtohej në fazën e tretë.

Si rezultat i këtyre shmangieve të para nga masterplani, u shtuan 1 miliard e 500 milionë dollarë në borxhin publik të Shqipërisë.

Më pas shmangiet nga masterplani vijuan me autostradën Tiranë-Elbasan përmes tunelit të Qafë Krrabës. Kjo autostradë ishte parashikuar në fazën e tretë të masterplanit. (Në fazën e parë, lidhja e Tiranës me Elbasanin ishte parashikuar përmes aksit Kashar-Rrogozhinë dhe ne fazën e dytë përmes aksit Kashar-Baldushk-Peqin). Si rezultat i kësaj shmangieje, u shtuan edhe 500 milionë dollarë në borxhin publik të Shqipërisë.

Meqë buxheti i shtetit mbetet ende i kufizuar dhe borxhi publik ka arritur në kufij të rrezikshëm, qeveria shqiptare po vijon ndërtimin e rrugëve me skemën PPP. Por FMN-ja dhe Banka Botërore kanë vënë alarmin për përdorimin e kësaj skeme, meqënëse PPP-të përbëjnë një borxh të fshehtë publik. Në fund të fundit, këstet e shlyerjes së tyre ndaj kompanive private do të paguhen me të ardhurat e buxhetit në vitet në vazhdim.

A do të arrijë Shqipëria ta ketë deri në vitin 2040 rrjetin e plotë të autostradave që parashikonte masterplani i Bankës Botërore? Në qoftë se të ardhurat e buxhetit nuk rriten dhe në qoftë se borxhi publik mbeten në kufijtë e sotëm, gjasat janë që ai masterplan të dojë më shumë vjet që të realizohet…

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *