Fatos Klosi: Roli i Berishës në vrasjen e Azem Hajdarit, është një histori e ngatërruar

12 Shtator 2019, 09:22Politika TEMA

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari gjeti vdekjen 21 vite më parë. Në datën 12 shtator të vitit 1998 ai u nda nga jeta pas një atentati mafioz që iu bë para selisë së Partisë Demokratike.

Por edhe pse sot mbushen 21 vjet nga vrasja e tij, për Fatos Klosin, që kur ka ndodhur ngjarja ka qenë kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar, autorët apo organizatorët nuk kanë gjetur dënimin e merituar.

Klosi shprehet sot se një nga emrat e njohur i përfshirë në këtë ngjarje është Sali Berisha.

Sipas tij, ai ka dhënë kontribut dhe ka ndihmuar në eliminimin e Azem Hajdarit me qëllim që më pas ta shfrytëzonte për interesat e tija vdekjen e tij.

“Sali Berisha ka gisht, ka rol në vrasjen e Azem Hajdarit. Nuk është se e organizoi Berisha, por është ai që e shfrytëzoi. Ai pasi mori vesh se çfarë po përgatitej, ndihmoi dhe pastaj e shfrytëzoi. Nga kjo pikëpamje, sigurisht që ka pjesën e tija Sali Berisha. Nuk mund të them që e organizoi ai. Kjo është një histori e tërë. Është edhe një histori krimi, por edhe një histori marrëdhëniesh fisnore në Tropojë dhe Berisha ka kontribut”, deklaroi Fatos Klosi.

Ish-kryetari i SHIK renditi edhe disa arsye që sipas tij, mund ta kenë çuar drejt vdekjes Azem Hajdarin. Klosi tha se Berisha dhe Hajdari nuk i kanë patur marrëdhëniet të mira me njëri-tjetrin sepse ish-kryeministri e shihte atë si kundërshtar brenda Partisë Demokratike.

Ai theksoi se Azem Hajdari nuk iu nënshtrua urdhrave të Sali Berishës dhe kjo mund të ketë çuar këtë të fundit të japë kontribut në eliminimin e tij.

“Azemi ishte kundërshtari kryesor i Sali Berishës. Ai kishte influencë sepse ishte nga të parët në parti, por edhe në karakter ishte i fortë. Ai nuk i ishte nënshtruar Berishës. Kështu që Berisha nuk mund ta duronte”, u shpreh Fatos Klosi.

Sipas tij, Berisha u shtir para publikut sikur i erdhi keq për vrasjen e Azem Hajdarit, por shtoi se në fakt ai përfitoi nga kjo ngjarje dhe e shfrytëzoi atë politikisht për të ardhur në pushtet. Në fakt, menjëherë pas eliminimit të Hajdarit vendi u mbërthye nga trazirat dhe u organizua një grusht shteti.

“Ai e qau me lot krokodili pas vdekjes dhe e shfrytëzoi vrasjen e tij sepse ai ishte kundërshtari kryesor i Berishës. Për këtë ngjarje janë dhënë dënime, por shumica e të dënuarve nuk janë më. Vendimet janë dhënë, por ato u bënë më shumë për të treguar që shiko drejtësia në Shqipëri funksionon, dhamë dënime shumë të forta. Procesi mbeti pa i shkuar problemit deri në fund.

Berisha që ishte i pari që akuzohej. Vetëm 10 minuta pas ngjarjes ai deklaroi se kush janë autorët, kush janë vrasësit. Pra, ishin disa gjëra që Berisha i dinte para. Është një histori vërtetë e ngatërruar nga ku nuk u vra vetëm Azem Hajdari. Për mua, Berisha ka kontribut.

Ai nuk pranoi të deponohej, megjithëse pretendonte të jepte kontributin e tij për zbardhjen e ngjarjes, ai kurrë nuk shkoi. Ai nuk ishte dëshmitar në gjyq, e shmangu, e largoi nga vetja këtë ngjarje. Vetëm e shfrytëzoi atë politikisht”, tha Fatos Klosi.

Ai shtoi se preferon që Sali Berisha të mbajë përgjegjësi për këtë ngjarje, por besimi se diçka e tillë do të ndodhë i mungon.

“Mua do të më pëlqente që deklaratat e Izet Haxhisë që ka prova që lëkundin pozitat e Berishës të ishin të vërteta, megjithëse nuk kam besim në diçka të tillë. Do të më pëlqente sepse jam i bindur që Berisha ka gisht në atë histori.

Le të dalin edhe të më thonë mua e të tjerëve që e keni gabim, nuk ka gisht, ose ka dhënë ndihmë të dorës së dhjetë. Por kjo ngjarje u pasua nga shumë ngjarje të tjera dhe është e vështirë t’i shkohet deri në fund. Edhe sot nuk ka interes askush më ta ngacmojë”, u shpreh Fatos Klosi.

2 komente në “Fatos Klosi: Roli i Berishës në vrasjen e Azem Hajdarit, është një histori e ngatërruar”

  1. lenci says:

    Pirdh pirdh o Klos, se Berisha osht dhe ka qene mbret. Ja hoqet trurin ketij populli duke thene ai kshu e ai kshu, çfar e gjeti, si pasha.

  2. bregu says:

    Si ore ish shefi i SH.I.SH. shprehesh qe : -Sot nuk ka interes te hapet kjo çeshtje . Ndersa une si popull si njeri i thjeshte them qe kesaj çeshtje duhet ti shkohet deri ne fund se nga kjo behet zberthimi i te gjitha ngjarjeve vrasjeve shkatrrimeve vjedhjeve qe jane bere tash afro 30 vjeteve dhe askush nuk mbajti e nuk po mban pergjegjsi . Deri sot asnje gjyq nuk eshte bere i sakte asnje çeshtjeje nuk i eshte shkuàr deri ne fund .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje