Hapen vende pune në Kadastër, Artan Lame: Mos më ndërhyni për punësime pasi kemi nevojë për profesionistë

11 Shtator 2019, 11:13Sociale TEMA

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka lajmëruar se janë 74 vende të lira puna që pritet të mbushen me specialistë e inxhinierë. Ka qenë Drejtori i përgjithshëm i kadastrës Artan Lame i cili me anë të një deklarate për mediat ka bërë thirrje të gjithë inxhinierëve që të aplikojnë për të konkurruar për pozicionet e punës të hapura në Kadastër.

Lame ndër të tjera ka bërë edhe një thirrje njerëzore dhe personale duke kërkuar nga njerëzit e familjes apo ata që e njohin nga afër që të mos i kërkojnë favore për të hyrë në punë apo të bëjnë ndërhyrje që të favorizojnë persona të caktuar.

Sipas Lames në Kadastër duhet të rritet ndjeshëm profesionalizmi në fushat e caktuar. Vendet e punës konkretisht janë hapur për profesionet si Inxhinier ndërtimi; Arkitekturë; Urbanistikë; Gjeoinformatikë; Gjeodezi dhe Topografi.

Lame ka thënë  se sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy: E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi. E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë.

Deklarata e plotë e Artan Lames:

Agjensia Shteterore e Kadastrës ka përmbyllur fazën e riorganizimit të saj dhe me kënaqësi ju bëj me dije se ky proces prodhoi një strukturë të re tërësisht të riorganizuar dhe eficente.

Por mbyllja e një procesi, hap menjëherë dyert për sfidën e rradhës.

Sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy: E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi.

E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë. Në këtë pikë mjafton të them se sot agjensia ka rreth 400 juristë të të gjitha shkollimeve, që nga ata me shkolla të mbaruara jashtë, e deri te ata me pasqyra e xhamlleqe. Dhe, me gjithe këta juristë, i vetmi rezultat ka qenë hapja e mijëra gjyqeve për çështje pronësie, me pasojat e trishta që i dimë të gjithë.

Po ka edhe më keq se juristët, pasi gjenden pa fund ekonomistë e biologë, historianë, sociologë, psikologë, e ku di unë çfarë tjetër, duke lënë në minorancë profesionet bazë të Kadastrës.

Nuk po i hyj këtu analizës se si është arritur ky deformim 20 vjeçar por, me keqardhje për fatin personal të secilit, deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizmit do të vijojë.

Rishikimi hartografik e bën të domosdoshme thithjen e fluksit të inxhinierëve. Dhe pikërisht për këtë, në vendet që lirohen, duam të hapim garën për thithjen e profesionistëve të fushës.

Pra sot unë po lajmëroj hapien e garës për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e AKSH me profesione:

-Inxhinier ndërtimi;

-Arkitekturë;

-Urbanistikë;

-Gjeoinformatikë;

-Gjeodezi;

-Topografi.

Saktësoj, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë.

Në veçanti, dua t’i bëj një thirje dy kategorive. Në rradhë të parë, djemve e vajzave që kanë vullnet për punë, të vijnë dhe të konkurojnë dhe të kenë besim tek unë dhe tek forcat e tyre.

Nga ana tjetër, ju lutem të gjithë miqve, të njohurve, të afërmve përfshirë gruan dhe prindërit e mij, kushërinjve, deputetëve e ish-deputetëve, ministrave e ish-ministrave, të majtë e të djathtë e të qendrës, ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Shteti shqiptar, kadastra shqiptare dhe unë duam profesionistë, jo miq.

Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre.

Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për cfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit.

O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot!

Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara.

Ju faleminderit.

NR ASHK VENDE VAKANTE

DREJTORIA BERAT

ZYRA DEVOLL

DREJTORIA ELBASAN

DREJTORIA FIER

DREJTORIA GJIROKASTER

ZYRA HIMARE

DREJTORIA KAVAJE

DREJTORIA KRUJE

ZYRA KOLONJE

DREJTORIA KUKES

DREJTORIA LEZHE

DREJTORIA LUSHNJE

ZYRA MALESI E MADHE

DREJTORIA POGRADEC

DREJTORIA SARANDE

DREJTORIA SHKODER

DREJTORIA TEPELENE

DREJTORITE TIRANE

DREJTORIA VLORE

Gjithsej:
74

3 komente në “Hapen vende pune në Kadastër, Artan Lame: Mos më ndërhyni për punësime pasi kemi nevojë për profesionistë”

  1. Tefa says:

    zgjidh te te japin % o Lame

  2. tom says:

    u hap tenderi kush paguan me shume

  3. Edi says:

    O Lame e ke ndritur me kallirin bosh te Vlores qe sapo emerove drejtor .Nje nepunes ordiner qe ka 10 vjet ne hipoteke qe ka mesuar vetem stilin si te mare sa te jape e sa ti mbeten .Po mir o Lame ky shembullori pse si paska dal i tille kur ne hipoteken e Vlores korrupsioni eshte ne maje .Ky me siguri o ben spiunin o ben korierin e qokave se sa per pune ,puna flet vete zyre me te korruptuar nuk gjen ne gjith republiken

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje