Për të mbaruar punën në Ballkan

Nga Akri Çipa

Shumë veta u surprizuan kur në datën 30 gusht Departamenti i Shtetit njoftoi se Sekretari Pompeo caktoi Zëvëndës Ndihmës Sekretarin Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor. Ky njoftim vjen në një kohë kur dukej se vendimmarrësit në Washington do të vazhdonin me trendin e neglizhimit të gadishullit të Ballkanit – një rajon që vetëm dy dekada më parë shenjoi pikën më të lartë të lidershipit global të Shteteve të Bashkuara. Nëpërmjet vendimit për të caktuar një të dërguar të posaçëm, Shtetet e Bashkuara po tregojnë një dëshirë për të rimarrë rolin parësor në këtë rajon të rëndësishëm.

Në vitet 90’, SHBA kishte një rol parësor në gadishull dhe drejtoi ndërhyrjen e suksesshme që ndaloi spastrimin etnik serb në Kosovë. Por, pas luftës në Kosovë, SHBA humbi një pjesë të interesit për rajonin teksa ishte e shqetësuar me sfida të tjera globale. Teksa Shtetet e Bashkuara e ulën nivelin e rolit të tyre në rajon, disa konflikte mbetën të pazgjidhura dhe vazhdojnë të sfidojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.

Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë, Kosova deklaroi pavarësinë në 2008, por Serbia refuzon të njohë sovranitetin e Kosovës. Refuzimi serb për të njohur Kosovën mbështetet në mënyrë aktive nga Rusia, e cila e bllokon Kosovën nga anëtarësimi në Kombet e Bashkuara nëpërmjet vetos në Këshillin e Sigurisë së OKB-së. Ndërkohë, Rusia vazhdon ta shfrytëzojë këtë konflikt për të ruajtur influencën në rajon dhe për të frenuar integrimin e vendeve të rajonit në organizatat perëndimore. Vetë zoti Palmer e identifikoi konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një nga prioritetet e tij.

Sfida tjetër madhore që Përfaqësuesi Special do duhet të adresojë është situata në Bosnjë-Hercegovinë. Marrëveshja e Dayton-it e ndërmjetësuar nga SHBA ishte efektive për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë në vitin 1995, por ishte më pak resultative në krijimin e mundësive për qeverisje efektive në vend. Kjo është shumë e dukshme sot teksa Bosnja ende nuk ka një qeveri funksionale pas më shumë se dhjetë muajsh që nga zgjedhjet e përgjithshme.

Rritja e angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkan do të përballet pashmangshmërisht me sfida dhe kundërshtime nga disa prej aktorëve që janë të investuar në status quo. Një shenjë e parë kundërshtimi u shpreh nga Miroslav Lazanski, Ambasadori i Serbisë në Rusi, i cili u përpoq të ulë pritshmëritë e rolit potencial të SHBA në zgjidhjen e konflit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke thënë se “problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm nga ne.” Roli i ripërtërirë i Shteteve të Bashkuara shihet me skepticizëm edhe nga Milorad Dodik, lideri pro-rus i entitetit Republika Srpska brenda Bosnjës. Në fakt, është pikërisht Dodik që ka shfrytëzuar dobësitë e konstruktit institucional dhe ka bllokuar krijimin e një qeverie për hir të kundërshtimit për anëtarësimin e Bosnjës në NATO.

Nëse Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara arrin të frenojë influencën ruse në Bosnjë dhe Serbi dhe arrin njohjen e Kosovës nga kjo e fundit, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë jo vetëm stabilitetin në Ballkan, por do të garantojnë edhe orientimin gjeopolitik të rajonit drejt perëndimit. SHBA ka kredibilitetin e nevojshëm për të promovuar angazhime konstruktive. Tashmë i takon Zotit Palmer që të bindë aktorët lokalë për t’u ulur në një tavolinë dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshme për të zgjidhur konfliktet dhe çështjet e mbetura. Momenti është i përshtatshëm teksa kredibiliteti i SHBA përforcohet nga suksese në marrëveshjen ndërmjet Greqisë dhe tashmë-Maqedonisë së Veriut në lidhje me emrin e kësaj të fundit – një marrëveshje që zgjidhi një nga konfliktet e tjera kryesore të rajonit dhe që hapi rrugën për fillimin e procesit të hyrjes së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ndërhyrja amerikane dy dekada më parë ishte kritike për të ndaluar mizoritë në Ballkan dhe për të shtruar rrugën drejt paqes. Tani, Shtetet e Bashkuara kanë një mundësi unike për të zgjidhur çështjet e mbetura, për të luftuar influencat malinje që pengojnë progresin e rajonit, dhe për ta orientuar përfundimisht atë drejt perëndimit. Në këtë mënyrë, do të ofrojnë edhe njëherë lidershipin për të cilin ka nevojë globi dhe, sigurisht, Ballkani.

Marrë nga International Policy Digest

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *