“Pushteti” i fshehtë i menopauzës

Nga Liza Mundy

Mos u përpiqni t’ia tregoni këtë një nëne që i është nënshtruar një trajtimi 4-orësh; që ka organizuar një festë ditëlindjeje me fëmijë të vegjël dhe projekte artizanale; ose që pushon në një kolltuk në mbrëmje duke shijuar aromën e flokëve të bebes së saj të porsalindur. Sado të pafundme mund të duken për momentin, vitet e lindjes dhe rritjes së fëmijëve janë të shkurtra. Fertiliteti, i cili zakonisht përfundon në mesin e 40-ave të një gruaje, zë më pak se gjysmën e jetës së saj si e rritur. Dhe, nëse është me fat, asaj i mbeten edhe 30 ose 40 vjet gjatë të cilave mund të bëjë diçka tjetër.

Shumica nuk e kuptojnë se sa e pazakontë është qenia njerëzore, në mënyrën se si funksionojnë femrat pasi humbin aftësinë për t’u riprodhuar. Femrat e shumicës së specieve të tjera mund të lindin pasardhës derisa të vdesin, dhe shumë e bëjnë, ose në rastin më të mirë gëzojnë një lehtësim të shkurtër nga shumimi pak para vdekjes. Kjo është e vërtetë jo vetëm për krijesat që mund të mendoni, të tilla si lepujt, por edhe për gjitarët jetëgjatë si elefantët aziatikë dhe për primatët si gorillat dhe shimpanzetë. Përjashtime të çuditshme – apidet japoneze (lloj insekti), për shembull, – hyjnë në një fazë “bombë me ngjitës” pas fazës riprodhuese dhe janë të afta të paralizojnë çdo të huaj që bëhet pjesë e kolonisë. Ato veçse e vërtetojnë rregullin.

Misteri i grave, funksioni riprodhues i të cilave ka mbaruar, ka pushtuar disa nga mendjet e mëdha të epokave. E them me keqardhje se shumë nga ato mendje nuk kanë qenë largpamëse. “Është një fakt i mirënjohur … se, pasi gratë kanë humbur funksionin e tyre gjenital, karakteri i tyre shpesh pëson një ndryshim të veçantë” dhe ato bëhen “grindavece, shqetësuese dhe mbizotëruese“, ka thënë Sigmund Freud. Komuniteti mjekësor i dominuar nga meshkujt në mesin e shekullit XX mendonte në të njëjtën mënyrë. “Duhet të përballemi me të vërtetën e pakëndshme se të gjitha gratë pas menopauzës janë ‘të tredhura’”, thoshte gjinekologu Robert Wilson, i cili e shtjelloi këtë temë në librin e tij best seller të vitit 1966, “Përgjithmonë femër”. Libri me ndikim, siç doli më vonë, ishte mbështetur nga një kompani farmaceutike e etur për të marketuar terapinë e zëvendësimit të hormoneve.

Edhe arkitektët e revolucionit seksual kanë qenë të fiksuar te pjelloria si një shenjë e feminitetit, një qëndrim që duket se është dyfish i padrejtë, pasi vjen nga të njëjtët njerëz që shpikën pilulën e kontracepsionit. “Sapo vezoret ndalojnë funksionin e tyre, vetë thelbi i të qenit grua ndalon“, shkruante psikiatri David Reuben në vitin 1969, në librin “Gjithçka që keni dashur gjithmonë të dini për seksin, por keni pasur frikë të pyesni”, duke shtuar se gruaja pas menopauzës i afrohet më shumë se asnjëherë të qenit burrë. ”Ose më saktë, jo tamam burrë, por jo më as grua që funksionon si e tillë.

Nuk është për t’u habitur fakti se gratë shkrimtare përgjatë shekujve e kanë parë të nevojshme të kenë ndikim te të tjerët. Disa zgjodhën rrugën në ngjitje. Në moshën 41-vjeçare, sapo lindi fëmijën e saj të gjashtë, aktivistja e të drejtës së votës së grave, Elizabeth Cady Stanton i shkroi shoqes e saj, Susan B. Anthony, në vitin 1857, për t’i thënë se vitet e tyre më të mira si aktiviste i kishin përpara. “Ne nuk do të jemi në kulmin  tonë para të pesëdhjetave dhe pas kësaj do të jemi të mira për të paktën njëzet vjet.” Të tjera ishin më pak optimiste. Në moshën 54 vjeç, ndërsa shkruante kujtimet e saj, Simone de Beauvoir me trishtim ishte e përgatitur për t’u thënë lamtumirë “të gjitha atyre gjërave që dikur më pëlqenin”; gratë, siç i kishte mësuar Frojdi,  bëhen të mjera dhe të ftohta ndërsa rriten në moshë. Betty Friedan, Gloria Steinem, Helen Gurley Brown, Germaine Greer – të gjithë e dokumentuan me forcë  pjekurinë e tyre, siç bëri  shkrimtarja që shpiku konceptin e “kalimit”, Gail Sheehy. Shkrimtares Nora Efron i erdhi keq për qafën (titulli i librit të saj: Më vjen keq për qafën time dhe disa mendime të tjera mbi të qenit grua”) dhe ankthi i saj prodhoi një best seller.

Edhe sot, gratë e kanë të vështirë të mos u tremben pasojave të largimit nga rinia. Këtë e ilustron më së miri një episod i “Inside Amy Schumer”, në të cilin mblidhen tri  ikonat komike: Tina Fey, Patricia Arquette dhe Julia Louis-Dreyfus – në një piknik në park. Ata po festojnë “ditën e fundit të të qenit joshëse”, sipas medias. Schumer, duke shprehur habinë e saj, ngre pyetjen nëse media ua bën këtë meshkujve. Treshja qesh dhe qesh.

Tre libra të rinj për gratë pas menopauzës tregojnë se qasja mbi këtë temë po ndryshon. Për herë të parë, “New York Times” vuri në dukje në fillim të këtij viti, se një kohortë e konsiderueshme grash po kalon në dekadën e gjashtë dhe të shtatë të jetës me energji dhe përvojë në vendin e punës. Gratë janë më të arsimuara sesa burrat. Shumë e kalojnë moshën e hershme të mesme të shtrënguar mes sfidave të jetës dhe punës, si atletët që stërviten me pesha në kyçet e këmbëve. Kur pesha hiqet, ata kanë tashmë muskujt për të vrapuar. Praktikisht, lista e 2020-s e kandidatëve për presidentë femra është Ekspozita A.

Gjërat kanë ndryshuar, edhe për shkak të lëvizjes #MeToo. Në një farë mënyre, ajo i ka ndarë gratë sipas brezave, por edhe gratë më të moshuara që mund të pendohen për rikthimin në idenë e të qenit femër e brishtë, duken të kënaqura kur shohin se si bien nga froni grabitqarët seksualë. Zbritja nga “froni” e burrave si Charlie Rose dhe Matt Lauer u ka hapur rrugë grave si Christiane Amanpour dhe Gayle King të zënë poste kryesore, ku ata japin shembullin e tyre se si është në të vërtetë një 60-vjeçare: e mrekullueshme.

Diskutimit aktual i shtohet edhe biologjia evolucionare, e cila i vlerëson tiparet bazuar në qëllimin e tyre riprodhues. Duke pasur parasysh që menopauza është joproduktive nga përkufizimi, biologët e konsiderojnë atë një “enigmë të madhe evolucionare”, shkruan romancierja Darcey Steinke në kujtimet e saj, “Ditari i Flash Count: Menopauza dhe përligjja e jetës natyrore”. Sipas pikëpamjes që mbizotëron, një femër i zotëron që në barkun e nënës të gjitha vezët që do të ketë gjatë gjithë jetës; numri menjëherë fillon të zvogëlohet, dhe nga mesi i të 40-ave të saj, vezët e mbetura janë të një cilësie të dobët. Për një biolog evolucionar, kjo është interesante dhe e çuditshme. Për Steinke, kjo ishte e mjerueshme dhe e vështirë. Libri i saj është lirik, por pak dëshpërues, sepse ajo vetë ishte në depresion.

Disa gra përjetojnë pak simptoma gjatë menopauzës, por Steinke u përball për gati dy vjet me afshet, episode akute që ishin si “ankth katër-minutësh”. Ajo e ndjeu më pranë mundësinë e vdekjes: “Për herë të parë, ndjeva se kisha një datë skadence”. Ajo shkruan gjallërisht dhe me mençuri për seksin, duke vajtuar humbjen e mundësisë për të qenë e dëshiruar dhe zbehjen e vetë dëshirës së saj. Ajo ndihet e zemëruar dhe i bërtet të shoqit. “Kohët e dikurshme të furisë seksuale duken gati të pamundura tani“.

Çdo grua natyrisht ka të drejtë (dhe nuk mund t’i shmanget) t’i përgjigjet menopauzës. Por reflektimet melankolike të Steinke tingëllojnë pak të vjetra, ndërsa ajo nuk mund t’u shpëtonte mjekëve, Wilsons dhe Reubens, dhe leksioneve të tyre pompoze për atë që mbetet pas kur estrogjeni, si një dallgë, tërhiqet mbrapa. “Pa hormonet, feminiliteti im po shkatërrohet,” shkruan ajo. Në një gjendje kalimtare, ajo identifikohet me njerëzit që po largohen nga gjinia e tyre e lindjes – jo se empatia sjell shumë lehtësim.

Steinke gjithashtu identifikohet me një nga speciet e tjera që gëzojnë një jetë të gjatë pas menopauzës: balenat vrasëse. Në oqean, femrat joproduktive luajnë një rol të rëndësishëm. Me mençurinë e viteve të përvojës, ato drejtohen te salmoni më i mirë. Steinke lundron me kajak në ujërat larg bregdetit të Seattle-it. “Matriarket e egra më kanë dhënë shpresë,” shkruan ajo. “Ato nuk janë as të dobëta dhe as të shqetësuara, por në çdo mënyrë lidere të komuniteteve të tyre“.

Ideja se menopauza mund t’u japë një rol dhe një staturë të re grave është argumenti kryesor i librit  “Ngjitjet e ngadalta në Hënë: Shkenca, Historia dhe Kuptimi i Menopauzës”, nga Susan Mattern. Historiane në Universitetin e Xhorxhias, ajo largohet nga përvoja personale për ta marrë në konsideratë “të kaluarën madhore të njerëzimit”. Njëherë e një kohë, shkencëtarët supozonin se gratë (dhe burrat) ishin të projektuar për të jetuar deri në të 50-at, dhe se menopauza ishte një aksident, një nënprodukt i progresit të mjekësisë. Megjithatë, edhe në shoqëritë primitive, rezulton se, një pjesë e grave jetojnë mirë në moshën e mesme, gjë që sugjeron që menopauza është një tipar, jo një problem, i evolucionit njerëzor.

Mattern ka teorinë e saj të guximshme sipas të cilës: Menopauza është çelës i suksesit tonë si specie. Në etapat e para të njeriut, kur ai gjuante dhe grumbullonte ushqim, fiseve u duhej një ekuilibër mes prodhuesve dhe konsumatorëve – njerëz që e sillnin ushqimin dhe njerëz që e hanin. Shumica e të rriturve i bënin të dyja. Por jo fëmijët, të cilët mbeteshin të varur gjatë periudhës së gjatë të zhvillimit të trurit. Pjesëtarët e fisit, të cilët mund të sillnin ushqim për më shumë se një person pa shtuar popullsinë, kishin rëndësi thelbësore.

Vijmë te femra pas menopauzës. Antropologu Kristen Hawkes studioi një fis modern, Hadza, dhe zbuloi se një grup energjik grash në moshë sillnin “më shumë ushqime në kamp sesa çdo moshë tjetër por edhe më shumë sesa meshkujt”. Kjo i hapi rrugën Hipotezës së Gjyshes: Gratë në moshë jo vetëm që shërbejnë si prodhuese të ushqimit, por ato edhe ofrojnë edhe kujdesin për fëmijët. Në fisin Hadza dhe fiset e tjera, shkruan Mattern, gratë “arrijnë kulmin e produktivitetit në sigurimin e ushqimit në të 50-at dhe vazhdojnë të prodhojnë tepricë kalorike në pleqëri.” Ajo tregon se tributë i vrisnin anëtarët e tyre që nuk kontribuonin. Nëse gjyshet nuk vriteshin, arsyeton ajo, kjo bëhej sepse ato ishin ende të dobishme.

Mattern argumenton se menopauza ndoshta u shfaq te njerëzit kur ne u ndamë nga shimpanzetë miliona vjet më parë. Ajo i dha Homo sapiensit avantazh mbi speciet e tjera hominide si Neandertalët dhe Denisovanët, thotë Mattern. Kufizimi i lindjes së fëmijëve nga gratë më të reja, për pasardhësit e të cilave mund të kujdeseshin gratë më të moshuara, u mundësoi specieve shpëtojnë nga një epidemi apo një krizë: Ato gra pjellore mund të riprodhoheshin shpejt, por asnjë grua nuk mund ta bënte këtë përgjithmonë, duke i kursyer fisit rrezikun e mbipopullimit. Me zhvillimin e bujqësisë, menopauza vijoi të shërbente për një qëllim të rëndësishëm. Koha më e begatë për një familje fshatare ishte pas menopauzës, argumenton Mattern, kur fëmijët më të rritur mund të ndihmonin dhe familja nuk kishte më anëtarë të rinj për të mbajtur. Në ditët e sotme, me më pak fëmijë dhe më shumë burime, argumenton ajo, “gratë që e kanë kaluar menopauzën, të cilat historikisht e kanë përdorur tepricën e tyre të energjisë për të ndihmuar familjet të mbijetojnë, tani mund ta përdorin atë në mënyra të tjera.” Ndërsa Steinke e përjetoi menopauzën si mbyllje, Mattern e sheh si hapje.

Të dyja këto pikëpamje janë të vërteta, siç tregon analistja e “New York Times”, Gail Collins, në “Pa pengesa përpara: Aventurat e grave në moshë në historinë amerikane”, i cili përfshin kohën që nga epoka koloniale deri më sot. Qëndimi i saj është se, gratë e moshuara performojnë mirë kur rrethanat lejojnë që ato të jenë produktive: “Nëse je i rëndësishëm ekonomikisht, je i rëndësishëm.”

Duke ndjekur këtë zhvendosje të statusit të tyre, ajo vëren se gjatë periudhës koloniale, gratë merreshin me tjerrje dhe thurje në pleqëri. Fizikisht, natyrisht, kjo fazë (menopauza) mund të jetë një ferr i vërtetë – çrregullime në zonën e legenit, dëme të kohës së lindjes së fëmijëve, dhëmbë të prishur. Skllavet e moshuara dëboheshin ose liheshin pas dore. Megjithatë, e vetmja gjë më e keqe sesa të qenit grua ishte të qenit burrë: Vdekshmëria mashkullore ishte më e lartë dhe të mbeturit vejushë mund të ishte bekim – gratë e veja, të paktën ato të bardha, mund të zotëronin pronë (ndryshe nga gratë e martuara). Pastaj, ndërsa popullata rritej, burrat monopolizuan vendet e punës. Gratë kishin më pak qëllime ekonomike dhe kështu e humbën statusin.

Collins e vë theksin te epoka e reformës shoqërore në mesin e shekullit XIX si një periudhë tjetër kur gratë e moshuara gëzonin prestigj, megjithëse më pak për shkak të fuqisë ekonomike sesa për shkak të pushtetit që u jepte autoriteti moral. Një ndër avokatet e të drejtave të grave, Elizabeth Cady Stanton, argumentoi se gratë mund të dominonin sfera të ndryshme në faza të ndryshme të jetës, duke kaluar nga problemet shtëpiake në platformat komunitare. Stanton, shkruan Collins, “besonte se menopauza i kishte riorientuar të gjitha forcat e saj jetike nga organet e saj riprodhuese në trurin e saj”. Ajo dhe Susan B. Anthony ndërsa dhanë shfaqje teatrale në gjithë vendin, mbanin fjalime në tryeza dhe luanin letra me ushtarët. Mosha u lejonte të ‘kishin aventura’. Në të njëjtën kohë, një vëzhguese shkruante, “Zonja hijerëndë Stanton ka fituar shumë imunitet për shkak të pamjes së saj prej nëne”.

Ndërsa punët që kërkonin jaka të bardha u shtuan në epokën industriale, gratë mbetën jashtë, çka e dëmtoi pushtetin shoqëror të grave të të gjitha moshave. Gratë me ngjyrë dhe në moshë u bënë shtyllë e betejave të hershme për të drejtat civile, por kontributet e aktivisteve si Mary Church Terrell dhe Mary McLeod Bethune u lanë në hije, duke iu dhënë kredit burrave në moshë të re. Kthimi i grave në fuqinë punëtore gjatë Luftës së Dytë Botërore i hapi rrugë presionit të pasluftës për ta larguar atë, gjë që dha rezultate të ndryshme për gratë e moshuara. Në vitet ’60 dhe ’70, u bënë hapa të rëndësishëm falë punëtoreve femra siç janë stjuardesat, të cilat ngritën padi dhe protestuarn për rregullat që i detyronin ato të dilnin në pension nëse martoheshin ose nëse kishin arritur moshën 35 vjeç. Megjithatë, ndërsa potenciali fitues i grave u rrit së bashku me zgjatjen e kohës së qëndrimit në punë dhe me lirinë seksuale, më të moshuarat mes tyre përballeshin me presione të reja.

Mund të mos jetë rastësi që Wilson, Reuben dhe të tjera iu kundërpërgjigjën rreziqeve të menopauzës gjatë kësaj epoke. Vënia në qendër e lirisë seksuale nga lëvizja e grave, pa dyshim, i la feministet e valës së dytë më vulnerabël përballë pasigurisë për trupat dhe pamjen e tyre. Susan Mattern propozon që vetë koncepti i sindromit menopauzal ishte shpikja e një kulture që synonte të dobësonte psikologjikisht gratë në një periudhë të fortë të jetës – në një moment historik kur fuqia femërore po rritej. “Grupet mbizotëruese,” vëren ajo, “mund të jenë shumë krijuese ku është fjala për të shpikur mënyra të reja për të shtypur njerëzit.”

Megjithëse i habitur ndërsa lexon këto raporte, të cilat Stanton me intuitë hamendësonte që do të mbeteshin të vërteta edhe sot: Gratë kanë një trajektore të ndryshme jetësore nga burrat, dhe vendi i menopauzës në të gjithë këtë është çlirimi në një mënyrë që ia vlen të merret në konsideratë. Për të përshkruash një fazë të jetës, edhe një të dhimbshme, mund të jetë vetë një formë fuqizimi. Edhe burrat ndiejnë humbje dhe pasiguri me avancimin e moshës, madje edhe ata mund të bëjnë njëfarë harte të këtij ndryshimi. Ndërsa kalojnë mesomoshën, shumë përpiqen të rivlerësojnë ambicien profesionale dhe të ndërtojnë lidhje më të forta sociale dhe intime. Faqet e takimeve në internet zbulojnë në të vërtetë ankthin e burrave për rënien fizike (“Shokët më thonë se dukem shumë më i ri se 60 vjeç!”) Dhe sugjerojnë që shumë burra janë plotësisht të gatshëm të njohin gra në çdo moshë. Librat e seksit kanë të drejtë: Burrat nuk janë aq përzgjedhës kur është fjala te trupat e grave, siç mund të druhen këto të fundit. Burrat duan seks, por gjithashtu dëshirojnë të bisedojnë, duan një partner me besim dhe arritje. Edhe Simone de Beauvoir ndryshoi mendje. Në një nga librat e saj mbi përvojën e plakjes, ajo shkruante se kishte kaluar një “kufi” dhe kishte gjetur paqen. Ajo kishte gjetur edhe një dashuri të re. “Është më pak e zymtë nga sa e kisha parashikuar”, shkruante ajo. / The Atlantic / Përktheu: Gazmira Sokoli / 

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *